Krahas demonstratave në Prishtinë, në ndërkohë erdhi deri te çrregullimi me përmasa më të vogla edhe në Prizren, Obiliq, Podujevë e Vushtrri. Demonstratat në Prishtinë dhe në viset tjera të KSA të Kosovës janë të karakterit armiqësor dhe janë pjesë përbërëse të aktiviteteve të organizuara nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm në linjën e irredentizmit dhe të nacionalizmit shqiptar…, shkruan në dokumentin me titull “Informatë për aktivitetin armiqësor në KSA të Kosovës”, i cili dokument u shqyrtua në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKJ-së, të mbajtur më 2 prill të vitit 1981
Nga Qerim LITA
Më 11 mars u mbushën plot 39 vjet nga fillimi i demonstratave studentore të Kosovës, të cilat në fillim u duken si krejtësisht “spontane” dhe të karakterit social, që më pas të njëjtat, përkatësisht ato të organizuara më 25 mars në Prizren, 26 mars në Prishtinë, 30 mars në Podujevë, 1- 3 prill sërish në Prishtinë, të marrin karakter të përgjithshëm kombëtar. Me rastin e këtij përvjetori me rëndësi për historiografinë shqiptare në përgjithësi, e të Kosovës në veçanti, e pashë të arsyeshme që brenda muajve mars-prill të këtij viti, përmes gazetës KOHA – Shkup, të shpalosim disa dokumente të proveniencës partiake e policore jugosllave të pabotuara deri më tash, e të cilat ruhen në Arkivin e Sllovenisë – Lubjanë, në fondin KQ i LK të Sllovenisë. Për fillim po e publikojmë dokumentin me titull “Informatë për aktivitetin armiqësor në KSA të Kosovës”, i cili dokument u shqyrtua në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKJ-së, të mbajtur më 2 prill të vitit 1981, ndërsa një ditë më pas, kryetari i atëhershëm i LKJ-së, Llazar Mojsov, ua përcolli komiteteve qendrore e krahinore të LK-së, organizatave të atëhershme shoqërore-politike etj.
* * *
“KRYESIA E KOMITETIT QENDROR TË LKJ-së
05 Nr. Rezervat 3/28
3 prill 1981, Beograd
ANËTARËVE TË KOMITETIT QENDROR TË LKJ-së
Po Ua dërgoj Informatën për aktivitetin armiqësor në KSA të Kosovës.
Informata u është dërguar kryesive të komiteteve qendrore e krahinore të LK-së, Komitetit të Organizatës së LKJ-së në APJ-ë dhe udhëheqjeve të organizatave shoqërore-politike në Federatë për shkak informimit dhe përdorimit në aksionin politik – deri te organizatat bazë të Lidhjes së komunistëve.
KRYETARI I KRYESISË SË KQLKJ-së, Llazar Mojsov
KRYESISË SË KOMITETIT QENDROR TË LKJ-së
0509 Nr. Rezervat 150/3
2 prill 1981, Beograd
INFORMATË për aktivitet armiqësore në KSA të Kosovës
Opinioni ynë është njoftuar për demonstratat e 11 dhe 26 marsit dhe të 1 prillit të këtij viti në Prishtinë. Në Qendrën Studentore, në mbrëmjen e 11 marsit, një grup më i madh i studentëve e cenoi rëndë rendin dhe qetësinë publike. Çrregullimet filluan në mensën studentore, për ta vazhduar në dy rrugët kryesore të Prishtinës. Demonstratë në të cilat morën pjesë rreth 2000 studentë (në fund ishin rreth 400), u ndërprenë falë veprimit politik të aktivistëve dhe angazhimit të njësisë policore.
Demonstratat e 26 marsit patën një rrjedh dhe përmbajtje më ndryshe. Ato i filloi një grup më i vogël i studentëve në ora 6:00 të mëngjesit, me bllokimin e hyrjes së tri objekteve të banimit të studentëve, në përpjekje për t’i përfituar studentët që banojnë në to. Një grup pedagogësh dhe rektori i Universitetit, së bashku me aktivistët rinor dhe partiak të komunës dhe Krahinës, u përpoqën t’i tërheqin studentët nga pjesëmarrja në demonstratë, mirëpo përkundër asaj, me ftesë të organizatorëve të tyre para hyrjes së atyre objekteve u grumbulluan disa qindra studentë (numri lëvizte nga 400 deri më1000).
