Sipas burimeve arkivore kuptojmë se në Tetovë ekzistonte edhe një grup tjetër, i cili për dallim nga i pari, vepronte jashtë sistemit të atëhershëm. Udhëheqës i grupit ishte Mehmetriza Murtezani – Gega, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Faik Mustafa, Arbër Xhaferri, Agim Xhaferri, Abdulselam Selamiu, Ramadan Sinani, Femi Rufati, Abdylmenaf Rustemi etj. Veprimtaria e këtij grupi fillon kah mbarimi i vitit 1967, kur me nismën e Gegës, organizojnë një mbledhje të fshehtë, në të cilën është hartuar platforma politike
Nga Qerim LITA
Mbledhja e Katërmbëdhjetë e Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Maqedonisë (më tej KQ LKM-ë), e cila u mbajt më 1 mars 1968, si dhe vendimet dhe konkluzionet e saj, nuk patën ndonjë efekt të dukshëm në relaksimin e marrëdhënieve ndërnacionale. Vërejtje dhe pakënaqësi më të madhe shqiptarët patën në çështjen e punësimit, ku ata kërkonin që të zgjidhet “në bazë të çelësit”, përkatësisht “në bazë të strukturës nacionale të popullsisë”, si dhe mosdefinimi i qartë i përdorimit të simboleve kombëtare. Në anën tjetër këto kërkesa kundërshtoheshin nga udhëheqja politike maqedonase, e cila sa i përket kërkesës së parë konsideronte se: “është në kundërshtim me parimet kushtetuese për barazi të njerëzve punëtorë…”, ndërsa lejimi i përdorimit të flamurit shqiptar, në përjashtim të manifestimeve private, për ta përbënte “hap drejt krijimit të një qendre të vetme politike e kulturore shqiptare në Jugosllavi”. Me një qëndrim të ngjashëm doli edhe Qeveria, e cila në mbledhje e Kuvendit Republikan të RSM-së, mbajtur më 24 nëntor 1968, në pyetjen e një deputeti se “cili është qëndrimi i qeverisë maqedonase për përdorimin e flamujve të kombësive”, përfaqësuesi i sajë para deputetëve theksoi: “…përdorimi i flamurit të kombësisë nuk shpreh as çfarë aspirate separatiste e as që përdorimi i flamurit nacional shkon në dëm të flamurit të atij shteti në të cilën jeton pakica. Përkundrazi, ajo më shumë paraqet shprehje simbolike e nevojës së zbuluar që pakicat nacionale gjithnjë e më tepër të paraqiten si faktor të afrimit me shtetet fqinjë, urë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e përhershëm. Në kuadër të kësaj nevoja e përdorimit të flamurit paraqitet si manifestim i jashtëm sentimental, si nevojë emotive shpirtërore, e jo si problem real i të drejtave nacionale të parealizuara. Nga këto arsye nuk ka bazë të mos përdoret flamuri kombëtar i kombësive – Shqiptare e Turke…”. Mirëpo, sipas Qeverisë së Maqedonisë, kjo e drejtë mundësohet vetëm në raste private, ndërsa: “organet shtetërore, drejtuesit e organizatave politike, institucionet shoqërore dhe organizatat punuese vetëqeverisëse në territoret e përziera nacionale gjatë festave dhe në të gjitha rastet tjera i ngrenë vetëm flamujt shtetëror të RSFJ-së dhe të RSM-së si shprehje e sovranitetit dhe integritetit të shtetit, pjesë e së cilës janë edhe kombësitë bashkërisht me kombet e Jugosllavisë…”.
