Përveç vrasjeve të pakontrolluara, plaçkitjeve të pasurisë e të bagëtisë, përdhunimeve të grave, vajzave e nënave shqiptare, ushtria pushtuese serbo-malazezë kërcënonte popullsinë shqiptare, sidomos ato të krahinave të Rugovës, Plavës, Gucisë e të Rozhajit, që nëse “nuk do të konvertoheshin në ortodoksë”, atëherë ata do të vriteshin të gjithë për një…
Nga Qerim LITA
Në prag të mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Kosova dhe krahinat lindore shqiptare, u ripushtuan nga ushtria serbo-malazeze. Krahas kësaj, trupat ushtarake serbe pushtuan edhe Dibrën e Poshtme, Lumën Hasin, Gashin, Krasniqen, Nikajn, Merturin, Kelmendin dhe Thethin, krahina të cilat sipas vendimeve të Konferencës së Londrës i takonin shtetit shqiptar, me çka thuajse një e katërta e Shqipërisë politike ra nën pushtimin serbo-malazez. Komiteti për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës (KMKK), përmes një qarkore drejtuar institucioneve shtetërore vinte në dukje situatën e brendshme e të jashtme, ku veç tjerash shkruante: “Serbët gjinden sot në Dibrë të Voglë, në Lumë, në Bytiq, në Has, në Krasniqe, në Gash, në Nikaj… Po mundohen të hynë në Shalë e në Malcina tiera të Shkodrës tue kërkue gjithnji me e shtie në dorë vijën qi u pat dhanë ‘Pakti i Londrës më 1915’…”.
Ndonëse shqiptarët nuk ishin palë ndërluftuese midis dy blloqeve, kjo ushtri pushtuese, në shenjë hakmarrje ndaj humbjeve të pësuara nga ushtritë e fuqive kundërshtare, siç ishte ajo austro-hungareze e gjermane, zbatoi një dhunë dhe terror të paparë ndaj popullsisë civile shqiptare. Hoxhë Kadri Prishtina i shkruante Aqif Pashë Elbasanit se “Kosova fatkeqe me një milion shqiptarë po vuen lloj lloj mjerimesh nën sundimin barbar të Sllavëvet”.
Përveç vrasjeve të pakontrolluara, plaçkitjeve të pasurisë e të bagëtisë, përdhunimeve të grave, vajzave e nënave shqiptare, ushtria pushtuese serbo-malazezë kërcënonte popullsinë shqiptare, sidomos ato të krahinave të Rugovës, Plavës, Gucisë e të Rozhajit, që nëse “nuk do të konvertoheshin në ortodoksë”, atëherë ata do të vriteshin të gjithë për një. Lidhur me këtë ngjarje të shëmtuar, Komiteti i Kosovës, më 6 mars1919, përmes një proteste u drejtohej Fuqive të Mëdha, në të cilën ndër të tjerave thuhej:
“Me gjithëse kishim ndëgjue që Serbët e Malazezët, shtri nëpër Kosovë fill mbas disfatës që pësuen armatat gjermane-austrjake-hungareze përpara fuqivet ngadhnimtare të Shtetevet të Mdha aleate, kishin fillue me përsëritë po ato vepra barbare të pushtimit të parë të Pejës, t’Akovës, Tergovishtës e viset tjera të vilajetit të Kosovës, nuk na qe ba me besue se Europa e qytetnueme do të mbyllte syt përpara këtyne vepravet të deja për kohët primitive. Tue u zhvillue ngjarjet po vërtetohen mjerisht dhe saktësija e vepravet në fjalë e përsritja …e formave agresive të Serbo-Malazezvet. Administrata barbare e ngrehun ndër ato vise me qëllim me shue racën shqiptare, po derdh gjak të pafajshëmsh n’Akovë, në Tërgovishtë e në Pejë dhe po dhunon nderën e gravet e të vajzavet. Serbo-Malazezët, tue shpartallue parimet njerëzore mbi liri të ndërgjegjjes, të cilat parime Europa i morri si baza qytetnore e sociale ç’prej tre shekujsh e ma, ia imponuen me forcë popullit konvertimin në fen ortodokëse dhe e lanë atë me zgjedhë njenën ose tjetrën: me ndrue fe ose me pranue vdekjen….”.
