Me t’u liruar nga burgu i hetuesisë, Osman Cami vazhdoi aktivitetin e tij në të mirë të çështjes shqiptare. Duhet theksuar se asaj kohe në Shkup ishte themeluar Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, jehona e së cilës së shpejti qe përhapur edhe në Dibër të Madhe. Duke u mbështet në dokumentet e OZN-ës e të UDB-ës jugosllave, shohim se bartës të frymës së NDSH-së në këtë qytet shqiptar ishin intelektualët dhe atdhetarët e shquar: Mahmud Dumani, Edip Tërshana, Dr. Qeram Zllatku, Mit’hat Cami etj
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Me rënien e Dibrës së Madhe në duart e njësive partizane jugosllave (2 shtator 1944), Osman Cami sërish u kthye në Tiranë. Në fillim të muajit nëntor 1944, atij i erdhi lajmi se në luftimet e zhvilluara në zonën e Kërçovës midis njësive vullnetare shqiptare dhe atyre partizane, ishte plagosur rëndë vëllau i tij, Aziz Cami, i cili asaj kohe merrte pjesë në radhët e partizanëve. Pikërisht kjo ishte arsyeja që ai vendosi të kthehet në Dibër, nga ku do të informohej më mirë rreth gjendjes shëndetësore të vëllait. Mirëpo, për fat, të nesërmit herët në mëngjes, partizanët shqiptar u futën në Tiranë, duke i bllokuar të gjitha rrugët e qytetit, me çka, Osmani, ngeli për disa diti i mbyllur në shtëpi. Pasi kishin kaluar disa ditë, ndërsa situata në Tiranë nuk qetësohej, aty kah mesi i muajit nëntor vendosi të niset për në Dibër. Me vete mori një revole, të cilën e posedonte me leje nga nënprefekti, përkatësisht kryetari i bashkisë së Dibrës së Madhe, Shemsi Hatibi. Rrugëve të Tiranës ndalet nga një patrullë partizane, dhe pasi ia gjetën armën, të njëjtin e arrestojnë dhe e dërgojnë në komandën e tyre. Aty qëndroi rreth një muaj si i burgosur politik. Kjo zgjati deri më 6 dhjetor 1944, kur u mor në pyetje nga një komision hetues pranë Shërbimit Informativ Ushtarak, i njohur me emrin “Dhoma për Mbrojtjen e Popullit”. O. Cami para komisionit të hetuesisë dha një deklaratë të shkurtër, të cilën në vazhdim po e paraqesim të plotë:
“S’kam qenë në asnjë punë shteti, jam marrë me punë vetëm si pronar. S’kam marr pjesë në Organizatën Balliste e të Legalitetit. Në Tiranë kam ardhë për mik te kushërinjtë e mijë. Armën që e kam mbajtur e kisha me leje të prefekturës por jo të firmosun nga gjermanët. Nuk e kam ndjekur mbrapa kushëririn t’em Uke Camin në luftë kundra partizanëve, s’njoh as një element të rrethit të Dibrës karshi frontit N.Ç. Deklaroj se kam ndihmuar Frontin me sa më është mundur. Kam një vëlla temin Komandant në çetën Maqedhonase…”.
