KUR SHQIPTARËT U DYNDËN DREJT TURQISË! Si rrodhi shpërngulja e shqiptarëve nga RPF e Jugosllavisë për në Turqi 1953 -1959? (1)

268

Vitet e para pas LDB-së marrëdhëniet e Republikës së Turqisë me RPF të Jugosllavisë nuk ishin shumë miqësore. Shtypi turk, ngjashëm sikurse edhe ai demokratik perëndimor, sulmonte vazhdimisht udhëheqjen e atëhershme komuniste jugosllave, si vegël e zgjatur e Bashkimit Sovjetik, e cila asaj kohe zhvillonte luftë të ftohtë kundër Turqisë. Me Rezolutën e Informbyrosë (1948) nga njëra anë, dhe anëtarësimin e Turqisë në Paktin e Atlantikut nga ana tjetër (1951), qarqet zyrtare turke e fillojnë përmirësimin gradual të qëndrimit të tyre ndaj Jugosllavisë

Nga Qerim LITA

Lidhur me shpërnguljen e popullsisë shqiptare nga Republika Popullore Federative e Jugosllavisë (RFPJ-ë), përkatësisht nga trevat shqiptare të RP të Maqedonisë dhe nga Kosova në harkun kohor 1953-1959, lexuesit e gazetës shqiptare KOHA, kanë pasur rastin të informohen në disa raste përmes botimeve të elaborateve dhe analizave të hartuara nëpër kuzhinat e Byrosë Politike të Partisë (Lidhjes) Komuniste të Maqedonisë – më tej P(L)KM-së, gjatë viteve pesëdhjeta të shekullit të kaluar. Në ato elaborate dhe analiza shihet qartë politika shoviniste e antishqiptare e udhëheqjes komuniste maqedonase në krye me dyshen e famshme – Llazar Kolishevski – Kërste Cërvenkovski, të cilët pa dyshim se mbështeteshin nga udhëheqja komuniste jugosllave në krye me Josip Broz Titon dhe Aleksandar Rankoviqin. Se pjesa dërmuese e popullsisë myslimane e cila gjatë asaj kohe u shpërngul dhunshëm nga vatrat e tyre për në Turqi ishin shqiptarë, është pranuar botërisht edhe nga një pjesë e historianëve maqedonas, në përjashtim të disave, të cilët edhe më tej përpiqen që këtë ta emërtojnë si një “aksion vullnetarë e human” nga udhëheqja e atëhershme jugosllave, përkatësisht maqedonase, dhe se nuk bëhet fjalëpër shpërnguljen e popullsisë shqiptare por të asaj turke. Në mesin e tyre është edhe Salim Kerimi, i cili përmes një shkrimi pa mbështetje faktografike, botuar në disa gjuhë (turqisht, shqip e maqedonish), bënë përpjekje ta mohoj faktin se 80% e popullsisë myslimane e cila asaj kohe qe shpërngulur për Turqi ishte shqiptare ndërsa pjesa tjetër prej rreth 20% ishte turke-juruke, pomake dhe boshnjake. Pa dashur të futem në polemikë me S. Kerimin dhe me të tjerët që mendojnë ngjashëm sikurse ai, e pash të arsyeshme që përmes këtij fejtoni, i cili mbështetet në mënyrë ekskluzive në burimet relevante arkivore në Arkivin e Jugosllavisë në Beograd dhe Arkivin e Maqedonisë Veriore në Shkup edhe një herë , të nxirret në pah e vërteta e atij procesi famëkeq, i cili siç thash më lartë u iniciua dhe me të cilin udhëhiqte drejtpërsëdrejti dyshi i famshëm komunist maqedonas – Kolishevski – Cërvenkovski të përkrahur nga J. B. Tito dhe A. Rankoviqi.

  1. PËRMIRËSIMI I MARRËDHËNIEVE JUGOSLLAVO-TURKE (1951)

Vitet e para pas LDB-së marrëdhëniet e Republikës së Turqisë me RPF të Jugosllavisë nuk ishin shumë miqësore. Shtypi turk, ngjashëm sikurse edhe ai demokratik perëndimor, sulmonte vazhdimisht udhëheqjen e atëhershme komuniste jugosllave, si vegël e zgjatur e Bashkimit Sovjetik, e cila asaj kohe zhvillonte luftë të ftohtë kundër Turqisë. Me Rezolutën e Informbyrosë (1948) nga njëra anë, dhe anëtarësimin e Turqisë në Paktin e Atlantikut nga ana tjetër (1951), qarqet zyrtare turke e fillojnë përmirësimin gradual të qëndrimit të tyre ndaj Jugosllavisë. Rol të rëndësishëm në këtë luajti ministri i Jashtëm i Turqisë, Mehmed Fuad Kyprili, i cili nga qarqet e atëhershme politike jugosllave konsiderohej si miku më i ngushtë dhe më i sinqertë i tyre. Si rrjedhoj e një klime të tillë gjatë vitit 1952 erdhi deri te bashkëpunimi në fushën ushtarake por edhe shkëmbimi i vizitave të gazetarëve turq dhe atyre jugosllav, delegacioneve parlamentare, tregtare etj. Po gjatë atij viti kryetari i bashkisë së Stambollit vizitoi qytetet më të rëndësishme të Jugosllavisë ndërkohë edhe kryetarët e këshillave popullore të Beogradit, Zagrebit e Shkupit vizituan qytetet kryesore të Turqisë etj..

