Kur të jesh mërzitur shumë

(Poezi nga Dritëro Agolli)

Këtu s’do jem, do jem larguar:

Në tokë i tretur si të tjerët,

Advertisements

Në kafenenë e preferuar

Nuk do më shohin kamarierët.

 

Dhe nëpër udhët ku kam ecur,

S’do ndihet kolla ime e thatë,

Mbi varrin tim do rrijë i heshtur

Një qipariz si murg i ngratë.

 

Ti do trishtohesh atëherë,

Se s’do më kesh në dhomë gjallë,

Dhe kur në xham të fryjë erë,

Do qash me erën dalëngadalë.

 

Po kur të jesh mërzitur shumë

Në raft të librave kërkomë,

Atje do jem i fshehur unë,

Në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.

 

Mjafton që librin pak ta heqësh

Dhe unë do zbres, do vij pas teje;

Ti si dikur me mall do qeshësh,

Si një blerim pas një rrëkeje.