Konsulentët e biznesit vlerësojnë se rritja e likuiditetit të kompanive dhe përmirësimi i procesit të pagesës së rregullt të borxheve, si një problem i trashëguar që vështirë po zgjidhet, mund të zbutet dhe në fund të ulet dukshëm përmes rritjes së kulturës së pagesës së borxheve, vendosjen e sistemit të garancive së borxheve me urdhër për pagesë në letër apo me kambiale që do të rrisë sigurinë se borxhi do të paguhet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 gusht – Mbi 4500 kompani dhe persona fizik apo qytetarë, kanë borxh prej mbi 160 milion euro ndaj Drejtorisë për të Ardhura Publike. Megjithatë në totalin e borxheve sipas vlerës dominon biznesi, ku i pari ndër borxhlinjtë në listë , është kompania për ngrohje TE-TO nga Shkupi me 15,7 milion euro në emër të Tatimit të vlerës së shtuar. Vazhdojnë edhe më tej që të jenë për vite me radhë ndër borxhlinjtë më të mëdhenj tri kompanitë e tjera si El Don Kastiljo, Industria Al Asteka dhe Motor Kouç që së bashku kanë borxh prej afër 20 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Gjithashtu, vite me radhë ndër kompanitë që i kanë më shumë borxh shtetit, janë edhe ndërmarrjet publike apo shoqatat aksionare në pronësi të shtetit ku në listën e fundit figurojnë edhe Ndërmarrja e Rrugëve Magjistrale dhe Rajonale me pesë milion euro borxh, kompania humbëse Eurokompozit nga Prilepi me 2.3 milionë euro borxh . Gjithashtu, në listë gjenden edhe më shumë ndërmarrje publike të dhjetëra komunave, që kanë borxhe prej miliona e miliona euro, si dhe vetë komunat si ajo e Karposhit që ka borxh prej 883 mijë euro në emër të Tatimit të Vlerës së Shtuar.
Në listën e borxhlinjve renditen edhe Pyjet e Maqedonisë, Ndërmarrja për Ekonomizimin e Objekteve Sportive , Radio Televizioni i Maqedonisë , Radio Difuzioni i Maqedonisë, Ndërmarrja Publike e Hekurudhave, Ndërmarrja Publike “Biljanini izvori” nga Ohri, Ndërmarrja e Pastrimit dhe Gjelbërimit e komunës së Kumanovës .
Lista që publikohet disa vite me radhë nga ana e Drejtorisë për të Ardhura Publike përllogarit borxhet për tatime, kontribute, akciza dhe dogana që kanë arritur për pagesë deri në fundin e muajit prill, ndërsa nuk janë paguar deri në fund të muajit qershor.
Në ndërkohë , njohësit e çështjeve financiare në shtet thonë se përkundër asaj se borxhi që rrjedh nga Lista e Drejtorisë së të Ardhurave publike shënon ulje nga 228 milionë euro sa ishte në prill të vitit 2016, në 160 milionë euro së fundmi , megjithatë niveli i tij akoma mbetet i lartë.
Ekonomistët thonë se një pjesë e madhe të borxheve të ndërmarrjeve publike janë grumbulluar me vite të tëra dhe për to akoma nuk është gjetur një zgjidhje efektive.
“Puna e ndërmarrjeve publike kërkon një transparencë dhe llogaridhënie më të madhe nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër edhe shteti shpesh është një afarist jo i mirë , tek një pjesë e tyre kemi mbi punësime , kemi presione nga partitë politike për punësime të reja si dhe vështirësi që të gjendet kuadër cilësor në administratën e shtetit . Të gjitha këto shkaqe në fund kanë ndikim edhe në punën e ndërmarrjeve publike në pronë të shtetit“, thotë eksperti Borçe Trenovski.
Sipas tij nevojitet që edhe shteti të angazhohet më shumë në drejtim të vendosjes së kuadrove profesionist në krye të këtyre kompanive si dhe të rrisë llogaridhënien për punën e tyre financiare , të hollat e harxhuara dhe rezultatet e punës në nivel vjetor apo në nivel të tremujorëve.
Në ndërkohë, konsulentët e biznesit vlerësojnë se rritja e likuiditetit të kompanive dhe përmirësimi i procesit të pagesës së rregullt të borxheve, si një problem i trashëguar që vështirë po zgjidhet, mund të zbutet dhe në fund të ulet dukshëm përmes rritjes së kulturës së pagesës së borxheve, vendosjen e sistemit të garancive së borxheve me urdhër për pagesë në letër apo me kambiale që do të rrisë sigurinë se borxhi do të paguhet në mënyrë përkatëse duke i ikur harxhimeve dhe kohës për procedura të tjera. Njëherësh nuk rekomandohet kryerja e presionit dhe përdorja e gjobave ndaj borxhlinjve për shkak të ambientit akoma të brishtë ekonomik që do të ulë edhe më tej qarkullimin dhe tregtinë në shtet.
Vlerësohet se në pjesën dërmuese të listës radhiten kompani dhe persona fizik që për shkak të problemeve të caktuara me likuiditetin nuk kanë shlyer me kohë detyrimet e tyre, por megjithatë angazhohen që sa më parë të hiqen nga lista e borxhlinjve. Sektori real ballafaqohet me punën me kompensime, me borxhe të papaguara ku ka shitur mallra për të cilat ka vonesa në arkëtime ku shpesh krijohet një zinxhir i mospagesave që ndikon edhe në numrin e konsiderueshëm të lartë të llogarive jo të paguara të bizneseve.
Sipas kompetentëve, synimi i shpalljes së listës së turpit të Drejtorisë për ardhura publike është përmirësimi i disiplinës fiskale, mbrojtja e arkës shtetërore, dhe pengimi i konkurrencës jolojale. Në listën e borxhlinjve renditen edhe kompani private nga veprimtari të ndryshme, kompani në procedurë falimentuese, si dhe persona fizik. Lista llogarit debitorët për të cilat shuma e përgjithshme e borxhit është më e lartë se 120.000 denarë për persona fizik dhe kryerës të pavarur të veprimtarive dhe më e lartë se 300.000 denarë për personat juridik. Praktika e publikimit publik të borxhlinjve filloi në verën e vitit 2014 nga ana e Drejtorisë për të Ardhura Publike në veb faqen e saj në bazë të Ligjit për Procedurë Tatimore.
Si një nga zgjidhjet e këtij problemi parashikohet që shteti me ligj do të bëjë presion ndaj komunave , shfrytëzuesve të buxhetit dhe ndërmarrjeve publike që rregullisht të evidentojnë dhe paraqesin borxhet e tyre duke plotësuar rregullisht softuerin e Ministrisë së Financave me të dhënat për obligimet e tyre , duke ju imponuar kështu që vetë të ulin borxhet. Pritet që një mekanizëm i tillë të ndikojë ndaj të gjithë palëve përfshi edhe krye komunarët që të mos krijojnë borxhe të reja por ti ulin gradualisht borxhet. Problemi i borxheve të ndryshme të komunave pritet të tejkalohet edhe 50 milion euro që sivjet qeveria ju akordoi vetëqeverisjeve lokale për shlyerjen e borxheve si dhe me vendosjen e mekanizmit që do të pengojë akumulimin e borxheve në të ardhmen përmes vendosjes së rregullit fiskal për planifikimin e të ardhurave vetanake të buxhetit themelor të komunave, ku rritja e buxhetit mund të jetë më së shumit 10 për qind nga të ardhurat mesatare të realizuara në tre vitet e fundit. (koha.mk)