Larg asaj që misioni pajtimtar i Talat Xhaferit të jetë i atyre përmasave të faljes së gjaqeve ndër shqiptarët, sepse tash duhet të falen vepra të bëra si rezultat devijimesh e keqpërdorimesh të pushtetit. Të gjitha mënyrat tjera u provuan, po nuk pati sukses, ka mbetur që kjo, që politika të bëjë kurban shtetin juridik për hir të “interesave madhore”
Nga Daut DAUTI
“PAJTIMI”, FJALA MAGJIKE: Shikoja me shumë mosbesim deklaratat se për ndryshimet kushtetuese “janë siguruar 80 vota”. Ishte ky një gjest i “luftës speciale” politike me nervat e oponencës, pori gabuar. Kështu mendoja dhe ende jam i bindur se disa gjëra që duhet bërë prapa skene nuk thuhen publikisht (nuk ka transparencë në gjithçka!). Sepse, nëse pushteti që mëtonte të sigurojë përkrahje nga opozita, me këtë lloj paralajmërimi, vetëm mund të rrezikonte sigurimin e votave.
Por doli se një lëvizje taktike e Zaevit kishte hapur terrenin për këtë. Gjithçka në një fjalë të vetme. Pajtimi. Fjalë magjike. Oferta për pajtim iu drejtua VMRO-DPMNE-së, në një cajtnot. O votim për ndryshime kushtetuese, o zgjedhje të parakohshme. Dukej se opozitës i përgjigjej të shkojë në zgjedhje me kapitalin e “dështimit të referendumit”. Këmbëngulja kundër ndryshimeve kushtetuese, në anën tjetër, linte përshtypjen e mbrojtjes së një agjende antiperëndimore.
Pajtimi? Falja? Amnistia? Një ofertë e domosdoshme për situatën e komplikuar, ishte bërë tashmë me një ndërhyrje në gjyqësor(përmes imperativit politik), ende pa u arritur kjo përmes parlamentit. Cilado formë e “pajtimit” që do të bëhet, “pajtimi” kishte qenë “shtysa” kryesore për 8 deputetët e opozitës(shtatë prej tyre të VMRO-së) për t’iu bashkëngjitur shumicës parlamentare. Kjo zaten ishte argumenti kryesor i deklaratave të tyre për ta hequr nga vetvetja dyshimin për “shitje për pare”, krahas interesit të shtetit për të mos shkarë nga kursi euroatlantik.(Rrezikimin e kursit properëndimor, Sasho Mijallkovi ia adresoi si akuzë liderit të partisë).
Enigma se ç’do të thotë pajtimi tashmë gjithë opinionin e ka vënë në “mendime”. Qëllimi për ta debllokuar procesin e ndryshimeve kushtetuese në bazë të Marrëveshjes së Prespës, u arrit. Por kjo, padyshim u bë përmes një oferte e cila rrënon shtetin juridik, pasi nuk ka më kurrfarë mëdyshjesh se nën termin “pajtim” fshihet “falja” nga ndjekja për vepra penale. Këtë një herë e provoi kryetari Ivanov, por hasi në kundërshtim të ndërkombëtarëve dhe të subjekteve që ngjiteshin në pushtet. Por, tash, për shkak të interesit më madhor, me pajtimin, të gjithë do t’i mbyllin sytë. Por, me çfarë përmasash do të jetë falja? A do të shkohet me falje të veprës “terrorizëm” për 27 prillin, që ishte një natë ku u tentua, siç thotë shumëkush, grusht-shteti, apo dhe më gjerë? Çuditërisht, fill pas shënimit të ditës së VMRO-së, kjo parti u tregua kooperative dhe paralajmëroi se vetë do të propozojë ligjin për 27 prillin, sikur të mos i kishte përjashtuar nga radhët e veta ata që një ditë më parë me votën e tyre ishin “flijuar” pikërisht për këtë!
