Fillimisht po e shpalosim Informatën e kryetarit të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Mahmut Bakalli, dërguar më 2 prill të atij viti Kryesisë së KQ të LKJ-së, ku në mënyrë kronologjike përshkruhen rrjedhat e demonstratave të organizuara gjatë 1 prillit në Prishtinë dhe Podujevë dhe paradites së 2 prillit në Prishtinë, si dhe masat e marra nga ana e forcave të sigurisë përfshi këtu edhe Forcat e Armatës së RSFJ-së. Më pas, pason Informata e përgatitur nga shërbimi informativ pranë KQ të LKJ-së në Beograd, mbi situatën në Prishtinë gjatë orëve të paradites së 2 prillit 1981, e cila mbështetet mbi njoftimet, përkatësisht depeshet e Tanjugut
Nga Qerim LITA
Me rastin e 39 vjetorit të demonstratave studentore të vitit 1981 në Kosovë, lexuesit e gazetës KOHA – Shkup, në dy numrat në vazhdim kanë mundësi të informohen drejtpërdrejti me disa dokumente të pabotura deri më tash e të cilat bëjnë fjalë për rrjedhat e demonstratave studentore të vitit 1981 nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës, në rastin konkret në Prishtinë e në Podujevë më datë 1 dhe 2 prill të vitit 1981. Fillimisht po e shpalosim Informatën e kryetarit të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Mahmut Bakalli, dërguar më 2 prill të atij viti Kryesisë së KQ të LKJ-së, ku në mënyrë kronologjike përshkruhen rrjedhat e demonstratave të organizuara gjatë 1 prillit në Prishtinë dhe Podujevë dhe paradites së 2 prillit në Prishtinë, si dhe masat e marra nga ana e forcave të sigurisë përfshi këtu edhe Forcat e Armatës së RSFJ-së. Më pas, pason Informata e përgatitur nga shërbimi informativ pranë KQ të LKJ-së në Beograd, mbi situatën në Prishtinë gjatë orëve të paradites së 2 prillit 1981, e cila mbështetet mbi njoftimet, përkatësisht depeshet e Tanjugut. Në kuadër të kësaj përfshihen edhe Konkluzionet e dy kryesive të atëhershme jugosllave: Kryesisë së KQ të LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së, të datës 1 dhe 2 prill 1981, Vendimi i Kryesisë së RSFJ-së i datës 2 prill të atij viti, me të cilin shpallet gjendja e jashtëzakonshme në qytetin e Prishtinës, si dhe Vendimi i Kryesisë së KQ LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së, për shpalljen e gjendjes së krizës po në qytetin e Prishtinës. Dokumentet në fjalë gjenden në Arkivin e Sllovenisë, Lubjanë, të cilat siç u tha më lartë botohen për herë të parë dhe në formë të plotë.
* * *
“INFORMATË për demonstratat armiqësore në Prishtinë dhe Podujevë, më 1 prill 1981
Sot, më 1 prill të vitit 1981 në Prishtinë dhe Podujevë erdhi deri te demonstratat e përmasave të gjëra në të cilat kanë marrë pjesë shkollarët e mesëm dhe studentët, si dhe një numër i punëtorëve dhe qytetarëve tjerë. Demonstratat kanë qenë të planifikuara më herët dhe patën karakter nacionalist-shqiptar dhe armiqësor.
Mbi bazën e vlerësimeve dhe indikacioneve tona të mëhershme qem mobilizuar politikisht dhe u angazhuam në të gjitha shkollat e fakultetet në Krahinën mbarë, veçmas në vet Prishtinën dhe në qendrën e shkollës së mesme në Podujevë, ku gjatë natës së kaluar punuam me arsimtarët dhe prindërit.
Në Prishtinë demonstratat i filluan nxënësit e Shkollës Bujqësore, të cilët rreth orës 12 duke dalë nga orët në mënyrë grupore janë nisur për qytet pasi nuk kishin arritur t’i ndalin mësimdhënësit dhe një grup i gjerë i aktivistëve. Pas masave të ndërmarra nga ana e milicisë për t’u shpërnda, pjesa më e madhe e grupit u futën në rrethojat e punëtorisë midis punëtorëve të ndërtimtarisë, për mendimin tonë pasi paraprakisht e kanë përcaktuar planin. Punëtorët i pranuan, i mbrojtën dhe filluan të gjuajnë me gurë ndaj milicëve. Për mos me u fut në konflikt me punëtorët në ndërtimtari e ndërpremë përdorimin e forcës. Ai grup i nxënësve së bashku me qindra punëtorë janë nisur kah qendra studentore ku u janë bashkangjitur një numër i studentëve nga fakultetet dhe nga qendra. Në orën 14 një numër i punëtorëve nga fabrika e amortizerëve nuk pranoi të kthehet me autobus nga puna për në shtëpi, por insistoi të niset në këmbë, me qëllimin e planifikuar më herët që t’u bashkangjitet demonstratave. Për këtë nuk arritën t’i pengojnë një numër i madh i aktivistëve nga organizatat punuese, komunës dhe Krahinës. Më vonë demonstratave iu bashkëngjit edhe një numër i nxënësve të shkollave tjera të mesme. Organizatorët e demonstratave e kanë parashikuar kohën ku do të mund t’u bashkëngjitet masa më e gjerë e nxënësve nga shkollat e mesme, të cilët në atë kohë kthehej prej mësimit. Është karakteristikë se demonstruesit në radhët e para i kanë renditur fëmijët të cilët bashkëngjiteshin në radhët e veta pas kthimit nga mësimi nga shkollat fillore.
