Prej kur Kosova hyri në radhën e tre republikave më të pazhvilluara, menjëherë u ndryshuan kushtet dhe kriteret e zhvillimi ekonomik- siç u tha edhe më lartë. Marrëdhëniet në realitet u demokratizuan tepër në krahasim me ato para Plenumit të Brioneve, ndërsa u thellua hendeku i zhvillimit ekonomik ndërmjet republikave dhe Krahinës së Vojvodinës nga njëra anë dhe Kosovës, e cila mbeti si rajoni më i pazhvilluar në Jugosllavi, në vend se të këtë një zhvillim paralel me ta, sepse mjetet bankare konvertibile as për së afërmi nuk i plotësonin nevojat për zhvillim të barabartë me republikat tjera
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Në lidhje me këtë prapambetje ekonomike të Kosovës është thënë edhe në fjalën e shokut Bahri Oruçi në mbledhjen e fundit të të tri dhomave të Kuvendit të Krahinës, ku bëhet fjalë për zhvillimin afatgjatë të Kosovës (1981- 1985), ku ndër të tjera vërtetohet se “ Sa borxhe, kredi për të kthyer ka e gjithë Jugosllavia, aq ka vetëm Kosova”, e kështu me radhë për të mos radhitur të tjera. Aq më qartë në lidhje me prapambetjen e Krahinës në planin ekonomik, flet dr. prof. Ivo Vinski, Instituti Ekonomik nga Zagrebit, rreth së cilës çështje bëhet fjalë në shtypin e përditshëm, në artikullin “Si të arrijë Kosova zhvillimin e Sllovenisë para vitit 1960”.
Në lidhje me këtë artikull, ja se ç’thotë prof. Vinski: “ Nëse projektimet e zhvillimit të shpejtë realizohen siç duhet, Kosova do të arrinte pas 10 vjetësh 43% të nivelit mesatar të zhvillimit të vendit. Zhvillimi dinamik duhet të ndihmohet me investime të mëdha, të cilat në Kosovë duhet të jenë 40 ndaj 26 % në vend. Kosova në vitin 1985 do të arrinte nivel të tillë të zhvillimit duke qenë 25 vite prapa Sllovenisë, 20 vjet pas Kroacisë dhe 15 vjet pas Serbisë”. Këto janë mjaft të rëndësishme sipas vlerësimeve të profesorit të përmendur.
Sipas kësaj, të dhënat që janë prezantuar këtu janë shumë terciare, sepse ekspertët ekonomik dhe politik do të gjenin me siguri boshllëqe më të mëdha prapambetjes ekonomike të Kosovës- sidomos të karakterit subjektiv dhe kurrsesi të karakterit objektiv. Dihet se Sllovenia në fillim qëndronte në raport me Kosovën në aspekt të zhvillimit ekonomik 1: 2,5, ndërsa sot është afër 1: 8,5 ndërsa po ashtu situata është edhe me republikat tjera.
Ku është, atëherë e vërteta? Mendojmë se kjo nuk është vështirë dhe gjë abstrakte për ta gjetur, por përveç se nuk duam ta bëjmë një gjë të tillë. Prandaj ne asnjëherë nuk jemi ndalur që këtë çështje ta shtrojmë ashtu si duhet, pa subjektivizëm. Populli thotë: Nëse shoku (miku) ose vëllai të ndihmon kur ke vështirësi, përpiqu që edhe t’i këtë të mirë t’ia kthesh kur do të bëhesh mirë- të mirën mos e harro.
