(Në vend të përgjigjes të një shkrimi të Shaqir Islamit, botuar në gazetën KOHA, Shkup)
Vërtet sot, në kohën tonë, gjithçka mund të ndodhë. Por, se mund të ndodhë që nga çajtoret dhe merave të fshatit të jepen qëndrime rreth një institucioni shumë serioz, siç është Bashkësia Fetare Islame e RMV – kjo nuk na ka shkuar ndër mend, në veçanti nga një i quajtur kolumnist, preokupim i të cilit janë thashethemet.
Islam Shaqiri prej çajtores së fshatit në kolumnën e tij “Haram” po sulmon Reis’ul-Ulemanë, se gjoja merret me çështjen e Erdoganit dhe të Turqisë e të turqve, e aspak me çështjen shqiptare. Mënyra se si shkruan, tregon se është shumë i ngarkuar psikikisht; mbase i mungon siguria i të qenit shqiptar. Kjo përvojë vjen nga ata që, shpeshherë, kur dështojnë në vetvete, janë të këtillë, mu ashtu siç komunikon edhe Islam Shaqiri – pa njohuri, pa logjikë, pa argumente, pa kulturë debati, me mllef; sikur dikush atij personalisht i ka ndonjë hak; i përdhosur, saqë kjo e dërgon drejt një shpifjeje të kulluar. Kjo bënë të mendojmë se sa i paditur dhe sa i painformuar është rreth çështjeve të organizimit fetar-islam, ose sa tendencioz që është.
Njihet i shkreti: njeri që nuk ia diti vlerën as besimit, as xhamisë, as prijësve fetarë. Shaqir Islamit me shkrimin e tij i ka ndodhur si fjala e urtë: “mos e vet’, se tregon vetë”. Shaqir Islami tregon vetë, se aspak nuk qenka i informuar as për besimin e vet, as për institucionin e vet fetar; po, bile, as edhe për imamët e vet që i ka për çdo ditë në fshat, të cilët me siguri i kanë kryer edhe shumë obligime fetare në shtëpi.
E pyesim Shaqir Islamin: Vallë, a ke qenë ndonjiherë në selinë e BFI të RMV? A ke pasur fatin dhe nderin ndonjëherë të takohesh me ndonjë personalitet të lartë fetar – të mos flasim, edhe me Reis’ul-Ulemanë – dhe të bisedosh dhe ta njohësh konceptin bashkëkohor të tij mbi Islamin dhe kombin në përgjithësi, dhe në këtë mënyrë të njihesh me projektet e BFI-së në të kaluarën dhe sot?! Jo! Këtë e di shumë mirë. Po, a ke hyrë ndonjëherë në xhamitë e bukura të fsh. Vrapçisht dhe a ke kontaktuar ndonjëherë me imamët e këtij fshati, që kanë studiuar në qendrat më të mëdha fetare shkencore të vendeve arabe?! E, këtë nuk e dimë. Por, për nga nënçmimi që ua bën atyre, lë përshtypjen sikur nuk ke jetuar në fshatin Vrapçisht dhe sikur nuk je as njeri i xhamisë, e as njeri i konsultimit me prijësit fetarë të Vrapçishtit e më gjerë.
Vetëm diçka na brengos: ofendimi në nivelin më të ulët që ua bën atyre që kryejnë detyrën e myezinit dhe thirrjes së Ezanit. Kjo na sjell ndër mend pyetjen: mos, vallë, ke ndonjë lidhje me VMRO-DPMNE-në?! Ajo shumë pak para shkrimit tuaj bërtiti se, nëse vijnë në pushtet, hapi i parë do të jetë ndalimi i Ezanit, sepse “këtë dhunë nuk kanë mundësi ta dëgjojnë më”, kanë thënë. A e di Shaqir Islami se kjo është tradhtia më e madhe që mund ta bëjë një njeri, kushdo që jetë ai?! Shaqir Islami fort mirë e di që Ezanin nuk arritën ta ndalin edhe situatat më të vështira dhe regjimet më autokratike në botë.
Jemi të vetëdijshëm se nuk ia vlen të merremi me shkrimin e tij dhe me të, po ja për hir të opinionit bëjmë me dije disa çështje, të cilat duhet t’i dijë çdo njeri që e ndjen veten mysliman:
Bashkësia Fetare Islame është institucion i vetëm dhe kompetent që e organizon jetën fetare islame në tërë territorin e BFI të RMV, me mbi një milion besimtarë shqiptarë, turq, torbeshë, romë, boshnjakë etj., e cila qëndron mbi 13 shtyllat e veta që quhen Myftini të BFI, me mbi 700 xhami dhe mbi 1.000 nëpunës fetarë.
