Duke mos dashur të futem në një analizë të thelluar rreth përmbajtjes së këtij dokumenti, dëshiroj të vë në dukje faktin se marrëdhëniet e acaruara midis dy regjimeve të atëhershme komuniste, nuk ishin të karakterit etnik, por kryekëput ideologjik, ku Enver Hoxha si një stalinist i përbetuar, nuk e akuzonte Titon për politikën diskriminuese të tij ndaj shqiptarëve, por si “agjent i imperializmit amerikan, dhe “revizionizmit sovjetik”. Dokumenti prej 7 faqesh botohet i plotë dhe pa asnjë ndërhyrje apo komentimi
Nga Qerim LITA
Dokumenti me titullin “Dokumentacioni”, të cilin po e shpalosim enkas për lexuesit e gazetës shqiptare KOHA – Shkup, gjendet në Arkivin e Jugosllavisë – Beograd, fondi KQ i LKJ-së (507). I njëjti është hartuar në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKJ-së të mbajtur më 18 tetor 1967, në të cilën janë shqyrtuar Konkluzionet e Këshillit Ekzekutiv (Qeverisë) të RSFJ-së, të miratuara më 8 mars të atij viti, të cilat u përkisnin marrëdhënieve shqiptare-jugosllave. Pasi të njëjtat morën dritë jeshile, udhëheqja e atëhershme komuniste jugosllave angazhoi shërbimin i vet informativ të hartoj një Analizë për gjendjen faktike të marrëdhënieve midis dy shteteve komuniste.
Përveç Konkluzioneve të KE të RSFJ-së, në dokument përfshihen edhe deklaratat e dhëna gjatë atij viti nga udhëheqja më e lartë partiake e shtetërore shqiptare e jugosllave, përkatësisht të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Titos, Fadil Hoxhës etj., si dhe shkëputje nga disa artikuj të botuar gjatë atij viti si nga shtypi shqiptar, po ashtu edhe ai jugosllav, ku drejtpërdrejti trajtohet kjo problematik. Duke mos dashur të futem në një analizë të thelluar rreth përmbajtjes së këtij dokumenti, dëshiroj të vë në dukje faktin se marrëdhëniet e acaruara midis dy regjimeve të atëhershme komuniste, nuk ishin të karakterit etnik, por kryekëput ideologjik, ku Enver Hoxha si një stalinist i përbetuar, nuk e akuzonte Titon për politikën diskriminuese të tij ndaj shqiptarëve, por si “agjent i imperializmit amerikan”, dhe “revizionizmit sovjetik”. Dokumenti prej 7 faqesh botohet i plotë dhe pa asnjë ndërhyrje apo komentimi.
* * *
“DOKUMENTACIONI
Këshilli Ekzekutiv Federativ në mbledhjen e tij në përbërje të ngushtë të 8 marsit 1967 e shqyrtoi Informatën lidhur me marrëdhëniet e RSF të Jugosllavisë dhe RP të Shqipërisë dhe, në lidhje me këtë solli këto konkluzione:
– në një kohë sa më të afërt përmes rrugës diplomatike ta njoftoj palën shqiptare për vendimin jugosllav për ndërprerjen e njëanshme të lëvizjes së kufizuar të përfaqësuesve diplomatik të RP të Shqipërisë në vendin tonë;
– në rregullimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve të jetë prezent edhe mundësia e shkëmbimit të serishëm të ambasadorëve;
– të jepet përgjigje pozitive ndaj kërkesës së palës shqiptare për eksportimin e 30.000 tonë misër në Shqipëri;
– duke u nisur nga ndryshimet taktike në politikën tonë ndaj RP të Shqipërisë të kryhen ndryshime kadrovike përkatëse në përfaqësinë tonë diplomatike në Tiranë;
– që koordinimi i aktivitetit në marrëdhëniet me RP të Shqipërisë të mos kryhen përmes komisionit të veçantë pranë Sekretariatin Shtetëror për Punë të Jashtme, formimi i së cilit propozohet në Informatë, por në atë mënyrë të rëndomtë që ka ekzistuar në praktikën e deritanishme në fushën e marrëdhënieve të politikës së jashtme;
– përmes disa sipërmarrjeve tona Shqipërisë t’i jepet kredi investuese për realizimin e projekteve të ekonomisë së ujërave në kufi, veçmas në pikëpamjen e pastrimit të Liqenit të Shkodrës, pastaj për eksploatimin e naftës, bakrit, kromit, niklit dhe pyllit me orientimin për pjesëmarrjen eventuale të përbashkët në eksploatimin e naftës, drunjve dhe xeheve të përmendura;
