Kur shëndeti mendor monitorohet nëpërmjet të dhënave nga iPhone

25

Gjiganti teknologjik, Apple, raportohet se është duke punuar në ndihmën për diagnostikimin e depresionit, anktheve dhe humbjen e kujtesës nëpërmjet përdorimit të iPhoneit. Hulumtuesit po shpresojnë se analizimi i të dhënave, siç janë mobiliteti dhe gjumi, mund të ndihmojnë për këtë, sipas “Wall Street Journalit”. Masat tjera përfshijnë analizimin e shprehjeve në fytyrë dhe të rrahurat e zemrës. Të gjitha do të përcillen nga telefoni, e asnjë e dhënë s’do të dërgohet në serverët e Appleit. Kompania po punon në projektet hulumtuese që mund të shpijnë në zhvillimin e këtyre veçorive. Universiteti i Californias, në Los Angeles, po studion stresin, ankthin e depresionin, me të dhënat e 3000 vullnetarëve, nëpërmjet orës Apple dhe iPhonet. Studimi ka nisur këtë vit. Një fazë pilot ka nisur vitin e shkuar me 150 pjesëmarrës.

Hulumtuesit do të krahasojnë të dhënat që do të merren nga sensorët e dy pajisjeve nëpërmjet pyetësorëve se si përdoruesit ndihen në momente të caktuara. Ato do të matin edhe nivelin e stresit te pjesëmarrësit. Studimi do të zgjasë tri vjet. Një tjetër studim i madh për këtë projekt po zhvillohet nga Apple. Kompania dhe brendi farmaceutik, “Biogen”, kanë njoftuar në janar se po punojnë në një studim dyvjeçar për të monitoruar humbjen e kujtesës. Plani është të përcillen 20 mijë përdorues. Nëse të dhënat e studimit lidhen me simptoma depresioni apo ankthi, Appple mund të krijojë një veçori që i paralajmëron njerëzit nëse sheh shenja të tilla mentale. iPhone do të kërkojë nga përdoruesit të kenë kujdes më të madh, sapo të vërejë shenjat e para të përkeqësimit të shëndetit mendor. Krejt kjo është në fazën fillestare dhe për rezultatet e para duhet të pritet.