Vlen të theksohet fakti se nga janari i të vitit 1951 me kërkesë të Ambasadës turke në Beograd, kishin filluar bisedimet e para rreth mundësisë së shpërnguljes nga RFPJ-ë për në Turqi të disa shtetsave të Jugosllavisë, me qëllim siç thuhet në një dokument diplomatik jugosllav “bashkimit me anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre të shpërngulur nga Jugosllavia për në Turqi”. Ky numër sipas Ambasadës turke arrinte shifrën prej 745 familjeve, përkatësisht 4.407 personave. Ndërkohë pala jugosllave shprehi gatishmërinë që nga Jugosllavia për në Turqi të shpërnguleshin 30.000 persona nga gjithsej 98.000 sa numëronte asaj kohe pakica turke në Jugosllavi sipas regjistrimit të vitit 1948.

Çështja e shpërnguljes së popullsisë myslimane (shqiptare e turke) mori përmasa më të mëdha nga janari i vitit 1953, kur për vizitë zyrtare në Jugosllavi qëndroi ministri i Jashtëm i Turqisë, F. Kyprili. Në takimin që e zhvilloi më 23 janar 1953 me J. B. Titon në Split,u arrit “Marrëveshja Xhentlemene”, sipas së cilës parashikohej që brenda harkut kohor 1953-1959 nga Kosova, Maqedonia, Sanxhaku, Lugina e Preshevës dhe Mali i Zi të shpërnguleshin 400.000 banorë të përkatësisë fetare islame (pjesa më e madhe e tyre shqiptarë ndërsa një pjesë më e vogël turq juruk, pomak dhe boshnjak). Sipas marrëveshjes, Republika e Turqisë, ishte e gatshme të pranonte çdo kërkesë të banorëve të federatës jugosllave, të cilët shprehnin dëshirën të shpërnguleshin në Turqi, me kusht që ata të deklaroheshin si turq. Ky kusht mundej të realizohej vetëm në Republikën Popullore të Maqedonisë, e cila për dallim nga republikat tjera, lejonte që qytetarët e konfesionit myslimanë, të deklaroheshin si turq, edhe pse shumica dërmuese e tyre ishin shqiptarë. Për këtë arsye, shpërngulja fillimisht u zbatua në këtë republikë, ndërsa nga viti 1956 ajo u shtri edhe në Kosovë, Sanxhak, Mal të Zi dhe pjesërisht edhe në Bosnjë e Hercegovinë. Qytetarët e këtyre viseve, fillimisht vendoseshin në Maqedoni, ku brenda një viti ata e fitonin të drejtën e ndërrimit të identitetit të tyre kombëtar (nga shqiptar, boshnjak në turq), që më pas fillonte procedura e dokumentacionit të nevojshëm për t’u shpërngulur në Turqi.

Qeveria komuniste jugosllave, ishte plotësisht e bindur se me përmirësimin e marrëdhënieve politike dhe diplomatike me Turqinë, në njërën anë, si dhe zbatimin e një presioni të dhunshëm ndaj shqiptarëve, në disa drejtime, do të ndikojë “në rritjen e menjëhershme të tendencës për shpërngulje në Turqi”. Në një dokument të hartuar nga UDB-ja thuhej se shpërngulja e popullsisë shqiptare myslimane për në Turqi ishte e lidhur ngushtë për disa arsye: “tradita e kësaj dëshire që nga Lufta Ballkanike, rezistenca e popullatës myslimane e cila nuk është e liruar nga konzervativizmi dhe fanatizmi fetar-ndaj ndërtimit socialist, propaganda në Turqi (që përcjellët nëpërmjet letrave dhe shtypit te ne), dhe aktiviteti i autoriteteve të ndryshme (politike dhe fetare) nga ndikimi i të cilëve ende nuk janë larguar masat e pakicave..etj.”.

