Edhe pse Mbrëmjet Strugane të Poezisë janë nga manifestimet më të njohura poetike në botë, ku vijnë dhjetëra poetë nga mbarë bota, atë vit(2008) në shtypin shqiptar për fituesin Fatos Arapi nuk u shkrua fare ose u shkrua pak! Madje ne disa krijues dhe gazetarë nga Maqedonia shprehnim habinë se si ministri shqiptar i kulturës (nëse nuk gaboj, as ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni), nuk e gjeti të udhës të vijë e ta madhërojë këtë sukses të poetit të madh
Nga Daut DAUTI
Pas Dritëro Agollit, shkoi në amshim edhe një emër nga “treshja”. Fatos Arapi…Një lajm i hidhur, por i natyrshëm(në moshë 89 vjeçare), si fatalitet jetësor.
Kur ishim nxënës (në fillore dhe gjimnaz), kur mësonim për letërsinë bashkëkohore, kishte një klishe. Kur përmendeshin shkrimtarët nga Shqipëria, përmendej një treshe e shkrimtarëve më të shquar: Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Fatos Arapi. Kjo ishte treshja “olimpike” ta quash, treshja e Majës së Olimpit të letërsisë shqiptare(të paktën asaj që krijohej në Shqipëri në kohën e socializmit), kurse të tjerët ishin për të përmbushur “konkurrencën” që do të mateshin me treshen. Kështu zaten ishin trajtuar në vetë Shqipërinë. Dhe ne që ishin lexues të pasionuar, e merrnim pikërisht këtë status të tyre, i cili sa letrar, ishte dhe shoqëror. Kadareja e kishte zënë vendin me prozën e tij të magjishme, Dritëro Agolli ishte bërë “popullor” me poezitë që lexoheshin e kuptoheshin lehtë, ndonëse jo pa thellësi. Kurse Fatos Arapi, disi nën hijen e “të dytit”, i cili gjatë kohë ishte edhe “pushtet letrar”(si kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë), por që me lirikën e tij aspak nuk ishte inferior.
Kur në gushtin e vitit 1990, si pjesëmarrës në Mbrëmjet Strugane të Poezisë pata rastin të takohem me Dritëro Agollin(me të cilin kisha bërë një intervistë shumë të kujdesshme për të mos e futur llugave!), nuk pandehja se vetëm një muaj e gjysmë më vonë, do t’më realizohej ëndrra për ta parë Shqipërinë, si pjesë e një delegacioni të shkrimtarëve nga Maqedonia(Mateja Matevski, Nijazi Muhamedi, Todor Çallovski dhe unë) me ftesë të Dritëro Agollit. Gjatë qëndrimit në Tiranë, në ato takime të shumta me nikoqirët, do të kem mundësi të takohem edhe me Fatos Arapin. Po shkrimtari im më i lexuar, Ismail Kadare, që prisja të më jepet mundësia ta takoj, ato ditë ishte në Paris, destinacionin e tij të kohëpaskohshëm kur i botoheshin veprat atje. Atë tetor të vitit 1990, që qe një muaj “i mbrapshtë” për socializmin shqiptar, Ismail Kadareja, gjersa pritej të kthehet, ai papritmas shpalli ekzilin politik në Francë, me çka pastaj mori hov edhe lëvizja studentore e dhjetorit që do ta çojë Shqipërinë drejt pluralizmit politik.
Por, ky shkrim është për Fatos Arapin, për poetin e madh, i cili në ato takime m’u shfaq si tepër njerëzor, tepër për tokë, pa atë madhështinë e poezisë së tij gjersa ulej me një poet fillestar. Vetëm pak muaj më vonë, m’u dha mundësia të përcillja dhe të raportoja për zgjedhjet e para pluraliste të Shqipërisë(1991), e pastaj prapë të rejat (1992), në kohë ndryshimesh të mëdha, kur do të qëndroja nga më shumë ditë, dhe përherë do të gjeja kohë, pos takimeve me shkrimtarë të tjerë, për t’u takuar me Dritëronë ose Fatosin, të shpeshtën në kafenenë e Lidhjes së Shkrimtarëve, e ndonjëherë edhe mysafir në shtëpitë e tyre. Nga njëra prej këtyre vizitave është edhe kjo foto, kur patëm shkuar me gazetarin Arben Muka, në një rrugë afër Televizionit Shqiptar, kur na pati pritur me zonjën e tij, ashtu siç i ka hije në një shtëpi shqiptare. Më kishte habitur fakti kur prej tij kuptova se me profesion ishte ekonomist, sepse nuk mund ta paramendoja se si një profil i tillë të shkruajë poezi nga më të bukurat në letërsinë shqipe.
Ndonjë vit më pas, redaksia e botimeve të “Flakës së vëllazërimit” i botoi një libër me novela për çka ishte tejet i lumtur dhe disi relacionet tona ishin sa miqësore aq edhe krijuese.