Haxhi Sulejman ef. Rexhepi e udhëheq këtë institucion të madh me vullnetin e të gjitha strukturave brenda BFI të RMV, institucioneve fetare, enteve dhe organizatave të saj dhe si udhëheqës në periudhën e tij për herë të parë në historinë kësaj organizate, vetëm me një urdhër, u zyrtarizua gjuha shqipe në nivel administrativ në tërë territorin e saj, edhe atë: në Kryesi, në shkollat e mesme islame, në Fakultetin e Shkencave Islame, në media dhe në shumë sfera të tjera. Të njëjtat të drejta i kanë edhe vëllezërit tanë anëtarë të BFI të RMV: turqit, torbeshët, romët, boshnjakët etj.
Sot, në kuadër të BFI të RMV janë të organizuara mirë Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup, Medreseja Isa Beu në Shkup dhe Paralelet e Shtrira për Vajza në Shkup, Tetovë, Gostivar. Sot kemi mbi treqind studentë, dhjetëra profesorë – akademikë, mbi njëqind profesorë nëpër medresetë dhe afër 900 nxënës dhe nxënëse në procesin edukativo-arsimor. Nuk është lënë pas dore as Maqedonia Lindore, kështu që edhe atje është hapur Paralelja e Shtrirë për Djem e Medresesë Isa Beu, me qëllim të formimit të kuadrove tona për organizmin e jetës fetare islame; pastaj, organizatat e ndryshme, si: ajo “Hilal”, Agjencia e Standardit Hallall etj. etj.
Sa u përket turqve, Erdoganit dhe Turqisë, dhe mllefin që po e nxjerr kundër Reis’ul-Ulemasë vetëm pse po del në krah të njerëzve të larguar nga trojet e tyre të Sirisë, ku humbin jetën me mijëra fëmijë, gra, burra, pleq e të rinj, duke iu falënderuar shtetit turk përmes Presidentit Erdogan, ti merr të drejtën të kritikosh haptas Reisin dhe institucionin që ai udhëheq. Andaj, po të informojmë se Reis’ul-Ulemaja si i pari i institucionit fetar, mban lidhje me të gjitha shtetet ku e shef interesi: me SHBA, me ambasada të ndryshme të shteteve në Maqedoninë e Veriut, me Shqipëri, Kosovë dhe të gjitha shtetet ku e shef interesi institucional.
Të gjykosh dhe të japësh mendim vetëm në bazë të ndonjë debati në kafene, duke pirë kafe, me siguri duke bërë shaka me një turk apo shqiptar, vërtet është akt nonsens për një njeri që thirret intelektual. Çështja e shqipes dhe e turqishtes nuk është çështje kafeneje; është çështje institucionale, e këtë Bashkësia Fetare Islame e ka zgjidhur në mënyrën më të mirë.
Në fund, z. Shaqir Islami, nëse vërtet ke pasur një fije sinqeriteti, por ke shpifur nga fakti se nuk ke pasur njohuri, andaj ne po ta falim ashtu siç kërkon Kurani famëlartë dhe Muhamedi (a. s.), i cili shpesh, edhe në momentet më të vështira, duke iu lutur Zotit, ka ditur të thotë: ”Zoti im. Fali ata, se nuk dinë.” Duke marrë parasysh se nuk ke njohuri për rrjedhat e Islamit dhe të Bashkësisë Fetare Islame në vend dhe jashtë, atëherë nuk je larg – urdhëro në zyrat e Kryesisë, apo të Myftinisë – nëse konsideron se ato shtëpi janë edhe tuat – dhe do shohësh vetëm një të vërtetë: se sa i painformuar je rreth Islamit, e në veçanti për Reis’ul-Ulemanë, për Bashkësinë Fetare Islame dhe Myftinitë e saj në përgjithësi. Në veçanti, do të njihesh edhe me projektet fetare islame në këtë nënqiell.
Vërtet, na vjen pak rëndë se humbim kohë me ju, mu në kohën kur jemi duke kontribuar në tejkalimin e krizës së koronavirusit që po rrezikon njerëzimin dhe këtë nënqiell, po ja që ne kemi konsideratë edhe për ata që nuk na njohin dhe po na fyejnë pa argumente, sado pak t’i përgjigjemi, me qëllim të informimit të tij, si dhe opinionit më të gjerë, që ndoshta i kanë lexuar të pavërtetat dhe shpifjet tuaja. Mbesim me shpresë se ju do ta zgjeroni hapësirën dhe njohuritë tuaja me kontakte, hulumtime dhe pranim të informatave burimore, sepse vetëm në këtë mënyrë do të ngriheni në nivelin për të vlerësuar veprimtarinë e ndonjë personaliteti, institucioni apo diçka tjetër.
Myftinia e BFI – Gostivar
Shërbimi për informim