Dokumenti në fjalë, ruhet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondi KQ i LKJ-së (507), përkatësisht në dosjen voluminoze të titulluar “Marrëdhëniet e Partisë Komuniste të Jugosllavisë me Partinë Komuniste (Punës) së Shqipërisë 1941-1989”
Nga Qerim LITA
Rezoluta e Informbyrosë, 1 korrik 1948, shkaktoi prishjen e marrëdhënieve deri atëherë vëllazërore midis regjimeve komuniste të Tiranës e të Beogradit. Po atë ditë, udhëheqjes komuniste jugosllave i arriti një notë nga udhëheqja komuniste shqiptare, në të cilën thuhej se “Qeveria e RP të Shqipërisë tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet, kontratat e protokollet ekonomike midis dy shteteve”. Në përgjigjen që autoritetet komuniste jugosllave e japin përmes notës nr. 418016, veç tjerash thuhej se “Qeveria e RFPJ-së deklaron se kundër dëshirës së vet ka qenë e detyruar ta pranoj si njoftim tërheqjen nga ato marrëveshje…”. Rrjedhimisht, midis dy regjimeve përkatëse pasuan polemika të shumta, të cilat zgjatën deri në nëntor të vitit 1949, kur Qeveria e RFPJ-së, me notën nr. 420458, njoftoi Qeverinë e RP të Shqipërisë, se “ndihet e liruar nga obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Miqësi midis RFPJ-së dhe RP të Shqipërisë” të arritur më 9 korrik të vitit 1947. Dokumenti në fjalë, ruhet në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd, fondi KQ i LKJ-së (507), përkatësisht në dosjen voluminoze të titulluar “Marrëdhëniet e Partisë Komuniste të Jugosllavisë me Partinë Komuniste (Punës) së Shqipërisë 1941-1989”, të cilin, e pamë të arsyeshme ta botojmë të plotë dhe në mënyrë ekskluzive në gazetën shqiptare KOHA – Shkup.
* * *
“Lidhur me politikën armiqësore dhe jopaqëdashëse të Republikës Popullore të Shqipërisë, e cila tash më dy vite me radhë po e zbaton me këmbëngulje kundër RFPJ-së, dhe e cila është në kundërshtim të plotë me frymën dhe përmbajtjen e Marrëveshjes për miqësi dhe ndihmës reciproke midis RFPJ-së dhe Shqipërisë, dhe pas refuzimit të propozimit më të ri të Qeverisë së RFPJ-së – të parashtruar në notën e 2 nëntorit 1949 me të cilën ftohet Qeveria shqiptare të kthehet në politikën e miqësisë ndaj RFPJ-së – Qeveria e RFPJ-së e njofton Qeverinë shqiptare si më poshtë vijon:
Miqësia dhe solidariteti midis popujve të Jugosllavisë dhe kombit shqiptar, të cilat erdhën në shprehje të plotë me Marrëveshjen për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët midis RFPJ-së dhe Shqipërisë, është rezultat i luftës së tyre të përbashkët për liri, pavarësi dhe të ardhmes më të mirë, veçmas në të kaluarën e tyre më të afërt. Masat popullore të Jugosllavisë, nën drejtimin e udhëheqjes së saj të sotshme, kanë manifestuar solidaritetin e tyre ndaj kombit të vogël shqiptar të sulmuar gjatë kohës së sulmit të pushtueseve fashistë italian në vitin 1939 dhe kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar përkundër politikës tradhtare të regjimit të atëhershëm antipopullor jugosllav.
Udhëheqja e Lëvizjes Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, me ftesë të patriotëve shqiptarë, në vitin 1941 drejtpërdrejti e ka ndihmuar kombin shqiptar në formimin e lëvizjes çlirimtare dhe në luftën kundër pushtuesit fashistë, për ekzistencën dhe pavarësinë e saj nacionale.
Me përvojën dhe shembullin e luftës nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë, me ndihmën e drejtpërdrejtë e të përditshme të udhëheqjes jugosllave, zhvillohej dhe përforcohej lëvizja çlirimtare e kombit shqiptar. Ndihma e lëvizjes jugosllave dhe udhëheqjes së saj për kombin shqiptar ka qenë faktori vendimtar për zhvillim të suksesshëm të luftës së saj çlirimtare, për çlirimin e saj nacional dhe prosperitet demokratik. Shteti i ri i porsaformuar demokratik e popullor i popullit shqiptar nga fillimi pati ndihmën më të sinqertë dhe më të madhe të RFPJ-së në rruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të saj. Është e njohur se qarqet reaksionare ndërkombëtare me të gjitha forcat janë përpjekur ta pengojnë krijimin e Shqipërisë së lirë dhe me demokraci e pavarësi të vërtetë. Në situata të tilla Shqipëria te RFPJ-ë dhe Qeveria e saj gjeti miqësinë e sinqertë, të gatshme që ta ndihmoj çdo herë.