Një çështje tjetër që alarmoi klasën politike të Maqedonisë, ishte letra e një pjesë e të punësuarve maqedonas në Kuvendin Komunal të Tetovës, dërguar më 5 gusht 1968 kryetarit të Këshillit Ekzekutiv të RS të Maqedonisë, Ksente Bogoev, përmes së cilës ata drejtpërsëdrejti fajësuan ndihmës-sekretarin e Kuvendit të Komunës së Tetovës, Nexhmedin Besimin, për zbatim të një politike “diskriminuese ndaj maqedonasve”. Në të, ndër të tjerave thuhej: “Veprimtaria e tij (N. Besimit) dirigjohet nga partia nacionaliste, në përbërje të së cilës janë: Vait Emini, përkthyes në KK – Tetovë, Tefik Osmani, këshilltar i arsimit, Latif Ibraimi dhe Sali Saliu, këshilltar komunal, Nuhi Besimi, drejtor i Entit shkollor, Nexhmedin Besimi, ndihmës sekretar në K. Komunal e shumë të tjerë”.
Për rrjedhojë, Komiteti Komunal i LKM-së Tetovë, në mbledhjen e mbajtur më 4 nëntor 1968, konstatoi se “ekziston një grup të njerëzve, të cilët organizohen në çarshi” dhe se gjithnjë e më shumë “po afirmohet si opozitë e politikës së Lidhjes komuniste dhe të forcave tjera të organizuara socialiste në komunë”. Më tej në mbledhje vihet në dukje, se në kohë të fundit, nga ana e grupit “vërehen asi aktivitete të cilët janë të orientuar kah kombinimet kadrovike, pastaj në përpjekjet e vazhdueshme për disa vende të caktuara të punës /sekretar të kuvendit komunal, drejtor të universitetit popullor, drejtor në shkollën e Reçicës së Madhe, profesor në gjimnaz etj./, të vijnë njerëz të komprometuar politikisht – të tillë të cilët kanë qenë të dënuar dhe kanë vuajtur robëri shumëvjeçare për shkak veprimtarisë për ‘Shqipërinë e madhe’, përkatësisht insistohet me këmbëngulje që në pozita të caktuara drejtuese të vijnë pikërisht njerëz të këtillë. Si ideolog të këtij grupi, paraqiten disa profesor dhe arsimtar të gjimnazit…”. Gjithashtu në dokument thuhet se nga ana e aktivit politik të komunës, dukshëm është përhapur mendimi, se një numër i caktuar i punëtorëve politik nga ky territor që gjenden me punë të përhershme në Shkup, këtij grupi opozitar i japin mbështetje të caktuar.
Përveç grupit të sipërpërmendur sipas burimeve arkivore kuptojmë se në Tetovë ekzistonte edhe një grup tjetër, i cili për dallim nga i pari, vepronte jashtë sistemit të atëhershëm. Udhëheqës i grupit ishte Mehmetriza Murtezani – Gega, ndërsa anëtarë tjerë ishin: Faik Mustafa, Arbër Xhaferri, Agim Xhaferri, Abdulselam Selamiu, Ramadan Sinani, Femi Rufati, Abdylmenaf Rustemi etj. Veprimtaria e këtij grupi fillon kah mbarimi i vitit 1967, kur me nismën e Gegës, organizojnë një mbledhje të fshehtë, në të cilën është hartuar platforma politike. Ngjashëm si në Tetovë, mendime opozitare pati edhe në Shkup, Gostivar, Strugë, Dibër, Kumanovë dhe Kërçovë. Udhëheqës të këtyre mendimeve ishin intelektualët shqiptar, të cilët pas Plenumit të Brioneve ishin përfshi në strukturat politike komunale. Ndër ta duhet veçuar Memedali Hoxhën, Imer Imerin, Zudi Bilallin, Rezak Halimin, Rami Tudën, Sali Ramadanin, Arif Arifin, Mahmut Hysën etj.
