Në kuadër të komunave që e përbëjnë Qytetin e Shkupit, vitin e kaluar më shumë martesa janë realizuar në Çair, (janar-shtator 352 kurorëzime), vijon Komuna e Gazi Babës, me 297 martesa, e kështu me radhë. Prej gjithsej dhjetë komunave urbane në Shkup, më pak martesa të realizuara vitin e kaluar ka pasur në Komunën e Shuto Orizares – 137 kurorëzime. Çiftet vjet, përpos që janë kurorëzuar, një pjesë e konsiderueshme e tyre edhe janë shkurorëzuar
Omer XHAFERI
Shkup, 11 janar – Për çdo vit, numri i martesave në Maqedoninë e Veriut shënon rënie. Ashtu ndodhi edhe vitin e kaluar. Të dhënat e Entit Shtetëror të Statistikës, për nëntë muajt e parë të vitit 2019 flasin se në nivel republikan janë realizuar mbi 10 mijë martesa, respektivisht tre mijë martesa më pak nga viti 2018, kur ishin realizuar mbi 13 mijë kurorëzime. Nga numri i përgjithshëm i martesave të realizuar vitin e kaluar, mbi 2300 janë realizuar në Shkup, shkruan gazeta KOHA.
Në kuadër të komunave që e përbëjnë Qytetin e Shkupit, vitin e kaluar më shumë martesa janë realizuar në Çair, (janar-shtator 352 kurorëzime), vijon Komuna e Gazi Babës, me 297 martesa, e kështu me radhë. Prej gjithsej dhjetë komunave urbane në Shkup, më pak martesa të realizuara vitin e kaluar ka pasur në Komunën e Shuto Orizares – 137 kurorëzime. Çiftet vjet, përpos që janë kurorëzuar, një pjesë e konsiderueshme e tyre edhe janë shkurorëzuar. Pra, nga numri përgjithshëm i martesave, sipas ESHS-së, në nëntë muajt e parë të vitit 2019 në Maqedoninë e Veriut janë shkurorëzuar 1200 çifte, gjegjësisht 380 çifte janë shkurorëzuar vetëm në Shkup – më tepër në Komunën e Aerodromit, 60 shkurorëzime, më pak në atë të Sarajit, vetëm dy shkurorëzime.
Megjithatë, realiteti i statistikave të martesave, sidomos në komunat me shumicë shqiptare dallon shumë nga të dhënat zyrtare të organeve shtetërore. Kurorëzimi para ofiqarit në të shumtën e rasteve zvarritet me vite. Shkaqet më të zakonta të prolongimit të këtij akti ligjor janë subjektive. Kryesisht dembellëku për t’i ndryshuar dokumentet, regjistrimi i adresës së re të banimit dhe arsyet tjera të kësaj natyre ndikojnë që një pjesë e mirë e çifteve shqiptare mos të kurorëzohen ligjërisht.
Sociologu Ali Pajaziti për gazetën KOHA thotë se në kohën në të cilën jetojmë, ka ndryshuar shumë perceptimi apo konceptimi i martesës apo kurorës dhe jetës bashkëshortore krahasuar me të kaluarën. Dikur, sipas tij, martesa është kuptuar si bashkësi e përjetshme, ndërsa sot si kontratë sociale mes dy personave, si shoqatë, kompani që ekziston përderisa ka interesa bio-fizike, emocionale, ekonomike.
“Pra, tani nuk është në epiqendër shenjtëria e saj, krijimi i një foleje të re, i një bashkësie që do të gjenerojë arsyen e ekzistencës së palëve, lumturinë, fëmijët si dhurata më e madhe. Nocioni i bashkëjetesës dita ditës po ia gërryen tokën nën këmbë martesës. Sot të rinjtë mendojnë se janë duke bashkëjetuar, madje edhe nëse zyrtarisht janë burrë e grua, dhe shërоhen ‘kur të mos shkojë, mbyllet dosja jonë’. Që është më e keqja – krijohen lidhje të çuditshme, me bashkëshort/e në moshë shumë më të madhe, me 2-3 fëmijë e nusja beqare, martesa për letra, të distancës, martesa me të huaj etj. Të rinjtë e kohës aktuale s’kanë nerva të durojnë tjetrin, janë impulsivë, janë aventurierë. Dhe në këtë drejtim ndikojnë edhe mediat, rrjetet sociale. Televizioni përmes filmave të dikurshëm të ‘dashurive të ndaluara’, seksizimi i jetës së kryeaktorëve përmes ekranit, serialet e sodit me të gjitha ngatërresat marramendëse, rrjetet si ‘facebook’ dhe ‘instagram’ në çdo çast mund të lidhin dikë me dikë, t’ia ftohin njeriun e jetës dhe t’ia bëjnë simpatik dikë që ia sheh fotografitë për një çast, me të cilin kalon disa minuta duke shkrua”, thotë sociologu Pajaziti.
Ndryshe, ai shton se përmes këtyre mënyrave të lidhjeve kalohet te kalohet te verdikti fatal, ndarja, divorci që kanë pasoja fatale, si për ata dy, fëmijët, familjet, shoqërinë. Mes tjerash ai thotë se pa besë dhe besatim s’ka martesë të shëndoshë, respektivisht martesa s’duhet bërë si dikur, as për hatër, as si sot për pare, por për ideale. (koha.mk)