Përse është harruar e mira që ka bërë Kosova për të ndihmuar të tjerët, sepse në fillim nuk ka pasur kapacitete ekonomike dhe mjete nuk ka shfrytëzuar, ndërsa kur i erdhi asaj radha u harruan të mirat e saj. Me siguri, përveç asaj që e vërtetoi shoku Milija Kovaçeviq të cilën e përmendëm më lartë, jemi të mendimit se ka filluar gara që çdokush të zhvillohet vet e kështu me radhë. Dhe kur çështja e prapambetjes së Kosovës shtrohet drejtë, vendimet mbetën vetëm vendime dhe të parealizueshme, ndërsa Kosova sërish stagnoi. Prandaj nuk duhet të na habit fakti që studentët e përmendin dhe e theksojnë këtë çështje, sepse rreth kësaj mund të informohen nëpërmjet shtypit dhe të mjeteve të tjera audio- vizuale, ku sipas të dhënave themelore burimore dihet se Trepça realizon çdo vit profit mesatar prej 210 milion dollarë, ndërsa ku janë Obiliqi, Agrokosova dhe burimet e tjera të ngjashme, sa vlejnë ata? Pse atëherë Kosova të jetë prapa 43 % nga zhvillimi mesatar i vendit?
Sot gjërat nuk mund të arsyetohen me fjalë të shprehura bukur në kuptimin: “shihni se çfarë zhvillim është arritur”, dhe “një zhvillim të këtillë nuk kemi pasur asnjëherë” etj. Mendimi publik jugosllav nuk është ai i paralufte dhe as ai në Kosovë. Këto janë, të ashtuquajtura përralla, dushk për gogla, sepse qytetarët sot dinë të dallojnë të bardhën nga e zeza. Në këtë mënyrë, që të vijmë te e vërteta, sipas metodave të ndryshme shkencore, ekziston metoda krahasuese-komperative prandaj menjëherë shtrohet pyetja se në ç’shkallë ke qenë t’i dhe në ç’shkallë jam unë sot dhe deri ku t’i ke arritur dhe pse nuk kam arritur unë, e kështu me radhë. Prandaj sipas kësaj konsiderojmë problemi është i brendshëm, dhe kurrsesi i jashtëm, që duket fare qartë!
Ose, kur vitin e kaluar një grup punëtorësh të Kuvendit Krahinor në krye me kryetarin e Kosova IV trokiti në dyert e të gjitha republikave që thjeshtë të kërkonte ndihmë, të cilën nuk e gjeti, siç kanë bërë të ditur të gjitha qendrat televizive, dhe pasi me këtë nuk pati sukses, Kosova IV u detyrua të ndërpresë punën ndërtimore të më se 400 objekteve të filluara ekonomike. Pse me këtë rast nuk u ndërmor asgjë nga ana e asnjë organi republikan ose federativ? Ose, pse nga viti 1973 mbeti i pa a kryer sistemi “Ibër- Lepnc”, ku shiritin solemn e preu i ndjeri Xhemal Bjediq? Ose, pse zhvilloheshin aq me ngadalë punët në minierën e nikelit në Glogoc, ndërsa një i ngjashëm u ndërtua në Maqedoni dhe i vënë në përdorim brenda natës, ndërsa këtu po zvarritet vite ma radhë- ngjashëm është edhe situata në sistemin “Ibër –Lepencë” Neve qytetarëve këto gjëra na janë shumë të qarta nëpërmjet mjeteve të informimit, si të atyre të krahinës, ashtu edhe të republikave të tjera.