Është me interes të veçantë të theksohet se burgosja e O. Camit në Tiranë, nuk ishte e rastësishme. Përkundrazi, një dukuri e tillë erdhi në shprehje që kur njësitë partizane kishin rrethuar kryeqytetin shqiptar. Burimet e kohës hedhin dritë se në atë kohë, njësitë partizane shqiptare arrestuan të gjithë meshkujt e moshës madhore, një pjesë e të cilëve u vranë pa gjyq dhe në mënyrë më mizore. Lidhur me këtë krim makabër, të kryer nga njësitë partizane, Sejfulla Maleshova, në fjalimin e mbajtur në Plenumin e Beratit, veç tjerash vuri në dukje se të gjitha ato vrasje janë kryer nga komisari i Korparmatës, Kristo Temelko. Ja se si e përshkruante Maleshova politikën terrorizuese të PKSh-së dhe të njësive partizane shqiptare ndaj popullsisë shqiptare:
“…Terrorizmi, si në Parti, po ashtu edhe në popull dhe në ushtri tregon, së pari, dobësinë e linjës sonë partiake, e dyta, se nuk kemi besim te populli dhe te masat, dhe e treta, se nuk kemi lidhje me masat. Fakti se kjo nuk është kuptuar në Partinë tonë, dëshmon se në çfarë niveli teorik e praktik gjendet Partia jonë. Kemi menduar se gjithçka do ta zgjidhim me terror. Shokët i kemi peshuar sipas terrorit. Ky kriter ka ekzistuar dhe në Partinë tonë ekzistojnë shenjat e dukshme të degjenerimit të një partie politike në bandë…Shoku Shule (Kristo Temelko – Q.L.) ka deklaruar se vrasjet në Tiranë i ka kryer vet ai, për arsye se ka pas urrejtje të madhe ndaj pushtuesit dhe trathtarëve…Mirëpo, çështje në veti është urrejtja, ndërsa çështje tjetër është të kryesh krim. Kështu i shërbejmë pushtuesit. Kjo mënyrë sektare degjenerohet në terror, ndërsa terrori shpesh herë shndërrohet në krim…”.
Një politikë e tillë u zbatua edhe ndaj O. Camit, i cili qëndroi më se një muaj në burgun hetues të Tiranës, vetëm për faktin se dokumenti që e posedonte Cami, me të cilin atij i mundësohej posedimi legal i armës, ishte lëshuar me nënshkrimin e atdhetarit dhe intelektualit të shquar shqiptar, Shemsi Hatibi, të cilin komunistët shqiptarë, ngjashëm sikurse ato jugosllav, e kishin shpallur për “armik” të tyre.
Ndonëse hetimet e kryera dëshmuan se O. Cami ofronte ndihmë të pakursyer Frontit Nacionalçlirimtar, qoftë në mënyrë indirekte apo të drejtpërdrejt, Komisioni hetues, vendosi që hetimet e mëtutjeshme kundër tij t’i kryejë shërbimi sekret komunist jugosllav, OZN-a. Për ta nuk mjaftoi as fakti se vëllau i tij, Azis Cami, asaj kohe ishte komandant i një çete partizane shqiptare, e cila vepronte nën komandën e ShK të LNÇJ-së për Maqedoni. Rrjedhimisht, më 11 dhjetor 1944, nën përcjelljen e një patrulle policore shqiptare, O. Cami, nga Tirana u depërtua në Dibër të Madhe, ku rreth tre muaj e gjysmë qëndroi në burgun e OZN-ës. Më datë 24 mars 1945 u mor në pyetje nga i besuari i këtij shërbimi jugosllav për Dibër, Lutfi Rusi, i cili pas një bisedë të shkurtë, solli vendim, me të cilin, O. Cami u lirua nga burgu si i pafajshëm. Në vazhdim, po e japim të plotë edhe procesverbalin e hartuar më datën e mësipërme nga ana e Lutfi Rusit, i cili mori në pyetje O. Camin:
“Sot para të besuarit të OZN-ës u ftua për dëgjim i burgosuri OSMAN CAMI, djali i Hamitit dhe i Shyretes nga Dibra dhe në pyetjet e parashtruara dha këtë përgjigje:
Kur je burgosur, ku dhe përse?
Më burgosën në Tiranë më 6 nëntor. Pesë ditë para se të më burgosin dhe para se të fillojnë luftërat në Tiranë unë kuptova se vëllau im është plagosur në luftërat përreth Kërçovës dhe të njëjtën ditë desha të nisem për Dibër për ta parë. Mirëpo, rrugës e takova Sefedin Kolecin, mikun tim dhe ai më ndali që të nisem të nesërmit dhe unë u ndala. Të nesërmit në mëngjes partizanët u futën në pjesën e Tiranës ku isha unë dhe nuk lejonin të dilnim nga shtëpitë. Pasi disa ditë u mundova të dal, ditën e pestë dola dhe u nisa për në shtëpinë ku ishte nusja e axhës dhe gjatë rrugës më kthyen tre partizanë dhe më thanë që të shkoj me ta deri te Komanda e tyre dhe nga atëherë unë jam në burg. Pas disa ditësh nga Tirana më nisën për në vendlindjen time, për arsye se atje në Tiranë nuk kam bërë asgjë.
