Kur të thyhet qerrja

E keqja është se tash koha nuk punon më për marrëveshjen, sepse sadoqë Zaevi dhe Ciprasi mund të jenë kandidatë për çmimin Nobël, siç kanë spekuluar disa media, nëse marrëveshja e tyre nuk kalon në parlament(në Maqedoni jo që jo pa ndonjë shtysë të fortë nga jashtë-për fat të keq, diplomati Hot Yee ka marrë detyra tjera), zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin pushtete që do të jenë kundër kësaj marrëveshje

 

Nga Daut DAUTI

Referendumi i 30 shtatorit është humbja e parë e madhe e Zaevit dhe fitorja e parë e madhe e Hristijan Mickovskit, por më tepër se fitorja ose humbja e cilitdo prej tyre, është humbja e shansit të madh të Maqedonisë! Dy partitë më të mëdha maqedonase, të cilat e patën gojën plot interes nacional, u gjetën në taborë të kundërt për shkak të inateve dhe interesave të ngushta partiake. Loja midis partive më të mëdha maqedonase, ku faktori kyç i ndasive të tyre duhej të ishte faktori shqiptar si një “teg” në peshojë, dha këtë rezultat që mund të ishte i pritur, por, nuk duhet anashkaluar dhe një mori çështjesh tjera “anësore”. Sigurisht që çdo analizë duhet të kërkojë shkak-pasojat e këtij fenomeni, disa objektive e disa subjektive, disa teknike a formale-juridike, e tjerat politike e gjer te shkalla e vetëdijes. Besoj se pjesë të çfarëdo analize duhet t’i marrë disa nga këto çështje që mendoj se kanë qenë vendimtare që në vend se 51 për qind, dalja të jetë 36 për qind, ani se 90 për qind kanë qenë Pro Marrëveshjes së Prespës.

LISTA ZGJEDHORE: Edhe fëmijët nëpër çerdhe, duke dëgjuar lajme përskaj prindërve të tyre,  do ta kenë fiksuar problemin e listës zgjedhore! Çështja e listës zgjedhore prej 1.8 milionë votuesish kundrejt 2 milionë banorësh, është zvarritur prej zgjedhje në zgjedhje dhe nuk është zgjidhur. Votuesit fantomë janë një problem i pa tejkalueshëm. Në zgjedhjet e fundit parlamentare iu la në dorë opozitës dhe rezultati ishte shlyerja e dhjetëra mijë votuesve, për të cilët dolën të jenë më shumë shqiptarë(kryesisht të emigruar), të cilët pastaj u kthyen në listë në zgjedhjet lokale! Të gjithë e dimë se është joreale lista zgjedhore, por nuk ka metodë për ta sjellë në suaza normale. Pastrimi i kësaj liste, edhe sikur të bëhej me metodologji më të përsosur, do të shkaktonte efekte politike të padëshiruara, sepse sa fillon pastrimi, dalin në pah, me të drejtë ose pa të drejtë, qëllimet “e fshehta”. Mendohet se realisht në listë mund të jenë 300-400 mijë që s’janë votues të vërtetë.

VALA E EMIGRIMIT: Realisht ballafaqohemi edhe me një trend shumëvjeçar të emigrimit ekonomik në botën e jashtme, që reflektohet edhe në zgjedhje. Shumë votues janë në listë, por nuk janë në vendvotime, por nuk votojnë as në diasporë. Ata janë në listë sikur të jenë këtu, ndërkaq janë jashtë ku ose s’kanë mundësi objektive të paraqiten ose nuk kanë interes të marrin pjesë në çfarëdo votimi. Kjo, edhe falë dëshpërimeve dhe ndjenjës së paperspektivës që i ka detyruar të ikin jashtë për kafshatën e bukës. Kulmi u arrit në këtë referendum, kur në të gjitha kontinentet ishin regjistruar më pak se 3 mijë(në zgjedhjet e kaluara afro 30 mijë). Me fjalë të tjera, kemi një kategori njerëzish të cilët as janë çregjistruar prej këtu ku nuk janë fizikisht, po as janë regjistruar atje ku janë të pranishëm dhe kanë të drejtë vote. Në këtë referendum harta e abstinencës është  pothuajse kudo njësoj, bile me nuanca më negative në mjediset maqedonase, që flet për mundësinë që në këtë proces migrimi të dy bashkësitë janë njësoj të përfshira, ndryshe nga ç’shpresojnë disa qarqe në Maqedoni, që mendojnë se shqiptarët janë ata që kanë ikur më shumë.