Konsekuente ndaj asaj politike ndaj Shqipërisë, Qeveria e RFPJ-së më 28 prill të vitit 1945 solli vendim për pranimin e Qeverisë shqiptare dhe të vendos marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Qeveria e RFPJ-së ishte e para që e bëri këtë hap që për Shqipërinë përbënte një përkrahje e ndihmë të rëndësishme. Duke e formuluar politikën e Qeverisë së RFPJ-së ndaj Shqipërisë, mareshali Tito në shkurt të vitit 1946 në Kuvendin Popullor deklaroi: ‘Popujt e Jugosllavisë shprehin solidaritet të thellë ndaj kombit shqiptar. Shqipëria me kontributin e saj në luftë në përmasa të mëdha e ka merituar që nga ana e Kombeve të Bashkuara të respektohet pavarësia dhe integriteti i saj… Qeveria do të ndërmerr hapa konkret për përforcimin dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike, politike e kulturore me Shqipërinë. Një bashkëpunim i tillë nuk është vetëm përfitim i madh për të dy vendet, por përbën hap të rëndësishëm për paqen në Ballkan’.
Qeveria e RFPJ-së përmes delegatëve të saj, gjithnjë dhe pranë të gjitha forumeve ndërkombëtare, kur bëhej fjalë për të drejtat e kombit shqiptar, në mënyrë të prerë e ka mbrojtur dhe përfaqësuar interesin e kombit shqiptar. Vetëm falë qëndrimit të vendosur të përfaqësuesit jugosllav në Konferencën për reparacion, në dhjetor të vitit 1945, Shqipëria është pranuar si forcë e bashkuar në luftë kundër Gjermanisë hitleriane dhe i është pranuar e drejta për reparacion nga Gjermania. Me lutjen e Qeverisë shqiptare, Qeveria e RFPJ-së e ka pranuar që organet kompetente jugosllave të marrin mbi vete të gjitha obligimet teknike e të tjera në lidhje me përgatitjen e mallit të riparuar nga Gjermania për Shqipëri.
I tërë opinionit botëror, e veçmas kombit shqiptar, i është e njohur se me çfarë vendosmërie joegoiste delegacioni jugosllav ka luftuar për kërkesat shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris dhe se si, duke iu kundërvu pretendimeve territoriale të delegacionit grek në Shqipërinë Jugore, vendosmërisht e ka mbrojtur integritetin e Shqipërisë. Gjithashtu është e njohur botërisht qëndrimi i përfaqësuesve jugosllav në OKB-ë dhe përkrahjen e tyre dhënë kërkesës së Shqipërisë që të pranohet si anëtare e OKB-së. Qeveria e RFPJ-së me lutje të Qeverisë shqiptare për një kohë të gjatë përmes përfaqësuesve të saj diplomatik e konsullor në botën e jashtme e ka përfaqësuar dhe mbrojtur interesin e Shqipërisë thuajse në të gjitha vendet, ndërsa për këtë nuk ka kërkuar as çfarë shpërblimi.
