Sikurse ka emra të destinuar për tu gdhendur në kujtesë. Burra të cilët me vendimet e tyre ndryshojnë historinë e një atdheu të tërë. Disa herë në aspektin pozitiv, por në shumë herë të tjera në aspektin negative. Por ndodh edhe që varfëria dhe dëshpërimi të mos lejojnë më që të dallojnë Parajsën nga ferri dhe ajo që lind është një gjendje hibride, në të cilën gjithçka është e lejuar, në të cilën çdo kufi mund të shtyhet disa metra më tutje, në të cilin qëllimi justifikon çdo mjet.
Pablo Emilio Eskobar Gaviria nuk ka nevojë për prezantime. Është e natyrshme të kujtohet si perandori i kokainës, narkotrafikanti më i pasur i të gjitha kohërave, ose si një prej kriminelëve më gjakatarë të historisë. Ajo që jo të gjithë e dinë është se Eskobar ishte edhe një zotëri i futbollit. Mundësoi ndërtimin e stadiumeve dhe ndihmoi skuadrat lokale deri në pikën kur u bë financuesi më i madh i skuadrës më të rëndësishme në atdheun e tij, Atletiko Nacional di Medellin, skuadra e parë kolumbiane që fitoi trofeun “Coppa Libertadores”, e mundur në minutën e fundit të kohës shtesë në finalen e Kupës Interkontinentale, në vitin 1989 nga Milani i Arrigo Sakit. Metoda e Eskobar ishte perfekte për të marrë konsensusin dhe mbështetjen popullore, ndërkohë që riciklonte sasi gjigante të parave. Por pas personave të lindur për të bërë histori, ndodhen takimet e destinuar për tu bërë legjendarë. Tani që të gjithë e kanë të qartë në mendje imazhin e Eskobar, bashkëngjitni atij një tjetër figurë mitike, të pamundur për ta injoruar, futbollistin me famë botërore, Diego Armando Maradona. Çfarë ndodh kur dy persona me staturën e bujshme të tyre takohen? Nuk ka shaka.
Ishte viti 1991, muaji dhjetor. Maradona po vuante dënimin dhe skualifikimin e tij 2-vjeçar, pasi rezultoi pozitiv ndaj kokainës në testet anti-doping, kur nga menaxheri i tij, Guillermo Koppola u njoftua se një zotëri i rëndësishëm kolumbian ishte i gatshëm të paguante një shumë të konsiderueshme, vetëm që ylli argjentinas i futbollit botëror të merrte pjesë dhe të luante në një ndeshje miqësore me futbollistë të tjerë amerkano-jugorë, mes të cilëve edhe Rene Higuita. Në fund të fundit, Diego në Kolumbi ishte shumë i famshëm në atë kohë. Kur ishte vetëm një fëmijë dhe i bënte të çmendeshin tifozët me fanellën e Argentinos Juniors, e kërkuan edhe të famshmit vëllezërit Orejuela, drejtues të kartelit të Cali. Oferta e tyre u kapërcye nga Barcelona, se në të kundërt, Maradona do të kishte veshur fanellën e America, ekipit të parë të kryeqytetit kolumbian. Maradona pranoi pa bërë shumë pyetje ofertën e propozuar nga miku dhe menaxheri i tij. Por, kur arriti në Medellin dhe u shoqërua në një burg të rrethuar nga qindra roje, siguria e tij nisi të çekuilibrohej. “Çfarë ndodh? Duan të më arrestojnë?”. Vendi për ku u shoqërua Diego mban emrin që në Amerikë të gjithë e njohin, “La Catedral”, burgu personal i Pablo Eskobar.
“Dukej njëlloj sikur të ishe në një hotel luksoz në Dubai. Aty më prezantuan me zotërinë që më kishte ftuar, të cilin e thërrisnin “El Patron”. Unë nuk lexoja gazetat, nuk shikoja televizor, nuk isha i sigurt se kush ishte. U tregua një person shumë respektues, edhe i ftohtë, por miqësor me mua. Më tha se e admironte mënyrën time të lojës, dhe se identifikohej me mua, sepse që të dy kishim mundur të triumfonim ndaj varfërisë. Aty ndodheshin femrat më të bukura që unë kam parë gjatë të gjithë jetës time dhe të mendosh që ishim në një burg! Nuk mund ta besoja. Mëngjesin e të nesërmes më paguan dhe ai më përshëndeti përzemërsisht”, kujton Diego Maradona nga ai takim me Eskobar. Atë pasdite, kampioni argjentinas mori pjesë në një ndeshje të zhvilluar në fushën private të burgut. Skuadrat përbëheshin nga njerëzit e Eskobar, nga njëra anë ishte Maradona, ndërsa në anën tjetër portieri i famshëm Higuita. Në përfundim të ndeshjes miqësore miqtë u falënderuan me një festë që “El pibe de oro”, kujton edhe sot e kësaj dite, ndonëse kanë kaluar kaq shumë vite.
Maradona shtangu tërësisht kur mësoi në lidhje me finalen e kapitullit tragjik të historisë së Eskobar, kur kuptoi që ai zotëria ishte porositësi dhe ekzekutuesi i më shumë se dhjetë mijë vrasjeve dhe se kishte qenë padroni absolute i narkotrafikut botëror.
“Në çështjen e narkotrafikut unë jam personi më pak i përshtatshëm për të gjykuar, por “Padroni” paguante fshatarët për të mbledhur pastën e kokas, paguante të tjerët për ta përpunuar atë në laboratorë dhe paguante pilotët që ta transportonin në Shtetet e Bashkuara. Në fund të llogarive, fabrikonte një produkt në mënyrë klandestine dhe ua shiste atë njerëzve që e kërkonin, askush nuk detyrohej dhe as nuk ishte i imponuar, apo jo? Nuk ja vidhte atë askujt. Në anën tjetër politikanët zgjidhen dhe vjedhin paratë e popullit duke i rritur taksat një nëne që blen qumështin për fëmijët e saj. Kështu, në aspektin etik, kush është më i keq? Përsa i përket vdekjeve, ai ishte në luftë kundër shtetit për një motiv nacionalist, sepse qytetarët kolumbianë të mos ekstradoheshin në Shtetet e Bashkuara dhe në luftë njerëzit vriten. Edhe Bush, për naftën vrau me qindra e mijëra persona. Po ai nuk është i keq?”, komenton Maradona mbi aktivitetin e Eskobar.
Jo të gjithë takimet janë të destinuar për tu rizgjidhur në një revolucion. Disa janë vetëm kryqëzime të dy jetëve që do të vijojnë secili në rrugën e vet. Eskobar i propozoi Maradonës që të bëhej numri 10 i skuadrës së tij, por Diego preferoi të transferohej te Siviglia. Ishte viti 1992.
Pak më shumë se një vit më pas, trupi i pajetë i Pablo Eskobar u fotografua nga agjentët amerikanë të “DEA” në çatitë e Medellin.