Jeta parlamentare në Shqipëri ka nisur në një ndërtesë që ekziston edhe sot në Tiranë (shiko fotot). Një dykatëshe e bukur me kolona të larta, e dekoruar me flamurin kombëtar dhe një tabelë ku shkruhej “Parlamenti”. Në brendësi siç edhe shihet në fotot e marra nga arkivi gjerman, një sallë modeste. Në ballë të sallës së seancave një portret i madh i Skënderbeut. Mure të veshura, tryeza modeste të ndara në dy grupe dhe lozhat funksionale. Ngrohja ishte me sobë. Kjo është pamja e sallës ku janë ulur njerëzit më të ditur të vendit në atë kohë. Për nivelin e tyre e kotë të flitet, mjafto të kujtosh vetëm dy emra: Gjergj Fishta e Fan Noli, që sigurisht kanë pasur plot “konkurrentë”, patriotë, të ditur e të mirëshkolluar. Ndërtesa e Parlamentit të dikurshëm sot është Teatër Kukullash. Pas një urrejtje patologjike për “baballarët” e parë të Kombit, një mendje djallëzore, gjatë viteve të diktaturës, mori atë vendim. Një metaforë tallëse që vazhdon edhe sot… (konica.al)