Prandaj, kur studentët e ngritën zërin e tyre dhe kërkuan republikë, atëherë ua kthyet, Ju, shokë udhëheqës të Kosovës, të Serbisë dhe disa udhëheqës federativ, duke mos kursyer kurrfarë mjetesh, përfshirë edhe hakmarrjen shumë të vështirë dhe të pashembullt fizike përmes shokëve të njësive speciale, duke mos kursyer askënd. Si ta quajmë këtë!? Ju kishit një numër të pafund epitetesh, duke thënë se ata janë nacionalistë, irredentistë, shovinistë, kundërrevolucionarë dhe shumë e shumë epitete të tjera!!! Nga bazat e Marksizmit e dimë se kjo nuk është e rekomandueshme, sepse uji që kalon nëpër tokën tënde gjithnjë vjen në mullirin tim- atëherë nuk është nacionalizëm, shovinizëm dhe kundërrevolucionarizëm nëse t’i dëshiron që atë ujë ta përdorësh sipas rendit dhe nevojës, dhe jo sipas vlerësimeve tona të cilat pa ndërprerje i theksojmë, del se gjoja kjo na qenka “nacionalizëm”, “shovinizëm”, “kundërrevulicionarizëm” e të tjera. Prandaj, sipas të gjithë kësaj që e thamë në lidhje me çështjen e prapambetjes ekonomike të Kosovës, mund ta ilustrojmë edhe me këto të dhëna: se në vitin 1974, parë nga pikëpamja pozitive, përkundër kësaj dallimet janë thelluar. Gjersa në vitin 1947 Kosova dispononte 52 % të të ardhurave kombëtare në krahasim me të ardhurat kombëtare sipas banorëve në Jugosllavi, në vitin 1972, Kosova kishte vetëm 29% të të ardhurave kombëtare për frymë, që do të thotë 69% me pak se sa nga mesatarja e banorëve të Jugosllavisë. Pra, del se zhvillimi ekonomik i Kosovës nisi të ngec nga viti 1952 e këndej (të dhëna të Qendrës marksiste të krahinës “ide dhe vepra” ).
Prandaj shokë udhëheqës dhe komunistë të nderuar, t’i vëmë gjërat në mënyrë parimore dhe pa ngjyrë nacionaliste, sepse gjërat nuk janë të asaj natyre që nuk mund të zgjidhen, siç deklarojnë disa në intervista dhe debate të ndryshme. Të eliminojmë vet subjektivizmin tonë dhe pretendimet për dominim dhe hegjemoni mbi popujt e vegjël, sepse pretendimet e tilla janë të padrejta dhe në kundërshtim me ato për të cilat jemi deklaruar që në Mbledhjen e AVNOJ-it (KAÇKJ-së) dhe në të gjitha dokumentet e tjera partiake dhe shtetërore të bashkësisë sonë vetëqeverisëse të kombeve dhe të kombësive, sepse në këtë mënyrë u japim mundësi të tjerëve të ndërhynë në punët tona të brendshme, sepse Republika e Kosovës nuk është kërkuar jashtë federatës, por brenda saj dhe nuk ka pasur kurrfarë pretendimesh siç e kanë bërë këtë në të gjitha diskutimet dhe konkluzionet se gjoja ka pasur edhe parulla për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi, gjoja sikur kemi dashur të bashkohemi me Shqipërinë dhe demonstratave në tërësi u është dhënë karakter irredentist. Mund të thuhet se kjo nuk përputhet me të vërtetën, sepse kërkesa të këtilla nuk janë paraqitur fshehtas, por në mënyrë të hapur, ndërsa nëse ka pasur edhe ndonjë të tillë ato janë bërë nga elemente të infiltruar destruktiv dhe armiqësor, dhe konkluzionet e tilla janë të pavërteta dhe kanë për qëllim të prishin dhe të dëmtojnë theksin e së vërtetës dhe të parimeve. Mënyra e qasjes është jo njerëzore dhe nuk është në frymën e vendimeve të AVNOJ-it (KAÇKJ-së).
Fillet e ngulfatjes së vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe në Jugosllavi pas ngadhënjimit të revolucionit socialist. Kjo çështje është shqyrtuar në mënyra të ndryshme nga një numër shumë i madh të autorëve të ndryshëm të Jugosllavisë dhe nga ana e udhëheqësve tanë, duke filluar nga ata krahinorë dhe republikanë deri te ata federativ, ndonjëherë në mënyrë objektive, ndërsa më tepër në mënyrë subjektive. Kështu në letrën që po ua dërgojmë do të përpiqemi të jemi sa më konciz dhe objektiv, duke mos hyrë në detaje, por duke përfshirë vetëm gjërat esenciale, të cilat të gjitha u janë të njohura mirë të gjithë qytetarëve të Jugosllavisë. E dimë se revolucioni socialist jugosllav në esencë ka pasur karakter socialist, social dhe nacional çlirimtar. Në këtë mënyrë, kjo ka qenë motoja e tij dhe kjo i mobilizoi të gjithë kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë në luftë të përbashkët, duke mos kursyer as pikën e fundit të gjakut për t’u çliruar nga robëria shekullore.