Por duhet thënë qartë se vetë falja për veprat e 27 prillit 2017, është hap kundërthënës, sepse përveç atyre që e kanë hapur derën e Parlamentit për të hyrë protestuesit(deputetët Mukovski, Vasilevski…), për çka vepra e tyre mund të konsiderohet si një “ndihmë në kryerjen e aktit terrorist” , do të përfitojnë edhe ata që kanë bërë tentim vrasjeje(ndaj Zijadin Selës, Zoran Zaevit, Sheqerinskës…)! U tha me ton ironik nga Mickovski që me amnisti të përfshihen të gjithë aktorët e 27 prillit. Por, kundërthënës do të jetë pikërisht tentimi që falja të kufizohet vetëm në këtë datë. Sepse kjo e ka kleçkën prapa, ngase nuk do të kishte logjikë që të votonte Elizabeta Kançevska – Millovska, ndaj së cilës ka lëndë në Prokurorinë Speciale për shkak të keqpërdorimit të mjeteve buxhetore për Shkupin 2014. Ajo me asgjë nuk ka gisht në 27 prillin. Pra, nëse në falje do të përfshihej Elizabeta, çka do të bëhet me ata që ndiqen për vepra të ngjashme, ish-shefi i saj, Nikolla Gruevski, ose ministrat Mile Janakievski, Gordana Jankullovska, ose Sasho Mijallkov, i cili tash akuzon Mickovskin për orientim antiperëndimor. A mund të bëhet pajtim pa faljen e “peshqve të mëdhenj”? Në kontekst të kësaj, përgjigjen e jep vota e Elizabeta Kançevskës. Faktori kohë, kësaj radhe është duke punuar pikërisht për peshqit e mëdhenj… Gjithkush luan si në atë lojën e fëmijërisë “kukamsheftas”, por gjithkush e di “ku fshihet lepuri”.
PAJTIMTARI SHQIPTAR PËR KOKAT E NXEHTA MAQEDONASE: Është tipike për situatën maqedonase, gjer në ironi. Me vite kanë pasur nevojë që të ndërhyjë dikush për të tejkaluar situata të caktuara, qoftë nga BE, qoftë nga SHBA. Nga lehtësues gojëmbël gjer te buldozer-diplomatë pa doreza. Situata që kemi tash, është fryt i një ndërmjetësimi të tillë. Por, kësaj radhe ironia është paksa më e madhe. Për hir të interesave madhore, lipset edhe një pajtim i radhës! Gjithnjë fjalën e kemi për pajtim të palëve brenda maqedonase, ku ka ndasi serioze si në baza ideologjike, partiake, por dhe identitare!
Po tash si të pajtohen dhe kush ta bëjë këtë? Talat Xhaferi! Kryetari autoritativ dhe karizmatik i Kuvendit të Maqedonisë, e mori rolin e pajtimtarit. Ai do të jetë në krye të komisionit të pajtimit, si një ironi fati për subjektet maqedonase, kur një shqiptar hyn ndërmjet tyre. Por, dhe i shkon një shqiptari që të jetë në rol të tillë. Ne kemi traditë në pajtimin e gjaqeve, që në masë të madhe, të paktën në trojet shqiptare të ish-Jugosllavisë, ishin shuar shumë hasmëri viteve 80-të dhe 90-të(në dallim nga Shqipëria, ku viteve 90-të qenë kthyer hasmëritë e vjetra dhe gjakmarrja!). Larg asaj që misioni i Talat Xhaferit të jetë i atyre përmasave, sepse “moduset” e faljes këtu kanë natyrë tejet banale, të falen vepra të bëra si rezultat devijimesh e keqpërdorimesh të pushtetit, por ç’e do, qëllimi strategjik i deklaruar kaherë (integrimet euro-atlantike), kërkon kurban. Shkurt e shqip, e politika do ta bëjë kurban shtetin juridik. Të gjitha mënyrat tjera u provuan, po nuk pati sukses, ka mbetur vetëm kjo flijesë.
