Sa nga ne janë të detyruar të mbrojnë shokët normal në një kohë ku normaliteti është çmenduri?! Sa nga ne jemi viktima të propagandës së spiunëve, puthadorëve, lajkatarëve njësoj kriminel si ata që tërheqin këmbëzën?! Mbyllim veshët për të mos parë stalinët dhe po në heshtje drejtojmë gishtin ndaj atyre pak të guximshmëve që mundohen të thonë ndonjë të vërtetë…
Nga Dr.Arben TARAVARI
Nuk e di se sa veta mund ta kenë lexuar librin “Kur sunduesit grinden” të Ismail Kadaresë, por duke qenë se është shkrimtari më i mirë shqiptar, për fat, në këtë shkretëtirë mendimesh kryesisht të shkaktuara nga interneti, për fat pra, ky shkrimtar sikur lexohet më shumë në krahasim me të tjerët! Lexuesit e Kadaresë ndahen në tre grupe të mëdha: I pari është ai grup njerëzish që Kadarenë e lexojnë sepse e shijojnë dhe le të themi që këta janë lexuesit e vërtetë, ata jo hilacakët, që gjithsesi sa po vijnë dhe tkurren sa rrezikojnë zhdukjen, mund të katandisen si tribú afrikane që të mbrohet nga UNESCO.
Grupi i dytë është ai që ndoshta është edhe më i motivuari, të gjithë anëtarët e tij janë të inatosur, mllefosur, dhe e lexojnë shkrimtarin me qëndrimin “dil-të dal”! Pa e mbaruar mirë librin mbushin kafenetë apo zyrat e tyre administrative dhe lëshojnë refrenin “kot, që kur iku në Francë, nuk bën më kryevepra”…
Kurse grupi i tretë dhe i fundit, është më i vogli në numër por më i rrezikshmi, ky është grupi i spiunëve, të cilët lexojnë fshehurazi çdokujt, edhe vetes të tyre! Ndoshta shkrimtari më i madh I të gjitha kohërave që u lind nga një shtet shumë më i vogël se përmasat e mëdha që Kadareja do të merrte më vonë, ndoshta Princi i Asturias dhe raporti i tij dramatik me racën e tij, është shembulli më i saktë i shqiptarëve me Evropën, me emancipimin, ne ngecjen e tyre në punë të kota por që vdesin punët e mëdhà!
Pa dashur të bëj film, por romani i fundit i Kadaresë, ky që e lexoja natën pas orëve sfilitëse të punës, trajton një nga rastet më interesante të marrëdhënies së Boris Pastërnakut (shkrimtar rus, fitues i çmimit Nobel në vitin 1958 si autor i romanit “Doktor Zhivago”) dhe sundimtarit Jozef Stalinit. Dihet nga shumëkush që Nobeli do të caktonte rënien më dramatike që historia e letrave kishte parë ndonjëherë ose si Kadareja shprehet në libër “Pastërnaku do të ishte viktima e parë e Nobelit”, por ajo që është më interesante është biseda që Pastërnaku ka pasur në telefon me Stalinin! Biseda është bërë para se Pastërnaku të mallkohej me çmim, biseda është bërë mbi një poet tjetër, të talentuar, neurotik si pjesa më e madhe e poetëve dhe seriozisht kurajoz, Mandelshtamit!
Mandelshtami ishte “i paudhi” që kishte guxuar që Stalinin ta kishte quajtur “maloku i Kremlinit”, këtë shkarje të trurit e kishte dokumentuar me një poezi të tërë, të cilën ja pat lexuar dhe Pastërnakut, ky i fundit më i kthjellët si duket, i thotë se duhet heshtur e askush nuk duhet të dijë për këto azdisje të rrezikshme! Mandelshtami nga ana tjetër pëson fatin tragjiko-heroik të poetit disident i cili arrestohet për pikëpamjet e tij të mirëfillta anti-staliniste!
Pas këtij arrestimi, Pastërnaku inatoset me poetin e çmendur që është treguar kaq mendjelehtë aq sa nga ana tjetër ndjen përgjegjësi ndaj tij dhe bën ç’mos ta shpëtoj! Derisa një ditë vet Stalini e merr në telefon dhe pyet se çfarë mendon për rastin e Mandelshtamit, Pastërnaku i gjendur në hutinë e një telefonate kaq të paparashikuar, i thotë se ai dhe Mandelshtami janë të ndryshëm! Kaq mjafton që sot edhe kësaj dite Pastërnaku shpesh herë ashtu si nga vet Stalini po njësoj dhe nga pasuesit e tij të 2019-ës, të akuzohet për burracakëri, për tradhti ndaj shokut… E pabesueshme që një mendjendritur si autori i “Doktor Zhivagos” të akuzohet për atë që kurrë nuk e ka bërë!
Mirëpo, çfarë ndodh nëse e heqim një paralele me shoqërinë tonë, me prijësit që në fakt janë në thelb udhëheqës nostalgjik, sa Pastërnak dhe sa Stalin ka lagjja, fshati, qyteti, shteti apo gadishulli ku jetojmë?! Sa nga ne janë të detyruar të mbrojnë shokët normal në një kohë ku normaliteti është çmenduri?! Sa nga ne jemi viktima të propagandës së spiunëve, puthadorëve, lajkatarëve njësoj kriminel si ata që tërheqin këmbëzën?! Mbyllim veshët për të mos parë stalinët dhe po në heshtje drejtojmë gishtin ndaj atyre pak të guximshmëve që mundohen të thonë ndonjë të vërtetë…
Gjithsesi ajo që mund të them në fund është: lexoni librin e Kadaresë…kemi nevojë për të lexuar shumë e sidomos Kadarenë që mban ironikisht fatin e Pastërnakut dhe Mandelshtamit njëkohësisht!
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)