“Kurrë s’kam hequr një vajzë universitare nga shkolla meqë ishte e mbuluar”

Kur një vajze që familja e ka edukuar, mirë a keq, të mbajë shami, nuk e pranon në shkollë, po kjo a nuk do të ishte një shkelje e lirive të saj? A nuk do të ishte një shkelje e të drejtave të saj një herë nga familja pastaj edhe nga shkolla? A nuk do t’ua nxinim përfundimisht jetën këtyre vajzave në vend t’i merrnim për dore, me dashurinë e mësuesit, dhe t’u edukonim humanizmin, lirinë, gjithçka…

 

Profesori dhe akademiku Artan Fuga përkrah iniciativën e çdo vajze shqiptare që të mbajë shami në kokë si simbolikë fetare islame sa kohë ajo respekton ligjin. Kurse debatin politiko-mediatik e konsideron krejt të kotë përderisa çështja sipas tij është zgjidhur në Kushtetutën e Kosovës, në orientimin e shtetit drejt vlerave Perëndimore. Akademiku i njohur thotë për Gazetën “Panorama.al” se duhet respektuar liria e besimit dhe simbolikat e saj dhe se vajzat kosovare duhet të vendosin vet nëse duan ose jo mbajtjen e shamisë në kokë në ambientet shkollore. Artan Fuga risjell në vëmendje se gjatë mësimdhënies nuk ka hequr një vajzë universitare nga shkolla meqë ishte e mbuluar.

Profesor, në Kosovë është rikthyer debati për mbajtjen e shamisë nga vajzat nëpër shkolla, ku prej gati dy dekadash ka përplasje mes atyre që janë pro mbajtjes së shamisë dhe atyre që e kundërshtojnë një gjë të tillë. Si e konsideroni këtë debat publik lidhur me projektligjin për mbajtjen ose jo të shamisë në ambientet shkollore në Kosovë?

Advertisements

Është e vërtetë që në mediat kosovare shoh një lloj debati aktualisht lidhur me lejimin apo ndalimin e mbajtjes të shamisë si simbolikë fetare islame nga vajzat në shkollë. Shoh gjithashtu që marrin pjesë politikanë, pedagogë, intelektualë, përfaqësues të fesë, deputetë, etj. Por nuk di nëse është një debat që zien ose jo në shoqërinë kosovare. Pra, a është një debat që bëhet në radhë të parë mes të rinjve vetë, mes vajzave, mes djemve, në familje, mes komshinjve, mes njerëzve pra në kafene. Pra, nuk di nëse është një debat i stisur nga lart, apo vjen deri në majat e dialogut social, në media, në kuvende si jehonë e buçitjes nga poshtë. Nga sa e masë unë, sidoqoftë pak nga larg dhe tërthorazi gjendjen e debatit në Kosovë, por të debatit real në mes të popullsisë, nuk shoh ndonjë “përplasje” sikundër më pyesni ju. Unë dalloj dialogun, debatin, debatin e elitave politike, apo debatin, intelektual, debatin social të thellë në shoqëri, nga përplasjet në shoqëri për çështjet fetare apo botëkuptimin fetar. Përgjithësisht debatin, dialogun, kundërshtitë në opinionin publik kur ato kryhen në forma demokratike dhe të kulturuara pavarësisht ndonjë toni ndonjëherë të lartë, ndonjë teprimi jo të rrezikshëm për paqen sociale, e quaj gjithmonë të shëndoshë. Nuk ka gjë më të keqe, më të neveritshme, më të rrezikshme për një komb kur opinioni shoqëror fle i hipnotizuar, i anesteziuar, i vdekur si në Shqipëri. Kjo është e rrezikshme shumë. Kurse si debat politiko-mediatik e konsideroj krejt të kotë.

Pse?

Sepse çështja është zgjidhur në Kushtetutën e Kosovës, në orientimin e shtetit të Kosovës drejt vlerave Perëndimore. A është shpallur liria e besimit? Kjo do të thotë që familja ka të drejtë që t’i edukojë fëmijët me atë besim që do dhe të edukojë ata që të respektojnë ato simbolika fetare që janë në traditat e saj. Kryqin në qafë, kippan në majë të kokës, kokat e bukura zbuluara sikurse i ka bërë nëna Natyrë, apo edhe në respekt të shamisë. Mjafton mos t’i përçudnojë, mos të ushtrojë dhunë, mos dëmtojë shëndetin dhe dinjitetin e tyre moral.

A thotë Kushtetuta e Kosovës së është shtet laik?

Po! Pra, çështja e besimit nuk është çështje e shtetit, për aq sa respekton ligjet. E të tjera. Kurse i famshmi udhëzim administrativ i vitit 2014, flet për domosdonë e mbajtjes të uniformës në shkollë, por se çfarë kuptohet me uniformë dhe deri ku shtrihet koncepti i uniformitetit shkollor në veshje, kjo mbetet të përcaktohet. Një urdhër sqarues nga ministrja për arsim e zgjidh në çast këtë. Të tjerat janë kot, sepse në planin normativ çështja është shumë e qartë.

