Merita dhe Nertila janë dy motrat këngëtare dhe artiste nga Shqipëria, të cilat kanë sjellë risi në tregun muzikorë. Ndonëse Merita në ermin e artit njihet si Gugu, Nertila në anën tjetër ka vendosur të thirret si Lissus Tilka. Të dyja ndonëse janë në zhanre të ndryshme, mundohen të vijnë sa më në formë me projektet e realizuara. Në një intervistë të gjatë për InfraRed të gazetës KOHA, zbulojnë shumë gjëra
KOHA: Jeni rikthyer të dyja me projektet të reja, na folni pak më shumë rreth bashkëpunimeve që keni pasur, fabulat e këngëve?
GUGU: Gjatë viteve të karrierës sime kam pasur bashkëpunim me produksione të njohura e kompozitorë te njohur në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Në titrat e çdo kënge timen mund të gjinden emrat me të njohur bashkëpunëtorë të këngëve të mia, por mund të them se bashkëpunimet më të rëndësishme nuk kanë ndodhur akoma. Nënkuptoj edhe me kolege këngëtarë/e që dua ti lë surprizë.
LISSUS TILKA: Unë i kam qëndruar besnike dy emrave në Kosovë e Shqipëri: Kompozitori Alban Arifi që drejton dhe Global Records Studio në Tiranë dhe Dj Cimi në Prishtinë, Vibe Records. Albani ka besuar tek vokali im kur askush nuk më shihte në këtë fushë për disa arsye bashkë, sidomos që kisha krijuar profil intelektualeje të re në publikun shqiptarë. Orkestronte për mua që mos të më shihte të dorëzuar para pengesave të tregut dhe imazhit që tjerët donin për Nertilën pa pyetur çfarë donte Nertila të sillte me muzikën. DJ Cimi më gjeti pikat e mia më të forta për tregun e muzikës moderne, më dha shtesë pavarësisht uljeve e ngritjeve në fillimet publike në këtë fushë. Sigurisht nuk ishte e lehtë të rikthehesha këndimit pas 10 viteve shkëputje nga kitara e grupeve lokale të zonave periferike. E rëndësishme që të dy, respektojnë pasionin e Nertilës për “muzikën e filmit”, për percjelljen e mesazheve e kauzave sociale me muzikë e video, besoj se do jenë gjithmonë bashkëpunëtorët e mi më besnikë në këtë fushë. Ndërkohë që me tekstet, regjinë e videove dua të merrem gjithmonë vetë, ndonjëherë edhe muzikën.
KOHA: Gjatë gjithë kësaj periudhe keni qenë shumë aktive, ku e gjeni energjinë të dyja?
GUGU: Energjia është e njëjta me të cilën e kam filluar këtë rrugëtim: pasioni i lindur për shoun muzikorë. Tashmë ai pasion është kthyer edhe në profesion. Padyshim edhe energjia më është rritur paralelisht.
LISSUS TILKA: Tek kauzat e mia! Kauza që kanë lindur e rritur tek unë në luftë më fenomenet që prekin më shumë shqiptarët. Kjo nuk do të thotë se nuk do këndoj ndonjëherë një këngë jashtë kauzave, por teksti do ketë gjithmonë një çelës që të çon tek ato.
KOHA: Sa i ndihmoni njëra tjetrës si në aspekt fizik ashtu edhe në atë financiarë?
GUGU: Dikur kur shumica nuk ishin pranë meje adoleshente që të këndoja apo të bëhesha e njohur, Nertila paguante çdo kursim që mos të më ndaleshin ëndrrat, rrugët, koncertet promovuese të fillimeve. Nertila ka problem se kurrë nuk kërkon mbështetje nga unë e asnjëri, por mundohem të jem në çdo kohë afër saj dhe vajzës së saj, mbesës sime Çelestinës. Në aspektin fizik, jam më e vëmendshme ndaj saj prej kohësh duke i blerë a dhuruar rroba sipas stilit të saj, sidomos gjatë aktiviteteve porosis edhe parukiere që mendoj se e bëjnë më me cilësi rregullimin e saj.