SHPËRTHIMI I DEMONSTRATAVE SHQIPTARE NË TETOVË DHE MASAT E PUSHTETIT PËR SHUARJEN E TYRE
Burimet e kohës vënë në dukje se në Tetovë dhe në komunat tjera shqiptare në RS të Maqedonisë, përkundër pakënaqësive të shumta të popullsisë shqiptare në përgjithësi, e të inteligjencës së saj në veçanti, nuk pati ndonjë paralajmërim serioz, që mund të dyshohej se mund të ndodhin ngjarje të mëdha siç ishin demonstratat e organizuara kohë më parë në Kosovë. Po sipas burimeve të njëjta, një aktivitet i tillë ishte paraparë të organizohej në pranverë të vitit 1969. Deri atëherë të bëheshin parapërgatitjet e duhura me kërkesa të detajuara, ku do të përfshiheshin “të gjitha lëmit për të drejtat e shqiptarëve dhe avancimin e menjëhershëm të statusit të tyre…”.
Për këtë qëllim, anëtari i grupit ilegal në Tetovë, Faik Mustafa, në fillim të muajit dhjetor 1968 i shkruante një letër Agim Jakës nga Gjakova, me të cilin kishin studiuar bashkë në Beograd. Në letër Faiku kishte kërkuar informatë më detajuar për demonstratat e Kosovës,. si kanë qenë të organizuara, cilat të drejta janë kërkuar dhe a janë të sakta ato që shkruhen në shtyp, si dhe këshilla se si ai së bashku me shokët “të veproj në mënyrë të organizuar për përgatitjen e demonstratave në Tetovë “. Në letrën kthyese që Agim Jaka së bashku me Ibrahim Rudin ia dërgojnë F. Mustafës, në mënyrë precize e udhëzojnë për mënyrën e organizimit të demonstratave dhe shtruarjen e kërkesave siç ishin: “kushtetutë, vetëqeverisje, liri, barazi etj”. dhe të njëjtat, në mënyrë të fshehtë të “shpërndahen në formë afishe nëpër shtëpi dhe vende publike. Më tej në letër ata e përshkruajnë mënyrën e organizimit të demonstratave ku thuhej: “…gjatë organizimit të demonstratave t’u shmangen incidenteve, me qëllim që të njëjtat të mos konsiderohen si huliganizëm dhe të marshojnë në mënyrë të qetë me transparenta të shkruara; në rast se do të zbulohen dhe ndonjëri prej tyre të arrestohet, të jenë të pathyeshëm dhe sërish të tubohen dhe të kërkohet lirimi i tyre nga burgu; të mos zhvillohet mësimi nëpër shkolla derisa nuk plotësohen kërkesat dhe demonstratat të jenë në përmasa sa më të gjëra dhe në më shumë qytete: Tetovë, Dibër, Gostivar, Manastir etj..
Për rrjedhojë, Faik Mustafa, në bashkëpunim me disa bashkëveprimtar të tij si : Nexhmedin Neziri, Refik Murati, Sadik Rasimi etj., organizuan disa takime të fshehta, në të cilat është marrë qëndrimi që deri në pranverë të vitit 1969 “të organizohen demonstrata masive në Tetovë”, në të cilat do të shtrohen kërkesat e mësipërme. Ndërkohë, me rastin e festës së Bajramit (22 dhjetor), në qytetin e Tetovës ishin vendosur flamuj shqiptarë në disa xhamia, si dhe nëpër shtëpitë dhe lokalet private të pronarëve shqiptar. Kjo e drejtë ishte mundësuar me konkluzionet e mbledhjes së XIV të KQ të LKM-së, andaj nga ana e organeve për punë të brendshme nuk u ndërmor asnjë masë për heqjen e tyre, përkundrazi, atyre u ishte sugjeruar, që në rast të ndonjë provokimi nga njerëz të papërgjegjshëm të ndërmarrin masa për mbrojtjen e tyre. Në mbrëmjen e 22 dhjetorit, fotografisti Sreçko Janevski, hoqi me dhunë flamurin shqiptar të vendosur në lokalin e Ismail Ejupit -Spahiut, në afërsi të sheshit të qytetit. Përndryshe, për Janevskin ne atë kohë ishte përhapë fjala se kohë më parë ai, së bashku me disa persona tjerë, kishin dërguar një peticion deri te organet e pushtetit “për mos lejimin e vendosjes së flamurit shqiptar”.