Pse ky debat në një kohë kur Kosova pret liberalizimin e vizave me vendet e BE-së?

E shoh pa asnjë lidhje. Pse ka ndonjë problem Evropa ta zëmë kur vende evropiane dhe perëndimore e tolerojnë këtë, sepse e quajnë çështje që ka të bëjë me lirinë e familjeve për të edukuar deri në një farë moshe fëmijët e tyre. Edhe këtu ka një rivalitet dhe bashkëpunim që ndonjëherë mund të zgjidhet me një konkurrim vlerash në afatgjatë. Shkolla laike publike duhet të edukojë respektin e simboleve edhe fetare, por edhe barazinë mes vajzave dhe djemve. Por, ka komunitete që kanë ndonjë ngarkesë simbolike për femrat më të lartë se për burrat. Kjo nuk është në përputhje sipas meje me këtë barazi gjinore.

Por, meqë unë e kuptoj kështu, dhe përpiqem që edhe vajzat dhe djemtë ta kuptojnë kështu, kjo nuk do të thotë që të bëhem i egër, cinik, përjashtues, të stigmatizojë atë pjesë të miqve, komshinjve që mendojnë ndryshe nga unë. Evropa mendoj se deri këtu duhet të shohë me sy pozitiv që edhe vajzat që familjet iu kërkojnë të mbajnë shami në kokë si shenjë fetare dalluese të vijnë në shkollën laike, të arsimohen, të emancipohen. Mendoni ju se çfarë gjendje do të përjetonin ato vajza të vogla që në shtëpi do të kishin presionin për të mbajtur shaminë në kokë, dhe nga ana tjetër për këtë shkak një fytyrë e egër drejtori nga ana tjetër e kangjellave të gardhit të shkollës t’u bërtasë, t’u çirret : Jashtë! Unë po të isha ai drejtor, edhe nëse do të më thoshin largoji ato vajza, do t’u përgjigjesha: Ikni more qërohuni!

Unë kurrë nuk kam hequr një vajzë universitare nga shkolla meqë ka qenë e mbuluar. Por, në respekt të feve, kam punuar me të fort, me delikatesë, me kujdes, që të kuptojë barazinë gjinore, të drejtat e saj vetjake, të kuptojë se besimi është në zemër dhe jo në imponim, të kuptojë se nderi i gjithkujt nuk është veshjet, por te bindjet dhe sjellja. Unë kam parë në Evropë dhe më tej femra që janë besimtare të denja myslimane, që gëzojnë respektin e komunitetit të tyre, por që janë dhe kanë zgjedhur të jenë me kokën zbuluar. Pra nuk ka asnjë lidhje me liberalizimin e vizave. Asnjë. Mos e kujtoni Evropën si një, kuçedër që ha ata me të cilët ajo nuk është dakord! Por, mua më vjen keq kur të moshuarit, të rriturit debatojnë për mënyrën e jetesës të të rinjve dhe këta janë përjashtuar. Unë uroj që të rinjtë kosovarë, vajzat fillimisht, të marrin iniciativën dhe të thonë: Pa hapuni pak se këtë çështje nuk e vendosni ju, por ne! Sa kohë që nuk ndodh kjo unë e shoh në imagjinatë shoqërinë kosovare mbuluar metaforikisht me një “jorgan” duke futur kokën mbuluar përpara hovit dhe energjive rinore. Shkoni në Evropë dhe guxoni të debatoni duke përjashtuar rininë kur është fjala për çështje që prekin atë!!! Ju marrin me hyaaahyaaaaa!

Sa i vjen në ndihmë portretizimit nga Serbia të shqiptarisë jo si komb, por të lidhur me religjione, në përpjekje për të bërë Perëndimin të pendohet për ndërhyrjen e vitit 1999?

Mendoni se lejimi që vajzat pas moshës 16 vjeç, të mund ta mbajnë shaminë e kujdesshme, jo penguese, jo imponuar me dhunë, etj., në shkollë, nëse duan, do ta bënte Perëndimin të pendohej për ndërhyrjen në 1999? Pse? A mos është kthyer Kosova në shtet radikal fetar? Apo i përmbahet vlerave demokratike?

Gjithsesi, a po përpiqen serbët të na lidhin me aspektin fetar?