A e njeh Uke Camin dhe si e njeh atë?
Uke Camin e njoh si familjar. Për Uke Camin di vetëm për atë se ka luftuar kundër partizanëve në luftën e parë të Dibrës të vitit 1943. Ndërsa për diçka tjetër nuk kam njohuri.
A ke qenë me Uke Camin në luftë kundër partizanëve?
Me Uke Camin nuk kam qenë në luftë kundër partizanëve, porse në vitin 1943 kam luftuar kundër tij ballë për ballë me partizanët. Është e saktë se me Uke Camin kam qenë në fshatin Sellcë, por vetëm që të mbrohem, sepse gjermanët dëshironin të më burgosin si element i dyshuar, për çka edhe më burgosën. Nëse do të doja të luftoj kundër partizanëve, unë do u bashkohesha vullnetarëve e nuk do të doja strehim atje te ata.
Kur gjermanët të kërkonin për të të burgosur, përse prefekti të dha armë me leje?
Armën që e posedoja me leje ma dha prefekti për arsye se e angazhova Uke Camin për të më dhënë leje, për arsye se ai ishte mik me prefektin e atëhershëm.
Çfarë miqësie e lidhte Uke Camin me prefektin?
Se çfarë miqësie patën ata, mua nuk më është e njohur.
A njeh ndonjë funksionar ballistë në Dibër?
Unë as që njoh ndonjë nga ata, por as që kam njohuri se në Dibër ekziston organizata e Ballit Kombëtar.
Çfarë mendimi ke për Luftën Nacionalçlirimtare?
Pasi e kam ndihmuar me pjesëmarrjen time në anën e saj, kuptohet se kam pasur mendim të mirë dhe pata simpati ndaj saj.
Pasi ke qenë përkrahës i saj përse nuk shkove partizan, por u fshehe te Uke Cami?
Vëllai im më i vogël ishte partizan e nëse shkoja edhe unë, do ta shkretonim shtëpinë, do të më dëmtohej prona dhe familja do të vuante për ushqim, për arsye se vetëm unë isha i aftë për punë.
Përse në vitin 1943 nuk u angazhove për familjen?
Në vitin 1943 lufta zhvillohej në vet qytetin, prandaj luftova ballë për ballë me partizanët dhe se familjen nuk e lash në rrezik për ushqim.
A ke të thuash diçka tjetër?
Nuk kam asgjë tjetër për të thënë.
I dëgjuari, Osman Cami
I besuari, Lutfi Rusi.
Me t’u liruar nga burgu i hetuesisë, O. Cami vazhdoi aktivitetin e tij në të mirë të çështjes shqiptare. Duhet theksuar se asaj kohe në Shkup ishte themeluar Organizata Nacional Demokratike Shqiptare, jehona e së cilës së shpejti qe përhapur edhe në Dibër të Madhe. Duke u mbështet në dokumentet e OZN-ës e të UDB-ës jugosllave, shohim se bartës të frymës së NDSH-së në këtë qytet shqiptar ishin intelektualët dhe atdhetarët e shquar: Mahmud Dumani, Edip Tërshana, Dr. Qeram Zllatku, Mit’hat Cami etj. Po këta burime pohojnë se nga muaji maj i vitit 1945, radhëve të NDSh-së iu bashkëngjit edhe Osman Cami. Anëtarësimi i tij në NDSh erdhi përmes Qeram Zllatkut, me të cilin më pas do të jetë mik i ngushtë dhe i pandashëm. Fushëveprimi i tyre gjatë vitit 1945 u përqendrua në fshatrat e Dibrës, të Rekës së Poshtme e të Epërme dhe të Zhupës nën pretekstin e shërimit të tifos:
“Me Qeram Zllatkun – shprehet O. Cami para organeve të hetuesisë- gjatë vitit 1945 kemi shkuar dy herë në fshatin Modriç. Me ne ishin edhe disa të tjerë… Një herë kemi qenë në fshatin Konjare, gjithashtu edhe në Mogorçë dhe nga aty shkuam në fshatrat Elevcë dhe Gorencë. E di se doktori ka shkuar në Broshticë, ndërsa në Meliçan të Poshtëm isha edhe unë me të…”.
(vijon nesër)