Duke e zbatuar në mënyrë konsekuente politikën internacionale, vëllazërore e miqësore ndaj kombit shqiptar, Qeveria e RFPJ-së, duke bërë përpjekje që në këto kushte të pasluftës të ndihmoj në zhvillimin e gjithanshëm të RP të Shqipërisë, me kërkesë të Qeverisë shqiptare, ka nënshkruar një numër të madh të marrëveshjeve me rëndësi të madhe për të dy vendet, e sidomos për Shqipërinë. Qeveria e RFPJ-së me Shqipërinë më 9 korrik 1946 nënshkroi Marrëveshjen për miqësi dhe ndihmë të ndërsjellët dhe thuajse njëkohësisht Marrëveshjen për bashkëpunim ekonomik midis RFPJ-së dhe Shqipërisë. Mbi bazën e atyre marrëveshjeve erdhi te nënshkrimi i Marrëveshjes për harmonizimin e marrëdhënieve ekonomike, unionit doganor dhe barazimin e valutave; pastaj Konventën për bashkëpunim kulturor dhe një sërë marrëveshje, kontrata e protokolle tjera. Duke e vlerësuar si të rëndësishme ndihmën jugosllave dhënë popullit shqiptar dhe Marrëveshjen aleate për miqësi që e lidh me popujt e Jugosllavisë, kryetari i Qeverisë shqiptare Enver Hoxha më 5 tetor 1947 foli si vijon: “Shokë dhe shoqe, paramendoni se çfarë fati do të kishte kombi ynë i vogël pa Jugosllavinë demokratike e mike. Kombi i vogël shqiptar nuk do ta gëzonte lirinë të cilën sot e gëzon, por se do të përjetonte ditë të zeza dhe fat të errët. Në këtë mënyrë duhet vlerësuar miqësia, vëllaziria dhe aleanca që neve na lidh me Jugosllavinë e Titos. A thua shteti ynë i vogël, i varfër, nëse do të ishte i rrethuar me shtete siç është Greqia, do të mund t’i mbronte frutet nga gjaku i derdhur në luftë për vendosjen e rregullimit të vet të sotshëm demokratik, njërin ndër më të përparuarit, a thua vendi ynë i vogël do të mund të çohej në këmbë dhe në mënyrë të ndershëm e të lirë do ta ndërtonte jetën e re? Kjo do të ishte shumë e vështirë, do të ishte e pamundur. Ja, përse miqësia me popujt e Jugosllavisë është e ngushtë dhe aq e mirëseardhur për popullin tonë”.
Edhe pse Jugosllavia gjendej në situatë të rëndë pas përfundimit të luftës, veçmas sa i përket furnizimit dhe ushqimit, Qeveria e RFPJ-së në kohën më kritike i ka dalë në ndihmë kombit shqiptar. Vetëm në vitin 1946 në Shqipëri janë dërguar 20.000 ton grurë dhe misër si ndihmë, pa kërkuar asçfarë kompensimi, duke mos i llogaritur dërgesat tjera para dhe pas asaj, të kryera sipas marrëveshjes, e të cilat përfshijnë sasinë prej 30.000 tonë drithë. Kur në tetor të vitit 1946 kombit shqiptar i ndodhi vërshimi katastrofal, qytetarët e RFPJ-së sërish ishin ata të cilët u dolën urgjentisht në ndihmë popullsisë së vuajtur shqiptare. Shuma prej 52 milion dinarëve, të grumbulluar për një periudhë të shkurtë si ndihmë të viktimizuarve, gjithashtu përbën një ndër shembujt se çfarë politike miqësore zhvillohej ndaj popullit shqiptar në RFPJ.
Duke u përgatitur për kalim nga periudha e rinovimit të Planit Pesëvjeçar të ndërtimit të socializmit jugosllav, Qeveria e RFPJ-së e pranoi dëshirën dhe insistimin e Qeverisë shqiptare që Shqipërisë t’i mundësohej rruga e përbashkët të zhvillimit me RFPJ-në, sepse ajo nënkuptonte garancën më të mirë për likuidimin e shpejtë të prapambeturisë ekonomike të Shqipërisë. Qeveria e RFPJ-së për këtë ishte e vetëdijshme se sa mjete të majme do të nevojitej t’i ofroheshin Shqipërisë që të mund të arrihej lulëzimi i saj ekonomik. Por, pa marrë parasysh këtë, Qeveria e RFPJ-së nënshkroi marrëveshjen ekonomike me Shqipërinë, ndihmën e paraparë për Shqipërinë e lidhi dhe e harmonizoi me përpjekjet e popujve të Jugosllavisë në realizimin e Planit Pesëvjeçar të zhvillimit të RFPJ-së.