Krimet, masakrat dhe mizoritë e ushtrisë serbo-malazeze, asaj kohe u shtrinë edhe në viset tjera të pushtuara shqiptare, si në Shkup, Kumanovë, Prishtinë, Sanxhak etj. Korrespodenti i luftës i një gazete daneze, i cili nga Shkupi i telegrafonte një korrespodentit tjetër me emrin “Zigt Frederiko Man Bones”, persekutimet serbe ndaj popullsisë shqiptare në krahinat e Shkupit, Kumanovës e të Prishtinës i përshkruante si më poshtë:
“Taktika luftarake e Serbëve në Maqedoni ka marrë karakterin e një masakrimi të përgjithshëm shum të tmerrshëm. Ushtrija po plotëson nji luftë shkatrimtare shum barbare. Simbas kallzimevet të ushtarëve e të oficerëve ndërmjet Kumanovës e Shkupit kanë vra 3000 shqiptarë e në rrethet e Prishtinës 5000 shqiptarë. Katundet shqiptare aneve e rrethit janë djegë krejt. Populli po gjurmohet ndër shtëpit e veta edhe po i vrasin si mijt. Militaristët serb këtë gjueti njerëzish e kallzojnë me nji shkëlqim të jashtëzakonshëm. Konditat e jetës në Shkup janë të tmerrshme. Nëpër shtëpijat qi po kontrollohen pa përjashtim, po u gjet nji gja e vogël që ti shembulloj armës, pushkatohet me njëherë e pa u pyetë. Mbassi shtëpitë qëllohen me armë nga jashtë asht shum e rrezikshme me shëtitë rrugëvet. Dje tridhjet e gjashtë shqiptarë pa i gjykue u dënuen me vdekje edhe me nji herë u pushkatuen. Nuk ka ditë qi mos të bahen krime shum mizore kundër shqiptarëvet. Dje më thirri nji oficer Serb qi të merrsha pjesë në masakrimin e nji njeriut të tillë; e në këtë kohë më tha si për lëvdatë se ka vra me dorë të vet nandë shqiptarë”.
Paria e Pejës, Plavës dhe e Gucisë, në krye me Hasan agë Ferrin, Shaqir Halilin dhe Adem Agën, me 2 janar 1919 i shkruante Komitetit të Kosovës për “vepra barbare” të malazezëve kundër popullsisë shqiptare në Tergovishtë, Novi Pazar dhe Sjenicë, ku nuk mungonin as vrasjet, grabitjet dhe përdhunimet. Si shembull ata e marrin pushkatimin e kryetarit të bashkisë “s’Akovës, Hilmi bej Kajabegollin dhe djalin e Mustafa beut së bashku me pes të parë të tjerë”, pastaj vrasjen e mase 70 grave shqiptare po në Akovë, si dhe grabitjen e tërë pasurisë, me çka vihet në dukje se “njerëzia sidomos kalamajt po lihen lakuriq e pa buk”. Në fund të letrës thuhet se “veprat gjakatare të Malazezëve” po shtohen dita-ditës, andaj ata lusin Komitetit e Kosovës që në emër të “kombësisë, t’Atdheut e fesë me ba shpejt çka asht e mundum për të na shpëtu nga kjo gjendje e rëndë”.