KUSH KË DO TË “PASTROJË”: Te Hristijan Mickovski, shumëkush mund të shihte një reformator të heshtur të partisë për t’u shkëputur nga gjithë ajo që ishte e mbrapshtë, që qëllimet e vërteta i fsheh në floskula patriotike. Por, gjënë e parë që bëri pasi kaloi ligji për ndryshimet kushtetuese, ishte përjashtimi i atyre që kishin thyer disiplinën partiake. Shkoi shumë lartë, gjer te ish-shefi i Drejtorisë së Sigurimit Shtetëror, Sasho Mijallkov, ish-dorë e djathtë e Nikolla Gruevskit. Përjashtoi nënkryetarin e partisë dhe dy nga ministrat e njohur të qeverisë së kaluar, dhe natyrisht, deputetët që votuan për ndryshime, disa prej të cilëve ishin liruar nga paraburgimi . Një nga figurat kyç të garniturës së Gruevskit ishte Ilija Dimovski, ish-koordinator i grupit parlamentar të VMRO-së. Fill pas votimit për ndryshimet kushtetuese dhe hajkës që filloi Hristijan Mickovski, deklaroi se nuk do të marrë pjesë “në situatat e finguara”. Uh, çfarë fjale! “Fingimi” në fjalorin politik te ne ka hyrë si term për “ta sqaruar” gjenezën e konfliktit të 2001-shës. Shumëkush është i bindur se ai ka qenë konflikt “i finguar”. Edhe kundërshtarët e Brankut(Cërvenkovskit) dhe të Alisë(Ahmetit) e kanë theksuar për vite me radhë fingimin. Një pjellë e fantazisë së bujshme…Po, ta lëmë atë vit, bëjmë fjalë për tetor 2018, dhe bëjmë fjalë për “konflikt”, siç e quan shumëkush, “brenda llojit” dhe mos vallë Ilija Dimovski i ka rënë “në trag” se gjithë spastrimi që e bëri Mickovski brenda dy-tri ditësh në radhët e VMRO-së për të dëshmuar unitetin e partisë kundrejt të padëgjueshmëve, s’është gjë tjetër pos një fingim?! Por, në një portret që i pata bërë Mickovskit, e kisha përdorur shprehjen a thua është edhe ai një “njeri rasti” në politikë dhe tash më kthehet kjo dilemë, sepse pastrimi i radhëve të partisë më duket një përpjekje e tij për të dëshmuar se nuk është njeri rasti. Shembulli i Gruevskit, i cili shumë shpejtë vuri nën hije ish-liderin (Lubçon), tash mund t’ia ketë rritur orekset Mickovskit që ta lë nën hije Gruevskin, i cili në të vërtetë edhe e zgjodhi si trashëgimtar të tij, si njeri të besueshëm që do mbrojë shokët nga “përndjekjet politike” të Katicës e Fatimes. Por, enigma më e fundit është nëse garnitura e kaluar i bëri atij puç para se ky të behej lider i mirëfilltë, pasi vota e shtatë deputetëve është siguruar me ndikimin e tyre? Nëse e kishte seriozisht këmbënguljen kundër Marrëveshjes së Prespës dhe ia prishën 7 deputetët, kryesisht nën hetime dhe me dosie gjyqësore, për të grushti qe i madh, aq më tepër kur ai vetë e drejtoi gishtin nga ish-numri 2 i (dikush thoshte nr.1), Sasho Mijallkov, kurse ai është kushëriri i Nikolla Gruevskit, i cili “për shkak të obligimeve” nuk mori pjesë në përvjetorin e themelimit të VMRO-së historike.
E vërteta e hidhur për Mickovskin është se pikërisht rebelimi i shtatë deputetëve, edhe pse kundër politikës së tij “të fortë” kundër ndryshimit të emrit, praktikisht ata e kryen misionin që duhej ta kryente ai. Konflikti i tij me ish-at, është pak si i çuditshëm, sepse një gjë e tillë, nëse nuk është finguar, është një sfidë serioze për të. Ai, masën e spastrimit, e shoqëroi me fjalën “pastrimi nga elementet kriminale” të partisë! Është një gafë sepse ai kështu haptas pranon që në VMRO ka këso elementesh, edhe pse deri sot fliste se gjykimet ndaj tyre janë politike! Nëse nuk është situatë e finguar, siç mund të pretendojë Ilija Dimovski, atëherë Mickovski mund ta pastrojë përnjëmend partinë nga ato elemente, nëse kërkon amnisti vetëm për 27 prillin, me çka do t’i çojë në burg si Gruevskin, Jankullovskën, Janakievskin, madje edhe Sashon. Por, duke dashur të mbrojë vetullat, mund t’i qesë sytë, sepse pastrimi i radhëve ose madje dhe reformimi i partisë mund të ngecë në gjysmë, pasi rreshtimi i tij kundrejt marrëveshjes për emrin e hodhi përballë gjithë bashkësisë ndërkombëtare, ndërkaq te ne është e vështirë të mbijetojë ndonjë politikan që i bën karshillëk Evropës ose Amerikës. Në anën tjetër, përpjekja për t’i larguar figurat kyç të partisë, nuk mund të bëhet pa përçarje të mëdha dhe pasoja për të. Prandaj, gjithë këto ndodhi në VMRO mund të jenë një episod kalimtar gjer te reformimi i vërtetë, sepse reformim me njerëz me frymë të vjetër, nuk mund të ketë. Aq më tepër, nëse përballë përnjëmend i ka figurat të cilat deri dje i mbanin frerët jo vetëm në parti por dhe në shtet.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)