“Kur sunduesit grinden” është libri më i ri i Ismail Kadaresë, i prezantuar sot në Panairin e Librit. Botimi i librit ishte paralajmëruar më herët nga Shtëpia Botuese Onufri, ndërsa shkrimtari Ismail Kadare ka qenë vetë në stendën e kësaj shtëpie botuese në Panair së bashku me bashkëshorten Helena për të nënshkruar autografe për lexuesit.
Interesi ka qenë i madh ku shumë lexues kanë qëndruar në radhë për të marrë një kopje me nënshkrimin e Ismail Kadaresë. Libri ka në qendër telefonatën mes shkrimtarit Boris Pasternak dhe Stalinit.
Vepra sjell një qasje mbi raportin e shkrimtarëve me diktatorët dhe në kopertinë ka imazhin e Janusit, perëndisë që sipas mitit romak, ishte perëndia e fillimit, kohës, tranzicionit, dualitetit. Kadare ka punuar prej dy vitesh për këtë libër, mbi telefonatën e diskutuar gjatë, të një shkrimtari në ish Bashkimin Sovjetik me Stalinin “udhëheqësin” që në një moment do të përdorte këtë telefonatë, kundër shkrimtarit.