Kur shqiptarët mbajtën meshën në Notre-Dame të Parisit

Ndonëse në esencë një objekt fetar, bukuria e madhështia arkitekturale, lidhja me ngjarje të mëdha historike, vendi në vepra letrare, filma e vepra të mëdha artistike, lidhjet me Parisin, kujtime personale e shumë arsye të tjera kanë ndikuar që ta bëjnë atë një ikonë të civilizimit perëndimor, apo një simbol mbarëbotëror.

Shumë shqiptarë e amerikanë ashtu si njerëz në mbarë botën komentuan ngjarjen e shumë prej tyre botuan e ribotuan kujtime kolektive e personale, historike e intime, të lidhura me Katedralen e famshme.

Pasqyrimi në media i meshës së shqiptarëve.

Në këtë kuadër, ia vlen të kujtojmë një moment të caktuar në histori, kur shqiptarë nga e gjithë bota u mblodhën në Notre Dame për një meshë historike.

Ngjarja ndodhi, 39-vjet më parë, në 6 maj 1980, kur qyteti i Parisit nderoi Heroin Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastriot Skënderbeun duke emërtuar një shesh me emrin e tij.

At Sofron Prence, murgu i shquar arbëresh udhëhoqi meshën e madhe. Kori i famshëm i vajzave arbëreshe nga Siçilia, që kishin mahnitur Parisin me kostumet e tyre, kënduan nën drejtimin e At Sotirit.

Sipas “Buletinit Katolik Shqiptar”, në meshë merrte pjesë edhe Kardinali i Parisit si dhe figura të njohura zyrtare e fetare franceze.

Meritën më të madhe që një shesh në Paris mori emrin e heroit tonë kombëtar e kishte Lec Shllaku, gazetar dhe redaktor i gazetës “Koha Jonë”.

Kryetari i Bashkisë së Parisit në atë kohë, ishte njeriu që do të bëhej një ditë President i Francës, Zhak Shirak (Jacques Chirac).

Në fakt, një numër i gazetës “Koha Jone” e vitit 1982, i fotografuar këtu, tregon se vendimi për emërtimin kishte qenë një kurorëzim i një pune gati 10-vjeçare, e nisur me sa duket që në 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriot Skënderbeut.