Nga Qerim LITA
Në ciklin e botimeve të dokumenteve me peshë historike për shqiptarët në përgjithësi, në mënyrë të veçantë për shqiptarët në Maqedoni, kësaj radhe po i publikojmë dy dokumente të rralla, që bëjnë fjalë për një politikë diskriminuese të pushtetit maqedonas ndaj kombit shqiptar. Nëse deri më tash kemi publikuar dokumente të cilat pasqyronin politikën diskriminuese politike, etnike, arsimore e kulturore të këtij pushteti ndaj shqiptarëve, në këto dy dokumente bëhet fjalë për një diskriminim tjetër, atë zgjedhor, përkatësisht mohimin e qytetarëve shqiptarë që përmes zgjedhjeve të fshehta e të lira të përcaktoj përfaqësuesin e vet.
Një dukuri e tillë ndodhi menjëherë pas zgjedhjeve të para “demokratike” në RS të Maqedonisë, parlamentare e lokale të cilat u mbajtën gjatë muajve nëntor-dhjetor 1991. Siç dihet në këto zgjedhje partitë politike shqiptare, Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, në tre komuna: Tetovë, Gostivar e Dibër, fitoi shumicën absolute të këshilltarëve. Sipas Ligjit të atëhershëm për vetadministrim lokal, kryetari i Komunës zgjidhet nga këshilli komunal, kuptohet me shumicë të thjeshtë. Nëse kjo procedurë u krye në Komunën e Dibrës, në dy komunat tjera kjo çështje morri karakter politik e etnik, për arsye se kjo e drejtë iu mohua këshilltarëve shqiptarë, përkundër faktit se përbënin shumicën dërmuese. Në pamundësi të krijimit të institucioneve komunale me votat e këshilltarëve maqedonas, Qeveria e RS të Maqedonisë, në mbledhjen e mbajtur më 4 maj 1991, solli një vendim, me të cilin i suspendoi organet e dala nga zgjedhjet, dhe në vend të tyre në këto dy komuna themeloi këshilla ekzekutive, të cilat do të kryenin detyrat që ishin nën kompetencë të organeve komunale. Një vendim i tillë, nxiti këshilltarët shqiptar, të ndërmarrin një iniciativë deri te Gjyqi Kushtetues i RSM-së, për vlerësimin e kushtetueshmërisë e ligjshmërisë. Lidhur me këtë, në mbledhjen e përbashkët e cila u mbajt më 1 qershor të vitit 1991 në Tetovë, grupi i këshilltarëve shqiptar autorizuan juristin Beqir Isenin për ngritjen e kësaj procedure. Iniciativën e këshilltarëve shqiptarë si dhe shkresën e Gjyqit Kushtetues të RSM-së dërguar sekretarit të Qeverisë për informata plotësuese për këtë çështje, në vazhdim po i publikojmë në tërësi. Të njëjtat gjenden në Arkivin e Maqedonisë, fondi 159.
“GJYQIT KUSHTETUES TË MAQEDONISË, SHKUP
Në mbledhjen e grupit të këshilltarëve nga PPD-ë dhe PDP-ë, të mbajtur më datë 1 qershor të vitit 1991 u soll konkluzioni që Beqir Iseni, të dorëzoj,
INICIATIVË për vlerësimin e kushtetueshmërisë e ligjshmërisë së Vendimit për themelimin e këshillave ekzekutive për kryerjen e punëve të kuvendeve të komunave Tetovë dhe Gostivar.
Gjyqi Kushtetues i Maqedonisë është i autorizuar dhe i obliguar t’i përcjell dukuritë me interes për realizimin e kushtetueshmërisë e ligjshmërisë, dhe besojmë se vendimi është shpallur publikisht dhe gjithsesi se gjyqi duhet ta merr në shqyrtim, nëse jo për diçka tjetër, vetëm për atë se është diçka e pazakontë në sjelljen dhe nuk ka praktikë së paku vendime të tilla të sillen që nga ana e qeverive të suspendohen kuvendet. Qeveria e RSM-së, më datë 4 maj 1991 ka sjell vendim për themelimin e këshillave ekzekutive për kryerjen e punëve të kuvendeve Tetovë e Gostivar, nr. 23-948/1, ndërsa mbi bazë të nenit 14-a nga Ligjit Kushtetues për zbatimin e Amendamenteve 57-80 nga Kushtetuta e RSM-së.