Duke i jetësuar marrëveshjet e nënshkruara, Qeveria e RFPJ-së Shqipërisë në vitin 1947 i dha kredi prej 2 miliardë dinarë për furnizim të materialit të ndryshëm investigues e tjerë të nevojshëm për ndërtimin e Shqipërisë dhe rritjen e standardit jetësor të popullit shqiptar. Ajo kredi përbënte 56,73% nga të hyrat e përgjithshme buxhetore të Shqipërisë. Për vitin 1948 Shqipërisë iu miratua kredit i ri në shumën prej 3 miliardë dinarëve. Ato kredi që iu miratuan Shqipërisë, Qeveria e RFPJ-së nuk e ka shtruar çështjen se kur dhe në cilat kushte duhet të kthehen. Mbi bazën e kredive të miratuara Qeveria e RFPJ-së Shqipërisë i ka dhuruar sasi të mëdha të mallrave më të ndryshëm, ndër të tjerave: lokomotiva dhe vagonë hekurudhor, kamionë, automobila, anije të peshkatarisë, hekur, çimento, lëkurë etj. Me lutje të Qeverisë shqiptare, Qeveria e RFPJ-së gjithashtu i ka dhuruar qytetit të Tiranës centralin e plotë automatik, shtypshkronjën e plotë, ka instaluar radio-stacion, ka dhënë mjete të majme për krijimin e bazës materiale për zhvillimin e kulturës nacionale shqiptare, ka ofruar mjete për ndihmë shëndetësore, në Shqipëri, me lutje të Qeverisë shqiptare, ka dërguar numër të madh të profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar për nevojat më të ndryshme ekonomike, ushtarake, kulturore e të nevojave tjera, ka mundësuar shkollimin nëpër shkollat bujqësore e industriale të RFPJ-së të mbi 1.500 nxënësve shqiptarë, ka dhënë rreth 500 bursa studentëve shqiptarë dhe në Shqipëri ka dërguar 30 profesor dhe mësues për shkolla fillore e të mesme, lice muzikor, institute pedagogjike etj.
Qeveria shqiptare në mënyrë të veçantë i ka kërkuar ndihmë RFPJ-së në organizimin, armatosjen dhe furnizimin e Armatës së Shqipërisë. Qeveria e RFPJ-së – duke ia miratuar lutjen e Qeverisë shqiptare – në Shqipëri ka dërguar numër të madh të instruktorëve, ka mundësuar që ushtria shqiptare të njihet me përvojat organizative, ushtarake e përvojave tjera të Armatës së Jugosllavisë, ushtrinë shqiptare e ka furnizuar me armatimin e nevojshëm, veshmbathjen dhe me mjete tjera materiale, ndërsa për këtë RFPJ-ë nuk ka kërkuar kompensim. Marrëdhëniet ekonomike që Qeveria e RFPJ-së i ka vendosur me Shqipërinë në realitet paraqesin shembullin e vetëm në historinë e marrëdhënieve ndërkombëtare. Për herë të parë, në marrëdhëniet midis vendeve socialiste, paraqitet forma e re socialiste të bashkëpunimit ekonomik, e liruar nga forma e marrëdhënieve ekonomike kapitaliste të eksploatimit të ekonomisë më të dobët prej ekonomisë më të fuqishme. Qeveria e RFPJ-së edhe në këtë rast ka dëshmuar dhe ka zbatuar për herë të parë në vepër principin e ndihmës socialiste një vendi të prapambetur pa as çfarë eksploatimi dhe kushtëzimi politik. Konsekuente ndaj asaj politike Qeveria e RFPJ-së ka depozituar tërë përpjekjet e saja që të zhvillohen edhe më shumë, këto marrëdhënie, vërtetë socialiste midis RFPJ-së dhe Shqipërisë. Qeveria e RFPJ-së ka implementuar një politikë të tillë me bindje se me atë do të kontribuoj në krijimin e marrëdhënieve vëllazërore të atilla të cilat do të përbënin garancën e fuqishme për pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë dhe do të ishte një kontribut për përforcimin e bashkëpunimit midis popujve ballkanik dhe ruajtjen e paqes në këtë pjesë të Evropës.
I tërë shtypi shqiptar dhe të gjithë udhëheqësit shqiptar shpeshherë kanë dhënë deklarata në të cilat flitej për ndihmën e pakursyer, joegoiste dhe të gjithanshme të RFPJ-së për popullin shqiptar. Kështu kryetari i Qeverisë Enver Hoxha me rastin e Vitit të Ri, 1948, duke iu drejtuar popullit shqiptar tha: “Ne me vëllazërim bashkimin e pathyeshëm që e kemi lidhur me popujt heroik të Jugosllavisë së mareshalit Tito, e kemi garantuar lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e popullit tonë dhe të mbarë popujve tjerë të Ballkanit, vëllazërim bashkimin i cili vendit tonë ia ka siguruar ndihmën e pakursyer vëllazërore, si gjatë kohës së luftës, po ashtu edhe sot në ndërtimin e gjithanshëm të jetës sonë të re”.