Ky gjest, siç vë në dukje Salih Salihu, në librin e tij “Ngjarje dhe dëshmi”, provokoi tej mase shqiptarët, të cilët menjëherë dhe në mënyrë spontane u grumbulluan, ku disa prej tyre “të revoltuar, vrapuan për ta kapur” kryerësin e veprës, mirëpo ai kishte arritur të strehohet në hotelin “Makedonija”. Masa e madhe e grumbulluar, pasi u pamundësuan të futen brenda, në shenjë hakmarrjeje thyen xhamat e hotelit dhe më pas shkuan në drejtim të dyqanit të Janevskit dhe i thyen vitrinat e lokalit. Pas ndërhyrjes së organeve për punë të brendshme, të cilët për t’iu shmangur incidentit më të madh, arrestuan kryerësin e veprës, me çka demonstruesit u shpërndanë.
Mirëpo, së shpejti u përhap lajmi se organet e punëve të brendshme, kishin arrestuar, një grup intelektualësh shqiptar, arsimtarët: Abdullah Kalishta, Selajdin Hyseni dhe mjekët Dr. Harun Jakupi dhe Dr. Mahmut Bajraktari, të cilët menjëherë pas incidentit të krijuar kishin shkuar te kryetari i komitetit së LKM- së Tetovë, Xhemali Veseli, dhe pas dy orësh ata ishin arrestuar. Të nesërmit, herët në mëngjes një numër i madh i të rinjve shqiptar, u grumbulluan para dyqanit të Sreçko Janevskit, të cilët siç pohon Salih Salihu: filluan të brohorisin: “poshtë shovinizmi maqedonas”, “duam barazi”, “rroftë Fadil Hoxha” etj. Masa e tubuar, të cilës së shpejti iu bashkëngjit edhe një numër i madh i qytetarëve, marshoi në drejtim të Xhamisë së Sahatit dhe duke vazhduar rrugës “Ivo Llolla Ribar” kah Çarshia e Epërme, hynë në oborrin e policisë ku brohoritnin: “Lironi shokët tanë, Abdullah Kalishtën, Harun doktorin, Mahmut doktorin Selajdin Hysenin” dhe parulla tjera. Intensiteti më i madh i demonstratave u arrit pas orës 13.00 ku turmës iu bashkëngjitën edhe nxënësit e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, si dhe një numër i madh i qytetarëve. Në orën gjashtëmbëdhjetë, disa qindra demonstrues kishin arritur të futen brenda ndërtesës së kryetarit të komitetit komunal të LKM-së, Xhemail Veseli, në të cilën vendosën dy flamuj shqiptar dhe thyen dritaret e ndërtesës. Më pas demonstruesit u nisën nëpër rrugët e Tetovës duke demoluar disa stoli në qendër të qytetit si dhe disa vetura, arritën te ndërtesa e Kuvendit komunal, por nuk u futën brenda dhe nuk shkaktuan asnjë dëm. Gjatë kohës sa zhvilloheshin demonstratat, në Tetovë arritën përforcime të mëdha të forcave policore të pajisur me autoblinda, nga Shkupi dhe qytetet tjera të Maqedonisë. Anëtari i KQ të LKM-së, Hixhet Ramadani në shoqërim me disa anëtar tjerë partiak apeloi tek pjesëmarrësit që “demonstratat të marrin fund”, në të kundërtën “organet policore do të ndërmarrin masa të ashpra ligjore”. Pasi kishin dështuar përpjekjet e punëtorëve shoqëroro-politik që t’i qetësojnë demonstruesit, në orët e vona të pasdites kryetari i Kuvendit komunal, lëshoi një urdhëresë, përmes së cilës u ftuan qytetarët “që të tërhiqen nëpër shtëpitë e tyre dhe të mos dalin jashtë deri në kumtimin e ri”. Veçanërisht u është kumtuar qytetarëve se “organet e rendit publik do të përdorin të gjitha mjetet me qëllim që të ruhet rendi publik dhe qetësia…”.
