Pason Informata e përgatitur nga shërbimi informativ pranë KQ të LKJ-së në Beograd, mbi situatën në Prishtinë gjatë orëve të paradites së 2 prillit 1981, e cila mbështetet mbi njoftimet, përkatësisht depeshet e Tanjugut. Në kuadër të kësaj përfshihen edhe Konkluzionet e dy kryesive të atëhershme jugosllave: Kryesisë së KQ të LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së, të datës 1 dhe 2 prill 1981, Vendimi i Kryesisë së RSFJ-së i datës 2 prill të atij viti, me të cilin shpallet gjendja e jashtëzakonshme në qytetin e Prishtinës, si dhe Vendimi i Kryesisë së KQ LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së, për shpalljen e gjendjes së krizës po në qytetin e Prishtinës
Nga Qerim LITA
(vijon nga dje)
Me rastin e 39 vjetorit të demonstratave studentore të vitit 1981 në Kosovë, lexuesit e gazetës KOHA – Shkup, në dy numrat në vazhdim kanë mundësi të informohen drejtpërdrejti me disa dokumente të pabotura deri më tash e të cilat bëjnë fjalë për rrjedhat e demonstratave studentore të vitit 1981 nëpër qytetet e ndryshme të Kosovës, në rastin konkret në Prishtinë e në Podujevë më datë 1 dhe 2 prill të vitit 1981. Fillimisht po e shpalosim Informatën e kryetarit të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Mahmut Bakalli, dërguar më 2 prill të atij viti Kryesisë së KQ të LKJ-së, ku në mënyrë kronologjike përshkruhen rrjedhat e demonstratave të organizuara gjatë 1 prillit në Prishtinë dhe Podujevë dhe paradites së 2 prillit në Prishtinë, si dhe masat e marra nga ana e forcave të sigurisë përfshi këtu edhe Forcat e Armatës së RSFJ-së. Më pas, pason Informata e përgatitur nga shërbimi informativ pranë KQ të LKJ-së në Beograd, mbi situatën në Prishtinë gjatë orëve të paradites së 2 prillit 1981, e cila mbështetet mbi njoftimet, përkatësisht depeshet e Tanjugut. Në kuadër të kësaj përfshihen edhe Konkluzionet e dy kryesive të atëhershme jugosllave: Kryesisë së KQ të LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së, të datës 1 dhe 2 prill 1981, Vendimi i Kryesisë së RSFJ-së i datës 2 prill të atij viti, me të cilin shpallet gjendja e jashtëzakonshme në qytetin e Prishtinës, si dhe Vendimi i Kryesisë së KQ LKJ-së dhe Kryesisë së RSFJ-së, për shpalljen e gjendjes së krizës po në qytetin e Prishtinës. Dokumentet në fjalë gjenden në Arkivin e Sllovenisë, Lubjanë, të cilat siç u tha më lartë, botohen për herë të parë dhe në formë të plotë.
“SHËNIM nga mbledhja e anëtarëve të Kryesisë së RSFJ-së dhe anëtarëve të Kryesisë së KQ LKJ-së të cilët kanë qenë në Beograd, më 1 dhe 2 prill të vitit 1981
Në mbledhje përveç anëtarëve të Kryesive të cilët kanë qenë në Beograd më 1 prill kanë marrë pjesë: D. Markoviq, T. Kurtoviq dhe F. Herljeviq, ndërsa më 2 prill: D. Markoviq, D. Stavrev, T. Kurtoviq, M.Protiq dhe R. Popoviq.
Mbi bazën e informatave të marra është shqyrtuar situata në Kosovë. Mbi bazën e vlerësimit se bëhet fjalë për një situatë krize është sjell konkluzioni:
- Të urdhërohet që Komiteti për MPP dhe VMSH të KSA të Kosovës të veprojë sipas planit ‘Rubin-81’, posaçërisht të ndërmerr masa për mbrojtjen e objekteve publike dhe ato më të rëndësishme në Kosovë.
