Trojet shqiptare në vitin 1912 shtriheshin të paktën në 55-60 mijë km2, ndërsa disa autorë të tjerë thoshin se këto troje janë 70-75 km2. Me copëtimin e Shqipërisë në vitin 1913 mbeti jashtë saj gjysma e trojeve, përkatësisht Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit, viset e Dibrës të Pollogut etj, të Maqedonisë së sotme perëndimore, viset e Çamërisë si dhe vise të shkëputura më parë, si Ulqini me rrethina, viset perëndimore të ish Sanxhakut të Nishit etj. Në këto vise, shqiptarët përbënin mesatarisht 75-80 për qind të popullsisë. Ndërsa në vise të tjera persiferike shqiptarët përbënin një mesatare prej 27për qind, pra në të gjitha këto vise që mund të arrinin mbi 40 mijë kilometra katrorë, jetonte më shumë se gjysma e kombit shqiptar. Është i njohur fakti se në 28 mijë kilometra katrorë, që është Shqipëria sot, jetonin në vitin 1912 afërsisht 703 mijë shqiptarë, ndërkohë që popullsia e përgjithshme ishte 740 mijë banorë. Ndërsa në trojet e aneksuara nga Serbia, Mali i Zi, Greqia dhe Maqedonia jetonin afërsisht 1 milionë shqiptarë. Nëse krahasojmë Shqipërinë me shtetet e tjera, ajo nuk kishte diferencë në sipërfaqe apo në popullsi. Sipas të dhënave zyrtare të shekullit XIX, Bullgari kishte 96 000 kilometra katrorë, Serbia kishte 48 000 mijë kilometra katrorë me 2,37 milionë banorë, Greqia kishte 65 000 mijë kilometra katrorë me 2,4 milionë banorë dhe Mali i Zi me 9 000 km2 dhe 227 mijë banorë.
Gjeostrategjia e Shqipërisë
Nga Ulqini, Lezhë, Shkodër ishin ngritur pika të fuqishme tregtare me disa qytete të rëndësishme shqiptare, por edhe me vende të huaja. Me qytetet shqiptare ata kishin tregti të ngushtë me Prizrenin dhe gjithë Kosovën duke shkuar deri në Nish dhe Tetovë. Shkëputja e Tivarit dhe Ulqinit, ishte një goditje e rëndë për rrugën e Veriut dhe tregtinë. Drejtimi i dytë ishte Durrës-Elbasan me bigëzimin në Dibër-Ohër duke shkuar deri në Manastir dhe me një rreze që shkonte deri në Bullgari.
Drejtimi i tretë ishte ai i Çamërisë me portin kryesore Prevezën që përfshinte Janinën, Korçën, Kosturin, Follorinën deri në Thesali, duke marrë Selanikun dhe deri në Stamboll. Ky korridor pësoi goditjen në vitin 1913 ku jo vetëm humbi skela, por edhe rruga nga Saranda deri në Korçë mbeti e ndërprerë.
Bujqësia shqiptare
Shqiptarët në kohën e Lidhjes së Prizrenit kishin afro 1.3 milionë hektarë tokë bujqësore dhe në vitin 1912 mbanin në pronësi afro 1 milionë hektarë. Kjo sipërfaqe prodhonte rreth 0.5 milionë drithëra, e mjaftueshme për të ushqyer një popullsi prej 3 deri në 4 milionë banorë, sipas konsumit të atëhershëm.
Nëse brenda në Shqipëri në vitin 1913 mbetën afërsisht 350 mijë ha tokë bujqësore, jashtë saj mbetet të paktën dyfish më shumë. Vetëm në Kosovë ishin afro 400 mijë hektarë tokë bujqësore ndërsa në trevat e tjera që mori Serbia dhe Mali i Zi ishin më shumë se 200 mijë hektarë. E njëjta gjë ndodhi dhe me tokat në Çamëri.
Qytetet dhe portet shqiptare
Kuptohet se në vitin 1913 mbeten jashtë Shqipërisë shumë qytete të rëndësishme. E thënë ndryshe, në viset e copëtuara gjendeshin 25 nga 46 qendrat urbane ose 46për qind e tyre. Pra mbeten jashtë 16 ndër 32 qytete të rëndësishme. Mbeti jashtë thuajse gjysma e popullsisë dhe gjysma e porteve dhe limaneve. Ndër qytetet e mëdha që mbetet jashtë ishin Prizreni, Gjakova, Prishtina, Tetova, Dibra si dhe qendra kryesore të 3 ndër 4 vilajeteve shqiptare si Shkupi, Manastiri dhe Janina. Shqiptarët ishin pronarë që kishin në duar pjesën më të madhe të ekonomisë në këto qytete edhe pas ndarjes nga Shqipëria. Jashtë kufijve të Shqipërisë mbetën 12 skela ose limane shqiptare nga 22 të tilla që bënin tregti me 30 miliona franga. Disa nga këto skela ishin 6, si Tivari, Ulqini, Arta etj. Të tjera si Preveza e cila bënte dyfishin e xhiros së Vlorës ose 1/3 e xhiros së porteve jugore humben në 1913. Sipas profesor Z. Shkodrës, në vitin 1912, lëvizja tregtare e porteve në viset shqiptare arrinin rreth 500 milionë franga.