– që shkëmbimi i qarkullimit të imët kufitar përmes disa sipërmarrjeve tona në qytetet kufitare (Ohër, Strugë, gjithashtu edhe në Kosovë e Metohi/ të mundësohet pa pas nevojë një marrëveshje ndërkombëtare;
– të hulumtohet mundësia që nga Shqipëria të blihet bitumen për objektet e sipërmarrjeve tona të cilat eksportojnë në botën e jashtme për shkak krijimit të mundësisë së shtimit të eksportit tonë në Shqipëri;
– nëse së shpejti përmes rrugës shtetërore nuk do ta arrijmë marrëveshje shtetërore për komunikacionin rrugor të shqyrtohet mundësia e dhënies së autorizimit sipërmarrjes “Transportit Kosmet” përkatësisht sipërmarrjes transportuese përkatëse në Maqedoni të bëjnë përpjekje të drejtpërdrejtë për rregullimin e çështjes së transportit të mallit dhe udhëtarëve tanë përmes territorit shqiptar nga Prizreni e Struga për Mal të Zi dhe bregun tonë të Adriatikut;
– në planin e bashkëpunimit kulturor të hulumtohen mundësitë dhe gatishmërinë e shqiptarëve për bashkëpunimin e disa llojeve të këtij bashkëpunimi, parasëgjithash lokale;
– të mos ndryshohet qëndrimi parimor i deritanishëm i vendit tonë në këndvështrimin e propagandës shqiptare /të injorohet, tonë i butë, të kihet kujdes për interesat e gjëra të politikës sonë dhe objektiviteti, parimorrja dhe korrektësia/, që nuk nënkupton se në rastet konkrete të sulmeve arbitrare edhe më tej të mos reagohet.
- Deklaratat e udhëheqjes shqiptare
Në referatin i Kongresit të IV të Frontit Demokratik të Shqipërisë /shtator 1967/ Enver Hoxha e sulmoi Kryetarin e Republikës (Titon – Q.L.) si marionetë e politikës imperialiste dhe asaj revizioniste sovjetike: “Në këtë drejtim ata /amerikanët dhe rusët/ i nxisin marionetat e tyre duke filluar nga Papa, renegatin dhe mashtruesin e vjetër Titon e deri te Indira Gandi. Këta, me direktivën e qeverive sovjetike dhe amerikane udhëtojnë nga një vend në vend tjetër, mashtrojnë opinionin botëror dhe kryejnë presion dhe ata kombe revolucionare dëshirojnë t’i detyrojnë t’u nënshtrohen hegjemonizmit amerikano-sovjetike”.
Deklarata e Mehmet Shehut në Kongresin e V të Rinisë së Shqipërisë /26. VI. 1967/ lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet tjera:
“… Ajo çfarë sot ka ndodh me kombet në Siri dhe Jordani, nesër mundet t’i ndodh çdo kombi tjetër, për arsye se imperializmi amerikan asnjëherë nuk ndalet nga agresioni ndërsa revizionizmi sovjetik nuk mund të bëhet i sinqertë e as mik i kombeve.
…Ne dëshirojmë të jetojmë në miqësi me të gjitha kombet, në paqe me fqinjët, në mirëkuptim të ndërsjellët me të gjitha shtetet. Ne nuk e kërcënojmë askëndin …. ne nuk lejmë askënd të na prek. Ne jemi të vendosur deri në fund…, cilidoqoftë agresor, kudo që vjen agresioni. Kush prek në Shqipërinë tonë ai do ta gjej vdekjen. Agresioni kundër Shqipërisë nuk mund të lokalizohet dhe Shqipëria nuk do të përkulet asnjëherë para cilësdo fuqi ose fuqisë së koalicionit…. qeveria e RP të Shqipërisë ka qenë dhe ngelet për zhvillimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore e ndërshtetërore me Jugosllavinë, e nëse kjo nuk është arritur – ajo nuk është për fajin tonë”.
- Radio Shqiptare dhe shkrimet e shtypit
Me rastin e qëndrimit të Kryetarit të Republikës në Kosovë e Metohi, Radio Tirana nga data 30 mars në emisionin “Demagogjia dhe kërcënimet e Titos nuk mund as t’i mashtroj e as t’i frikësoj shqiptarët e Fushës së Kosovës e të Dukagjinit”. Në përcjelljen e tij përveç veglave të tij ishin edhe xhandarët e UDB-së.
