Në kohën kur kompani të ndryshme si dhe universitete ndërkombëtare janë duke bërë përparime për të krijuar vaksinën anti-Covid , OBSH ka deklaruar se ajo nuk do të jetë gati para 2021. Mike Ryan drejtor i Emergjencave pranë OBSH në një koherencë për shtyp ka deklaruar se do të duhet kohë që vaksina të shpërndahet dhe të jetë e sigurtë dhe efektive, përpara se t’i jepet popullsisë.
Në fillim të kësaj jave në Universitetin e Oksfordit vaksina kundër koronavirusit rezultoi e sigurt. Rreth 1 mijë vullnetarë iu nënshtruan testimit të saj dhe në përfundim u arrit se ajo çon në krijimin e antitrupave që mund të luftojnë koronavirusin. Rezultatet janë jashtëzakonisht premtuese, por është ende shumë shpejt të dihet nëse kjo është e mjaftueshme për të ofruar mbrojtje. Mbretëria e Bashkuar ka porositur 100 milion doza të vaksinës. Po ashtu edhe vaksina eksperimentale anti-Covid-19 nga kompania Moderna në Massachusetts ka rezultuar efikase tek pacientët vullnetarë .
Rreth 4 muaj më parë më parë kjo kompani bëri të mundur testimin e 45 vullnetarëve dhe më vonë ekspertët arritën në përfundimin se kjo vaksinë nuk ka sjellë efekte anësore. Në fillim të javës tjetër kjo vaksinë do të hyjë në fazën e fundit ku do të testohen rreth 30,000 njerëz. Moderna është kompania e pare që filloi provat për krijimin e vaksinës anti-Covid 19. Qeveria e Shteteve të Bashkuara e ka mbështetur financiarisht me gati 500 milionë dollarë vaksinën e Moderna.