NERTILA: Kur të gjithë me provokonin edhe pak javëve: Nertila u bë me makinë se tani merret dhe me muzikë dhe mund t’ja këtë blerë ndonjë adhurues, makina ishte dhuratë e motrës sime Gugut, qe e ka përdor pak kohë vetë. Dikur adoleshente kur paragjykohej shumë për fillimet e karrierës duke kënduar, kur nuk kishte asnjë të dashur as me makinë as pa makinë, kur akoma s’kishte puthur asnjë djalë, edhe natën në aktivitete ose larg ditën, paguaja taksitë që ajo të mos humbte asnjë mundësi. Vërtetë kurrë s’kërkoj ndihmë as në familje se punoj nga dy tre punë, Gugu gjithmonë interesohet sidomos kur kam fazat e kurimit të sëmundjes më të rënduara ekonomikisht, apo blen pafund rroba e dhurata për time bijë. Unë e kam ndihmuar dikur më shumë, tani nuk ka nevojë por edhe nëse do të kishte, për motrën unë “shemb” botën!
KOHA: Cila fiton më shumë (nëse nuk është sekret)?
GUGU: Nuk e di sa fiton Nertila sepse unë dua vetëm të mos i mungojë gjë, por unë personalisht gjithë fitimet i kam nga muzika, koncertet jashtë Shqipërisë. Megjithatë ka patur raste që kemi kënduar bashkë më Nertilën në aktivitete kulture a shou turizmi, e pagesat kanë pasur diferencë sepse Nertila ka pasur repertor jo për shou artistik sesa për kauzat. Po duke qenë jashtë di që Nertila ka marrë pjesë në Shqipëri disa herë në evente dhe ka filluar edhe të paguhet akoma më shumë.
LISSUS TILKA: Nuk e kam nisur muzikën për të fituar para shumë duke kënduar sepse profesioni im i parë është tjetër. Edhe kur kam fituar, i kam mbajtur pak vetë dhe pjesa tjetër duke ndihmuar gra me kancer me ilaçe apo ushqime apo shpenzime tjera. Muzikën unë e dua si zërin e aktivistes artiste për kauzat shoqërore, dhunën, trafikun, materializmin, mungesën e humanizmit, xhelozinë që vret, pabesitë e tradhtitë që sjellin tragjedi ose mungesë lumturie etj…
KOHA: I tregoni njëra tjetrës sekrete?
GUGU: Nertila ka filluar të jetë prej disa vitesh njeriu që i kam besuar sekrete të cilat nuk ia ka konfirmuar askujt edhe pasi i kam konfirmuar vete.
LISSUS TILKA: Unë sekretet e mia s’ja kam besuar as Meritës sepse kam besuar se mund të shqetësohet për mua edhe pa arsye. Ajo ka shëtitur shumë dhe i njeh mirë njerëzit. Mbase e ka vrarë fakti që nuk ka mundur të më gjendet afër kur i kam mbajt sekret edhe sëmundjen e rëndë më të cilën luftoj prej disa vitesh, por që po ia dal.
KOHA: Ti Merita ke jetuar gjatë kohë jashtë Shqipërisë, do të kishe ikur prapë përgjithmonë jashtë vendit?
GUGU: Kam jetuar jashtë jo se nuk e dua Shqipërinë, por sepse hapësira në Shqipëri për vajzat e fushës sime është e vështirë po nuk u bëre leckë. Kam preferuar diasporën për të qenë e pavarur si kulturalisht edhe ekonomikisht.
NERTILA: Kam jetuar ne Shqipëri sepse forma e jetës sime ishte e tille që nuk mund të merrja çdo vendim vetë. Isha 10 vite e martuar e sigurisht kishte prioritet vendimi familjarë por paralelisht me studimet që nuk doja të ndërprisja në Shqipëri për të marrë rrugët e emigrimit për t’ia filluar nga zero. Nuk më ka dalë aspak keq sepse krijova profilin e punën time pavarësisht uljeve e ngritjeve të jetës si në çdo vend. Po nëse do zgjidhja vende për të jetuar për time bije, do zgjidhja Britaninë e madhe, Kanada ose Australi.
KOHA: Po ti Nertila pse ke vendosur të qëndrosh në vendlindje dhe të përballesh me secilën sfidë negative që përballen qytetarët?