“PËR INAT TË SHQIPTARËVE”! Nuk mund të nënçmohen as ndasitë ndëretnike e fetare, që krijon animozitete të ndërsjella. Bëhet fjalë për mendësinë “për inat”! Për inat, në fushëbetejën politike, s’ka çka të diskutohet, dihet gjithçka, por ka një lloj inati të mbarsur nga një indoktrinim shumëdekadësh. Ai indoktrinim në mënyrë të thjeshtësuar çon në veprime “kundër” me motivacion: nëse shqiptarët janë “për” maqedonasit duhet të jenë “kundër”. Jo pse është interes nacional, por thjesht, “për inat” të shqiptarëve. Në këtë kontekst, ka një arsyetim plotësues që politika dhe mediat e kanë mbarsur vetëdijen e qytetarit të rëndomtë, sidomos me ngjarjet dramatike në rajon dhe në vend. Këtu pra kanë krijuar besimin se bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të dhe NATO-ja “janë në anën e shqiptarëve” dhe se pozicionimi “i natyrshëm” maqedonas duhet të jetë kundër tyre! E keni parasysh këtë logjikë? Sa më shumë që politikanët shqiptarë flasin për integrim në këto struktura, te një pjesë e maqedonasve krijon disponim të kundërt!  Shpesh krijohet përshtypja se dy bashkësitë etnike, ndonëse kanë deklaruar një qëllim strategjik, në atë rrugë nuk mund të ecin bashkë!

EMOCIONI KUNDREJT RACIONALES: Nga ç’u tha më lartë, vijmë te zhvendosja e logjikës së veprimit, te marrja e vendimeve emotive, kundrejt arsyes. Arsyeja thotë se interes i shtetit është integrimi në BE dhe NATO, për shkak të efekteve që vetvetiu vijnë pastaj. Por, manipulimi politik bën që në vend të këtyre interesave, të nxirren në plan të parë pretendimi se populli maqedonas duhet të jetë pjesë e popujve ortodoksë (panortodoksizmi), pikërisht që të mos jenë bashkë me “përkrahësit e shqiptarëve”, pavarësisht se pikërisht mëvetësia e Kishës Ortodokse Maqedonase mohohet nga njëra prej këtyre kishave! Në këtë kartë kanë luajtur antireferendumistët, të cilët tashmë janë të njohur për ndërtime kryqesh ku nuk ka kisha dhe projekte të ngjashme. Nuk është çudi që disa sish edhe qartë definuan “alternativën tjetër” nga ai i EU-së dhe NATO-s.

ZHDEHJA NGA ËNDRRA PËR RRËNJËT ANTIKE UK NDODH LEHTË: Nga diskursi manipulativ që para së gjithash e mbolli VMRO-DPMNE-ja(thonë se ideator është Gjorge Ivanov), me mbështetjen “shkencore” të disa pseudoshkencëtarëve, kemi mbjelljen e një vetëdijeje të re të një përqindje e madhe për rrënjët antike të maqedonasve të sotëm. Këto teza, që kanë nevojë për ekspertizë të degës së  mjekësisë që merret me lëngata shpirtërore, nuk janë mbjellë vetëm në vetëdijen e shumë qytetarëve që janë pro VMRO-së, por siç shihet nga referendumi, si virus ka hyrë edhe në kokat e shumë qytetarëve që janë të afërt me orientimin politik të majtë. Të paktën 10-20 për qind pikërisht nga ky elektorat e kanë pasur të vështirë të dalin nga gëzhoja identitare pa bazë shkencore dhe kanë abstenuar. Për gjithë ata që besojnë në rrënjët antike, marrëveshja e Prespës është tradhti kombëtare që e cenon identitetin maqedonas, gjegjësisht mohon origjinën nga maqedonasit antikë! Pikërisht këto ditë në portale mund të gjendej një tezë e një matematikani dhe një gjuhëtari për gjuhën dhe alfabetin e maqedonasve antikë, sikur të bëhej fjalë për këtë gjuhë dhe alfabet që e kanë sot maqedonasit, e që nuk ka lidhje me atë para më shumë se dy mijë vjetësh.

ZAEVI ME OBSTRUKSIONE NGA TABORI I VET: Abstinenca e elektoratit të majtë përveç indoktrinimit, flet edhe për atë që kaherë është folur, se Zaevit i kanë bërë obstruksione edhe disa qarqe ose autoritete brenda LSDMS-së. Ndonëse Branko Cërvenkovski e pat caktuar në një farë mënyre trashëgimtar të tij, në një rast dhe e kishte ia kishte falur një dënim për korrupsion, shumë analistë mendojnë se pikërisht ithtarët e ish-liderit i kanë bërë obstruksione. Plus kësaj, disa media që e kanë përkrahur si opozitë Zaevin, nuk po i japin tash përkrahje në çdo gjë që bën qeveria e tij, sidomos nuk mund t’ia heshtin anomalitë e shfaqura si në kohën e qeverisë së Gruevskit. Si suksesin që nuk mund të ta falin (sindrom ballkanik?), ashtu edhe  mossuksesin nuk mund të ta mbulojnë, as tutë, e lere më të tjerët.