- Të lëshohet urdhëresë për përdorimin e njësive të APJ-së për mbrojtjen e objekteve publike (RTV, PTG, BP etj. në Prishtinë).
- Policia e KSA të Kosovës e përforcuar me pjesë të brigadave speciale të SFPB-së të bllokojë hyrje daljet e qytetit dhe udhëkryqet brenda në qytet.
- Të kryhet diferencimi me të burgosurit nga demonstratat e deritanishme dhe ato që nuk paraqesin ndonjë interes të veçantë për hetime të mëtutjeshme gradualisht të lirohen nga burgu.
- Nëpërmjet TANJUG-ut të lëshohet lajmi për një përpjekje të sërishme të prishjes së rendit dhe qetësisë publike në Prishtinë nga ana e elementeve armiqësore.
- Kryetari i Kryesisë së KSA të Kosovës, Xhavit Nimani, duhet që sa më parë të del para mjeteve të informimit publik për t’i sqaruar popullit të KSA të Kosovës dhe opinionit jugosllav rreth gjendjes së krijuar. Paraqitja duhet të jetë ofensive. Gjithashtu, me 2 prill duhet të paraqiten para opinionit publik edhe personalitete të caktuara nga udhëheqja e RS të Serbisë.
Me3 prill shoku Fadil Hoxha duhet të paraqitet para opinionit publik të Kosovës. Paraqitjen e tij duhet ta përcjellin të gjitha stacionet e RTV në Jugosllavi.
- Të përgatitet projekt vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës në KSA të Kosovës dhe zbatimi i planit ‘Rubin-81’ dhe projekt vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në qytetin e Prishtinës. Vendimi do të sjellët sipas nevojës.
- Forcat policore nga KSA të Kosovës dhe njësitë policore të dërguara në Kosovë nga RS të Serbisë, Maqedonisë e të Malit të Zi të bashkohen nën komandën operative të komandantit të brigadës speciale të SFPB-së. Vendimi për përdorimin e forcave të tilla policore merret pas dekretimit të kryetarit të Kryesisë së KSA të Kosovës, Xh. Nimani.
- Komitetit për MPP dhe VMSH të KSA të Kosovës t’i sugjerohet që të bëjë mobilizimin e përbërjes rezervë të policisë dhe njësive kompetente. Ky mobilizim të jetë pa armatim me qëllim të ruajtjes së rendit në Prishtinë, ndërsa sipas nevojës edhe në vendet tjera.
- Qeveria Federative duhet të mbajë mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën të bëhet përcaktimi i masave që duhet të ndërmerren nga ana e saj dhe për këtë të njoftohet Kryesia e RSFJ-së.
- Gazetarëve të huaj duhet t’u pamundësohet shkuarja në Kosovë, mirëpo njëkohësisht duhet të informohen në mënyrë përkatëse për shkak zvogëlimit të presionit nga ana e tyre për shkuarjen në Kosovë.
- Të mbahet mbledhje me kryeredaktorët e mjeteve të informimit publik për harmonizimin e trajtimit të ngjarjeve në Kosovë.
Veçmas duhet të përpunohet dhe përdoret mënyra e informimit të opinionit tonë për ndodhitë në Kosovë.
- Sa më parë duhet të shqyrtohen shkrimet e kohës së fundit të shtypit rinorë, posaçërisht ai studentor, për shkak marrjes së masave të duhura. Menjëherë duhet të pamundësohet botimi i shkrimeve destruktive në atë shtyp. Lidhur me shkrimet e tilla prokuroria duhet ta kryej detyrën e vetë.
- Në gjendjen e tanishme duhet të ndërmerren masa sa më të rrepta ndaj çdo veprimtarie armiqësore e destruktive.