Pluralizmi në Shqipëri solli edhe shumë prurje të reja edhe në fushën e krijimtarisë. U shfaqën në skenë edhe shkrimtarët të cilët kishin qenë të persekutuar ose të anatemuar, të cilët në kushte të reja shpërthyen me gjithë talentin dhe potencialin e tyre krijues. “Treshja” ku hynin Fatosi, Kadareja dhe Agolli ishte tashmë “e rrezikuar”, por krijimtaria nuk është një fushë sporti ku mund të maten rezultatet me precizitet sa të dihet kush është i pari(ndonëse këtë tashmë natyrshëm i takon Kadaresë), kush i dyti, i treti…i dhjeti, i njëqindti…Shumë autorë nisën ta ndjejnë veten “të fortë” sa të sfidojnë këtë treshe, shpesh dhe duke thënë se “midis tyre mund të futet dikush tjetër” dhe ta prishë rendin. Realisht edhe mund të ishte ashtu. Por, vlerat janë vlera, dhe ato i kanë që të tretë nga treshja, sikundër që i kanë edhe shumë autorë të tjerë po të kohës së tyre ose që do të shfaqen më vonë. Secili ka udhën e tij krijuese, stilin, gjuhën, temat …me të cilat komunikon me lexuesin. Në këtë këndvështrim, nuk e kam shikuar se Fatos Arapi, me gjithë ato vepra pas vetes, të ndjehej “i rrezikuar”.
Duke shkruar vite me radhë kolumna për gazetën “Dnevnik”, pikërisht para auditorit maqedonas e kam vënë në shënjestër faktin se për dekada me radhë, në Mbrëmjet Strugane të Poezisë asnjëherë nuk i është ndarë Kurora e Artë ndonjë poeti shqiptar! Kanë fituar poetë serbë, maqedonas, bullgarë, turkë, kroatë…, por jo dhe shqiptarë.(Sikundër edhe për faktin se Akademia Maqedonase e Arteve dhe Shkencave është e mbyllur për shqiptarët…). Nuk mund të them sa ka pasur ndikim ndonjë tekst i këtillë nga unë ose ndonjë autori a medie tjetër në gjuhën shqipe, por edhe këto barriera u thyen një ditë, dhe në vitin 2008, fituesi i Kurorës së Artë në mbrëmjet poetike të Strugës, u bë pikërisht Fatos Arapi. Më kujtohet prapaskena e këtij vendimi, si një hall i madh i këshillit të këtij manifestimi, sepse nuk ka qenë lehtë të merrej vendimi kujt t’ia japin. Nga Shqipëria ka pasur shumë pretendentë (Dritëro Agolli, Visar Zhiti, Xhevahir Spahiu…) që kishin marrë pjesë shpesh në këtë manifestim, porse ka qenë e vështirë që prej atje të merrej ndonjë propozim nga Lidhja e
Shkrimtarëve për shkak të hatërmbetjes. Njësoj ka qenë edhe këndej, ku fjalën kryesore e kanë pasur disa shkrimtarë dhe kritikë letrarë…Nuk më është e njohur krejtësisht se si erdhi deri te zgjedhja e Fatos Arapit, por mendoj se poezia e tij meritonte çmimin e këtij manifestimi me përmasa botërore, por po t’më pyeste dikush paraprakisht, sigurisht se pa hamendësime do ta kisha përmendur atë.
Por më vjen mirë që kur erdhi për ta marrë Kurorën e Artë, kishte pyetur edhe për mua dhe ndonëse nuk isha pjesëmarrës, shkova gjer në Strugë kastile për të. Ishte paksa shëndetlig dhe nuk mund t’i përcillte të gjitha aktivitetet e këtij manifestimi, por ishte gëzim që ta takoja përsëri. E meritonte poezia shqipe ta ketë një fitues, sepse kaherë edhe poeti Ante Popovski kishte thënë se poezia shqipe është njëra nga më të mirat në Ballkan dhe Evropë.
Mirëpo, edhe pse Mbrëmjet Strugane të Poezisë janë nga manifestimet më të njohura poetike në botë, ku vijnë dhjetëra poetë (më parë edhe qindra) nga mbarë bota, atë vit në shtypin shqiptar(gazeta, televizione…), për fituesin Fatos Arapi nuk u shkrua fare ose u shkrua pak! Madje ne disa krijues dhe gazetarë nga Maqedonia shprehnim habinë se si ministri shqiptar i kulturës (nëse nuk gaboj, as ambasadori i Shqipërisë në Maqedoni), nuk e gjeti të udhës të vijë e ta madhërojë këtë sukses të poetit të madh. Fatos Arapi edhe pa atë çmim letrar do të mbetej i madh, por ai kështu e afirmonte edhe i letërsisë shqipe, prandaj një ministër i kulturës duhej të merrte pjesë në ceremoninë e ndarjes dhe kjo në pikëpamje protokollare nuk ka qenë vështirë të realizohej. Jo vetëm për respekt të Fatos Arapit, por për vendin prej nga vinte ai.(Nga ana tjetër, Fatosi mbeti larg medias në gjuhën shqipe që donin ta intervistonin, ngase i biri, i cili e shoqëronte gjithë kohën, ndoshta për së tepërmi, kujdesej të mos e shqetësonin për shkak të gjendjes së hajthme fizike…)
Pas atyre disa ditëve shoqërim me Fatos Arapin në Mbrëmjet Strugane, disi u krijuan rrethanat për t’u larguar nga gazetaria dhe nuk kam shkuar më në Tiranë, por duke e parë se ka qenë larg syve të medias, kam supozuar se kondicioni i tij fizik nuk i ka mundësuar shumë për dalje në publik.
Por, fati i krijuesve dallon nga ai i njerëzve të rëndomtë, sepse veprat e tyre gjithnjë e sfidojnë vdekjen dhe i mbajnë gjallë përjetë. E tillë është edhe vepra e Fatos Arapit.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)