Fisnik PASHOLLI
Shkup, 9 gusht – Bizneset në Maqedoni vitin e kaluar kanë shkyçur afër 31 mijë numra zyrtar të telefonave celularë. Me fjalë të tjera, është ndërprerë përdorimi i çdo të dhjetit telefon zyrtar me qëllim të shkurtimit të harxhimeve në ambientin e një krizë të zgjatur politike që ka ndikuar edhe në rrjedhat e biznesit në vend, shkruan gazeta KOHA. Sipas të dhënave të Agjencisë për Komunikime Elektronike, në vitin 2016 shënohet rënie e numrit të parapaguesve afarist postpejd në 269.101 nga 300.158 sa ishin në fund të vitit 2015. Bile, në raport me pesë vite më parë apo me vitin 2011, kjo paraqet një ulje edhe më të madhe prej afër 100 mijë parapagues. Sipas të dhënave të AKE, në fund të vitit 2011 në Maqedoni kanë qenë të regjistruar 359.875 parapagues afarist që në raport me fundin e vitit 2016 – paraqet një ulje për 90.774 parapagues, gjegjësisht në periudhën 2011-2106 shifra e personave që shfrytëzojnë telefon zyrtar është ulur për afër 100 mijë numra. Shkaku kryesor për rënien e madhe të parapaguesve afarist janë kushtet e rënduara të punës të firmave si rrjedhojë e ngërçit politik vitet e fundit e që krijon ambient jo të volitshëm për biznesbërje, andaj shumë firma ndërmarrin masa të ndryshme të kursimit duke anuluar edhe numrat e kontraktuar biznes-postpejd me parapagim mujor që paguhet nga llogaritë e tyre mujore.
Faktor kryesor i uljes kaq të madhe të parapaguesve afarist, krahas ambientit të rënduar për biznes – është edhe mungesa e keshit apo parave të gatshme tek firmat, përcjell KOHA. Andaj, edhe viteve të fundit jo që nuk kemi rritje të numrit të firmave të reja, por shënon stagnim edhe numri i firmave që punojnë në shtet. Në vitin 2015, në Maqedoni janë regjistruar 6877 firma të reja, ndërsa nga ana tjetër janë mbyllur 6249 firma nga totali i afër 70 mijë firmave aktive. Me fjalë të tjera, të dhënat e AKE tregojnë se është i përafërt numri i bizneseve që janë hapur dhe mbyllur, gjegjësisht kemi një zero pozitive të rritjes së numrit të firmave në vend. Se kompanitë kanë vështirësi të paguajnë kreditë, obligimet ndaj shtetit si dhe të paguajnë për çdo muaj me rregull edhe pagat e punëtorëve – tregojnë edhe të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë, sipas të cilës rritet numri i firmave me llogari të bllokuara. Për situatën e rënduar të biznesit lidhur me likuiditetin e firmave flet edhe rritja për 30 mijë e llogarive të bllokuara të firmave në periudhën 2008-2016. Sipas statistikës së Bankës Popullore, në muajin dhjetor të vitit 2016, kanë qenë të bllokuara xhirollogaritë e 53.656 bizneseve, kurse në dhjetor të vitit 2008, me llogari të bllokuara kanë qenë 21.273 kompani, gjegjësisht gati një e treta e bizneseve aktive në Maqedoni.
Në ndërkohë, kriza ekonomike dhe politika jo vetëm që ka rënduar punën e shumicës së bizneseve në vend, por ka ndikuar edhe në uljen e fitimit të tyre në vitin 2016. Të dhënat zyrtare tregojnë se Telekomi i Maqedonisë shënon ulje të fitimit prej 19.6 në 16.8 milionë euro si rrjedhojë e uljes së numrit të parapaguesve të sektorit afarist, si dhe ashpërsimit të konkurrencës në sektorin e telekomunikacionit në fusha të ndryshme si të internetit, telefonisë fikse dhe celulare. Gjithashtu, tre kompanitë që realizojnë më shumë të ardhura nga shitja dhe që realizojnë punën e tyre përmes Bursës së Maqedonisë, në vitin 2016 shënojnë ulje të realizimit për 16 për qind. Kjo me fjalë të tjera do të thotë se OKTA, Makpetrol dhe Telekomi i Maqedonisë kanë shënuar në vitin 2016 gjithsej shitje prej 745 milionë euro apo për 119 milionë euro më pak se në vitin 2015. Ndryshe, analizat e ndryshme tregojnë se biznesi vendor më shumë është orientuar në mbijetesë dhe shumë më pak është i orientuar drejt zhvillimit dhe rritjes së tij. Pjesa më e madhe e firmave nuk shikojnë funksionimin e tyre afatgjatë, por janë të orientuara të mbijetojnë dhe të funksionojnë në korniza afatshkurtra, theksojnë analizat e Organizatës së Punëdhënësve të Maqedonisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.