Dy opsionet dominuese maqedonase që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM – me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë
Nga Emin AZEMI
Në demokraci aleancat politike janë shumë legjitime, sidomos kur ato forcojnë marrëdhëniet bashkëpunuese dhe rrisin resurset humane e profesionale për një progres të përgjithshëm. Këto aleanca madje bëhen të domosdoshme në kushtet kur qeverisja e një vendi kërkon më shumë kreativitet dhe më shumë energji.
Në shtetet multietnike, siç është Maqedonia, aleancat politike kanë ndodhur si rezultat i kombinatorikave në funksion të sigurimit të pushtetit përmes koalicioneve mbi baza të ndryshme etnike. Në të shumtën e rasteve këto aleanca politike, nuk i bashkon programi bashkëqeverisës, por interesi për të bashkëjetuar brenda një koalicioni.
Specifika e koalicioneve politike në Maqedoni është se ato, sipas një rregulli të pashkruar, ndërtohen mbi parimin etnik dhe nuk ka ndodhur që në këto 30 vjet pluralizëm të krijohet ndonjë qeveri pa partitë politike shqiptare. Nuk ka funksionuar gjithmonë parimi i konsenzualitetit për t’u konsideruar funksionale këto koalicione, sidomos para vitit 2001, mirëpo për shumë tema ka ekzistuar një pajtim parimor midis partnerëve të koalicionit. Mbi këtë pajtim janë miratuar një sërë ligjesh e projektesh, ku jo rrallë janë bërë edhe ‘pazare’ të caktuara, një teknologji kjo e njohur edhe në demokracitë më të zhvilluara.
Dy opsionet dominuese maqedonase që kishin prejardhje të ndryshme ideologjike – VMRO dhe LSDM – me kalimin e viteve u bënë fatpërcjellëse të pashmangshme të shkëlqimit dhe rënies së lavdisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Si një hije që ndjek udhëtarin e lodhur në shkretëtirë, ishin pikërisht këto dy opsione dhe për pasojë politikëbërja shqiptare, me apo pa vetëdije, u bë peng i ambicies së pashpjeguar për ‘’bashkëshortësi’’ të përjetshme me këto dy parti kontradiktore maqedone.
Kjo rrëshqitje e shkallëshkallshme e filozofisë politike të shqiptarëve të Maqedonisë në pragamtizmin banal të bashkëjetesës së dy tendencave etnike që pajtoheshin vetëm për çështje të politikës së ditës dhe për ndarjen e ndonjë trofeu që sjell pushteti, pamundësoi krijimin e frymës së bashkërendimit dhe bashkëpunimit brendakombëtar të shqiptarëve.
Kjo atmosferë po vërehet sidomos tani pak muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ku subjekte të caktuara politike shqiptare legjitimitetin e tyre për të bashkëqeverisur e kanë përkthyer si mbijetesë, përmes bashkëpunimit të ngushtë me ndonjë parti maqedonase.
Ndasia brendashqiptare sikur u bë lajtmotiv i politikave të papjekura që bashkëqeverisjen me partitë maqedonase e shndërroi në dogmë nga e cila as sot e gjithë ditën nuk po lirohemi. Ky dogmatizim i teknologjisë së bashkëqeverisjes ka nxjerrë nga përdorimi energji të shumta krijuese e intelektuale të shqiptarëve në Maqedoni dhe diasporë .
Shqiptarët në Maqedoni, çuditërisht prej vitesh e kanë kultivuar këtë sindrom dhe ai ka ardhur duke u zhvilluar në përmasat e një nyje që padrejtësisht ka bllokuar kapilarizimin e jetës politike. Mungesa e platformave kombëtare dhe dominimi i atyre partiake për përdorim ditor, ka bërë që cilësia e përfaqësimit institucional të shqiptarëve të limitohet në kornizat e një vasaliteti të pakuptimtë. (koha.mk)