Më 25 dhjetor, “Nova Makedonija” dhe “Veçeri”, ndërsa një ditë më vonë edhe “Flaka e Vëllazërimit”, publikuan komunikatën e Sekretariatit Republikan për Punë të Brendshme (më tej RSVR), lidhur me demonstratat e Tetovës si dhe masat që ishin ndërmarrë nga ky sekretariat. Në të shprehimisht thuhej:
“Elementet armiqësore të kombësisë shqiptare nga komuna e Tetovës, duke e keqpërdorur tolerancën fetare me rastin e Bajramit, festës myslimane dhe pa pëlqimin e këshillave vendor fetar, kanë vendosur flamuj shqiptar në xhamitë e qytetit dhe në fshatrat Radiovcë e Reçicë. Gjithashtu flamuj të këtillë qenë vendosur edhe në tre dyqane zejtare. Nën motivacionin se u përkufizohet kjo e drejtë ata kërkuan edhe intervenim nga Njësia për punë të brendshme. Përkundër asaj se u njoftuan se NJPB në mënyrë të rregullt është duke e kryer funksionin e saj sa i përket kërkesave të tyre të mësipërme, ata vazhduan me veprimtari në kundërshtim me ligjin, duke e cenuar rendin dhe qetësinë publike dhe me paramendim e në mënyrë të organizuar zgjeronin propagandë armiqësore. Në këto suaza më 23 dhjetor të këtij viti tërhoqën në demonstrata një numër të caktuar të nxënësve dhe fëmijëve nga shkollat tetëvjeçare, si dhe qytetar të painformuar. Përveç cenimit të rendit dhe qetësisë publike, demonstratat nuk morën karakter rrënues, mirëpo gjatë tyre qenë shpalosur parulla me përmbajtje armiqësore. Kundër bartësve të aktivitetit armiqësor dhe cenimit të rendit e qetësisë publike janë ndërmarr masa në përputhje me dispozitat ligjore”.
Në mbrëmjen e asaj dite (23 dhjetor) aktivi politik i Tetovës mbajti mbledhje të zgjeruar në të cilën morën pjesë edhe disa anëtarë të lartë politiko-shoqëror republikan, si; Vanço Apostollski, Hysen Ramadani, Qamuran Tahiri, Gogo Nikolloski etj. Informatën për ngjarjet e 22-23 dhjetorit e paraqiti sekretari i komitetit Komunal të LKM, Mirko Apostollski, i cili në fillim njoftoi për ngjarjet e 22 dhe 23 dhjetorit, sipas të cilit: “demonstruan disa qindra qytetarë të cilët shkaktuan ç’rrregullime të rendit dhe qetësisë në qytet dhe në përmasa shumë të mëdha shqetësuan qytetarët të qytetit tonë.”. “Si shkas për të gjitha këto incidente – vazhdon Apoatollsaki – ishte gjesti i disa maqedonasve të cilët ishin përpjekur t’i heqin flamujt e kombësive të vendosur gjatë festës fetare të Bajramit, mirëpo e gjithë kjo ishte vetëm shkas, ndërsa arsyet shtrihen diku tjetër dhe të njëjtat duhet kërkuar në sjelljet armiqësore të një pjese të kombësive…”. “Nëse mbrëmë ishim në dilemë – vazhdon Apostollski – se a thua çrregullimet e 22 -it, ishin spontane apo të organizuara, ngjarjet e sotme treguan se bëhet fjalë për veprimtari armiqësore të përgatitura dhe organizuara më parë nga një grup nacionalistësh dhe shovinistësh, ndërsa nuk është kontestuese as se kush qëndron pas demonstratave, dhe cilët janë qëllimet e tyre”.