Madje, më 11 maj 1948, pra, pak para Rezolutës së turpshme të Informbyrosë, Enver Hoxha në ekspozenë para Kuvendit Popullor ka thënë si vijon: “Populli ynë për çdo ditë gjithnjë e më shumë do ta përforcoj vëllazërimin, miqësinë e çmuar dhe aleancën me popujt vëllezër të Jugosllavisë së mareshalit Tito, me të cilët gjoks për gjoksi luftoi për ta fituar lirinë, me të cilët punon gjoks për gjoksi në ndërtimin e jetës së përbashkët më të mirë”.
Mirëpo, brenda natës, duke i ndërprerë marrëdhëniet vëllazërore e miqësore midis RFPJ-së dhe Shqipërisë, duke i shkelur solemnisht premtimet e dhëna, marrëveshjet dhe kontratat, Qeveria shqiptare pas shpalljes së Rezolutës famëkeqe të Informbyrosë, më 1 korrik 1948, në mënyrë të njëanshme i ndërpreu të gjitha marrëveshjet, kontratat e protokollet ekonomike të arritura midis RFPJ-së dhe Shqipërisë, dhe kërkoi që të gjithë profesionistët, specialistët e këshilltarët jugosllav ta lëshojnë Shqipërinë edhe atë në afat prej 48 orëve. Me këtë Qeveria shqiptare, me diktatin e disa drejtuesve të BRSS-së, e filloi aktin dhe sjelljen e pahijshme kundër popullit dhe Qeverisë së RFPJ-së. Grushti i parë duhej dhënë pikërisht asaj formës së re të marrëdhënieve ekonomik midis RFPJ-së dhe Shqipërisë, ta njollos dhe komprometoj. Qeveria shqiptare i ndërpreu menjëherë, pikërisht këto lidhje ekonomike, me qëllim të shlyerjes së shembullit i cili përbënte pengesë për qëllimet e atyre të cilët frikohen, nuk duan dhe nuk lejojnë të vendosen marrëdhëniet e reja socialiste midis shteteve socialiste e të cilët dëshirojnë që sa më gjatë ta shfrytëzojnë të drejtën e eksploatimit të më fuqishmit edhe në marrëdhëniet midis vendeve socialiste.
Qeveria shqiptare zbatoi këtë akt të pakuptueshëm dhe mendjelehtë, duke mos pasur parasysh aspak për pasojat e rënda për popullin shqiptar që janë rrjedhojë e atij akti. Qeveria shqiptare në atë mënyrë u shndërrua në instrument politik të atyre të cilët e sjellin në pikëpyetje interesin e popullit shqiptar. Qeveria shqiptare njëkohësisht e filloi fushatën më të çmendur dhe më armiqësore kundër RFPJ-së në të cilën marrin pjesë strukturat më të larta udhëheqëse. Shtypi shqiptar dhe radio shfrytëzohen në fushatë kundër RFPJ-së me shpifjet dhe gënjeshtra armiqësore. Pushtetarët shqiptarë menjëherë e kanë ndaluar ekzistimin dhe veprimtarinë e “Librarisë jugosllave” në Tiranë, ndaluan shitjen e të gjitha librave, gazetave dhe revistave në gjuhën serbo-kroate dhe shfaqjen e të gjitha filmave jugosllav. Me sjelljet e tilla e të ngjashme Qeveria Shqiptare ka shkelur Konventën kulturore të nënshkruar më 9 korrik 1947.
Qeveria shqiptare në paraqitjen e saj zyrtare me Qeverinë e RFPJ-së dhe përfaqësuesve të saj përdor metodat e papara e të palejueshme në marrëdhëniet ndërkombëtare. Thuajse të gjitha notat të cilat Qeveria shqiptare gjatë periudhës së kaluar nga Rezoluta e Informbyrosë i ka dërguar Qeverisë së RFPJ-së kanë qenë shprehje e armiqësisë së thellë të Qeverisë shqiptare ndaj popujve të Jugosllavisë. Në pamundësi t’u kundërvihet fakteve dhe argumenteve të shtruara në notat e Qeverisë së RFPJ-së, Qeveria shqiptare në të shumtën e rasteve në mënyrë të paarsyeshme i ka kthyer notat pa përgjigje, me çka pamundësonte komunikimin diplomatik midis qeverive e të dy vendeve. Pushtetarët shqiptar ndërkufitar me urdhër të Qeverisë së tyre në tërësi ua kanë pamundësuar qytetarëve jugosllav me autorizim të dyfishtë që ta kalojnë kufirin e ta shfrytëzojnë pasurinë e tyre në territorin shqiptar. Jugosllavët me autorizim të dyfishtë kanë qenë të maltretuar, burgosur dhe dërguar nëpër burgjet shqiptare. Qeveria shqiptare për shkak veprimtarisë armiqësore kundër popujve të Jugosllavisë ka pranuar dhe ka organizuar një grup tradhtarësh dhe dezertorësh, duke i përdorur për nxitjen e incidenteve kufitare dhe për veprimtari subversive të orientuar kundër pavarësisë dhe integritetit të RFPJ-së.