Përmirësimi i marrëdhënieve politike ndërmjet Jugosllavisë Federative dhe Republikës së Turqisë, te masa e përgjithshme shqiptare krijoi dy rryma të ndryshme politike. Krahu intelektual, që në fillim e kuptoi se prapa këtij akti ekzistonte një prapavijë politike, kuptohet se në dëm të çështjes shqiptare. Për ta, autoritetet e Beogradit e të Shkupit nëpërmjet kësaj politike, dëshironin të krijonin klimë pozitive për turqizimin e shqiptarëve, sepse sipas tyre, me përmirësimin e marrëdhënieve jugosllavo-turke, turqit do të gëzonin më shumë të drejta dhe privilegje, ndërsa shqiptarët nëse dëshironin ta ruanin ekzistencën e tyre të vobektë do të duhej të deklaroheshin si turq dhe të turqizoheshin.

Për dallim nga inteligjenca, një grup elementesh të involvuar nga ana e pushtetit komunist jugosllav, nëpër organizata të ndryshme shoqërore, sipërmarrje madje edhe brenda Bashkësisë Fetare Islame, e shfrytëzuan, për ta manipuluar masën e gjerë të pavetëdijshme shqiptare, duke zhvilluar propagandë se kjo ishte: “në të mirën e myslimanëve”, dhe se: “një ditë pushteti turk do ta shtrojë çështjen e shpërnguljes së tyre.” Madje ata mbronin qëndrimin se: “kjo çështje është dashur të lejohet shumë herët nga ana e pushtetarëve jugosllavë.”.

  1. HAPJA E SHKOLLAVE NË GJUHËN TURKE DHE FILLIMI I TURQIZIMIT

Masat që u ndërmorën kundër shkollës shqipe gjatë viteve 1949-1950, zbuluan maskën e planeve të fshehta fashizoide antishqiptare të regjimit komunist të federatës jugosllave. Përderisa në atë kohë i vetëshpalluri “pushtet popullor” jugosllav, ndërmori një sërë masash politiko-ideologjike kundër inteligjencës shqiptare, kryesisht kundër kuadrit arsimor, në vitin 1951, për ta ndalur zhvillimin e mbarë që kishte marrë shkolla shqipe në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si në kohën e regjimit të mbretërisë jugosllave nën pretekstin e “zbatimit me konsekuencë” të njohjes së plotë të të drejtave kombëtare për çdo “pakicë”, pushteti propagandoi me të madhe hapjen e shkollave turke të krahinat e pastra shqiptare.

Për të zbatuar këtë projekt antishqiptarë sa më parë, në qershor të vitit 1951, një ekip i KQ PKJ-së, zhvilloi një vizitë zyrtare në Kosovë dhe Maqedoni, ku mbajti disa takime me komitetet vendore, me detyrë speciale për të studiuar gjendjen politike, përkatësisht mundësinë për hapjen e shkollave turke në Kosovë, sidomos në territoret shqiptare të Maqedonisë veri-perëndimore. Ekipi në fjalë, në raportin që ia dërgoi KQ të PKJ-së, do të konstatoj se te shqiptarët ishte përforcuar “elementi armiqësor”, prandaj mundësitë për hapjen e shkollave turke në ato vise, ishin shumë të vogla, për shkak se siç thuhej: “ekipi hasi në problem ndërmjet turqve dhe shqiptarëve (Tetovë)” i cili problem nuk ishte i qartë “as për organizatën partiake” dhe rreth të cilit ekzistonin mendime kontradiktore edhe te vetë anëtarët e partisë. Nuk vonoi shumë, KQ i PKM-së, formoi një Komision, me qëllim të zbatimit të vendimeve të KQ të LKJ-së, e që kishin të bënin në hapjen e shkollave turke në krahinat e pastra shqiptare. Komisionin do ta udhëheqë Kërste Cërvenkovski, ndërsa anëtarë të tjerë ishin: Mito Temenugov, Reiz Shaqiri, Boge Kuzmanovski, Tome Buklevski – Maçuli, Gjore Gjorevski dhe Allojz Pipan. Nga data 17.01.1952 – 03.02.1952, Komisioni vizitoi rrethet e Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës, Kërçovës, Kumanovës, Gjorçe Petrovit dhe Resnjës. Në kuadër të atyre vizitave ata organizuan takime të shumta me komitetet e rretheve, organizatat bazë, organizatat masive, me mësuesit shqiptarë, me shoqëritë kulturo-artistike etj. Në bazë të informacioneve që mori, Komisioni hartoi një analizë (elaborat), që do të shqyrtohet në Byronë Politike të KQ PKM-së, në mbledhjen e zgjeruar, mbajtur më 29 shkurt 1952. Në atë mbledhje morën pjesë të gjithë anëtarët e Byrosë Politike, si dhe sekretarët e komiteteve të qarkut, të besuarit (prokurrët) e UDB-së, nga rrethet ku jetonin shqiptarët, anëtarët e KQ-së që punonin në aparatet e saj dhe të vetë UDB-së etj. (vijon nesër)