Udhëheqësi bolshevik Vladimir Lenin, vdiq më 21 janar 1924, mbasi pësoi disa goditje cerebrale. Kur vdiq ishte 53-vjeç. Të paktën ky është versioni zyrtar që jep historia. Në fakt vdekja e tij, ashtu si e shumë udhëheqësve të tjerë autoritarë, mbart mistere. Lenin u godit më 25 maj 1922 nga një iktus që i shkaktoi një paralizë të pjesshme të anës së djathtë të trupit, aq sa u detyrua të mësonte të shkruante me të majtën. Lajmi nuk ishte aspak i përhapur, pasi ishte e paimagjinueshme të konsiderohej Lenini si një person i aftë që të sëmuret dhe të vdesë si një njeri i zakonshëm. Nga 6 marsi 1923, pas një sulmi të dytë, nuk ishte më në gjendje të komunikonte, gjendje që e çoi në një paralizë të plotë dhe më pas në vdekje më 21 janar 1924.
Shumë udhëheqës sovjetikë në kujtimet dhe në fjalimet e tyre treguan për bisedime intensive me Leninin gjatë muajve të fundit, por padyshim që kjo ishte pjesë e propagandës për të ruajtur atmosferën e pushtetit të liderit rus.
Trupi i Leninit u ekspozua për pesë ditë dhe u vizitua nga gati një milion njerëz që sfiduan dimrin e ashpër rus për t’i bërë homazhe liderit të revolucionit. Pasi u eliminua idea e ngrirjes së trupit, filloi procesi i vështirë i balsamosjes, i cili ende sot ruhet në një mauzole në Sheshin e Kuq në Moskë. Teknika e përdorur kurrë nuk u zbulua plotësisht. Për më shumë se 80 vjet, trupi i nënshtrohet trajtimeve periodike në mënyrë që të mbajë një pamje “të gjallë”. Përveç faktit që inspektohet çdo javë për të zbuluar gjurmë të mykut apo të ndonjë fenomeni tjetër, çdo vit trupi zhytet për 30 ditë në një banjë glicerine dhe acetati kalium.