Kur Shqipëria vriste kaçakët shqiptarë!

Pas kthimit të Ahmed Zogut në pushtet, në dhjetor të vitit 1924, do të ngushtohet plotësisht hapësira për veprim të Lëvizjes çlirimtare shqiptare (kaçake) dhe të vetë Komitetit MKK në Shqipëri, apo siç konstatonte dhe gazeta “Politika” e Beogradit se për prijësit e çetave “më nuk kishte jetë në Shqipëri”. Që në fillim të vitit 1925, brenda Shqipërisë vazhdonte fushata e zënies dhe arrestimit të të gjithë prijësve të çetave shqiptare që i kishin shpëtuar likuidimit. Për zënien dhe likuidimin e tyre personalisht ishte angazhuar edhe Abdurrahman Dibra, ministër i atëhershëm i Punëve të Brendshme të Shqipërisë

AKSIONET E ÇETAVE KAÇAKE (GUERILE) NË TREVAT LINDORE SHQIPTARE 1919-1925 – 4

 

Nga Halim PURRELKU, gazeta KOHA

Në vitin 1922, qeveria jugosllave e ndihmuar dhe nga qeveria shqiptare mori masa serioze për parandalimin e aksioneve kaçake në Mbretërinë SKS, me qëllim të ruajtjes së sigurisë dhe rendit publik. Kështu, në fillim të shkurtit të vitit 1922 Kalosh Kërçova kishte organizuar në Shtetin shqiptar një çetë të re për aksione të radhës në Trevat Lindore shqiptare, Por, me një aksion të vendosur Qeveria shqiptare përkohësisht pengoi shtrirjen e veprimit të çetave shqiptare në territorin e Mbretërisë SKS. Megjithatë, në pranverë të vitit 1922 kishte informata se po përgatiteshin aksionet e kaçakëve nga Shqipëria dhe aksionet komite nga Bullgaria në “Serbinë e Jugut”, me qëllim të shkaktojnë trazira të mëdha, veçanërisht për kohën kur do të zhvillonte punimet Konferenca në Gjenevë. Ndaj dhe për parandalimin e aksioneve kaçake e komite dhe “për ruajtjen e rendit dhe të qetësisë me çdo çmim”, ministri serbo-kroato-slloven i Punëve të Brendshme më 8 maj 1922, lëshoj urdhër mbi veprimin e organeve të pushtetit në “Serbinë Jugore”. Mbi bazë të këtij urdhri, pushteti jugosllav ndërmori një varg masash për ruajtjen e sigurisë publike. Me qëllim të njësimit (unifikimit) dhe përshpejtimit të ekspeditave kundër komitëve dhe kaçakëve, më 8 korrik 1922, Ministri serbo-kroato-sllovene e PB e autorizoi komisarin (inspektorin) shtetëror, me seli në Shkup, Zhiv. Budimiroviq, që për çështje që kishin të bënin me sigurimin e rendit në “viset Jugore” të vendos në mënyrë të pavarur/autonome e të shpejtë/urgjente në marrëveshje me komandantin e Armatë III, në Shkup. Këto urdhra po zbatoheshin në terren. Në korrik të vitit 1922 vazhdonte organizimi dhe armatosja edhe e fshatarëve (civilëve) të pa armatosur, sipas urdhrit rezervat nr. 9014 të Ministrisë së PB, si p.sh. në qarkun e Manastirit, në qarkun e Kumanovës etj. Sipas vlerësimit të opinionit të autoriteteve jugosllave masatë e ndërmarra rezultuan të suksesshme. Më 23 qershor të vitit 1922, Shefi i sigurimit publik i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zh. Llaziq, konfirmoi përpara gazetarëve në Beograd se në trevat për rreth kufirit me Shqipërinë “situata është tërësisht e pastër” dhe se thuajse nuk ka ndonjë aksion serioz të kaçakëve, me përjashtim të disa tentimeve për kalim nga “Zona neutrale”.