Ju shihni “dorën serbe”, të armikut të jashtëm te lejimi i mbajtjes të shamive si shenjë simbolike fetare? Poqe se ka fakte, atëherë hajde debatojmë. Po, e vërtetë nëse Kosova si shtet do të humbasë laicitetin etj., këtu sigurisht do të bjerë nën vulën e propagandës të armiqve të saj se është bërë një shtet fetar. Por, nuk shoh këtu ndonjë shenjë. Albin Kurti apo Vjosa Osmani nuk po thonë se nuk pranohet në shkollë një vajzë që është kokëzbuluar. Nuk po mbulojnë vajzat me detyrim për të ardhur në shkollë. Po ta bënin këtë duhet të shpalleshin “non grata” në Shqipëri, jo vetëm në Evropë, por, po respektojnë një parim që e kanë shkruar në Kushtetutë të tjerë përpara tyre. Dhe unë nuk flas për “serbë”, por për politika të shtetit të Serbisë dhe jo vetëm, flas për politika të mbrapshta që kanë denigruar shqiptarët, në kohët jugosllave ose pas tyre.

Përse duhet të aplikojmë norma të një shteti tjetër të stilit arab në një kohë kur shqiptarët kanë zakonet e veta? Çfarë domethënë që shqiptarët kanë zakonet e veta?

Ju mendoni se identiteti shqiptar është ateist, apo jofetar? Unë nuk e besoj. Por, debat i gjatë. Jam gati ta bëj ku dhe kur duhet! Që shqiptarët janë ateistë, se janë të pafe, se kanë besim të cekët nga e kaluara? Se fetë përçajnë popullin? Nëse mendojmë kështu, hajde debatojmë, por unë nuk mund të them se në zakonet shqiptare nuk kanë qenë edhe ceremonitë fetare, të të gjitha feve, se nuk ka qenë zakon shqiptar t’i falej Zotit në variantin që besonte, se nuk ka qenë zakon shqiptar që të kungohej, të martohej në kishë, a xhami, a ku di unë tjetër! Unë nuk mendoj se ka zakone shqiptare që të jenë vetëm të vetat, pra pa ndikime nga besime fetare të përbotshme, të pandikuara nga popuj të tjerë, të izoluara nga vlerat e qenies njerëzore. Edhe ky dialog që po bëjmë është një zakon që vjen nga shumë larg, nuk e, kemi shpikur ne të dy si shqiptarë.

A është mbulesa një vrasje e lirisë, aq më tepër kur vihet në moshë të vogël?

E respektoj frikën tuaj, dhe më vjen mirë si femër e keni të lartë ndjeshmërinë për lirinë tuaj. Jam solidar. Patjetër që kur një familje i imponon gjithçka një fëmije është një kufizim lirie. Edhe kur i thotë: Mos vidh, Mos fyej të tjerët, Mos bërtit, etj. E kuptoj që më pas, kur vajza bëhet madhore, nëse mbajtja e shamisë bëhet detyrim nga fizik është një diçka kriminale, po aq sa edhe kur vajzave të mbuluara u thuhet nuk ju pranojmë në punë, është po aq kriminale. Por, kur një vajze që familja e ka edukuar, mirë a keq, të mbajë shami, nuk e pranon në shkollë, po kjo a nuk do të ishte një shkelje e lirive të saj? A nuk do të ishte një shkelje e të drejtave të saj një herë nga familja pastaj edhe nga shkolla? A nuk do t’ua nxinim përfundimisht jetën këtyre vajzave në vend t’i merrnim për dore, me dashurinë e mësuesit, dhe t’u edukonim humanizmin, lirinë, gjithçka.

Ka të drejtë Kryeministri kosovar Albin Kurti kur thotë se shamia duhet të lejohet në institucionet publike edhe në shkolla, por jo nën moshën 16-vjeçare?

Albin Kurti ka njëmijë herë të drejtë kur nuk pozicionohet si babai i kombit, kur nuk pozicionohet si edukuesi i kombit, si fanari etik që u thotë qytetarëve i të cilëve është shërbëtor publik se çfarë është mirë apo se çfarë është keq në jetën e tyre etike. Edhe mund t’ua thotë, por jo si Kryeministër. Ai nuk po thotë hajdeni të mbuluara, ose sa mirë që jeni mbuluar, ai kryen vetëm ekzekutimin e atyre që Kushtetuta e detyron si nëpunës, dhe u jep të drejtë atyre me të cilët ndofta ai nuk është, dakord personalisht.

Pra, nënkupton që vetë ato vajza të mbuluara drejtoresha e shkollës nuk do t’u çirret: Jashtë! Por nuk po ndryshon planin strategjik të pedagogjisë të shkollës laike që kërkon që nxënësit të edukohen me vlerat e të drejtave individuale. Ai po respekton vlerën që familja ka të drejtë të ndikojë me edukim te fëmijët, por duke mos i pranuar nën 16 vjeç me shami, u vë kufirin te thana radikalëve. Si? U thotë: Ju edukoni, dakord, jeni në të drejtën tuaj, por edhe shkolla publike edukon. Ju në familje mund të kërkoni shaminë, por ne në shkollë kërkojmë kokat e bukura zbuluar. Kur fëmija bëhet 16 vjeç lë që njeriu i rritur tashmë të bëjë si të dojë! Shiko këto parime nuk i ka shpikur Albin Kurti! Ka volume të tëra shkencore për të drejtat njerëzore mbi këto çështje. Mos shpikim rrotën nga e para!