Suspendim të kuvendeve të Komunave nuk mund të zbatoj asnjë organ pa u shpall gjendja e jashtëzakonshme për atë territor. Qeveria edhe pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme nuk mund ta zbatoj për arsye se nuk është kompetente. Kush mund të shpall gjendje të jashtëzakonshme vlerësojmë se nuk ka nevojë të sqarojmë, për arsye se Kushtetuta është e qartë. Me sjelljen e aktit të këtillë në mënyrë më drastike shkelen parimit kushtetuese për rezultatet nga zgjedhjet dhe vendosjen e pushtetit sipas atyre rezultateve. Qeveria i autorizon këto këshilla ekzekutive diç më tepër se sa kanë të drejtë kuvendet tjera, të zbatohen vendimet për ndërmarrjen e punëve nga organet e administratës komunale. Nëse këshillat kanë karakter të përkohshëm duhet të përcaktohet edhe koha se deri kurr do të administrojnë, ndërsa në nenin 2 kjo nuk është thënë. Këta këshilla a janë të pavarura ose nuk janë dhe a thua punët e mëtutjeshme i ka ndërmarrë Qeveria ose në pajtim me Vendimin e Kuvendit përcaktohen këshillat? Nëse kanë karakter të përkohshëm atëherë nuk mundet të autorizohen për kryerjen e të gjitha ato punë të cilat janë paraparë në vendim. Ato janë të autorizuar të sjellin Statut ndërsa statutin mund ta sjellin vetëm kuvendi në procedurë të përcaktuar. Ato këshilla janë të autorizuar ndër të tjerave edhe të kryejnë autorizimi për lidhjen e kurorëzimeve. Me ligjin për kurorëzim qartë është përcaktuar se kurorëzimi lidhet para Kryetarit të Kuvendit ose nga këshilltari i autorizuar nga ai, kjo nënkupton se nëse nuk është këshilltar nuk mundet të autorizohet nga askush e aq më pak nga person i pautorizuar. Gjithsesi personi mund të përcjell aq të drejta sa i posedon edhe vet ai. Lidhjet e kurorëzimeve janë të paligjshme para këtyre qytetarëve. Për këtë në mënyrë të veçantë bëjmë me dije për arsye se ka autorizime të shumta të cilat më pas do të paraqiten si jo valide dhe si të tilla të pavlefshme, pra vendimi i këtillë do të ketë edhe pasoja të mëdha. Nga sa u shtrua më sipër lusim të ngrihet iniciativë dhe të caktohet debat publik në të cilën do t’i risqarojmë shkeljet.
Deponoi Beqir Iseni, nga Tetova, rr. “29 Nëntori” nr. 46”
“SEKRETARIT TË QEVERISË SË REPUBLIKËS SË MAQEDONISË
LËNDA: Kërkohet akti dhe sqarimi i përgjithshëm
Gjyqit Kushtetues të Maqedonisë i është dorëzuar iniciativë për nismën e procedurës për vlerësimin e kushtetutshmërisë e ligjshmërisë së Vendimit për themelimin e këshillit ekzekutiv për kryerjen e punëve të komunave Tetovë e Gostivar, nr. 23-948/1, e sjell nga qeveria e Republikës së Maqedonisë më 4 maj të vitit 1991, për arsye se është sjell nga organi i cili nuk ka qenë kompetent të sjell akte me përmbajtje të tillë, që parashikon suspendimin e kuvendeve të komunave ndërsa kjo ka mund të kryhet vetëm në kushte të gjendjes së jashtëzakonshme në territor të caktuar, që paracaktuaka anulimin e rezultateve nga zgjedhjet për arsye se nuk është përcaktuar koha për të cilën themelohen këshillat drejtuese dhe që parashohin këshillat drejtuese të kenë më shumë të drejta se sa kuvendet e komunave, për çka është në papajtueshmëri me Kushtetutën dhe në kundërshtim me ligj. Për shkak rregullimit të tërësishëm e të drejtë të gjendjes faktike e juridike të lëndës, Ju lusim, në afat prej shtatë ditëve nga pranimi i kësaj shkrese, të dorëzoni: a) vendimin e nënvizuar; b) sqarimin ndaj pohimeve të iniciativës.
SEKRETARI, I GJYQIT KUSHTETUES
Todor Kralev
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.