Demonstruesit në mënyrë të vrazhdë i bojkotuan bisedimet e filluara dhe ngritën çështje të cilat nuk janë të karakterit social por politik, e të cilat preknin themelet e dispozitave kushtetuese të KSA të Kosovës e të RSFJ-së, që u përcoll me parulla me përmbajtje armiqësore të përgatitura paraprakisht. Pasi u shterën të gjitha mjetet politike që përmes rrugës paqësore të pengohen demonstratat e mëtutjeshme, në përpjekjen e demonstruesve të depërtojnë në qendër të qytetit dhe ta komprometojnë manifestimin me rastin e ardhjes së stafetës së rinisë simbolin e lidhjes sonë me shokun Tito, me revolucionin tonë, vëllazërim bashkimin e rinisë, të kombeve e kombësive të Jugosllavisë – kanë intervenuar organet e policisë. Janë arrestuar 21 pjesëmarrës, në mesin e të cilëve edhe organizatorët e drejtpërdrejtë dhe ata të cilët u eksponuan në mënyrën më ekstreme në demonstratë. Lëndime të lehta kanë marrë 23 pjesëmarrës të demonstratave dhe 12 pjesëtarë të organeve për punë të brendshme.
Përkundër organizimit dhe aktivitetit intensiv të organeve e organizatave të Lidhjes komuniste dhe të forcave tjera subjektive në Kosovë, demonstratat, në përmasa më të gjerë dhe më serioze, u përsëriten më 1 prill të këtij viti. Filluan me mungesën e mësimit dhe bojkotimin e saj nga ana e grup nxënësish dhe studentësh të shkollave e fakulteteve të caktuara, të cilëve më vonë, pas daljes së demonstruesve në rrugë, iu bashkangjiten edhe 300 punëtorë dhe qytetar tjerë. Demonstruesit, të cilët ishin gjithsej mbi 3000 pjesëmarrës, në radhët e para i kanë nxjerrë fëmijët të cilët ktheheshin nga shkolla. Në këto demonstrata si dhe në ato të 26 marsit kanë dalë me parullat: “Rroftë Shqipëria Etnike”, “Duam Republikë”, “Kosova – Kosovarëve”, “Viset shqiptare në Jugosllavi duhet të bashkohen në një tërësi të pavarur”, “Trepça është e jona”, “Jemi shqiptarë e jo jugosllav”, “Sot me këngë – nesër do u kundërvihemi me pushkë” etj. Gjatë demonstratave janë thyer vitrina, automobila etj. Edhe këto demonstrata u shpërndanë me intervenimin efikas të organeve për punë të brendshme. Në to janë lënduar 17 punëtorë të policisë dhe 15 demonstrues.
Krahas demonstratave në Prishtinë, në ndërkohë erdhi deri te çrregullimi me përmasa më të vogla edhe në Prizren, Obiliq, Podujevë e Vushtrri. Demonstratat në Prishtinë dhe në viset tjera të KSA të Kosovës janë të karakterit armiqësor dhe janë pjesë përbërëse të aktiviteteve të organizuara nga armiqtë e jashtëm e të brendshëm në linjën e irredentizmit dhe të nacionalizmit shqiptar, me nxitjen e çrregullimeve dhe jostabilitetit, cenimin e unitetit të kombeve e kombësive jugosllave dhe tërësinë territoriale të RSFJ-së. Është llogaritur konfrontimi i ndërsjellët midis kombësisë shqiptare me kombet e kombësitë tjera të Jugosllavisë, vëllazërim-bashkimi dhe uniteti i të cilëve është krijuar me luftën e përbashkët në LNÇ-ë dhe në ndërtimin socialist.
Demonstratat janë pjesë përbërëse të luftës speciale kundër vendit tonë dhe veç tjerash, kanë për qëllim, komprometimin e Jugosllavisë dhe të sistemit politik të vetëqeverisjes socialiste. Për këtë në mënyrë ilustruese flasin edhe përmbajtjet e informatave në disa mediume e agjenci të huaja. Demonstratat janë mirë të paramenduara dhe të organizuara (fillimisht janë grumbulluar studentët, më pas nxënësit e shkollave të mesme, punëtorët dhe filloristët), me pjesëmarrje relativisht të madhe, të vrazhda dhe agresive për nga karakteri dhe përmbajtja e tyre, të sinkronizuara sa i përket vendit dhe kohës së mbajtjes së tyre. Demonstratat e filluara me kërkesa socialo-ekonomike eskaluan dhe përfunduan me dukuritë e hapura armiqësore nga pozita e irredentizmit dhe nacionalizmit shqiptar.