Duhet të vëmë në dukje faktin se krahas dhunës dhe terrorit, pushtuesit serbo-malazez, për qëllime propagandistike karshi Fuqive të Mëdha, pasi kërcënoi parinë e vendit se do t’i internojë në Vojvodinë, mblodhi një pjesë prej tyre, përkatësisht nga pesë vetë nga Peja, Prizreni e Gjakova, të cilët i dërgoi në Podgoricë, ku mbahej kongresi nacionalist serb, të cilët i shpalli si “përfaqësues”, përkatësisht “deputetë” të popullit. Ndaj kësaj reagoi Komiteti i Kosovës, duke u shprehur se “vota që do ta japin këta deputetë”, asnjëherë nuk do të pranohet nga shqiptarët, sepse siç vë në dukje, “edhe ata deputetë sikur të qenë të lirë” nuk do të vepronin në atë mënyrë.
Më 5 janar të vitit 1919, Komiteti i Kosovës përmes një letre u drejtohet Fuqive të Mëdha Aleate, në të cilën pasi me fakte të dokumentuara i përshkruan të gjitha mizoritë e barbarizmat serbo-malazeze mbi popullsinë shqiptare në Kosovë e në krahinat tjera të pushtuara shqiptare, kërkon që Kosova deri në zgjidhjen përfundimtare të vendoset nën administratën ndërkombëtare:
“…Ju kena pasë vu në dijeni raportet e ndryshme që ju kemi paraqitë ç’prej dy muejvet qëllimin që ndjekin Serbo-Malazezët për të zhdukë racën shqiptare dhe ju kena qenë lutë me vu nën administratë ndërkombëtare tanë Kosovën. Ngjarjet e zhvillueme njana mbas tjetrës, përforcojnë e provojnë drejtësinë e pretendimevet t’ona. Plaçkitja e tregut të Pejës, ngjarja e përgjakshme e Podgorit, sulmi kundra Plavës e Gucisë, kundra Hasit, Lumës e Peshkopisë, pasunisë së luejtshme të grabitun ndër qytete e katunde të Kosovës, dërgimi dhunisht kundra vullnetit të popullit i një delegati në kongres të Podgoricës e tjera ngjarje këso dore ndjekin njana tjetrën, pse Serbët janë të sigurtë se nuk kanë me psue ndonjë ndëshkim për të gjitha këto krime barbare. Qellimet e deshirët barbare të Sllavëvet duken qartë prej letravet që na kanë ardhë prej Plave e Gucije, të cilat po ju paraqesim bashkëlidhun…”.
Për të parë më për së afërmi vrasjet, grabitjet si dhe mizoritë e krimet barbare të ushtrisë pushtuese serbo-malazeze në krahinat e Rugovës, Plavës e Gucisë, në vazhdim po i paraqesim disa prej tyre: në fshatin Koshotan të krahinës së Rugovës, kishin grabitë 200 krerë dele të Jashar Murtit, 280 të Hys Hamzasë, 100 të Sadri Harizit e 200 të Met Zyberit. Përveç kësaj, ata kishin vrarë edhe tre barinjtë e Abdyl Harizit, Zymer Smajlin dhe Salih Alinë bashkë me shokun e tij Temo Ramon. Në fshatin Drellas, vranë Bajram Rustemin dhe i grabitën 280 krerë dele. Në këtë fshat e kanë vra edhe Rexh Haxhinë kur ky kishte bërë përpjekje me e mbyll derën në momentin kur serbët kishin filluar me ia plaçkitë shtëpinë. Në fshatin Koshishtë kanë vra Xhixh Sokolin dhe ia kanë marrë me dhunë 60 dele, 3 lopë e një kal dhe gjithë drithin që kishte. Në fshatin Bukel, Mursel Salihit i kishin grabitë 140 dele, 60 Abedin Baxhujit dhe 70 Halil Zeqës, që më pas i vrasin që të tre. Në fshatin Bisirnicë kanë vra Mehmet Ismajlin, Ibish Bajramin dhe tre barinj bashkë me njëqind krerë dele e shumë krime e mizori tjera.
(vijon nesër)