Qeveria shqiptare e para e filloi procesin gjyqësor provokues me qëllim të shpifjes kundër RFPJ-së dhe Qeverisë së saj. Qeveria shqiptare vazhdimisht dhe në mënyrë sistematike organizon incidente dhe provokime kufitare në kufirin jugosllav. Organet kufitare shqiptare i lëvizin shtyllat kufitare, gjuajnë ndaj ushtarëve jugosllav nga prapaskena, kryejnë vrasje ndaj kufitarëve jugosllav etj. Njëkohësisht, Qeveria shqiptare edhe më tej i mban sportistët, pjesëtarët e Armatës jugosllave, të cilët qenë sulmuar dhe kapur nga organet kufitare shqiptare në momentin kur e bartnin stafetën sportive përmes Liqenit të Shkodrës dhe deri më sot nuk kanë dhënë as çfarë njoftimi për fatin e tyre, edhe pse Qeveriae RFPJ-së këtë e ka kërkuar përmes notave dhe kërkesave të shumta gojore. Qeveria shqiptare organizon futjen e spiunëve e diverzantëve në territorin e RFPJ-së, të cilët vijnë me udhëzimet personale të përfaqësuesve të Qeverisë dhe ministrit për Punë të Brendshme të Shqipërisë. Mehmet Shehut për shkak kryerjes së aksioneve diverzante e subversive. Në këtë mënyrë, Qeveria e Shqipërisë e ka shkelur në tërësi Marrëveshjen për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët, duke marrë mbi supet e veta rolin provokues në përpjekjet kundër pavarësisë dhe integritetit të RFPJ-së. Qeveria shqiptare tashmë përmes qasjeve armiqësore e nxitëse kundër RFPJ-së në tërësi i është nënshtruar politikës së errët e mashtruese kundër RFPJ-së. Në atë mënyrë Qeveria shqiptare me vetëdije i rrënon të gjitha lidhjet miqësore midis RFPJ-së dhe Shqipërisë, përgatit izolimin avanturistik e mendjelehtë të Shqipërisë dhe zhvillon politikë të tradhtisë kombëtare, të kobshme për interesin jetësor të kombit shqiptar dhe për paqen në Ballkan.
Përkundër tërë kësaj, Qeveria e RFPJ-së konsekuente ndaj politikës së saj paqedashëse, ndërsa në përpjekje për t’iu shmangur pasojave të rënda për popullin shqiptar dhe paqes në Ballkan të cilat mund të burojnë nga politika e tillë e Qeverisë shqiptare, ka treguar përmbajtje të skajshme ndaj akteve armiqësore e nxitëse të Qeverisë shqiptare dhe gatishmëri që të gjitha kontestet midis RFPJ-së dhe Shqipërisë të zgjidhen me marrëveshje, duke u thirrur në Marrëveshjen për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët. Për atë qëllim Qeveria e RFPJ-së Qeverisë shqiptare i ka dërguar një sërë propozimesh pozitive. Me notën e saj nr, 4501, nga data 10 janar 1949, Qeveria e RFPJ-së i propozoi Qeverisë shqiptare t’i qaset arritjes së Marrëveshjes së bonifikimit të liqenit të Shkodrës. Qeveria e RFPJ-së ka deklaruar se është e gatshme ta merr obligimin që me mjetet e saja materiale dhe kuadrin profesional të kryej bonifikimin e Drinit përfshi edhe ndërtimin e shtratit të ri të lumit si dhe digat për mbrojtjen nga vërshimet, ndërsa Shqipëria do të përfshihej me fuqinë e vet punëtore të pakualifikuar pagesën e të cilëve do t’i mbulonte qeveria e RFPJ-së. Edhe pse bonifikimi i liqenit të Shkodrës përbën çështjen jetësore për banorët e Shqipërisë Veriore, sepse me rregullimin e ujëmbajtësit ekonomia shqiptare do të fitonte 30.000 hektarë tokë pjellore, do të kryhej sanimi shëndetësor i tërë asaj zone etj., Qeveria shqiptare, e udhëhequr me politikën e saj armiqësore ndaj Jugosllavisë, në kundërshtim me interesin jetësor të popullit shqiptar, edhe këtë propozim të Qeverisë së RFPJ-së e ka refuzuar.