Demonstratat nuk janë shprehje e vërtetë të disponimit të shumicës dërmuese të klasës punëtore e të qytetarëve të Kosovës, e as që kanë diçka të përbashkët me interesin dhe përcaktimin e popullsisë së Krahinës. Tash për tash demonstratat nuk kanë pasur implikime serioze në marrëdhëniet ndërnacionale në Krahinë.
Mirëpo, situata në Kosovë edhe më tej është shumë e ndërlikuar. Demonstrata, kanë vazhduar edhe sot me pjesëmarrje më të madhe të punëtorëve. Ka edhe dukuri të ndërprerjes së punës. Organet dhe organizatat e Krahinës bëjnë përpjekje maksimale për konsolidimin e situatës, i sanojnë pasojat e krijuara dhe e pengojnë veprimin e mëtutjeshëm armiqësor. Ndërmerren masa në zbulimin e organizatorëve të vërtetë, iniciatorët dhe kreatorët e demonstratave, në mobilizimin sa më të gjerë të mundshëm të klasës punëtore e të qytetarëve, në përforcimin e unitetit të tyre dhe të aftësive aksionare të organizatave dhe organeve të Lidhjes komuniste.
Zhvillimi i ngjarjeve në Kosovë tregoi se ka dobësi, jovigjilencë, pasivitet dhe oportunizëm të shumtë në punën e Lidhjes Komuniste, Lidhjes së Rinisë Socialiste, Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës (LSPP) dhe të organizatave tjera shoqërore-politike. Vlerësimet e gjendjes politike e të sigurisë shpesh nuk e përmbajnë situatën e vërtetë. Për këtë arsye nevojitet që të gjitha organizatat dhe organet e LK-së në këtë situatë në mjediset e tyre ta parashohin dhe analizojnë gjendjen politike e të sigurisë. Këtë duhet ta bëjnë rregullisht dhe në formë shumë më kritike se sa deri më tash, sepse kjo përbën kushtin e rëndësishëm në pengimin e befasive të këtilla e të tjerave, të cilat mund të kenë edhe pasoja më të gjëra. Analizës kritike duhet shtuar edhe organizimin, aftësimin dhe përgatitjen e mbarë subjekteve të shoqërisë për veprimtari vetëmbrojtëse në situatat e ndërlikuara.
Komitetet për vetëmbrojte të përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore në të gjitha mjediset, veçmas nëpër universitete, duhet detyrimisht të jenë të mobilizuar dhe të angazhuar skajshmërisht. Pesha e aktivitetit të organizatave e të organeve të LK-së, komiteteve për mbrojtje të përgjithshme popullore dhe të vetëmbrojtjes shoqërore dhe të gjitha forcave tjera të organizuara socialiste, të vendoset në veprimin preventiv, përkatësisht në pengimin e gjendjes së mundshme konfliktuoze. Lidhur me këtë, nevojitet aktualizimi i menjëhershëm i planeve ekzistuese të masave e të aktiviteteve për situata të jashtëzakonshme.
Komunistët dhe organizatat e LK-së në mjetet e informimit publik, duhet që përmes emisioneve mëpërmbajtësore, të përmbushin ndikimin më të madh në krijimin e klimës konstruktive ideopolitike. Është e domosdoshme të anashkalohen të gjitha lajmet dhe informatat të karakterit alarmant dhe sensacional. Në përmasa më të mëdha duhet të flitet për rezultatet dhe perspektivat e zhvillimit të sistemit tonë. Është obligim i organizatave dhe i organeve të LK-së të luftojnë në të gjitha mjediset dhe në të gjitha nivelet për vigjilencën dhe mobilizimin e shtuar politik, me qëllim të pengimit sa më efikas dhe të pengimit dhe shfarosjes rrënjësore të këtyre dukurive e të ngjashme. Tash është e nevojshme që anëtarët e LK-së, në radhë të parë aktivistët përgjegjës dhe funksionarët, të angazhohen maksimalisht në organizatat e LSPP-së, Sindikatës dhe të Rinisë me qëllim të sigurimit të informimit objektiv dhe me kohë. Për këtë, krahas angazhimit të secilit veç e veç dhe të gjithë së bashku, duhet shfrytëzuar përvojën nga revolucioni dhe në kohën e sëmundjes dhe të vdekjes së shokut Tito, veprën e të cilit, po e vazhdojmë me vendosmëri dhe pa asnjë luhatje apo lëkundje. Në mbrojtjen e rregullimit kushtetues, integritetit territorial të RSFJ-së dhe të mirat tjera të revolucionit tonë do të jemi unik, konsekuent dhe të pakompromist. Për këtë, kur të paraqitet nevoja, do të shfrytëzohen edhe të gjitha mjetet e parapara me ligj”. (koha.mk)