“Kosovarët e shohin se krimet e kryera ndaj tyre gjatë këtyre viteve nuk kanë qenë vetëm vepra të Rankoviqit, porse e tërë klika e Titos e cila kultivon urrejtje raciste ndaj tërë kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Kjo urrejtje dhe këto plane nuk janë varrosur siç po proklamohen në shtypin titist pas Plenumit të IV të LKJ-së…”.
“…. Pa dyshim se shqiptarët e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit, Malit të Zi dhe Maqedonisë, nuk mund të mashtrohen nga ana e demagogjisë titiste, e as që mund të frikësohen nga kërcënimet e mbretërve të Beogradit. Ata kanë përvojën tejet të hidhur 25 vjeçare, mirë i dinë edhe qëllimet e shovinistëve jugosllav të fshehur pas cilësdo maskë. Ata gjithashtu kanë përvojë të begatshme në luftën për mbrojtjen e të drejtave të tyre legjitime për arsim dhe kulturë, për jetë të njerëzishme, sikurse të gjithë kombet tjera në Jugosllavi…”.
“Zëri i Popullit” sulmon udhëtimin e Titos në Lindjen e Afërt (publikuar më 24 gusht), “nuk është hera e parë që agjenti i vjetër i Washingtonit të ndërmerr mision në vendet e Lindjes së Afërt e të Mesme, Afrikës dhe Azisë, Amerikës Latine. Duke e veshur mantelin e neutralistit, luftëtarit aktiv të koekzitencës paqedashëse, Tito me rekomandimet e zotëruesit të tij qeverisë së ShBA-së, ka organizuar konferenca të njëpasnjëshme. Tito miqtë i ka lënë në baltë, në fakt i morri në mbrojtje armiqtë e kombeve arabe, imperialistët amerikan dhe cionistët izraelit…”.
“Blloku i tretë i Titos nuk ka qenë asgjë tjetër përveçse metodë indirekte të rrugës së djallit që vendet arabe të futen nën kthetrat e pushtimit amerikan”. Radio Tirana më 22 shtator të këtij viti përcolli ligjëratën me titull: “Pesëdhjetë e katër vjetori i kryengritjes së Dibrës, Kosovës dhe Rrafshit të Dukagjinit kundër robërisë serbe”. Në këtë ligjëratë sulmohen vendimet e Konferencës së Londrës të viteve 1912-1913 dhe politika pushtuese serbe ndaj territoreve shqiptare. Tërë ligjërata është në frymën e pretendimeve revanshiste ndaj Kosovës dhe në linjën e shpërndarjes së shovinizmit ndaj serbëve. Në mënyrë të hapur shtrohet çështja e kufijve Dibër, Pejë, Gjakovë etj.
III. Deklaratat e udhëheqjes jugosllave gjatë kësaj periudhe, lidhur me marrëdhëniet të Jugosllavisë me Shqipërinë
Kryetari i LKJ-së Josip Broz Tito në referatin e plenumit të VII të KQ LKJ-së: “Mbi bazën e disa propagandave, askush nuk ka të drejtë ta filloj agresionin siç është rasti me Izraelin. Për shembull Shqipëria tashmë disa vite me radhë zhvillon propagandë anti-jugosllave, ulurin dhe shpif, mirëpo kjo neve nuk na jep as çfarë të drejte ta sulmojmë. Ndaj kësaj ne thjeshtë nuk i kushtojmë rëndësi”.
Kryetari i Republikës më 3 tetor në fjalimin e Gospiçit deklaroi: “Ne sot të rrethuar kryesisht nga vende mike mundemi në mënyrë të qetë t’i kushtojmë ndërtimit të jetës tonë më të mirë. Në të vërtetë, në Shqipëri neve na sulmojnë vazhdimisht mirëpo sulmeve të tyre ne nuk duhet t’u përgjigjemi. Kombi shqiptar një ditë vet do të shprehet se çfarë mendon për një politikë të tillë, ne nuk mund t’ia sugjerojmë. Sepse, është shumë e rëndë për një komb të izoluar me vite të tëra. Ndërsa Kina është larg…”.