Prandaj periudha pas çlirimit tek ne ka qenë periudhë me e ndritshme historike e barazisë kombëtare të të gjithë kombeve dhe kombësive të Jugosllavisë, që manifestohej me barazi të plotë dhe aspak të deformuar. Por, për fat të keq, kjo nuk zgjati shumë, ndërsa fillet e krimit (të keqes) nisin të paraqiten që nga viti 1948, që të arrinin shkallën më të lartë të vështirë në vitin 1956 me krimet barbare dhe çnjerëzore të nacionalistit serbomadh Rankoviq dhe lakejve të tij, të cilët zyrtarisht u dënuan në Plenumin historik të IV të Brioneve.
Nisëm me vitin 1948, sepse atëherë fillon mënjanimi me dhunë i simboleve kombëtare të shqiptarëve, të cilat u fituan me derdhje gjaku të pakursyer për liri në të gjithë territorin e Jugosllavisë. Për këtë nuk duhet ndonjë dëshmi e veçantë për ta treguar, sepse kjo qëndron në të gjitha dokumentet partiake dhe historike, dhe kjo u ka kushtuar me kokë shumë shqiptarëve; sa nëna shqiptare mbetën pa bijtë e tyre, sa gra mbetën të veja, sa fëmijë mbetën pa prindër, pas aq gjaku të derdhur për liri, për barazi kombëtare, për vëllazërim dhe bashkim, për harmoni të plotë dhe për zhvillim të barabartë kombëtar, ekonomik, social-kulturor, teknik, shkencor e kështu me radhë.
Pra, si mund ta quajmë tjetër këtë përveç, nxitje të nacionalizmit dhe shkelje të parimeve të Revolucionit, si mohim i derdhjes së gjakut të bijve më të mirë të të gjithë kombeve dhe kombësive për liri dhe barazi. Apo, mos vallë ndonjë mendon se dikush ia fali lirinë. Ata që mendonin dhe ashtu mendojnë kanë gabuar dhe gabojnë keq dhe të tillët i kemi dënuar në të gjitha nivelet partiake dhe shtetërore dhe në të ardhmen duhet të dënohen nëse dëshirojmë ta ruajmë bashkëjetesën.
Por një gjë e këtillë doli në shesh dhe u manifestua që në vitin 1953, ndërsa haptas u pa me aksionin barbar dhe armiqësor të vitit 1956 dhe deri në Plenumin e IV të Brioneve. Për këtë nuk do të ndalemi gjatë, por do të ishte fatale, nëse nuk do të përmendej kjo periudhë më famëkeqe e terrorizmit dhe dhunës të ushtruar ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, që në Plenumin e Brioneve u cilësua si gjenocid pa precedencë ndaj këtij populli i cili me armë në dorë në mënyrë vëllazërore luftoi bashkërisht me të gjithë kombet dhe kombësitë e Jugosllavisë për çlirimin e të gjithë viseve të saj. Në vitin 1951 ushtrohej dhunë ndaj shqiptarëve që ata të deklarohen si turq, mysliman ose si të papërcaktuar ose pa fe. Fillon forma më e zezë i dëbimit të dhunshëm dhe terrorizues jashtë atdheut, bile në Turqi flitej haptas rreth Konventës të nënshkruar nga pala jugosllave për dërgimin e shqiptarëve në këtë vend çdo njëzet vjet, popull i këtij vendi aziatik me të cilin nuk kemi asgjë të përbashkët, por kemi qenë populli i parë në Ballkan i cili e mbrojti lirinë prej tyre në vitin 1444, në kohën kur Ballkani nuk ka guxuar as të mendojë për diçka të tillë.
