Komiteti ka verifikuar gjithsej 90 denoncime për muajin shtator 2020, krahasuar me 45 denoncime për muajin e njëjtë vitin e kaluar. Shumica e rasteve në muajin shtator iu referuan përsëri denoncimeve të gjuhës së urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike, e cila është në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i pandemisë globale në muajin mars të këtij viti
Omer XHAFERI
Shkup, 13 tetor – Edhe përkundër numrit të madh të thirrjeve publike për veprim aktiv në terren dhe në mediat sociale për sanksionimin e gjuhës së urrejtjes, ende ekziston pasivitet dhe mosveprim nga ana e institucioneve përkatëse. Ky konstatim përfshihet në raportin e fundit të Komitetit të Helsinkit, ku thuhet se mosveprimi vërehet sidomos nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike, shkruan gazeta KOHA.
“Komiteti ka verifikuar gjithsej 90 denoncime për muajin shtator 2020, krahasuar me 45 denoncime për muajin e njëjtë vitin e kaluar. Shumica e rasteve në muajin shtator iu referuan përsëri denoncimeve të gjuhës së urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike, e cila është në rritje të vazhdueshme që nga fillimi i pandemisë globale në muajin mars të këtij viti. Retorika negative u përshkallëzua këtë muaj në mediat sociale, që kontribuoi në rritjen e numrit të denoncimeve për gjuhë të urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike, madje 44% të numrit të përgjithshëm të denoncimeve për muajin shtator”, thuhet në Raportin e Komitetit të Helsinkit.
Përveç sanksionimit të ashpër të gjuhës dhe veprave të urrejtjes, nga atje vlerësojnë se duhet të të zbatohen edhe masa të tjera nga vendet që kanë zgjidhje pozitive në këtë fushë. Kjo, sipas tyre, duhet të zbatohet veçanërisht për grupet e tifozëve, si një gjenerator kryesor i gjuhës së urrejtjes në shoqërinë tonë.
“Shumë grupe tifozësh huliganë në të gjithë Evropën sot janë një pjesë konstruktive e komunitetit, kurse dhunën dhe egërsinë e kanë zëvendësuar me aktivitete humanitare dhe mbështetje të kauzave pozitive. Për të qenë në gjendje të lëvizim si në këto shembuj, është thelbësore që institucionet të zbatojnë ligjin pa dallim, në mënyrë rigoroze dhe të përpiktë. Me rëndësi të njëjtë është edhe puna e drejtpërdrejtë me anëtarët e grupeve të tifozëve, zgjidhjen e konflikteve në një mënyrë jo të dhunshme dhe paqësore dhe dhënien e një nxitje për të rimenduar ekzistencën e tyre në një drejtim konstruktiv”, thonë nga Komiteti i Helsinkit.
Aktivisti dhe ish i burgosuri politik, Shpëtim Pollozhani, duke e komentuar zvarritjen e procedimit të rasteve të fundit kur tifo-grupi “Komiti” brohoriste parulla anti shqiptare “Shqiptar i mirë, shqiptar i vdekur”, thotë se sloganet e tilla nga anëtarët e këtij grupi bëhen në kuadër të forcimit të vetë identitetit të cilit i takojnë. Sipas tij, përpos që janë djem të rinj, anëtarët e këtij grupi janë edhe anëtarë të partisë, kryesish të VMRO-së.
Zanafilla e këtyre parullave, siç thekson aktivisti Pollozhani, daton që nga vitit 1997, kur para Parlamentit të Maqedonisë protestonin personalitete si Antonio Milloshoski, Vllatko Gjorçev, Filip Petrovski dhe të tjerë.
“Mos ndëshkimi i këtyre grupeve është stimulim i drejtpërdrejtë i tyre. Këto jo që duhet të pengohet, por atyre duhet shqiptuar dënime të rënda që të mbushen me mend. Ne kemi përfaqësues në Parlament dhe ata pas çdo rasti të tillë, duhet të thërrasin në interpelancë ministrin e Policisë, dhe të kërkojnë nga ai një raport çka bërë dhe deri ku është çështja e padive në prokurori. Tutje, nëse prokuroria i bllokon çështjet, duhet të thirret në interpelancë ministri i Drejtësisë, dhe të shihet, të emërohet me emër dhe mbiemër ai i cili i stimulon këto sjellje rrugaçërie, anti njerëzore, tha Pollozhani.
Ndryshe, sipas të dhënave të Komitetit të Helsinkit, gjatë periudhës mars-shtator të këtij viti, në vend ishin regjistruar 662 denoncime në lidhje me gjuhën e urrejtjes, prej të cilave 353 denoncime i referohen gjuhës së urrejtjes bazuar në përkatësinë etnike. Nga ana tjetër, në periudhën e njëjtë gjatë vitit 2019 ishin regjistruar gjithsej 379 denoncime për gjuhë të urrejtje, prej të cilave 130 denoncime në bazë etnike. Analizat e realizuar nga Komiteti në fjalë tregojnë se krahasuar me vitin e kaluar gjuha e urrejtjet këtë vit shënon rritje prej 280 për qind. Megjithatë, shumë pak apo aspak nga këto denoncime nuk kanë epilog gjyqësor. (koha.mk)