Me notën e saj nr. 410227 nga data 9 maj 1949 Qeveria e RFPJ-së e ka përsëritur propozimin e saj të parashtruar me notën nr. 49338 nga data 9 prill 1949 që Qeveria Shqiptare të dërgoj në Beograd delegacionin me qëllim të rregullimit të borxheve dhe kërkesave të krijuara në marrëdhëniet ekonomike midis RFPJ-së dhe Shqipërisë. Me atë rast Qeveria e RFPJ-së ka deklaruar se do t’i ketë parasysh rrethanat se Qeveria shqiptare me siguri se nuk është në gjendje që menjëherë t’i laj borxhet e veta ndaj RFPJ-së dhe shprehi gatishmëri se me rastin e likuidimit të kërkesave, RFPJ-ë Qeverisë shqiptare do t’i ofroj lehtësira dhe kushte të volitshme të pagesës. Mirëpo, edhe pse Qeveria shqiptare në përgjigjen me notën nr. 3288 nga data 2 shtator 1949 deklaroi se e pranon nevojën që të hulumtohen kërkesat dhe borxhet e ndërsjellta të cilat burojnë nga marrëdhëniet ekonomike dhe deklaroi se së shpejti do ta përcaktoj delegacionin e saj me qëllim të negociatave, ajo deri më sot nuk e ka dërguar delegacionin e saj në negociata përkundër intervenimit të Qeverisë së RFPJ-së me notën nr. 418261 nga data 10 tetor 1949. Konsekuente ndaj politikës së saj paqedashëse dhe e udhëhequr nga dëshira për mënjanimin e incidenteve kufitare dhe vendosjen e marrëdhënieve normale në kufirin jugosllavo-shqiptar, Qeveria e RFPJ-së me notën e saj nr. 416250 nga data 5 shtator 1949 Qeverisë shqiptare i propozoi komision të përzier jugosllavo-shqiptar për inspektimin dhe verifikimin e përbashkët të incidenteve kufitare me qëllim të arritjes së marrëveshjes. Në notën e njëjtë Qeveria e RFPJ-së gjithashtu ka paraqitur propozimin që komisioni i përmendur i cili do t’i udhëheqë negociatat për arritjen e kësaj marrëveshjeje të jetë i autorizuar nga ana e dy qeverive përkatëse që ta inspektoj situatën e shenjave kufitare në të gjitha sektorët të linjës kufitare ku ata nuk ekzistojnë ose nuk janë shënuar në mënyrë të qartë e të saktë me qëllim që të vendosen sërish. Qeveria shqiptare jo vetëm se nuk e ka pranuar propozimin e Qeverisë së RFPJ-së, porse edhe më tej ka vazhduar me organizimin e incidenteve kufitare.
