Kënga mbarëkombëtare e fëmijëve shqiptarë i bëri për tri net Shkup e Shkodër bashkë. Ky nuk është vetëm refren që mund të shkëputet nga ndonjë këngë, por edhe ide lëvizëse për një integrim brendakombëtar më të avancuar kulturor e shpirtëror. Filozofia e konkurrencës, e kombinuar me galerinë e individualiteteve krijuese mund të kenë pikëpajtim, sa herë që rezoni profesional i njerëzve të artit e kulturës bëhen bashkë me mikpritjen e ngrohtë të banorëve vendas. Në këtë sens Shkodra mund të jetë një model, aty ku prindërit e pedagogët e këtij qyteti e konsideronin si fëmijë të tyre edhe Linën nga Shkupi
Emin AZEMI
Ditë më parë në Shkodër u mbajt Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë në të cilin morën pjesë autorë që me kompozimet e tyre kishin sjellë në skenë fëmijët e gjithë hapësirës shqiptare. Pati edhe nga Shkupi. E veçantja e këtij festivali, ishte mikpritja dhe ngrohtësia dashamirësë e nikoqirëve shkodranë, por edhe e mbarë komunitetit të artistëve e pedagogëve te muzikës. Gjatë tri netëve sa zgjati ky Festival, fëmijët dhe prindërit e tyre jetuan çaste të paharruara dhe u larguan nga ky qytet verior i Shqipërisë me përshtypjet më të mira. Publiku ishte gjatë gjithë kohës pjesëmarrës i atmosferës impozante, duke ndjekur me vëmendje të gjitha pikat e interpretimit. Qyteti i Shkodrës ato ditë u shndërrua në arenë gëzimi për dhjetëra fëmijë, të cilët po sprovonin talentin në një konkurrencë të forte, kurse edhe prindërit e tyre u ndodhën nën pushtetin e drithërimave dhe bëhej një me ritmin e emocioneve që jepte kënga në skenë.
Në këtë atmosferë të rrallë festive, nuk munguan edhe dromcat shpirtërore të mikpritjes që lëvizën nëpër kalldërmin e Shkodrës, bashkë me hapin e shkujdesur të mysafirëve. Këta të fundit kishin shumë arsye të ndjehen si në shtëpinë e tyre, sepse shkodranët kanë mikpritjen, humorin dhe këngën, tre asetet më të çmueshme etno-psikologjike që vlejnë sa margaritarët e gjithë botës. Krijoheshin miqësi të atypëratyshme midis peronave që për herë të parë shiheshin dhe e kishe vështirë të refuzosh ofertën për kafe, e cila mund të përfundonte në një darkë të stërgjatur buzë Bunës apo rrëzë Kalasë së stërlashtë të Rozafës.
Shkodra ka publik të formuar. Tradita kulturore e këtij qyteti, që daton nga kohët e lashta ilire, për të marrë një dimension më të formuar në vitet e tridhjeta, të shekullit të kaluar, është integruar në vertikalen shpirtërore të banorëve. Fishta, Mjedja, Harapi, Prenushi, Migjeni e shumë emra të nderuar të letrave shqipe i lanë gjurmët e tyre të ndikimit estetik në brezat e mëvonshëm dhe kjo u manifestua edhe në këtë festival mbarëkombëtar. Trajtat e këtij ndikimi mund t’i shohësh gjithkund në Shkodër, kurse kjo mjafton të perceptohet edhe te publiku i ngritur, i cili ishte pjesa integrale e atmosferës artistike të këtij festivali.
Se edukimi estetik i publikut shkodran nuk është i reduktuar vetëm brenda qarqeve kulturore e akademike, dëshmon edhe prania e njerëzve të profileve të ndryshme që nuk kishin ndonjë pikëtakim të drejtpërdrejt me kulturën. Në mesin e këtyre të fundit mund të takosh, si askund tjetër, edhe ndonjë biznesmen i cili ndan disa çaste nga koha e tij e çmueshme për të ndjekur, jo vetëm natën finale, por edhe provat e Festivalit. Është ky një tregues se njeriu shkodran frymon me ritmin e vlerave që sjell arti e kultura dhe mund ta imagjinojmë se çfarë ndikimi mund të kenë njerëzit e tillë mendjendritur në rrethet ku ata jetojnë e veprojnë.
Në këtë Festivali Mbarëkombëtar i Këngës për Fëmijë Shkupin e përfaqësoi edhe vogëlushja simpatike nga Shkupi, Lina Dullovi, me një vokal të ngrohtë e tepër shpresëdhënës. E shoqëruar nga prindërit dhe pedagogu i saj, Lina e la Shkodrën me një bagazh emocionesh, por edhe eksperiencash për ballafaqimet e radhës në këtë arenë të madhe të konkurrencës muzikore. Vetëm në festival të tilla, talentët e vërtetë shkëlqejnë, kurse Lina nga Shkupi solli kandilin e pashuar të Dardanisë së lashtë. Publiku dhe profesionistët e këtij Festivali sigurisht do ta kenë fiksuar këtë kandil si një pikë që tubon shumë referenca përkushtimi për artin e të kënduarit.
Kënga mbarëkombëtare e fëmijëve shqiptarë i bëri për tri net Shkup e Shkodër bashkë. Ky nuk është vetëm refren që mund të shkëputet nga ndonjë këngë, por edhe ide lëvizëse për një integrim brendakombëtar më të avancuar kulturor e shpirtëror. Filozofia e konkurrencës, e kombinuar me galerinë e individualiteteve krijuese mund të kenë pikëpajtim, sa herë që rezoni profesional i njerëzve të artit e kulturës bëhen bashkë me mikpritjen e ngrohtë të banorëve vendas. Në këtë sens Shkodra mund të jetë një model, aty ku prindërit e pedagogët e këtij qyteti e konsideronin si fëmijë të tyre edhe Linën nga Shkupi.
Kjo pra është Shkodra. (koha.mk)