Marko Nikeziq, sekretari shtetëror për Punë të Jashtme në ekspozenë e tij në Kuvendin Federativ më 26 janar të këtij viti kur është ndal në marrëdhëniet tona me Shqipërinë fqinje ka deklaruar: “Dëshiroj sërish ta dëshmoj gatishmërinë e qeverisë sonë për rregullimin e marrëdhënieve dhe për zgjidhjen e atyre çështjeve praktike për të cilat ekzistojnë interesa të ndërsjella”.
Misho Paviqeviq, zëvendës sekretar shtetëror për Punë të Jashtme të njëjtën ditë në Kuvendin Federativ duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Dushan Mugosha deklaroi: “Vendi ynë me të gjitha vendet ballkanike zhvillon marrëdhënie shumë të mira e të gjithanshme. Përjashtim bënë Shqipëria, nga arsyet që janë të njohura. Përkundër situatës së tillë, vendi ynë bënë përpjekje të ruaj, madje edhe t’i përparoj, nëse kjo është e mundur në kushtet e atmosferës së tanishme, ato forma të bashkëpunimit të cilat janë të pranueshme nga të dy palët dhe nxitë zgjidhje, të disa çështjeve praktike nga interesi i përbashkët. Sot mund të konstatohet se gjendja në kufi është më e qetë dhe se gradualisht zgjidhen edhe disa çështje kufitare, për shembull nga fusha e ekonomisë së ujërave. Ka ardhur deri te rritja e këmbimit të mallrave, ndonëse, për mendimin tonë ekzistojnë edhe një sërë mundësi të pashfrytëzuara për zgjerimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve. Konsiderojmë që me shmangien e atmosferës së tanishme jonormale mund të krijojmë kushtet e nevojshme për marrëdhënie të mira fqinjësore midis vendit tonë dhe Shqipërisë. Kjo gjithsesi se detyrimisht do të shprehej edhe në hapësirën e gjerë të Ballkanit”.
Llazar Mojsov, këshilltar i sekretarit shtetëror për Punë të Jashtme më 11 korrik të këtij viti duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit në Kuvendin Federativ në lidhje me marrëdhëniet e Jugosllavisë me vendet fqinje deklaroi: “Me Shqipërinë për arsyet e njohura e parasëgjithash për shkak sulmeve të pareshtura të politikës së vendit tonë nuk kemi marrëdhënie deri në fund të mira, edhe pse qeveria jonë ka qenë dhe ngelet e gatshme për normalizimin e plotë të atyre marrëdhënieve. Megjithatë, në kohë të fundit janë arritur disa rezultate pozitive në zgjidhjen e disa çështjeve praktike. Shkëmbimi i mallrave zhvillohet normalisht me tendencë e rritjes së mëtutjeshme. Në rrjedhë janë përgatitjet për nënshkrimin e konventës për komunikacionin rrugor dhe konventës së mbrojtjes veterinere, pastaj zgjidhjen e disa çështjeve të ekonomisë së ujërave dhe përparimin e qarkullimit turistik për çka ekziston pëlqimi i dy palëve.
Qeveria jonë para pak kohësh shprehu sërish dëshirën që marrëdhëniet me Shqipërinë të normalizohen plotësisht dhe të përparohet në të gjitha sferat dhe përmendi se në këtë drejtim ende po i bënë të gjitha përpjekjet”.
Fadil Hoxha, kryetari i Kuvendit të KA të Kosovës e Metohisë, deklaroi në fletushkën javore të pakicës shqiptare “Flaka e Vëllazërimit” nga Shkupi më 2 tetor (përcjellim tekstin siç është publikuar në gazetën prishtinase “Jedinstvo”): “…përmirësimi i marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë paraqet problem i cili të gjithë neve na preokupon. Deklarata e kryetarit e qeverisë shqiptare, dhënë para disa muajve, për marrëdhëniet normale e të mira me shtetet ballkanike, madje edhe me Jugosllavinë, te ne është pranuar mirë. Qeveria jonë ndërmerr masa konkrete për normalizimin e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë, të cilat tash më 19 vite nuk janë normale që është në dëmin e të dyja palëve. Nuk dëshiroj të futem në historikun e përkeqësimit të këtyre marrëdhënieve. Jam i bindur se sot ekzistojnë kushte që ato të normalizohen. Vetëm se, nevojiten vullneti i mirë nga të dy anët, sikurse edhe masa konkrete, që kjo të arrihet. Kjo është në dobi e të dy popujve”.
