Nga Emin AZEMI
Protestat që po mbahen ditëve të fundit, nuk janë spontane. Ato kanë një bashkërendim të pastër parainstitucional dhe për qëllime politike manifestojnë ide e mesazhe që përçojnë ekskluzivisht një platformë të një strukture partiake. Në Maqedoni populizmi ende shitet si demokraci. Ajo çka po ndodhë rrugëve e shesheve të këtushme është një instalim i çoroditur i turmës në hapësirën publike. Komunkimi normal midis qytetarëve po zëvendësohet me tiraninë semantike të parullave të cilat dhunojnë lirinë shprehjes publike. Qytetari brenda natës bëhet komit, i veshur me petkat guerile të matrapazit urban, që për një senduiç e dorëzon veten lirë në paradhomat e politikës së ditës.
Maqedonia po bëhet megafon i zërave që përvetësojnë dhunshëm kuptimin e protestës qytetare. Gjithmonë, diktatorët, popullin e kanë përdorur për të fshehur vogëlsinë e tyre mjerane para gjyqeve që mund ti bëj po ai popull. Ballafaqimi i dy të vërtetave, ku njëra gjithmonë është e mbuluar me pluhurin e retorikës patriotike, herët a vonë përfundon atëherë kur kauza morale triumfon mbi pseudoargumentet populiste. Protesta kundër gjuhës shqipe, është perde tymi që ndan dy realitete brenda një kohe dhe hapësire. Ata që po e fabrikojnë frikën nga gjuha shqipe, në fakt po e instalojnë spektaklin e një loje me publik të dirigjuar.Trillet mesjetare të toreadorëve mund të jenë një shpikje e përkohshme e albanofobëve, por gjuha shqipe nuk mundet të jetë përfundimisht pëlhura e kuqe që i shpëton ata nga demat e tërbuar. Nëse dikush na e imponion interesin publik si kauzë atdhetare të një grupi njerëzish dhe mbi të gjitha kur kjo bëhet në një shoqëri multietnike e multifetare, atëherë prishen balancat e domosdoshmne që e bëjnë të qëndrueshme atë shoqëri. Braktisja e platformave demokratike dhe rrëshqitja në hendeqe të paudhësive retrograde, mundet ta shndërrojnë Maqedoninë në arenë të pakuptimt përplasjesh, ku të inkriminuarit e djeshëm bëhen shpëtimtarë të sotëm. Sido që të jetë, Maqedonia nuk guxon të jetë vagon i shkëputur i një rrugëtimi të gabuar. Ndonëse mund të ketë udhëtarë që do të donin të jenë banorë të përhershëm të atij vagoni, megjithatë shumica prej tyre destinacion të vetëm kanë Brukselin dhe Uashingtonin. Shqiptarët në gjithë këtë rrugëtim mund të jenë dëshmitarë të vendndalesave të çuditshme, por ata nuk do të duhej për asnjë çast të dalin nga treni euro-atlantik, sepse vetëm kështu itinerari i tyre ka kuptim civilizues. Ne mund të kemi shumë bashkudhëtarë, por në destinacionin e fundit arrijnë vetëm ata që kanë qëllime e aspirat të përbashkëta. Shqiptarët në Maqedoni do të jenë aleatë të denjë të të gjithë atyre që ëndërrën europiane e kanë të përbashkët. Gjithçka që del jashtë këtij diskursi është e destinuar të dështojë.