Nga ana tjetër, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se nëse propozimi për mbajtjen e shamisë në shkolla nga mosha 16 vjeç lidhet me të drejtën e votës, do të kërkojë ndryshim të Kushtetutës. Çfarë e zgjidh këtë debat në Kosovë? A është zgjidhje peticioni?

Nuk ka nevojë të lidhet e drejta e votës, me të drejtën për të vendosur për diçka. Kur vajza 16 vjeç konsiderohet se ka të drejtë të bëjë atë që do për veten e saj, kjo nuk do të thotë se medoemos duhet të ketë edhe të drejtën e votës. Ka të drejta që shteti mbron edhe për mosha më të vogla, kur i riu, apo adoleshenti vendosin vetë, por kjo nuk do të thotë që 10 vjeç të votojë. Kot është intimiduar! Peticioni? Në parim një budallallëk autoritarist, një instrument i shoqërisë së masave. Ta zëmë çfarë pune kanë të krishterët, ateistët, paganët; a ku e di unë, nëse komuniteti mysliman ka apo nuk ka një mendim të caktuar? Çfarë dreqin duan të shprehin me peticione burrat dhe gratë ta zëmë pesëdhjetëvjeçarë për çështje personale të 15-vjeçarëve, apo tetëmbëdhjetëvjeçarëve? Çfarë dreqin duan meshkujt të shprehen me peticione për liritë e femrave? Çfarë mentaliteti peticionist? A thua se po ndërtojmë një rrugë. Kujdes nga referendumet! Nuk janë shkalla më e lartë demokracisë!

Edhe Shqipëria ka një pjesë e madhe të popullsisë nga myslimanë, praktika fetare e të cilëve shpesh konsiderohet një model europian, për shkak të pikëpamjes shumë liberale për fenë. Por, vitet e fundit edhe në vendin shohim gjithnjë e më shumë vajza të reja ose gra të mbuluara. A i druhet vendi ynë një fenomeni të tillë që mund të vijë në rritje?

Kush i ka matur? Kur t’i masim flasim! Unë shoh vajzat shqiptare që ikin në Perëndim, të lira! Vajzat shqiptare të marrin gjak në vetull për këto punë! Kryeministri Edi Rama, jo më larg se dy ditë më parë në një intervistë për median franceze “France soir”, deklaroi se Shqipëria nuk është një vend mysliman, është një vend 100% europian. Në të vërtetë a ndjehen shqiptarët se janë një vend mysliman? Nëse ka thënë kështu ka ngatërruar gjithçka. Patjetër Shqipëria ka vlera evropiane që në fakt qeveria nuk i promovon ose i promovon dobët. Nuk e di përse. Unë nuk kuptoj si mund të thuhet se një vend është katolik, ateist, mysliman, hebre, ortodoks, pagan. Besimet e popullsisë mund të jenë të tilla. Pra, shqiptarët janë me besime të ndryshme. Shteti shqiptar duke ndarë shtetin nga feja, sigurisht është në modelin evropian. Dhe nuk ka njeri që e luan, ose luan me këtë se rinia shqiptare e mbron fort këtë vlerë!

Por, kjo nuk do të thotë se një pjesë e konsiderueshme shqiptarësh në planin fetare të mos jenë me besim islam, sikurse ka ateistë, evangjelistë, hebrenj, ortodoksë, katolikë, bektashianë, a ku e di unë çfarë tjetër. Çfarë lidhje ka identiteti politik me identitetin fetare, hajde kuptoje! Edhe në planin individual ka besimtarë islamë që adhurojnë Evropën, sigurisht. Ku është kundërshtia këtu, të thuash se jam evropian, nuk jam mysliman, ose jam mysliman dhe nuk jam evropian.

A nuk janë me tradita familjare islame, ortodokse, katolike, ateiste këta që ikin drejt Evropës si drejt tokës së premtuar?

Çfarë kontradikte shihni këtu! Në tekstet e shkollës sonë këto konceptet identitare janë bërë çorbë derri dhe prej andej lexoj dhe dëgjoj shumë formulime që janë pasojë e edukatës së shkollës së vjetër nga kanë kaluar dhe 50 apo 60-vjeçarët e sotëm, lëri të tjerët, dhe janë pasojë edhe e amnezisë dhe rrëmujës që mbretëron për këto çështje në antropologjinë akademike, apo edhe në tekstet e humaniteteve në shkollë që janë në pikë të hallit!