Mirëpo, nga korriku i vitit 1922 sërish vazhduan aksionet e çetave kaçake në Trevat Lindore shqiptare. Në 27 korrik të vitit 1922, një çetë shqiptare sulmoi stacionin policor “Bukovik”, në rrethin Shkupit. Kurse nga fundi i gushtit-fillimi i shtatorit 1922, pran kufirit shtetëror qëndronte edhe Abdulla Bojku me qëllim të kaloj në Mbretërinë SKS. Në gusht të vitit 1922 në Trevat Lindore shqiptare vepronin së paku dy çeta shqiptare. Më 17 gusht 1922, një çetë shqiptare e armatosur prej 20 vetash vepronte në Malin Dauticë, rrethi i Shkupit, kurse Kalosh Kërçova me çetën e tij pre 70 vetash rreth 20 gusht të vitit 1922 kishte kaluar nga Shqipëria politike në territorin e Mbretërisë SKS. Fillimisht në ditët e para ai qëndroi në rrethinat e Kërçovës dhe të Galiçnikut, kurse më 4 shtator 1922 ai ndodhej në malet në perëndim të Shkupit dhe pastaj dhe në Malin e Zi të Shkupit. Ndërkaq, në fillim të shtatorit 1922, “vojvoda i kaçakëve” Kaloshi ishte takuar me vojvodën e komitëve Veliçko, në afërsi të f. Izvor, rrethi i Zhegligovës, Kumanovë. Kurse, më 15 shtator të vitit 1922 ai me çetën e tij vepronte në fshatin Zajaz dhe më gjerë në trevën e Kërçovës. Pushteti policor në Kërçovë ndërmori menjëherë një ekspeditë të ndjekjes kundër çetës së Kaloshit, por edhe kjo ekspeditë policore përfundoi pas sukses, sepse çeta kishte mbështetje nga popullata dhe nga jatakët. Ashtu që, veprimet e “vojvodës së kaçakëve” Kalosh Kërçova vazhdonin gjatë gjithë shtatorit të këtij viti si në qarqet e Tetovës, të Shkupit, të Manastirit etj.

Suspendimi i “Zonës së lirë”/neutrale që shtrihej për së gjati vijës së kufirit nga Struga e deri në Gjakovë, ishte një grusht i rëndë për veprimtarinë e Lëvizjes kryengritëse shqiptare, sepse kjo zonë kishte një rëndësi të madhe strategjike e politike për të. Ndaj dhe çetat shqiptare do të përpiqen forcërisht ta mbrojnë edhe më tej “Zonën e lirë”. Në nëntor të vitit 1922, Kalosh Kërçova dhe Bajram Curri përgatiteshin në Shqipëri me nja 60 veta luftëtarë të tyre të mësyjnë në kufi drejt Junikut. Përkundër masave ushtarake të autoriteteve ushtarake serbe-kroato-sllovene, Kalosh Kërçova dhe Bajram Curri me fuqitë e tyre të armatosura më 22 nëntor të vitit 1922 ndërmorën sulm në dy pika përgjatë vijës kufitare në afërsi të Junikut, duke i detyruar forcat ushtarake kufitare serbe të tërhiqen në thellësi të territorit përtej vijës kufitare.

Që nga marsi i vitit 1923 filluan të kthehen në Trevat Lindore shqiptare çetat shqiptare kaçake me udhëheqësit e tyre. Në mars të vitit 1923, nga Shqipëria kaloi në rrethin e Gostivarit me çetën e tij edhe Selim Rexhepi nga f. Brailovë i Përlepes. Ndërkaq, pushteti serbo-kroato-sllovene vazhdonte arrestimet në radhët e popullatës shqiptare. Në maj dhe në korrik 1923, në rrethin e Manastirit shin arrestuar 22 shqiptarë, nga të cilët 21 ishin nga fshati Ostrec.

Sërish vazhduan përpjekjet e armatosura të çetave me forcat policore e ushtarake serbo-kroato-sllovene. Kaloshi Kërçova me çetën e tij në gusht të vitit 1923 e kishte kaluar kufirin dhe vepronte në Trevat Lindore shqiptare. Ndërkaq, Adem Bulku tri herë ishte arrestuar nga pushteti jugosllav, por dy herë ai iku nga burgu dhe deri në fund të vitit 1923 vepronte kundër pushtetit. Më 8 tetor 1923, Adem Merxhan Bulku, me nëntë shokë të tjerë pati një përpjekje të armatosur me xhandarët e ekspeditës së ndjekjes, në fshatin Svillarë e Poshtme (Ulët). Në këtë përpjekje Adem Bulku, Muarem Bajrami dhe Muarem Iseni u plagosën dhe u zunë nga ana e xhandarëve që pastaj dhe u arrestuan, kurse dy kaçakë të tjerë dhe një xhandar aty mbetën të vrarë. Xhandarmerie serbo-kroato-sllovene arrestoi edhe shtatë veta fshatarë nën akuzën se ishin jatakë të çetë së Adem Bulkut dhe i kishin ndihmuar asaj. Gjatë gjithë vitit 1924 dhe në vazhdim, Adem Bulku dhe nëntë bashkëluftëtarë të tij ndodheshin të arrestuar në Shkup nga pushteti serbo-kroato-sllovene. Ademi ishte i arrestuar edhe në vitin 1926 dhe si i tillë u vra në një komplot të organizuar nga xhandarmeria jugosllave në 22 nëntor 1926, te fshati Sfillarë, në rrethin e Shkupit.

