Analisti politik, Marko Troshanovski thotë se hyrja e Alternativës në Qeveri mund të siguron një stabilitet të shumicës, por sipas tij, Alternativa me këtë veprim po tregon një papjekuri të madhe politike pasi që para disa jave ishte inicues për rrëzimin e kësaj qeverie. “Alternativa brenda Qeverisë realisht do të mund të merr një numër të caktuar të votave klienteliste në zgjedhjet e ardhshme, por do të humb votuesin që kryesisht është opozitarë”
Xhenur ISENI
Shkup, 1 dhjetor – Një pjesë shumë serioze e ndarjes së kulaçit qeveritar, të cilën një parti me vetëm katër deputetë në rrethana të tjera nuk do të mund ta merrte, mund të jetë motivi kryesor i hyrjes së mundshme të Alternativës opozitare në Qeveri, megjithëse sipas njohësve të proceseve politike, kjo parti në të njëjtën kohë po tregon paqëndrueshmëri politike. Njëzet ditë më parë dështoi votimi i mosbesimit ndaj Qeverisë, kur deputeti Kastriot Rexhepi nga Lëvizja BESA ndërroi mendje në moment të fundit dhe nuk mbështeti opozitën, pasi partia e tij u largua nga koalicioni qeveritar. Kjo e vendosi Parlamentin në një situatë të pazakontë ku askush nuk ka shumicën. Opozita ka aktualisht 60 deputetë, po aq sa shumica e Qeverisë. Për të siguruar shumicën dhe funksionimin e Parlamentit, LSDM në pushtet po negocion që Alternativa të hyjë në Qeveri, duke zëvendësuar Lëvizjen BESA e cila u largua nga koalicioni qeverisës.
Lideri i LSDM-së dhe ai i Alternativës, Zoran Zaev dhe Afrim Gashi dje mbajtën takim të ri për hyrjen eventuale të Alternativës në Qeveri. Përfundimet e takimit katërorësh mes Zaevit dhe Gashit dje në Klubin e deputetëve në Shkup janë bërë të ditura përmes një komunikate nga pres-shërbimi i Qeverisë, pasi Zaevi në dalje vetëm shkurt tha se kanë pasur takim konstruktiv. “Bashkëbiseduesit janë të mendimit se kursi reformues dhe evropian për të cilin janë përcaktuar qytetarët dhe shteti duhet të vazhdojnë dhe se në këto momente më i rëndësishëm është stabiliteti i institucioneve të shtetit, të cilat u shërbejnë qytetarëve. Filluan bisedimet për ndërmarrje dhe ndarje të përgjegjësive në interes të qytetarëve dhe shtetit, me ç’rast u këmbyen mendime rreth zgjidhjeve të mundshme kadrovike të cilat duhet t’i ndërmarrin obligimet potenciale dhe përgjegjësitë, përkatësisht për pozitat adekuate, ministra, zëvendësministra dhe persona të tjerë udhëheqës në kuadër të pushtetit qendror”, qëndron në kumtesën e shërbimit qeveritar për shtyp.
Takimi i parë mes Zaevit dhe Gashit u mbajt më 19 nëntor, disa ditë pas dështimit të mocionit për mosbesim të Qeverisë. Në këtë situatë katër deputetët e Alternativës vlejnë shumë më tepër sepse prej tyre mund të varet mbijetesa e koalicionit qeverisës LSDM-BDI. Sipas asaj që po flitet në koluaret partiake thuhet se Alternativa pret dy poste ministrore, si dhe pozita drejtoresh, duke përfshirë disa prej atyre që drejtohen nga BDI. Sipas informacioneve jozyrtare, poste ministrore do të kërkohen në punë dhe politikë sociale, shëndetësi, kulturë, bujqësi dhe arsim.
Analisti politik, Marko Troshanovski, thotë se hyrja e Alternativës në Qeveri mund të siguron një stabilitet të shumicës, por sipas tij Alternativa me këtë veprim po tregon një papjekuri të madhe politike pasi që para disa jave ishte inicues për rrëzimin e kësaj qeverie. “Mendoj se hyrja e Alternativës në Qeveri do të siguron stabilitet. Nga ana tjetër në afat të mesëm, do të pasqyrohet negativisht në rejtingun e LSDM-së, por para se gjithash mendoj se me hyrjen në Qeveri, pas disa javëve që tentoi ta rrëzon të njëjtën, Alternativa po tregon një papjekuri të madhe politike, dhe përsëri nuk ka arritur që qytetarët te ky subjekt ta njohin zgjidhjen apo opsionin alternativ të qeverisjes së BDI-së”, ka deklaruar për KOHA, Troshanovski. Nga Alternativa thonë se hyrja e tyre eventuale në pushtet do të ishte të vazhdohet kursit euro-atlantik i vendit, zgjidhja e mosmarrëveshjes me Bullgarinë dhe fillimi i bisedimeve me BE-në, si dhe ruajtja e stabilitetit politik dhe ekonomik. Zëdhënësi i partisë Orhan Murtezani ditë më parë tha se hyrja e tyre në pushtet do të varet edhe nga fakti nëse “partnerët aktualë të qeverisë janë të gatshëm të heqin dorë nga një pjesë e fuqisë së tyre për të krijuar një ekuilibër në pushtet”. LSDM lë të kuptohet se është e gatshme të heqë dorë nga një pjesë e pushtetit në favor të Alternativës, por nga BDI-ja nuk ka asnjë paralajmërim për një gjë të tillë.
Një tjetër motiv i mundshëm politik i Alternativës për të hyrë në Qeveri mund të jetë pozicionimi në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Nëse hyjnë në Qeveri, do të mund të punësojnë njerëz, të shpërndajnë tenderë dhe të kenë të gjitha përfitimet që sjell qeveria dhe pastaj ta përdorin atë për të përfituar votues. Analistët thonë se në atë mënyrë realisht do të mund të merrnin një numër të caktuar të votave klienteliste, por do të humbnin votues që kryesisht janë opozitarë. (koha.mk)