Driton ZENKU
Gostivar, 28 janar – Për “letra” qytetarët e Gostivarit kanë shkuar edhe deri në Republikën Popullore të Kinës. Sipas evidencave nga Drejtoria për udhëheqjen e librave amë në Gostivar, vitin e kaluar vetëm brenda për brenda territorit të Gostivarit ka pasur 420 martesa të reja, prej të cilave 10 për qind janë martesa me shtetas të huaj, shkruan gazeta KOHA. Prej tyre pjesa më e madhe janë në vendet e Bashkimit Evropian, por ka edhe me shtetas të vendeve tejoqeanike. “Prej këtyre 42 martesave me shtetas të huaj, një është me një shtetas nga SHBA, katër me gjermanë, katër me shtetas të Bullgarisë, shtatë me të Shqipërisë, dy me shtetas të Republikës së Turqisë. Pastaj kemi një martesë me një shtetas të Portugalisë, pesë të Austrisë, po aq të Kosovës, një në Sllovaki, katër me shtetas të Serbisë, Çekisë një, Malit të Zi po ashtu një, dy me shtetas të BeH, tre me shtetas të Zvicrës dhe një me shtetas të Kinës”, thotë për KOHA, Nijazi Asani, shef i Drejtorisë për udhëheqjen e librave amëz në Gostivar. Megjithatë, numri i “martesave me letra” të qytetarëve të Gostivarit mendohet të ketë qenë më i lartë vitin e kaluar, por nga Drejtoria për udhëheqjen e librave amëz, nuk posedojnë evidencë mbi atë nëse ka pasur kurorë e ku bartësi kurorës është banorë jo rezident në Gostivar, gjegjësisht qytetarë të Gostivarit të cilët janë me punë të përkohshme në vendet perëndimore. Gjendja nuk ka ndryshuar shumë nga vitet e kaluara. Ky konstatim është lehtë i verifikueshëm, sepse konfirmohet nga të gjitha zyrat e ofiçarisë, ku në mënyrë të dokumentuar vërtetohet se interesi për “martesat me letra”, siç i quajnë në Gostivar, nuk është reduktuar, por ka mbetur në nivelet e mëparshme. Krahas martesave për vizë jashtë shtetit, dukuri tjetër vërehet edhe shkurorëzimi formal mes qifteve, me qëllim që burri të ketë mundësi për kurorëzim fiktiv me shtetase të vendeve të Bashkimit Evropian. Në bazë të analizave të ekspertëve të Qendrës Ndërkomunale për Punë dhe Politikë Sociale, gjatë vitit 2016na paraqitet një histori e mëparshme kush bashkëshortët nuk gjenden përballë këtij vendimi shkaku i marrëdhënieve të prishura bashkëshortore, por për shkaqe ekzistenciale, për të bërë dokumentet në ndonjë vend të zhvilluar ekonomikisht, pas çka mirëmbajtja e familjes nga ana e kryefamiljarit do të ishte më e lehtë. Megjithatë, ekspertët e qendrës në fjalë, këtë vendim e konsiderojnë si thikë me dy tehe për shkak se së fundmi, shumë të rinj kanë pasur përfundim fatal nëpër vendet e ndryshme të Evropës dhe me faktin që ata kanë pasur kurorë me një shtetase të huaj, shteti i atjeshëm i ndan dëmshpërblim, pension dhe përkujdesje për fëmijët gruas legjitime të tij, pra shtetases së huaj me këtë rast, ndërsa familja e vërtetë mbetet edhe me dhimbjen për humbjen e kryefamiljarit, edhe pa asnjë lloj përkujdesje dhe të ardhurash për ekzistencë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.