Ndërkaq, më 1 dhjetor të vitit 1923 kaçakët e sulmuan në afërsi të Gostivarit trenin, i cili qarkullonte në relacionin Shkup-Ohër. Nën akuzën e pjesëmarrjes në plaçkitjen e trenit apo të jatakut, në dhjetor të vitit 1923, pushteti serb-kroato-slloven arrestoi një numër të madh personash nga fshati Dobërdoll dhe Vrapçisht të Gostivarit.

Në vitin 1924 Lëvizja kaçake, në këtë kuadër edhe çeta e Kaloshit, do të vazhdojë me veprimtarin e vet në rrethana politike tejet dramatike. Që nga fillimi i vitit 1924 çetat shqiptare i kishin filluar përgatitjet për aksione sa më efikase në trevat shqiptare nën sundimin jugosllav. Në këtë kuadër, veprimtarët politik e militantë “kosovarë” shpeshherë takoheshin në Tiranë, në shtëpi private apo dyqane. Një takim i tillë, p.sh. u mbajt në fillim të muajit mars të vitit 1924 tek një dyqan zejtar në Tiranë. Në këto takime, sipas gjasave, ishte përfshirë edhe Kalosh Kërçova. Ai, disa ditë përpara takimit të lartpërmendur, në fillim të muajit mars të vitit 1924, ndodhej në Tiranë, ku kishte qëndruar 2-3 ditë dhe pastaj u kthye në Mat.

Si duket këto takime në Tiranë rezultuan me aksione të gjera të çetave kaçake në trevat shqiptare nën sundimin jugosllav. Kështu, në mars 1924, në rrethet e Shkupit, Prizrenit, Tetovës dhe Mitrovicës etj., vepronin çetat kaçake ku dhe ndërmerrnin aksione të ndryshme guerile, në ndjekje të të cilave ishte angazhuar ushtria serbo-kroato-sllovene që fletë për përmasat serioze të aksioneve të çetave. Megjithatë, ushtria, xhandarmeria dhe çetat çetnike nuk arrinin të pamundësonin tërësisht aksionet e çetave shqiptare. Në 30 dhe 31 mars të vitit 1924, Çeta kryengritës kaçake nga fshati Ostrec i Manastirit zhvilloi një përleshje të armatosur në rrethin e Manastirit me fuqitë serbo-kroato-sllovene (xhandar dhe ushtari).

Përpjekje të armatosura të çetave kaçake shqiptare me përmasa më serioze pati edhe gjatë muajve prill-maj 1924. Pasi që nga fundi i prillit dhe fillimi i majit të vitit 1924, Kalosh Kërçova me një çetë të madhe kishte kaluar nga Shteti shqiptar në Trevat Lindore shqiptare dhe vepronte në trevat e Kërçovës dhe të Rekës (rrethi i Galiçnikut). Më 11 maj 1924, në afërsi të fshatit Tajmisht të Kërçovës, çeta kaçake u përlesh me xhandarë e “roje të armatosura” serbo-kroato-sllovene, ku mbeti i vrarë një xhandarë. Kurse, më 12 maj 1924, një çetë tjetër kaçake prej 25 vetash në afërsi të “Liqenit të Bozovcës” të Tetovë u përlesh me një patrullë dhe “roje të armatosura” jugosllave ku mbetën të vrarë 2 veta nga radhët e patrullës. Një përpjekje e armatosur e kaçakëve me xhandarmerinë jugosllave në Pollog pati dhe më 10 qershor 1924, në afërsi të fshatin Vrutok të Gostivarit ku mbeti i vrarë një xhandar.

Gjatë Revolucionit të Qershorit në Shqipëri (maj-qershor 1924) çetat guerile shqiptare ishin vënë përkrah opozitës në krye me Fan Nolin. Gazeta “Politika” njoftonte se në qershor të vitit 1924, Hasan Prishtina i kishte ftuar të gjithë kaçakët nga Kosova dhe Trevat Lindore shqiptare që të shkojnë në Tiranë “për t`u marrë vesh me atë për veprime të mëtejshme”. Aksionet e çetave në Trevat Lindore shqiptare vazhduan. Shtypi 10 qershor 1924, në afërsi të fshatin Vrutok të Gostivarit ku mbeti i vrarë një xhandar njoftonte se në gjysmën e dytë të vitit 1924 pritej një aksion i madh i komitëve dhe i kaçakëve në “Serbinë Jugore”. Gjithashtu, shtypi njoftonte edhe për aktivitetin e Kalosh Kërçovës në Trevat Lindore shqiptare. Kaloshi, edhe gjatë këtij viti, “udhëhiqte disa çeta” dhe përpiqej që të “kryejë organizimin e tyre”, ndërkaq qëllimi i këtij organizimi, po sipas shtypit serb, ishte që t`i “nxiste shqiptarët në revolta” kundër pushtetit. Në harkun kohor gusht-nëntor të vitit 1924 grupet kaçake ndërmorën një sërë aksionesh të armatosura e politike në Trevat Lindore shqiptar, gjatë të cilëve aksione pati dhe shumë përleshje të armatosura midis tyre dhe forcave të armatosura serbo-kroato-sllovene. Një përleshje e tillë ngjau në fillim të tetorit 1924 edhe në rrethin e Kërçovës. Ndërkaq, nga fillimi i muajit tetor 1924 Kalosh Kërçova kaloi në Malin e Thatë i cili shtrihet për së gjati midis rretheve të Gostivarit dhe atij të Poreçes (Brodit) dhe si duket nga këtu drejtonte aksionet e disa çetave kaçake, por dhe organizimin e shqiptarëve të këtyre anëve kundër sundimit jugosllav.