Demonstruesit më gatë qëndruan në rrugën “Ramiz Sadiku” nën qendrën studentore ku edhe në atë vend përmes numrit të madh të aktivistëve u përpoqëm t’i tërheqim punëtorët nga demonstratat dhe t’i shpërndajmë demonstruesit, mirëpo për këtë nuk patëm sukses. Atëherë filluam të përdorim gaz lotsjellës pas së cilës demonstruesit arritën të koncentrohen në grupe të vogla në rrugën kryesore të Prishtinës dhe duke marshuar në rrugën kryesore në gjatësi prej një kilometër, kanë brohoritur parulla armiqësore dhe nuk ishin aq shumë agresiv. Më së shumti qëndruan para Kuvendit Krahinor dhe Komitetit Krahinor duke brohoritur parulla, ndërsa një grup qe nisur edhe para SPB-së (ku është burgu) mirëpo shpejt u kthyen pasi e panë se kush e siguron.
Rreth orës 18 filluan të jenë më agresiv dhe krahas brohoritjes së parullave kanë thyer xhama të vitrinave, automobilave e ngjashëm. Këtë e kanë bërë edhe në fillim të demonstratave, por edhe përderisa ishin në rrugën Ramiz Sadiku. Në orën 18,15 kemi përdorur forcë më të madhe të milicisë sonë të cilës i erdhi në ndihmë edhe njësia speciale e SPB-së Federative, me përdorimin e gazit lotsjellës dhe përdorimin e pjesërishëm të shkopinjve të gomës.
Aksioni u realizua me sukses, sepse demonstratat, e më pas edhe grupet e demonstruesve u thyen tërësisht. Numri i nxënësve në demonstratë sipas vlerësimit tonë ishte rreth 3.000 prej tyre parashikojmë se kanë qenë rreth 300 punëtorë. Janë lënduar 17 punëtorë të milicisë (dy diçka më rëndë) dhe15 demonstrues (3 diçka më rëndë). Asnjëri nuk është në rrezik jete dhe asnjë nuk është lënduar prej amës së zjarrit. Është kryer dëmi më i madh material, ndërsa gjatë natës punohet në vlerësimin dhe në rregullimin e vitrinave të qytetit.
Parullat të cilat kanë dominuar gjatë tërë ditës kanë qenë: “Na i lironi shokët nga burgu”, “Duam Republikë”, “Kushte për punëtorët”, “Rroftë klasa punëtore”, pastaj parullat lidhur me eksploatimin e “Trepçës” dhe kombinatit të Obiliqit, disa herë është përmendur emri i Adem Demaçit (i cili gjendet në burg si i dënuar politik) dhe Lajçit (i cili është njëri ndër organizatorët e demonstratave të mëhershme studentore).
Përderisa në qytet mbaheshin demonstratat, në minierën e linjitit në Bellaçec, një grup prej 150 minatorëve nuk dëshironte ta filloj punën në ndërrimin e dytë, por kërkoi bisedime me ndonjë funksionar krahinor për shkak lirimit të studentëve të burgosur dhe në lidhje me përdorimin e forcës ndaj demonstruesve. Pas bisedës së gjatë të pasuksesshme të kryetarit të Kuvendit Komunal dhe Këshillit Ekzekutiv të qytetit, vendosëm që para tyre të del kryetari i Kryesisë së KSA të Kosovës (Xhavit Nimani – Q.L.), me qëllim të pengimit me çdo kusht bashkëngjitjen e tyre demonstratave. Pas bisedës së gjatë dhe shumë të rëndë ky grup i punëtorëve filloi me punë.