DËNIMET ME BURG EDHE KUNDËR NXËNËSVE
Me këto vlerësime të Apostollskit, , u pajtua edhe kryetari i Konferencës komunale të LKM-së Tetovë, Xhemail Veseli, sipas të cilit që në mbrëmjen e 22 dhjetorit ishte u vërejt ardhja e veturave nga disa qytete të Kosovës dhe nga Gostivari, që krejt kjo për të ishte një dëshmi se në organizimin e tyre pati: “elemente armiqësore”, dhe se në prag të nisjes kah sheshi ishin “vërejt arsimtarë dhe profesorë nga shkolla Liria, nga Gjimnazi”, që për të kjo ishte një dëshmi se organizimi i tyre ishte kryer paraprakisht.
Një vlerësim krejt ndryshe për këto ngjarje pati Dr. Refet Ferati, i cili vuri në pah se: çrregullimet nuk ishin të djeshme por se ato i kishin rrënjët më të thella. Ai në vazhdim numëroi gjashtë incidente të cilat ishin anashkaluar nga strukturat politike të komunës:
“E para, rezistenca për mos hapjen e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe në shkollën e tekstilit;
E dyta, që u dënua një nxënës shqiptar, me 5 muaj burg për gjoja ndonjë rrahje;
E treta, që Sretko kishte kërkuar të hiqen të gjithë flamujt shqiptar dhe nuk janë ndërmarrë masa;
E katërta, që flamuri është vendosur në një lokal privat;
E pesta, që është vendosur parulla e nënshkruar nga panterët e zi në të cilën digjet flamuri shqiptar; dhe
E gjashta, që nuk analizohet se kush qëndron pas Sretko Janevskit…”.
Më 24 dhjetor aktivitete të shumta politike pati nëpër organizatat bazë partiake, organizatat shoqëroro-politike të komunës së Tetovës, në të cilat demonstratat u kualifikuan si “armiqësore” të organizuara nga “elemente nacionaliste e shoviniste”. Mbledhje të përbashkët mbajtën edhe këshillat e arsimtarëve të shkollave fillore e të mesme në këtë komunë, në të cilat u kërkua largimi nga puna të atyre arsimtarëve që morën pjesë në demonstrata. Në mbledhjen e organizuar në Kombinatin e tekstilit “Teteks”, , kryetari i konferencës së LKM-së të këtij kombinati, Hysni Vela, akuzoi disa punëtorë të cilët siç tha “në mënyrë të hapur e shprehin disponimin shovinistë” dhe kryesisht parashtrojnë “kërkesa armiqësore”, ku si shembull përmend Idriz Cekën, i cili kohë më parë kishte kërkuar që: “në vendvotime për drejtues të organizatës sindikale të vendosen flamuj shqiptarë”, në të kundërtën ai ishte kërcënuar se “shqiptarët nuk do të votojnë”. Në fund të fjalimit, Vela kërkoi që krahas Idriz Cekës, të merren në përgjegjësi edhe disa punëtor tjerë të kombinatit si Jakup Leka, Selman Syla etj..
Mbledhje të tilla u mbajtën në të gjitha komitetet komunale, të qytetit të Shkupit, të organizatave bazë të LKM-së, si dhe të organizatave shoqërore-politike në mbarë hapësirën e republikës. Më 24 dhjetor 1968, Komiteti i qytetit të Konferencës së LKM-së Shkup, mbajti mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën demonstratat e Tetovës u kualifikuan si vepër “armiqësore” të përgatitura paraprakisht. “Duke e pas parasysh këtë – thuhet më tej në procesverbalin e dalë nga mbledhja – komiteti i LKM-së për Qytetin e Shkupit i dënon ashpër demonstratat, të cilat nënkuptojnë mohim të integritetit dhe të arritjes së shoqërisë sonë socialiste vetëqeverisëse, veçmas lidhur me barazinë dhe me marrëdhëniet ndërnacionale”. Gjithashtu, në mbledhje u kërkua një aksion i shpejtë dhe i drejtpërdrejtë për “pamundësimin e elementeve armiqësore dhe të organizatorëve të demonstratave në Tetovë, një pjesë e të cilëve janë të njohur dhe të dënuar më herët”. (vijon nesër)