Mirëpo dhe pushteti serbo-kroato-slloven në muajin tetor të vitit 1924 i përshkallëzojë ekspeditat e ndjekjes ndaj çetave shqiptare në Trevat Lindore shqiptare. Në këto ekspedita ishin angazhuar efektiva të shumta xhandarmerie, ushtarake dhe nga radhët e “qytetarëve të ndershëm” të armatosur nga pushteti. Qëllimi i këtyre ekspeditave ishte izolimi i plotë i çetave kryengritëse shqiptare nga populli dhe jatakët, si dhe ndërprerja e asgjësimi i çdo burimi për furnizimin e tyre. Për këtë, gjatë këtyre ekspeditave autoritetet i evakuonin barinjtë me gjithë bagëtinë nga malet në viset fushore dhe i asgjësuan stanet dhe kolibet kaçake në male. Njëherazi, ministri serbo-kroato-slloven i Punëve të Brendshme më 10 tetor të vitit 1924 i ftonte kaçakët të dorëzohen, se në të kundërtën do ta pësojnë jo vetëm ata por edhe familjet e tyre, jatakët, bashkëfshatarët e tyre e më gjerë.

Megjithatë, edhe për ballë të kësaj gjendje, Kaloshi nga fundi i muajit tetor të vitit 1924 kaloi nga Mali i Thatë në rrethin e Përlepes, me detyrë që të realizoi organizatën shqiptare “Komiteti i Kosovës” dhe të vë lidhje me organizatën komite të gjeneral Protogerovit”, sa që duket se për këtë ishte ngarkuar “që të shkojë në Bullgari”. Përballë operacionit të ndjekjes të forcave serbe-kroate-sllovene, Kaloshi pas pesë ditë bredhje nëpër male arriti të largohet nga territori i Mbretërisë SKS. Ai e kaloi kufirin, në afërsi të fshatit Magarevë të Manastirit, dhe u hodh në Greqi, prej nga pastaj u hodh në Shqipëri, kurse çetën e tij e la që të veproj dhe më tej në rrethinat e Përlepes. Gazeta “Politika” e Beogradit pohonte se “Kaloshi i referoi kryetarit të qeverisë shqiptare (Fan Nolit) se në territorin e Serbisë më nuk është e mundur të veprohet, dhe se janë në rrezik të madh ithtarët/mbështetësit dhe të besuarit e tij të cilët kanë mbetur në territorin serb”.

Por, pas kthimit të Ahmed Zogut në pushtet, në dhjetor të vitit 1924, do të ngushtohet plotësisht hapësira për veprim të Lëvizjes çlirimtare shqiptare (kaçake) dhe të vetë Komitetit MKK në Shqipëri, apo siç konstatonte dhe gazeta “Politika” e Beogradit se për prijësit e çetave “më nuk kishte jetë në Shqipëri”. Që në fillim të vitit 1925, brenda Shqipërisë vazhdonte fushata e zënies dhe arrestimit të të gjithë prijësve të çetave shqiptare që i kishin shpëtuar likuidimit. Për zënien dhe likuidimin e tyre personalisht ishte angazhuar edhe Abdurrahman Dibra, ministër i atëhershëm i Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Duke qenë në dijeni se Kalosh Kërçova, në fillim të janarit të vitit 1925, ishte vërejt në Tiranë, ministri veç më kishte lëshuar urdhër arresti për Kaloshin. Por, sipas të gjitha gjasave, Kalosh Kërçova mundi t`i shpëtoi arrestimit duke u strehuar në Mat. Kështu, përfundoi kjo episod e lëvizjes çlirimtare shqiptare në Trevat Lindore shqiptare. (fund)