Në Podujevë rreth orës 11 një grup nxënësish nga shkolla e mesme të cilët më herët në formë gojore nga ana e organizatorëve të demonstratave janë ftuar ta bojkotojnë mësimin dhe për pjesëmarrje në demonstratë filluan me qetësi të demonstrojnë nëpër rrugët e qytetit dhe pasi u shtua në rreth 200 nxënës filloi të brohorisë parulla dhe të thyej vitrina dhe vetura. Përveç nxënësve në demonstratë ishin edhe disa studentë dhe qytetarë (në mesin e të cilëve edhe disa ish të burgosur politik). U përpoqën të futen në fabrikën “Poliester”, por nuk arritën e as që arritën të përfitojnë punëtorë. Edhe këto demonstrues në rreshtat e para i kanë renditur nxënësit e shkollave fillore.
Përpjekjet e aktivistëve të shumtë nga komuna e Krahina për t’i penguar të demonstrojnë apo t’i shpërndajnë nuk qenë të suksesshme. Në orët e pasdites është përdorur forca dhe gazi lotsjellës nga ana e njësive të milicisë pas së cilës demonstratat u shpërndanë. Parullat që dominuan ishin: “Lironi shokët”, “Trepça punon për të tjerët”, “Duam Republikë” etj. Komiteti komunal i LK të Podujevës inicioi menjëherë aktivitet të gjerë në mesin e komunistëve dhe njerëzve punëtor kështu që ky aksion armiqësor u dënua ashpër. Janë ndërmarrë masa konkrete për rregullimin e rrethanave politike e të sigurisë në komunë dhe për pengimin e shpërthimit të serishëm të demonstratave.
Komiteti për MPP-së dhe VMSh-së së KSA të Kosovës sonte i ka përcaktuar masat dhe aksionet e drejtpërdrejta të cilat duhet të ndërmerren në Prishtinë si dhe në të gjitha komunat në Krahinë për shkak pengimit të eskalimit të mëtutjeshëm të demonstratave ose çrregullimeve tjera. Për komunën e Prishtinës janë paraparë masa të veçanta të mobilizimit dhe të gatishmërisë mbi bazën e Direktivave dhe qëndrimit nga mbledhja e përbashkët të Kryesisë së RSFJ-së dhe Kryesisë së KQ LKJ-së. Në përputhje me një sërë masash janë përforcuar në mënyrë të veçantë forcat e sigurimit të objekteve vitale në Prishtinë dhe në të gjitha komunat e Krahinës. Përveç kësaj, në Komitetit komunal të LK Prishtinë është përcaktuar programi konkret i aktiviteteve politike gjatë natës dhe ditëve të vijim.
Situatën edhe më tej e vlerësojmë si të ndërlikuar me mundësi të përpjekjes së serishme të organizimit të demonstratave, bojkot të mësimit, ndërprerjen eventuale të punës apo masave tjera të cilat do të mund t’i ndërmarrin forcat armiqësore. I kemi përcaktuar në mënyrë të detajuar masat e sigurisë e ato politike për shkak pengimit të cilësdo nga ato dukuri. I kemi përforcuar grupet e kuadrit të angazhuar nëpër të gjitha komunat në të cilat i kemi inkuadruar edhe kuadrot nga Kosova të cilët punojnë në organet e Federatës dhe RS të Serbisë. Për 2 prill në ora 8 është caktuar mbledhja e Kryesisë së KSA të Kosovës dhe Kryesisë së KK të LK të Kosovës. Pas mbledhjes së përbashkët shoku Xhavit Nimani, kryetari i Kryesisë së KSA të Kosovës do të jep deklaratë të zgjeruar të cilën do ta emitojnë të gjitha mjetet e informimit. Tërë kohën kemi qenë në kontakt, marrëveshje dhe në koordinim me organet e Federatës dhe RS të Serbisë dhe kemi kontaktuar dhe i kemi orientuar aktivitetet në të gjitha komunat e Krahinës.
* * *
Sot në mëngjes ka vazhduar eskalimi i demonstratave në Prishtinë nga radhët e nxënësve, studentëve dhe punëtorëve të ndërtimtarisë. Situata është ashpërsuar edhe në fabrikën e amortizerave dhe në disa organizata tjera punuese. Një grup demonstruesish në qytet ka gjuajtur me armë zjarri ndaj organeve të milicisë. Në mbledhjen e dy kryesive në mëngjes është dhënë mbështetja që të shkohet në përdorimin më të madh të forcës.
Komiteti për MPP-ë dhe VMSH-ë të KSA të Kosovës ka vendos implementimin më të madh të forcës nga ana e milicisë me përforcimet e reja, përmes njësive speciale të MT-së (Mbrojtjes Territoriale – Q.L.) dhe një numri të njësive të TO-së në disa organizata punuese në Prishtinë, si dhe daljes në rrugë të njësive tankiste të APJ-së për shkak demonstrimit të forcës. Për përdorimin e armës së zjarrit do japim leje të posaçme varësisht nga lëvizja e situatës. Aksioni për likuidimin e plotë të demonstratave ka filluar me sukses dhe ende është në rrjedhë. Njësitë e milicisë bëjnë pastrimin e grupeve të mbetura të demonstruesve në rrugët sporadike të qytetit. Deri më tash janë lënduar17 punëtor të organeve të SPB-së, prej të cilëve tre diçka më rëndë, ndërsa nga radhët e demonstruesve janë lënduar 9 prej tyre dy më rëndë. Asnjë lëndim nuk është nga arma e zjarrit. Askush nuk është në rrezik jete.
