Një gjyq po zhvillohet në Italinë fqinjë, ku të pandehur janë rreth 20 persona, pjesa më e madhe shqiptarë, të akuzuar se janë përpjekur të ngrenë në Cossato (komunë në provincën italiane Biella, në Piemonte), një degë të krimit të organizuar.
HISTORIA. Zbulimi u bë nga karabinierët, që kanë gjetur në dy banesa, në rrugën Cesare Battisti dhe atë Trento, dy baza të shpërndarjes së drogës. Por, jo vetëm kaq. Pjesëtarët e grupit siguronin nga Shqipëria vajza të reja për ti shfrytëzuar si prostituta. Të ardhurat që fitonin nga ky aktivitet, shpenzoheshin në blerjen e drogës, raportojnë mediat lokale. Dhe siç është zbuluar në gjykatë ditët e shkuara, sipas hetimeve, operacioni në nivel kombëtar në Itali, nisi nga Biella dhe çoi në sekuestrimin e thuajse 100 kg droge, kokainë e heroinë.
PROCESI GJYQËSOR. Por, ajo që po del në dritë nga procesi zbulon një panoramë dramatike. Gjithçka nisi në vitin 2001 nga një sinjalizim. Kontrollet zbuluan se banesat e Cossato-s frekuentoheshin nga të varur nga droga. Në këtë pikë, nisën përgjimet telefonike, plot 27 mijë. Një histori e ndërlikuar, e mbushur me dhunë dhe aborte ndaj femrave që shfrytëzoheshin për prostitucion, përveç shitjes së drogës. Hetimet kanë zbuluar se organizata transportonte drogë, vajza dhe armë nga Shqipëria në Italinë e Veriut. Procesi gjyqësor i radhës do të zhvillohet më 9 mars.