Gjatë viteve të kaluara, në Tetovë bilansi është tragjik sa i përket aksidenteve me motoçikleta, e ku numri sillet nga tre deri katër viktima gjatë një viti, viktima janë kryesisht motoristët
Urim HASIPI
Tetovë, 20 prill – Me përmirësimin e kushteve klimatike rrugët e Tetovës, por edhe në rajonin më të gjerë, është shtuar dukshëm frekuentimi i motoristëve sidomos në orët e pasdites dhe gjatë natës. Nga Policia e Tetovës thonë se gjatë dy muajve të kaluar, janë regjistruar dhjetëra aksidente me motoçikleta, kurse deri më tash është regjistruar një viktimë e moshës së re, shkruan gazeta KOHA.
“Shkaku më i shpeshtë i aksidenteve në këtë periudhë ka qenë shpejtësia e madhe gjatë vozitjes, dukuri e cila vazhdon edhe këtë vit në rajonin e Pollogut. Numri më i madh i aksidenteve të muajit maj kanë ndodhur nëpër rrugët e qytetit, autostrada, rrugët regjionale Tetovë-Pirok dhe rruga rajonale Tetovë-Jazhincë. Muajin e kaluar, Policia e Tetovës për siguri në komunikacionin rrugor kanë ndërmarrë aktivitete kontrolluese dhe preventive, ku cak i policisë kanë qenë shpejtësia gjatë vozitjes, vozitja në gjendje të dehur, nëse posedojnë leje qarkullimi, ndërsa vëmendje i është kushtuar edhe sjelljes së këmbësorëve në komunikacion”, njofton Policia e Tetovës. Shumica e motoristëve janë të rinj, të mitur dhe vozisin të ashtuquajtur Skuter, kurse në rrugë nuk mungojnë as motorët e llojeve të ndryshme.
“Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë, apelon deri tek motoristët që të jenë të kujdesshëm, tërësisht të respektojnë rregullat e komunikacionit, të mos vozisin shpejt, pa leje adekuate dhe nën ndikim të alkoolit. Motoristët po ashtu rikujtohen edhe për obligimin ligjor që në mënyrë të obliguar të regjistrojnë motorët e tyre dhe me vete gjithmonë të kenë pajisje mbrojtëse” thuhet në apelin e lëshuar nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë. Sipas policisë, dënimi për mosrespketim të këtyre rregullave sillet prej 300 deri në 500 euro, varësisht nga karakteri i kundërvajtjes.
“Pasi në të ardhmen paralajmërohen temperatura të larta, edhe më shumë do të rritet frekuentimi në rrugët e Pollogut, sidomos gjatë ditëve të vikendit prandaj apelohet që në një motor të mos ulen më shumë se një person, pa maskë mbrojtëse dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet me rrugë qëndron në apelin e lëshuar nga policia e Tetovës. Dukuria e daljes me motor në rrugët e Tetovës ka bërë që gjatë vitit të kaluar të ketë shumë aksidente ku kanë qenë të përshirë motoristët. Së këndejmi Policia rrugore në Tetovë, gjatë muajve të kaluar, por edhe në të ardhmen ndërmerr një sërë aktivitete preventive për zbulimin dhe eliminimin e mangësive në funksion të përmirësimit të sigurisë së përgjithshme në rrugë.
Në ndërkohë, këtyre ditëve në Tetovë ka filluar edhe filluar implementimi praktik i dy projekteve edukativo-preventive me temë “Drejtim i sigurt me motoçikletë”, dhe “Mos drejto automjet pa leje për vozitje”. Me këto projekte, bartës i të cilëve është Njësiti për Preventivë në Sektorin për Punë të Brendshme në Tetovë, gjithsej janë përfshirë mbi 3400 nxënës të viteve të para të shkollave të mesme të qytetit të Tetovës dhe të Gostivarit.
“Brenda këtij projekti, të cilat do të realizohen paralelisht dhe planifikohet të zgjatin deri në fillim të muajit shtatorë, janë paraparë më shumë ligjërata, me të cilat nxënësit nga afër do të njoftohen lidhur me drejtimin e sigurt me motoçikletë, dhe drejtimin e automjeteve me ose pa leje valide për drejtues të automjetit”, bëjnë të ditur nga policia e Tetovës. (koha.mk)