Majkëll Ouen ishte një nga emblemat e Liverpulit kur u largua nga “Anfield” në vitin 2004 për te Real Madridi. Ai kishte debutuar në moshën 17-vjeçare dhe mori “Topin e Artë” në vitin 2001. Ishte në rrugën e tij për t’u bërë një legjendë te “Reds”, por interesi i Real Madridit bëri që të merrte vendimin për t’u larguar. Një vendim që nuk ishte i lehtë për Ouen dhe se, sipas një artikulli të botuar në “Sunday Mail”, krahasohet me mënyrën e largimit të Kutinjos.
“Unë vendosa për t’u larguar, por kam qarë pothuajse gjithë rrugën, nga shtëpia ime deri në aeroport. Një pjesë e imja nuk donte të largohej. Duke gjykuar nga fotot e rrugës së Filip Kutinjo drejt Barcelonës, javën e kaluar, besoj se ai nuk ndihej në të njëjtën mënyrë”, – shkruan Ouen, duke i krahasuar kujtimet e tij me imazhin e freskët të brazilianit.
Ish-ndërkombëtari anglez pranon se, pavarësisht vështirësisë që iu desh për ta marrë këtë vendim, ka qenë aq i suksesshëm në atë kohë. “Kur Real Madridi u interesua për mua, në vitin 2004, një pjesë e imja u kënaq, sepse bëhej fjalë për një ekip ku luanin Zidan, Ral, Bekam, Ronaldo, Roberto Karlos dhe Luis Figo, por koka ime vazhdonte të rrotullohej te Liverpul”, – kujton ai. Ouen, i cili kaloi vetëm një sezon te Reali, shpjegon: “Po të kisha qëndruar te Liverpuli gjithë karrierën time, mund të kisha pasur një karrierë fantastike si Steven Xherrard dhe Xhimi Karrager”, përfundoi Ouen.