NERTILA: Kam vendosur të rri për të mos mbajtur vajzën në këtë moshë larg babait të saj me të cilin kam dy vite e ndarë, për të mos “torturuar” time bijë rrugëve të botës vetëm me të ndërkohë që kurohesha sa andej këtej, të kishte babain e familjet afër e padyshim sepse unë edhe në Shqipëri ia dal përveçse me shëndetin. Sepse kam boten time që refuzon të lejojë mentalitetin dhe ekonominë shqiptare të më vrasë. Nuk jam e prirur drejt luksit por drejt lumturisë, punoj tre punë dhe kam ata që dua afër. Megjithatë mendoj edhe të shkëputem nga Shqipëria për një periudhë. Largimin përfundimisht nuk e dua. Ndjej se do të mungojë këtu me gjithçka që jam e bëj.
KOHA: Ku e shihni veten në muzikë, sa e vështirë është depërtimi në tregun muzikorë duke e ditur që konkurrenca është jashtëzakonisht e madhe dhe rivaliteti mbi nivel?
GUGU: Nuk shou garë. Nuk kam garë më asnjë se kam dashur të krijoj Gugun në stilin e saj unik. Unë jam tepër e kënaqur për vendin që kam në treg, pavarësisht çelësin me të cilin zgjodha të hyjë në fillim. Sidomos jashtë Shqipërisë më duhet të anuloj shpesh koncerte në ambiente të ndryshme nga ngarkesat e mbrëmjeve ku jam e ftuar. Thjeshte më vjen keq vetëm që disa kolegë shpenzojnë më shumë sesa fitojnë për të marrë vëmendjen në çdo këngë në numrin e klikimeve false. Shumë prej tyre hyjnë edhe borxh për ta bërë! Është qesharake por gjithsesi edhe publiku ka shije të ndryshme.
LISSUS TILKA: Në fakt unë ndihem mirë që e kam nis duke mos kërkuar vëmendje për shoubiz si karrierë muzikore në plan të parë, por për muzikë të re, reflektimi. Kam vënë re që në çdo këngë e më shumë është rritur numri i njerëzve që zgjedhin të më dëgjojnë. Tashmë duke qenë më afër muzikantëve kam menaxhuar akoma më mirë edhe zërin. Kam një qëllim më të madh për këtë kam aplikuar në evente ndërkombëtare. Pres të marr përgjigje.
KOHA: Me këto projekte do përmbyllni vitin apo do publikoni edhe këngë tjera deri në fundvit?
GUGU: Do të jem në koncert jashtë vendit besoj me ofertat që më kanë ardhur. Akoma nuk është e vendosur 100%.
LISSUS TILKA: E sigurt është se kudo që të jem, çfarëdo të jem duke bërë atë natë, koncerte apo angazhim tjetër, unë do jem me time bijë.
KOHA: Po si do e filloni vitin e ardhshëm në aspektin artistik?
GUGU: Fillimi i vitit të ri artistikisht do më gjejë me vijimin e punës në muzikë për një bashkëpunim tepër të rëndësishëm surprizë.
LISSUS TILKA: Një libër i ri në treg me titullin: ” Vajzën, nënë!” një film me metrazh të shkurtër mbi trafikun e prostitucionit në rajon “Agjentja në dhomat e kuqe”, e një këngë sërish me mesazh të fortë për disa gra të vdekura “Sepse jam ajo”.
KOHA: Kush është Nertila sipas Meritës dhe kush është Merita sipas Nertilës?
GUGU: Nertila është engjëlli mbrojtës që më ka sjellë mama, baba e Zoti. Është besnikja ime, është ortakja më e mirë, është e vetmja që mund ti kërkoja dhe falje ndonjëherë pa dyshime.
LISSUS TILKA: Gugu është Merita që luan fort me tokën e mëkatarëve, arrin qëllimet duke vesh lëkurën e tyre për të superuar të keqen që vjen jo nga ajo, por jo nuk shet shpirtin e saj për ti lejuar të njohin cila është vërtetë. Gugu është “sekreti” im me i madh, më i bukur e më i “rrezikshëm” në atë pjesë të shoqërisë tonë hipokrite.