Në Kuvendin Komunal të Lidhjes Komuniste të Prishtinës është hartuar program i aksioneve të drejtpërdrejta për ndikimin politik në qytet dhe në të gjitha mjediset e komunës pas shpërndarjes së plotë të demonstratave. Në Podujevë është shpërnda në tërësi grupi i demonstruesve. Në të gjitha komunat tjera gjendja është normale dhe mobile.
KRYETARI I KOMITETIT KRAHINOR TË LK TË KOSOVËS
Mahmut Bakalli, s. r.”
* * *
“INFORMATË për situatën në Prishtinë gjatë paradites së 2 prillit 1981 sipas lajmeve të Tanjugut
Me ndërmjetësimin e Tanjugut, sot deri nëora14 kanë arritur 9 depeshe për situatën në Prishtinë. Nuk pati lajme për ngjarjet jashtë Prishtinës.
Sipas këtyre lajmeve, në qytet gjatë mëngjesit ka qenë qetë. Mirëpo, në ora 8,30, në pjesën jugore të qytetit, nga ku dje u nisën demonstratat, filloi grumbullimi i demonstruesve. Diç para orës 9 në këtë vend erdhi deri te konflikti midis demonstruesve dhe organeve të sigurimit. Organet e sigurimit me përdorimin e gazit lotsjellës e shpërndanë këtë grup njerëzish, 200 prej tyre, të cilët këtu përgatiteshin për demonstrata. Aty kanë qenë punëtorë të më shumë ndërmarrjeve, ndërsa në mesin e tyre pati edhe njerëz të ri. Një grup planifikonte të nisej kah kazerma. Rreth orës 9,30 një grup prej 150 të rinjve e të rejave ka marshuar përmes rrugës kryesore të Prishtinës me brohoritje: “Të gjithë për një – një për të gjithë”.
Në ora 10:20 në rrugët e Prishtinës dolën tanket, ndërsa aeroplanët fluturuan mbi Prishtinë. Në qendër të qytetit erdhi te konflikti i organeve të sigurimit dhe grupit të studentëve dhe rinisë të cilët qenë grumbulluar rreth Kuvendit të KSA të Kosovës nga të dy anët. Mirëpo, forcat kryesore janë koncentruar në hyrje të Prishtinës, ku kanë qenë edhe punëtorët e “Ramiz Sadikut” dhe të organizatave tjera punuese. Ky grup gjoja se është përpjekur ta sulmoj kazermën mirëpo e ka penguar milicia.
Njëkohësisht është lajmëruar se në pjesën veriore të qytetit, gjithashtu ka ardhur te konflikti i milicisë dhe grupeve të shumta të demonstruesve. Në qytet është dëgjuar gjuajtje nga më shumë anë. Në kodrën kah Obliqi është vërejtur se grumbullohet masë e madhe e njerëzve. Përndryshe grupe të shumta të demonstruesve janë parë edhe në pjesët tjera të Prishtinës. Sipas mendimit të raportuesit, numri i përgjithshëm i demonstruesve nuk mund të përcaktohet, mirëpo mendohet se janë më shumëse disa mira. Gjithashtu është lajmëruar se milicia dhe njësitë e APJ-së i kanë marrë nën mbrojtje të gjitha institucionet e qytetit e ato krahinore.
Rreth orës 11 erdhi te konflikti midis pjesëtarëve të shërbimit të sigurimit dhe demonstruesve, të cilët janë grumbulluar në qytetin studentor. Paramendohet se në mesin e tyre pati edhe nxënës të shkollave të mesme. Me aksionin energjik të milicisë ky grup u shpërnda dhe tash atje është qetë. Tanjugu gjithashtu lajmëron se sot në Prishtinë paradite është mbajtur mbledhja e përbashkët e Kryesisë së KSA të Kosovës dhe Kryesisë së KK të LK të Kosovës në të cilën janë vlerësuar demonstratat e djeshme armiqësore në Prishtinë dhe Podujevë.
Lidhur me këtë vlerësim, kryesitë kanë përcaktuar plane, aksione e masa konkrete të cilat duhet të ndërmerren në Prishtinë dhe Krahinë për shkak pengimit të dukurive të mëtutjeshme të demonstratave dhe çrregullimeve të ngjashme.
Beograd, 2 prill viti 1981”. (vijon nesër)