Laura PAPRANIKU
Shkup, 7 janar – Të rinjtë shqiptarë, të cilët kualifikohen për të dhënë mësim në lëndën e gjuhës maqedonase, nuk shihen me sy të mirë nga anëtarët e Komisioneve për dhënien e provimeve shtetërore, shkruan gazeta KOHA. Ka raste kur shumë maqedonas nuk mund ta pranojnë faktin se si një shqiptar mund të punësohet si arsimtar i gjuhës maqedonase në një shkollë fillore a të mesme e, për fat të keq, këso logjika të mbrapshta i gjen deri në strukturat më të larta të sistemit arsimor, respektivisht në komisionet e provimeve shtetërore që realisht janë filtri i fundit për marrjen e “vizës” së mësimdhënësit. Jo shumë kohë më parë, për njërën prej dy arsimtareve shqiptare të lëndës së maqedonishtes në Shkollën Fillore “Imri Elezi” në Shkup, provimi shtetëror u kthye në betejë të kauzave nacionale. Në muajin tetor, kur u përballën me një kandidate shqiptare, nuk mund ta besonin se si ajo do të punësohej për të dhënë mësim në gjuhën maqedonase në atë shkollë. Çështja, sikurse tregon drejtoresha e shkollës, Merita Koxhaxhiku, shkoi deri në Ministri të Arsimit, sa u desh intervenimi i inspektorëve për t’u organizuar disa javë më vonë dhënia e provimit shtetëror nga ana e arsimtares në fjalë.
“Kur ishin siguruar se nuk është bërë ndonjë gabim, pra se kandidatja ishte në provim pikërisht për lëndën e maqedonishtes dhe se është e diplomuar për gjuhë dhe letërsi maqedonase në Universitetin “Kirili dhe Metodi” të Shkupit, kishin nisur ta pyesin për gjëra që s’kanë të bëjnë me provimin, pra se kur ka nis punë, kur është hapur konkursi, kur dhe si ka konkurruar, si dhe për gjëra të ngjashme. Në vend që të vlerësojnë anën profesionale të kandidates, sikurse e kërkon rendi i provimeve shtetërore të mësimdhënësve, anëtarët e komisionit u morën me çështje të tjera”, shpjegon për KOHA, Koxhaxhiku. Pra, shumë thjeshtë, nuk kanë mundur ta besojnë që një shqiptare ka këtë kualifikim dhe që ajo do të punësohet për të dhënë mësim në lëndën e gjuhës maqedonase. Shihet qartë, se dikujt nuk i konvenon kjo, pasi ishin mësuar që deri vonë këto vende pune t’i mbanin maqedonasit. SHF “Imri Elezi”, ashtu si edhe pjesa dërmuese e shkollave fillore në Shkup, për lëndën e maqedonishtes kanë pasur kryesisht mësimdhënës maqedonas, edhe pse në kundërshtim me ligjin. Mirëpo, ndryshimi i asaj gjendej në shkollat shqiptare nuk u konvenon elitave të sistemit arsimor, të cilat në vend që të kujdesen për ligjin, mendojnë të ruajnë edhe me tej “kauzat” nacionale, atë të vendeve të punës për mësuesit maqedonas. Madje, edhe atëherë kur këtë nuk ua lejon ligji. Ligji për arsim fillor e përcakton në mënyrë të qartë se “mësimdhënësi duhet ta njoh gjuhën e nxënësve me të cilët zhvillon mësimin”, e që në rastin konkret do të thotë se në paralelet me mësim në gjuhën shqipe, lëndën e maqedonishtes duhet ta zhvillojnë mësues shqiptarë ose që e flasin gjuhën shqipe. Mirëpo, këtë obligim ligjor shkollat nuk e përmbushin as sot e kësaj dite, pasi zëvendësimi i mësimdhënësve maqedonas me mësimdhënës shqiptarë ecën ngadalë, vetëm pas pensionimit të të parëve. Pasojat e kuadrit joadekuat, janë të dukshme. Shqiptarët megjithëse e kanë pasur të detyrueshëm mësimin e gjuhën maqedonase, që në klasë të katër, kanë probleme të rënda me zotërimin e kësaj gjuhe. Në shumë raste të tjera, kur mësimdhënësit janë shqiptarë ndodh që të mos jenë me kualifikim adekuat, pra të kenë të kryer ndonjë fakultet tjetër, kryesisht gjuhën dhe letërsinë shqipe drejtimi i pedagogëve ose drejtimi i përkthyesve. Në asnjërin prej këtyre drejtimeve nuk mësohen metodikat dhe didaktikat e mësimit të gjuhës dhe letërsisë maqedonase, ndërsa Fakulteti Pedagogjik, i cili përgatit kuadër për shkollat fillore nuk ka drejtime të grupeve klasore për mësues të lëndës maqedonase për nxënësit shqiptarë. Në SHF “Imri Elezi”, nga tre arsimtare për lëndën e gjuhës maqedonase, dy janë shqiptare (të punësuara njëra para tre muajve dhe tjetra para dy viteve), kurse tjera është maqedonase. “Ka 20 vjet që është e punësuar si mësimdhënësve në shkollën tonë dhe jemi të kënaqur me punën e saj”, thotë drejtoresha Koxhaxhiku. Ajo, le për t’u kuptuar se zëvendësimi i saj me mësimdhënës shqiptarë për lëndën e gjuhës maqedonase në paralelet shqipe do të bëhet pas pensionimit, pasi është e angazhuar pjesërisht në paralelet shqiptare dhe pjesërisht në paralelet maqedonase, të cilat edhe ashtu mbahen gjallë në mënyrë artificiale, me nga dy-tre ndonjëherë edhe me vetëm një nxënës në kalë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.