Omer XHAFERI
Shkup, 14 korrik – Proceset gjyqësore të cilët zhvillohen para Gjykatës Penale të Shkupit (GJPSH), në masë të madhe periudhën e fundit janë prolonguar dhe anuluar. Ky konstatim është përfshirë në analizën juridike të cilën të enjten e ka publikuar koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë”, ku thuhet se pavarësisht se gjatë 120 seancave gjyqësore, të cilët janë monitoruar në GJPSH, në 74 raste kanë qenë prezent të gjitha palët, shkruan gazeta KOHA. Megjithatë, sipas tyre shqetësuese është fakti se proceset gjyqësore në 17 raste nuk janë mbajtur për faktin se prokurori ka munguar, në 24 raste tjera pse i akuzuari ka munguar, pastaj në 4 raste ka munguar avokati, si dhe 5 seanca gjyqësore nuk janë zhvilluar pse ka munguar personi ekspert. “Praktika e mungesës së prokurorit publik gjatë zhvillimit të procedurës penale, për dallim nga viti paraprak, është shtuar për 15 për qind. Ndërkohë, sa i përket mungesës së të akuzuarit në proces gjyqësor, kjo përqindje është rritur për 20 për qind më shumë në krahasim me vitin 2016. Sidoqoftë, ne vlerësojmë se pavarësisht arsyeve të cilët i kanë këta palë, prokurori publik nuk duhet të mungojë në seanca gjyqësore. Në këtë drejtim, mendojmë se duhet të ekziston koordinim më i mirë në mes prokurorit publik dhe gjykatës gjatë caktimit të seancave gjyqësore, me çka do të shmangej praktika e anulimit dhe prolongimit të tyre”, thuhet në raportin e monitorimit të aktiviteteve të GJPSH-së. Sipas të dhënave të cilat nga qershori i vitit të kaluar e deri në janar të këtij viti i kanë mbledhur monitoruesit profesional të koalicionit “Të gjithë për gjykim të drejtë”, thuhet se mungesa e të akuzuarit në seancë gjyqësore shpesh herë ka ndodhur sepse ai gjendet në paraburgim, ndërsa nga burgu ku ai qëndron e deri në gjykatë nuk ka mundur të transportohet sepse shërbimet e burgjeve nuk disponojnë me mjete të mjaftueshme udhëtimi. Gjatë prezantimit të këtij hulumtimi, avokatja Natali Petrovska, tha se përderisa zhvillohen procedurat gjyqësore, Trupi gjykues në disa raste ka dëshmuar lidhje të afërt me njërën prej palëve në gjykim, gjegjësisht relacionet e ngushta gjykatës-prokuror dhe gjykatës-avokat janë prezentë në seancat gjyqësore në GJPSH. “Pikërisht për këto lidhje, vlerësojmë se trajnimi shtesë i gjykatësve është i patjetërsueshëm, me qëllim ngritjen e nivelit të komunikimit mes palëve në proces, gjegjësisht mënjanimin e konstatimeve negative te pala tjetër dhe opinionin për paanshmërinë e Trupit gjykues”, tha avokatja Petrovska. Afërsia e pazakontë mes gjykatësve dhe palëve tjera në proces, më së miri mund të pasqyrohet në procesin gjyqësor për “Lagjen e Trimave”, ku pala mbrojtëse disa herë ka akuzuar se gjykatësja Verka Petrovska, ka raporte të ngushta me prokurorët publik. Nga ana tjetër, edhe pse zyrtarisht nuk janë deklaruar relacionet e ngushta gjykatës-avokat, opinioni më i gjerë dhe mediat në përgjithësi kanë pasur rastin t’i shohin në proceset gjyqësor që Prokuroria Speciale Publike i zhvillon kundër një numri të madh të ish funksionarëve shtetëror. Njëkohësisht monitoruesit gjatë mbikëqyrjes së rrjedhës se proceseve gjyqësore në Gjykatën Penale të Shkupit, kanë vërtetuar se nga gjithsej 43 raste në 28 seanca gjyqësore, Trupi gjykues të akuzuarve nuk ua ka sqaruar detajisht të drejtat që ju takojnë në procedurë, por vetëm në mënyrë taksative u ka numëruar. Krahas faktit se i akuzuari në procedurë penale ka avokatin e tij profesional, i cili ia mbron të drejtat, në këtë raport është theksuar se gjykatësit medoemos duhet ta ndryshojnë praktikën e punës së deritanishme dhe në të ardhmen gjatë leximit të të drejtave të akuzuarit duhet të mbajë llogari se a i ka kuptuar në tërësi i pandehuri ato të drejtat e tij.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.