NUMRAT KUNDËR DISPONIMIT QYTETAR: Është e natyrshme që pushteti dhe opozita të shikojnë me dioptri të ndryshme të njëjtën gjë. Dhe këtu i njëjti rezultat për opozitën është votë KUNDËR, edhe pse mbi 90 për qind e votuesve në referendum kanë qenë Pro, ndërsa për pushtetin disponimi i qytetarëve është PRO ndryshimit të emrit dhe integrimeve në EU dhe NATO. Por, paradoksi është se të dy palët kanë të drejtë! Duke u nisur pikërisht nga numrat, me votat supozuara “kundër” të opozitës, (sikur të mos ishte strategjia e bojkotit), referendumi do të ishte i suksesshëm. Por, ligji ka vënë census prej “50 për qind plus një”, referendumi është i pasuksesshëm.

INATET DHE KALKULIMET POLITIKE: Kalkulimi me votim përmes parlamentit, meqë referendumi ka “karakter këshillëdhënës”, po ashtu ndeshet me numra dhe në këtë atmosferë të ndasive të motivuara nga inatet ndërpartiake në bllokun maqedonas, është mision i pamundur, pasi VMRO-ja tashmë i ka blinduar me deklarata deputetët dhe shpresa e Zaevit është e kotë se mund të sigurojë shumicë prej 80 deputetësh.  Në të vërtetë, tashmë nuk ka opsion tjetër pos asaj të zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse BDI-ja të enjten mbrëma mori qëndrim se zgjedhjet e parakohshme nuk janë zgjidhje përderisa nuk shfrytëzohen të gjitha mundësitë tjera përmes parlamentit.

Prapa gjithë kësaj situate pas referendumiane qëndron dështimi i një kompromisi për konsensus të gjerë. Zaevi i ka refuzuar të gjitha tentimet prapa perdes të opozitës që të sigurohet një lloj amnistie për veprat ndaj ish-udhëheqësve më të lartë të VMRO-së. Në fakt, edhe sekretari gjeneral i LSDM-së, Petre Shilegov, pohoi këtë si çështjen kryesore që e ka shtruar VMRO-ja para referendumit.  Shumëkush ka supozuar se kjo parti kur mori qëndrim që të mos thërrasë në bojkotim, ka një marrëveshje të fshehtë me LSDM-në. Sepse, një është e vërtetë, se marrëveshja për emrin i ka implementuar pikërisht qëndrimet e VMRO-së rreth një kompromisi të mundshëm dhe se – ndonëse para publikut mund ta paraqiste si disfatë, që do të ishte një taktikë elektorale – mbyllja e kontestit për emrin do të ishte interes afatgjatë edhe për ta. Mirëpo, doli supozim i pasaktë. Kur peshohet interesi i shtetit dhe ai partiak, ka qenë i pritur ndonjë kompromis larg syve të publikut. Askush nuk duhet të amnistohet për veprat që kanë dëmtuar interesin shoqëror, por nëse edhe kjo tash i përsërit dukuritë e ngjashme, atëherë në kuadër të ndonjë rregullative “fleksibile” ligjore, për hir të një uniteti rreth çështjes së emrit, ka qenë i mundur kompromisi. Le ta quajmë këtë edhe flijesë përtej shtetit ligjor, ku për shkaqe taktike, mund të përdorej amnistia që e kishte shpallur kryetari i shtetit. Kjo nuk është për t’u thënë publikisht, por ky ka qenë halli kryesor i VMRO-së që ka pasur ndikim vendimtar në abstenimin.

E keqja është se tash koha nuk punon më për marrëveshjen, sepse sadoqë Zaevi dhe Ciprasi mund të jenë kandidatë për çmimin Nobël, siç kanë spekuluar disa media, nëse marrëveshja e tyre nuk kalon në parlament(në Maqedoni jo që jo pa ndonjë shtysë të fortë nga jashtë-për fat të keq, diplomati Hot Yee ka marrë detyra tjera), zgjedhjet e ardhshme mund të sjellin pushtete që do të jenë kundër kësaj marrëveshje. Këtë rrezik më së shumti e ndjen kryeministri grek.

Një rrotë e qerres tashmë është thyer dhe nevojitet shumë mund për t’u shtyrë gjer në cak!

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)