Qeveria e RFPJ-së, përkundër kësaj politike të hapur armiqësore, nxitëse e jopaqësore të Qeverisë shqiptare ndaj Qeverisë së RFPJ-së, nga ana e saj ka bërë gjithçka që t’i shmanget çdo ashpërsimi të mëtutjeshëm të marrëdhënieve me Shqipërinë. Qeveria e RFPJ-së është përpjekur që Marrëveshjen për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët ta mbaj në fuqi dhe edhe më tej ka ndërmarrë hapa, përkundër politikës armiqësore të Qeverisë shqiptare, në interes të rruajtjes së integritetit dhe pavarësisë së Shqipërisë, duke dëshmuar në këtë mënyrë gatishmërinë e saj që t’i plotësoj në tërësi obligimet e veta të cilat burojnë nga ajo Marrëveshje. Kur në gusht të k.v. erdhi deri te shkelja brutale të kufirit jugor shqiptar nga ana e ushtrisë mbretërore greke, Qeveria e RFPJ-së përmes ambasadorëve të Britanisë së Madhe dhe SHBA-ve në Beograd ka intervenuar, duke vërë në dukje shkeljen serioze të integritetit territorial të Shqipërisë. Qeveriae RFPJ-së nga ana e Qeverisë së Britanisë së Madhe dhe të SHBA-së në atë pikëpamje ka marrë përgjigje të kënaqshme. Qeveria shqiptare, ndaj tërë përpjekjeve paqedashëse të Qeverisë së RFPJ-së, është përgjigjur me ashpërsimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve dhe përforcimin e akteve armiqësore dhe sjelljeve provokuese kundër pavarësisë dhe integritetit të RFPJ-së, që është rezultat i stimulimit dhe ndihmës që Qeveria shqiptare e merr nga jashtë kur bëhet fjalë për politikën e saj armiqësore kundër Jugosllavisë. Mirëpo, Qeveria e RFPJ-së, në përpjekjet që Marrëveshja për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët midis RFPJ-së dhe Shqipërisë ta mbaj në fuqi, me notën nga data 2 nëntor 1949, ia ka bërë me dije Qeverisë shqiptare se nuk është e mjaftueshme që vetëm Qeveria e RFPJ-së t’i plotësoj obligimet e dala nga Marrëveshja për miqësi dhe ndihmë reciproke dhe edhe një herë e ftoi Qeverinë shqiptare të kthehet në politikën miqësore ndaj RFPJ-së. Me refuzimin e kësaj ftese paqedashëse të Qeverisë së RFPJ-së, Qeveria shqiptare në mënyrë të qartë e ka dëshmuar se nuk dëshiron dhe se edhe në të ardhmen nuk do të udhëheqë politikë të miqësisë e të bashkëpunimit me RFPJ-në, por, përkundrazi, se parashikon edhe në të ardhmen të zbatoj politikë armiqësore ndaj popujve të Qeverisë së RFPJ-së, që është në kundërshtim të plotë me Marrëveshjen ekzistuese për miqësi dhe ndihmës së ndërsjellët. Me vazhdimin e mëtutjeshëm të politikës armiqësore dhe qëllimeve kriminale ndaj RFPJ-së dhe refuzimin e propozimeve paqedashëse të Qeverisë së RFPJ-së, Qeveria Shqiptare kryen rolin provokues dedikuar saj në përpjekjet kundër pavarësisë dhe integritetit të RFPJ-së.
Qeveria e RFPJ-së, përveç kësaj, konstaton se me ndërprerjen e njëanshme e shkatërruese nga ana e BRSS-së e të vendeve demokratike popullore të marrëveshjeve për miqësi dhe ndihmës reciproke me RFPJ-në dhe shtyrjen e Shqipërisë në politikën e armiqësisë së hapur dhe shkeljen e Marrëveshjes për ndihmë të ndërsjellët me Jugosllavinë, Shqipëria me vetëdije është vendos në një situatë të rëndë ndërkombëtare. Në atë mënyrë qeveritë e vendeve të Evropës Lindore me BRSS-në në krye i kanë flijuar interesat e Shqipërisë vetëm e vetëm që t’i realizojnë planet e tyre të errëta kundër Jugosllavisë. Duke e pranuar dhe zbatuar rolin që i është dedikuar në mashtrimin kundër Jugosllavisë, Qeveria shqiptare jo vetëm se e ka shkelur Marrëveshjen për ndihmë reciproke, porse në sjelljet e saja armiqësore ndaj RFPJ-së i ka shkelur dispozitat themelore në marrëdhëniet midis shteteve. Në atë mënyrë Qeveria shqiptare me të vërtetë e ka ndërprerë Marrëveshjen për miqësi dhe ndihmë reciproke me Jugosllavinë dhe njëkohësisht ka bërë përpjekje të krijoj mundësi që obligimet formale nga Marrëveshja t’i shfrytëzoj për intriga dhe makinacione tjera kundër Jugosllavisë.
Mbi bazën e tërë asaj që u shtrua, Qeveria e RFPJ-së, edhe përkundër asaj se nuk sheh njëlloj sa i përket cenimit të pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë, që simpatia e Qeverisë dhe e popujve të Jugosllavisë ndaj popullit shqiptar ngelet edhe më tej e paluhatshëm dhe e sinqertë, deklaron se veten e sheh të liruar nga Marrëveshja për miqësi dhe ndihmë të ndërsjellët midis Republikës Federative Popullore të Jugosllavisë dhe Shqipërisë e cila është nënshkruar më datë 9 korrik të vitit 1946. Beograd, 12 nëntor 1949″. (koha.mk)