Jugosllavia socialiste – vazhdoi Fadil Hoxha – ka marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje përveç se me Shqipërinë. Botëkuptimi i ndryshëm ideologjik, madje edhe sistemi i ndryshëm i rregullimit shoqëror në përgjithësi, nuk guxojnë të jenë pengesë për marrëdhënie normale, aq më tepër se Jugosllavia dhe Shqipëria janë fqinjë ekonomia e të cilave është e interesuar për shkëmbim të gjithanshëm, kuptohet me respektimin e plotë e të dy palëve për barazi dhe sovranitet.
Nga ana tjetër, as ne e as Shqipëria sikurse edhe vendet tjera të Mediteranit, nuk mund të jemi të qetë ndaj provokimeve dhe kërcënimeve imperialiste nga cili do vend që vjen. Agresioni imperialist në Lindjen e Mesme është një përvojë shtesë e hidhur nga i cili duhet të nxjerrim mësim. Jugosllavia dhe Shqipëria janë të interesuara jetësisht për ruajtjen e pavarësisë si të tyren po ashtu edhe të vendeve tjera të Ballkanit e të Mediteranit. Armiqtë e Shqipërisë e Jugosllavisë – agresorët imperialist, kanë interes që ato marrëdhënie të mos normalizohen për çka ata nuk janë ndalur, e as që ndalen lehtë, nga qëllimet e tyre të këqija”.
Pasi shprehu dëshirën e sinqertë e udhëheqjes jugosllave për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje dhe se kontaktet e shpeshtuara më mirë do të kontribuonin në mirëkuptimin reciprok, kryetari i Kuvendit të Kosovës e Metohisë tha: “Popujt e Jugosllavisë, me këtë edhe shqiptarët (në dokument thuhet “shiptari” e jo “Albanci” – Q.L.) e Jugosllavisë, përzemërsisht gëzohen për sukseset e arritura dhe që po i arrijnë njerëzit punëtor në Shqipëri në ndërtimin e bashkësisë së tyre socialiste dhe krijimin e jetesës më të mirë. Ne shqiptarët e Jugosllavisë, sikurse edhe të gjithë kombet jugosllave, dëshirojmë të bëhemi urë midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Të arriturat në fushën e kulturës e të arsimit në Kosovë e Metohi, sikurse edhe në tërë bashkësinë, janë tepër të dukshme. Ato, gjithashtu janë të dukshme edhe në RP të Shqipërisë. Bashkëpunimi i institucioneve kulturore e arsimore mund të jetë shumë e dobishme për ngritjen e shqiptarëve në përgjithësi. Disa institucione nga Kosova e Metohia tashmë kanë ndërmarr masa në këtë drejtim dhe besojmë se kjo nismë e tyre do të haset në mirëkuptim. Dëshirojmë që vullneti ynë i mirë të kuptohet drejt dhe të mos ngelet në hapat fillestare. Megjithatë, normalizimi i marrëdhënieve dhe bashkëpunimi në fushën ekonomike, kulturore e arsimore, si dhe në fushat tjera, mund të realizohet vetëm përmes vullnetit të mirë nga të dy anët. Shkrimet negative, deklaratat dhe komentet negative, të cilat në realitet e dëshmojnë të kundërtën, nga ciladoanë qoftë, nuk e mundëson mirëkuptimin. Përkundrazi, kjo e përkeqëson atmosferën, pengon normalizimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve. Kjo u sjellë dëme të dyja palëve. Ne dëshirojmë të mos kuptohet gabimisht mosreagimi ynë ndaj shkrimeve negative, por ashtu sikurse është – si një gjest i vendit tonë që të mos përkeqësohet atmosfera. Gabojnë ata të cilët mendojnë se kjo buron nga ajo se ne jemi më të dobët. Përkundrazi, një qëndrim i tillë i yni ka qëllime të mira dhe dëshirojmë që kjo të kuptohet vetëm kësisoj – përfundoi përgjigjen Fadil Hoxha ndaj kësaj pyetje”.
Gazeta beogradase “Politika” nga data 7 tetor botoi artikullin e Juri Gustanqiqit me titull “Me dëshirën e mirë” komentohet deklarata e Fadil Hoxhës, kryetarit të Kuvendit Krahinor të Kosovës e Metohisë dhe shprehet dëshira që ftesa e Fadil Hoxhës të pranohet dhe opinioni ynë publik të mos ngelet pa përgjigje pozitive nga ana shqiptare. Beograd, 18 tetor 1967”. (koha.mk)