- Sa më parë duhet në mbledhjet e dy kryesive të vlerësohet gjendja aktuale politike dhe e sigurisë në vend, veçmas të përcaktohet se cilat janë gjasat potenciale që mund të krijojnë gjendje krize në disa mjedise apo në mbarë vendin dhe në lidhje me këtë cilat masa duhet të ndërmerren.
- Në bazë të informatës dhe propozimit të lëshuar nga mbledhja e Këshillit për Mbrojtjen e Rregullit Kushtetues mbajtur në Zagreb, më 2 prill 1981, u vendos:
– të dërgohet në Prishtinë një grup i shokëve nga Federata dhe RS e Serbisë për njoftimin paraprak me gjendjen dhe masat e ndërmarra në Prishtinë nga ana e udhëheqjes së KSA të Kosovës. Nga Federata duhet të shkojnë: V. Zharkoviq, D. Dragosavac dhe A. Marinc.
– që njësitë e APJ-së të vendosen nëpër udhëkryqet e komunikacionit në hyrje daljet e Prishtinës dhe edhe më tej të bëjnë sigurimin e objekteve publike në Prishtinë,
– SFMP-ë (Sekretariati Federativ i Mbrojtjes Popullore-Q.L.) duhet të ndërmerr masat e duhura për mbrojtjen e kufijve,
– në mbledhjen e dy kryesive duhet të vlerësohet nevoja e shpalljes së gjendjes së krizës në mbarë territorin e KSA të Kosovës dhe të vendoset për zbatimin e planit ‘Rubin-81’ si edhe për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Komunës së Prishtinës,
– të bëhen përgatitjet dhe të jepen informata më të zgjeruara aktivit politik të LKJ-së për gjendjen në Kosovë,
RS e Serbisë në momentin e tanishëm patjetër duhet ta përforcojë angazhimin e sajë në aksionin e përgjithshëm politik.
- Të mbahet mbledhje e përbashkët e dy kryesive më 2 prill në ora 18.00 për shkak vlerësimit të gjendjes dhe të marrjes së masave adekuate”.
“VENDIMI për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e komunës së Prishtinës
Në bazë të nenit 313 dhe nenit 316 të Kushtetutës së RSFJ-së si dhe nenit 23 të Rregullores së punës së Kryesisë së RSFJ-së, në mbledhjen e 2 prillit 1981 solli
VENDIM për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Komunës së Prishtinës
- Shpallet gjendja e jashtëzakonshme në territorin e Komunës së Prishtinës dhe autorizohen organet kompetente t’i ndërmarrin masat e duhura në pajtueshmëri me vlerësimin e gjendjes, mbi bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, e në veçanti;
– ruajtjen e rendit dhe qetësisë;
– mbrojtjen e pronës dhe sigurisë personale të qytetarëve;
– mbrojtjen e objekteve me rëndësi të veçantë shoqërore;
– të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 20,00 e deri në 05,00;
– të kufizohet lëvizja e shtetasve të huaj dhe përfaqësive diplomatik-konsullore;
– të rritet shkalla e kontrollit në kalimet kufitare.
- Në pajtueshmëri me vlerësimin e gjendjes organet kompetente mund të ndërmarrin edhe masa tjera përkatëse.
- Nëse gjendja e sigurisë imponon masa të njëjta mund të përdoren edhe në mbarë territorin e KSA të Kosovës.
- Ky Vendim t’i dorëzohet Qeverisë Federative dhe qeverive republikane e të krahinave autonome.
- Ky Vendim hynë në fuqi menjëherë dhe nuk do të botohet në ‘Gazetën zyrtare të RSFJ’-së”.