Po ndalemi shkurtimisht në artikullin e revistës VUS, të botuar më 7.07.1971 nën titullin “Si u bë shpërngulja nga Kosova”, të të ndjerit Stanoje Aksiq. Do të ndalemi vetëm në disa detaje të cilat janë të lidhur ngushtë me shembujt më drastik, në atë që as në shekujt e mëhershëm nuk ka përjetuar asnjë popull i Ballkanit dhe as i Evropës, ndërsa ne e këmi përjetuar disa vjet pas ngadhënjimit të revolucionit socialist. Në të gjithashtu evidentohen shpërnguljet me dhunë të shqiptarëve, që shprehur në shifra, duket sa vijon: “1953, janë shpërngulur 13.000 njerëz, 1954, ky numër rritet në 17.000, në vitin 1955 shpërngulja ishte 51.000 vitin në vazhdim ky numër ngjitet në 54.000, në vitin 1957 ku numër arrin rekordin prej 57.000 mijë të shpërngulur, në vitin 1958 u shpërngulën 41.000, në vitin 1959- 27 mijë, ndërsa në vitin 1960 vendin e braktisën 23.000 njerëz që zgjati deri në Plenumin e KQ të LKJ-së në Brione. Përfundimisht me datë 31.12.1967 është lejuar shpërngulja e 230.000 banorëve ose 10 herë më shumë se sa në Kosovë ka pasur banorë të regjistruar si turq.
Pra, në të gjitha nivelet partiake dhe shtetërore pas Plenumit të Brioneve zyrtarisht pranohet se janë shpërngulur më shumë se 300 mijë shqiptarë, 200 mijë shqiptarë nga Maqedonia dhe qindra mijë të tjerë nga Mali i Zi.
Në Maqedoni jo vetëm që janë shpërngulur, por kjo popullsi është kolonizuar me popullsi maqedonase. Këtë, me siguri e di edhe shoku Lazar Kolishevski, sepse atëherë ka qenë drejtuesi kryesor në RS të Maqedonisë. Si do ta quanim ndryshe mënyrën e sjelljes ndaj shqiptarëve në Jugosllavinë e pasluftës, përveç se nacionalizëm ekstrem dhe shovinizëm, kush pra e mbolli frymën e nacionalizmit dhe shovinizmit në Jugosllavi, shqiptarët- të terrorizuar dhe të dëbuar jashtë kufijve të atdheut të tyre ose serbomëdhenjtë ose maqeodnomëdhenjtë dhe elementet e tjera. Shqiptarët të cilët bashkërisht luftuan me kombet dhe kombësitë e tjera të Jugosllavisë, nuk mbajnë faj për këtë.
Përse Kushtetuta e vitit 1963 la anash në paragrafët e veta që të ftojë vetëm kombet të mbrojnë atdheun, ndërsa kombësitë u injoruan! Përse u harrua thirrja që shoku Tito gjatë LNÇ ua bëri kombeve dhe kombësive për çlirimin e vendit nga okupimi fashist, ndërsa pas 18 vjetësh kjo të bëhet abstrakte!?
Të gjitha këto janë indinjata të cilat kërkojnë një analizë të gjerë dhe nuk është vështirë të arrihet e vërteta rreth burimeve të së keqes më të madhe- nacionalizmi, shovinizmi, kundërrevolucioni, etj., të cilat janë përmirësuar pas Plenumit të Brioneve.
Pra, që të zbulohen rrënjët e këtyre dukurive antikomuniste, antinjerëzore, të cilat i verifikoi të gjitha Plenumi i Brioneve dhe i cilësoi ato si gjenocid ndaj shqiptarëve dhe në këtë drejtim janë ndërmarrë hapa mjaft pozitiv.
