Si për fillim, ndoshta nuk mund të prodhojmë televizorë apo telefona, por së paku mund të eksportojmë proshutë Korabi apo suxhuk Sharri…
Nga Fisnik PASHOLLI
Shtetet e vogla me resurse të vakëta qoftë njerëzore apo natyrore, e që ngecin në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror jo vetëm pas shteteve evropiane më të përparuara, por edhe në raport me shtetet ish-socialiste si Polonia, Çekia, Sllovakia , Hungaria apo Rumunia, nuk kanë rrugë tjetër të zhvillimit përveçse të investojnë në dituri, teknologji, hulumtime shkencore dhe inovacione. Pse nevojitet një rrugëtim i tillë, i vështirë, me plot pengesa dhe me përkufizime nga më të ndryshmet? Historia moderne na tregon se vetëm shtetet që investojnë në dije bëhen të pasura.
Me fjalë të tjera, nuk është e rëndësishme se sa shumë punohet, por është e rëndësishme se sa njohuri dhe dije investohet në një prodhim . Këtë e dëshmon edhe fakti se një kilogram i telefonave celularë kushton më shumë se një ton domate. Vite me radhë, në Maqedoni adutet kryesore të eksportit janë katalizatorët e “Xhonson Meti”, pjesët për ndezjen e veturës dhe të ngjashme, feronikeli dhe veshmbathja. Ndër prodhimet më të eksportuara, një pjesë e madhe prodhohen nga investitorët e huaj në Zonat e lira ekonomike. Prej tyre, i vetmi prodhim i gatshëm janë autobusët e “Van Holl”, ndërsa prodhimet e tjera janë metale dhe lëndë të para, si feronikeli, duhani, ferosiliciumi, dhe këmishat e prodhuara me sistemin “llon”.
Gjithashtu, më shumë se gjysma e eksportit realizohet nga kompanitë e huaja që shumë pak shfrytëzojnë lëndët e para vendore, por të njëjtat i importojnë për përpunim si dhe falë subvencioneve të majme shtetërore, ndërsa shfrytëzojnë fuqinë e lirë punëtore që në mesatare paguhen nga 16 mijë denarë. Gjithashtu, analiza e Top 100 prodhimeve më të eksportuara nga Maqedonia, tregon se në gishta mund të numërohen produktet me fazë finale të përpunimit apo që janë të dedikuar për konsum final.
Veçori të tjera janë mungesa e shumëllojshmërisë dhe prodhimeve të gatshme për eksport, shpërndarjes më të madhe të eksportit dhe me vlerë të ulët të shtuar, mungesa e kompanive të sofistikuara vendore të orientuara në eksport, si dhe niveli i ulët i shkathtësive dhe njohurive apo diturisë.
Nëse i kthehemi Maqedonisë, vërehet se vite me radhë, pak investojmë në shkencë. Maqedonia për hulumtim dhe zhvillim ndan vetëm 0.44 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të shtetit. Përkundër dyfishimit të kësaj shume prej 0.22 për qind në 2011 në gati 0.5 për qind të PBB-së në 2013, e që paraqet një shumë prej afër pesë milionë euro, ajo megjithatë shënon ngecje të madhe në raport të shumës që ndajnë shtetet evropiane dhe paraqet një të pestën e mesatares së BE-së.
Sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT-it, në vitin 2013-ën, çdo shtet anëtar i BE-së në mesatare ka harxhuar 2.03 për qind të PBB-së për zhvillim dhe hulumtim.
Andaj, sfidë në të ardhmen mbetet pavarësia financiare e universiteteve dhe ngritja e një industrie të fuqishme që së bashku do të investojnë në hulumtime.
Nevojitet edhe rritja e prodhimtarisë jo e bazuar në eksploatimin e pasurive natyrore dhe punës manuale në kompanitë e huaja, e cila nuk rrit dukshëm as pagat, por edhe nuk zbut më shumë varfërinë. Nevojitet orientimi ndaj prodhimtarisë së bazuar në dije dhe në pjesëmarrjen më të madhe të vlerës së shtuar. Pra, ndryshimi gradual i strukturës së eksportit, ku do të fillojë të dominojë “truri vendor”. Ekzistojnë shembuj të suksesshëm të eksportit të prodhimeve që sjellin para me investime në inovacione dhe teknologji moderne. Shembuj për këtë janë bodrumet e verës që ngadalë, por sigurt po e kthejnë trendin e shitjes nga eksporti në fuçi. Këtë e tregon edhe renditja në vendin e 28-të në botë me fitim prej afër 53 milionë dollarësh. Bile, bodrumet e verës në vend bashkëpunojnë edhe me emra të tillë të njohur në prodhimin e verës siç është konsulenti më i njohur në botë – “Filip Kambi”.
Gjithashtu, edhe enologët apo ekspertët e prodhimit të verës në shtet me vite shkollohen në Francë apo Itali. Shembuj tjetër pozitiv i eksportit është edhe sektori i teknologjisë informatike. Në shtatë vitet e fundit është rritur vlera e shërbimeve kompjuterike, të telekomunikacionit dhe informatikës, prej 87 milionë euro në vitin 2011 në 150 milionë euro në vitin 2016. Ky sektor ndoshta paraqet edhe udhërrëfyes se nga duhet të lëvizë ekonomia e vendit në të ardhmen, duke eksportuar “vlerë për para”. Në këtë sektor punon një fuqi punëtore lartë e kualifikuar dhe e trajnuar që ka çmimin e saj në tregun e punës, njeh shkëlqyeshëm gjuhën angleze, posedon shkathtësi të larta dhe është e gatshme të punojë sipas teknologjive dhe standardeve më të reja dhe moderne që kërkohen në tregjet e jashtme.
Në fund, potenciali i shumë i rëndësishëm i eksportit e që mund të realizohet në praktikë mbeten prodhimet e përpunuara bujqësore dhe blegtorale që shquhen me traditë të madhe, por të harruar, e që me kohë nuk është modernizuar. Nëse vizitoni dyqanet e mëhallës, mund të blini gështenja të përpunuara dhe të ngrira industriale e që mund të konsumohen gjatë tërë vitit, por edhe mund të eksportohen .Vendi i origjinës së puresë së gështenjave është Kroacia dhe jo Maqedonia. Shembulli tjetër është nga blegtoria. Në shitoret e ndryshme, çmimet më të larta të përpunimeve të mishit si mishi i thatë, suxhuku , apo proshuta e viçit na vijnë nga Sllovenia, Bosnja apo Novi Pazari i Serbisë e që shiten si brende!
A nevojitet që mbështetje më e madhe konkrete dhe jo vetëm në letër, përkrahje? Por edhe shtytje për prodhuesit vendor që më shumë të orientohen në prodhimin dhe shitjen jashtë të këtyre prodhimeve tradicionale të vendit? Si për fillim, ndoshta nuk mund të prodhojmë televizorë apo telefona, por së paku mund të eksportojmë proshutë Korabi apo suxhuk Sharri! (koha.mk)