KRYESIA E REPUBLIKËS SOCIALISTE FEDERATIVE TË JUGOSLLAVISË
KRYETAR, Cvijetin Mijatoviq
Arsyetim: Në dispozitat e Kushtetutës së RSFJ-së nuk përmendet termi “gjendje e jashtëzakonshme”. Për sjelljen e Direktivave të Kryetarit të Republikës, kryetarit të LKJ-së dhe komandantit suprem të Forcave të Armatosura të RSFJ-së, që ka hyrë në fuqi më 12 janar të vitit 1979, si bazë juridike është shfrytëzuar dispozita e nenit 342. paragrafi 1. Pika 1 dhe 2 të Kushtetutës së RSFJ-së, ku thuhet: ‘Kryetari I Republikës, si komandant suprem i forcave të armatosura të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë:
1) udhëheq dhe komandon me forcat e armatosura të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe përcakton planet bazë dhe masat përgatitore për mbrojtjen e vendit;
2) përcakton planin e përdorimit të forcave të armatosura të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në rast lufte dhe urdhëron përdorimin e forcave të armatosura në paqe;
Nisur nga kjo, si bazë juridike për sjelljen e këtij Vendimi Kryesia mund ta shfrytëzoj autorizimin nga neni 313 paragrafi 3 dhe neni 316 paragrafi 2 të Kushtetutës së RSFJ-së në të cilat thuhet shprehimisht:
Neni 313 paragrafi 4
‘Kryesia e RSFJ-së është organi më I lartë udhëheqës dhe komandues i forcave të armatosura të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në luftë e në paqe’.
Neni 316 paragrafi 2
‘Kryesia e RSFJ-së përcakton planin e përdorimit të forcave të armatosura të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë në rast lufte dhe urdhëron përdorimin e forcave të armatosura në kohë paqe’.
Gjithashtu, Kryesia e RSFJ-së mundet, si e autorizuar për sjelljen e këtij Vendimi ta shfrytëzoj edhe nenin 23 të Rregullores së punës së Kryesisë së RSFJ-së, ku thuhet:
‘Në rast situatave të jashtëzakonshme apo të paparashikuara, Kryesia i realizon të drejtat dhe obligimet e veta të përcaktuara me Kushtetutë në mbledhjet në të cilat e fton kryetarin e Kuvendit të RSFJ-së, kryetarin e Këshillit Ekzekutiv Federativ, si dhe sekretarin federative për Punë të Jashtme, për Mbrojtje Popullore dhe për Punë të Brendshme. Në këto mbledhje Kryesia vlerëson situatën e krijuar dhe sjell vendime meritore, përkatësisht merr qëndrime, me të cilat njoftohen organet e organizatat përkatëse’. Përkujtojmë se në Rregullore, në nenin e cituar, në mënyrë shprehimore përdoret termi “situata e jashtëzakonshme”.
“VENDIMI për shpalljen e gjendjes së krizës në territorin e komunës së Prishtinës dhe për përdorimin e planeve për situata krize
Mbi bazën e pikave të Direktivës së Kryetarit të Republikës, Kryetarit të LKJ-së dhe komandantit suprem të Forcave të Armatosura të RSFJ-së për përgatitjen dhe ndërmarrjen e masave dhe aktiviteteve për pengimin dhe eliminimin e situatës eventual të krizës në vend DT nr.01-13/1 nga 12 janari i vitit 1979 Kryesia e KQ LKJ-së dhe Kryesia e RSFJ-së në mbledhjen e përbashkët të mbajtur më 2 prill 1981 sollën VENDIM për shpalljen e gjendjes së krizës në territorin e komunës së Prishtinës dhe për përdorimin e planeve për situata krize
- Shpallet gjendje krize në territorin e komunës së Prishtinës dhe autorizohen organet kompetente të ndërmarrin masa e aksione përkatëse në përputhje me planet për gjendje krize.
- Me këtë vendim të njoftohen organet e organizatat kompetente.
- Ky Vendim hynë në fuqi menjëherë.
KRYETAR I KRYESISË SË KQ LKJ-së, Lazar Mojsov,
KRYETAR I KRYESISË SË RSFJ-së, Cvijetin Mijatoviq”.
(fund)