Shkup, 6 qershor – Për të dytën herë me radhë, Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës “Albiz”, organizon kurs falas për rrobaqepësi për gratë e Komunës së Sarajit, qëllimi i të cilit është tu dilet në ndihmë grave të cilat nuk janë në gjendje të mirë për të siguruar kushte për vetëpunësim. Derjtori i Fondacionit, Ilir Idrizi, tha për gazetën KOHA se kursi u dedikohet grave nga mosha 20 deri 45-vjeçare të Komunës së Sarajit.
“Fondacioni për zhvillimin e arsimit dhe kulturës ALBIZ në bashkëpunim me Shkollën moderne për prerje dhe qepje ‘Spens Moderna’ organizojnë kurse falas për rrobaqepësi. Kursi u dedikohet grave nga mosha 20 deri 45 vjeçare të Komunës së Sarajit. Ky kurs organizohet me qëllim që vajzave dhe grave tu ndihmohet në edukimin e tyre joformal për të siguruar kushte për vetëpunësim”, tha ai.
Sipas Idrizit, ligjëratat do të mbahen nga instruktore profesionale me metodologji për punë në kohëzgjatje prej 3 muajve, kryesisht 80 orë mësimore (25 orë teori-bazat e prerjes dhe 55 orë praktik-qepje), 2 herë në javë nga 3 orë.
“Pas përfundimit të kursit pjesëmarrëset do të marrin diplomë (Certifikatë) për mbarimin e kursit, e cila më pas mund t’ju ndihmoj të kyçen në ndonjë kompani tekstili, të hapin ndonjë dyqan rrobaqepësie ose të punojnë vetë në kushte shtëpiake. Përparësi do të kenë, nënat e vetme, gratë në familjen e të cilave ka pjesëtar të familjes me nevoja të posaçme, gratë nga familjet pa asnjë të ardhur financiare”, deklaroi Idrizi. Rreth 20 gra, të cilat janë aftësuar nga ky kurs i vitit të kaluar veçmë kanë filluar të punojnë në këtë profesion nga shtëpia ose në ndonjë shtëpi të modës.
Idrizi gjithashtu premton se ky kurs në të ardhmen do të zgjerohet edhe nëpër komunat tjera të vendit. Të gjithë të interesuarat për të aplikuar për pjesëmarrje në këtë kurs duhet të paraqiten tek zyrat e Fondacionit Albiz në Saraj, Rr. 20 Nr. 97, për të plotësuar formularin për aplikim më së voni deri më 25 Qershor 2018.