Pas Plenumit të Brioneve, me amendamentet kushtetuese të viteve 1967, 1968 , 1969 u vunë përsëri shumë të drejta të shkurtuara të shqiptarëve në Kosovë dhe në Jugosllavi, si për shembull futja e sërishme e simboleve kombëtare (flamuri) në Kosovë, ndërsa në Maqedoni, si popullsi e dytë nga numri, ende nuk është pranuar zyrtarisht emërimi “Albanci” në vend të “shiptari”, pastaj dygjuhësia, hapja e universitetit dhe të institucioneve të tjera. Posaçërisht duhet veçuar amendamentet e vitit 1971, dhe Kushtetuta e vitit 1974, e cila për herë të parë krahinat i shpalli si element konstituiv të federatës, por ato ende mbeten si pjesë përbërëse e Serbisë, periudhë e cila me të drejtë është quajtur çlirim i sërishëm i shqiptarëve dhe si një rilindje, në të gjitha nivelet partiake dhe shtetërore të republikave dhe të krahinave. Pra, u demokratizuan marrëdhëniet shoqërore, ekonomike dhe kulturore ndërmjet Republikës së Serbisë dhe Krahinave me Federatën. Erdhi në pah fryma e parimeve të AVOJ-it (KAÇKJ-së) fryma e Revolucionit tonë socialist, u realizua tregu unik dhe shumë gjëra të tjera.
Por prej kur Kosova hyri në radhën e tre republikave më të pazhvilluara, menjëherë u ndryshuan kushtet dhe kriteret e zhvillimi ekonomik- siç u tha edhe më lartë. Marrëdhëniet në realitet u demokratizuan tepër në krahasim me ato para Plenumit të Brioneve, ndërsa u thellua hendeku i zhvillimit ekonomik ndërmjet republikave dhe Krahinës së Vojvodinës nga njëra anë dhe Kosovës, e cila mbeti si rajoni më i pazhvilluar në Jugosllavi, në vend se të këtë një zhvillim paralel me ta, sepse mjetet bankare konvertibile as për së afërmi nuk i plotësonin nevojat për zhvillim të barabartë me republikat tjera- të cilat u përmendën më lartë. Këto të dhëna, si dhe të dhënat e tjera të cilat ekspertët ekonomikë do t’i kishin prezantuar më mirë dhe në mënyrë më të besueshme rreth shkaqeve të një prapambetje të këtillë ekonomikë të Kosovës, shkaktuan një gjendje të vështirë sociale në këto troje, si te punëtorët të cilët kanë pagat më të ulëta në Jugosllavi- më se 20 % më të ulëta se sa mesatarja e vendit (sipas intervistës së lartpërmendur të Milija Kovaçeviq), tek pensionistët, ndërsa gjithashtu shumë e shprehur edhe tek standardi i studentëve dhe në përgjithësi në standardin jetësor të qytetarëve të Kosovës.
E gjithë kjo shkaktoj që studentët të kërkojnë republikën e Kosovës, dhe kjo është një kërkesë e drejtë, kërkesë e cila është bërë në kuadër të Federatës, dhe jo jashtë saj, që nuk ka pasur karakter irredentist, siç dukshëm i përshkruhet nga ana e disa udhëheqësve, të cilat kërkesa i kanë shtruar edhe shumë qytetarë të kombësisë serbe, malazeze, myslimane, turke, rome dhe të tjerë. Prandaj një kërkese të këtillë nuk duhej t’i jepej aq shumë jehonë, por kjo të zgjidhet me urtësi, zemërgjerësi dhe pa dhunë, siç i ngjanë komunistëve jugosllav. Në lidhje me këtë Kardel shpesh herë thoshte se çështja kombëtare nuk mund të zgjidhet me gishtërinj. (vijon nesër)