Sulmuesi i Juventus-it, Federico Bernardeschi, ka përshkuar etapat e karrierës së tij në një intervistë të dhënë për “The Player Tribune”, duke filluar nga ekipet e moshave te Fiorentina, ku rrezikoi të varte këpucët në gozhdë për një problem shëndetësor para se të bëhej pjesë e më të mirëve të Serisë A.
“Kur isha 16 vjeç dhe gati për t’u bërë pjesë e ekipit të moshave të Fiorentina-s, mjekët më kanë gjetur një problem gjatë një kontrolli të zakonshëm fizik. Më thanë se nuk e dinin nëse do të isha në gjendje të luaja më. Nuk mund ta besoja”, ka thënë Bernardeschi.
“Kam qenë i detyruar të ndalem për gjashtë muaj dhe ajo ka qenë periudha më e vështirë e jetës sime. Jetoja vetëm në Firence dhe nuk bëja asgjë. Në fund, pas ndryshimit të dietës dhe një ilaçi, kam arritur ta kaloj problemin. Ky moment më ka bërë më të vetëdijshëm për brishtësinë e rrugëtimit që kisha ndërmarrë dhe më ka ndihmuar të shijoja më shumë sukseset e mia”.
Pasi kaloi problemin, Bernardeschi filloi të hidhte hapat e parë në botën e futbollit të rëndësishëm. Ai ka patur një ndihmë të veçantë te Fiorentina: Paulo Sousa: “Më dha menjëherë disa këshilla, ka qenë vendimtar për eksperiencën time te Fiorentina. Më tha se isha një talent i pabesueshëm dhe se karakteri im i kishte kaluar aftësitë e mia si futbollist. Por edhe se për t’u bërë një kampion do të duhej të investoja te vetja, të punoja për të fituar brenda dhe jashtë fushës. Nuk do ta harroj kurrë”.
Duke qëndruar te Fiorentina, nuk mund të mungonte një koment për kapitentin Davide Astori: “Sa herë që shënoja një gol me Fiorentina-n merrja një e-mail nga fotografi i klubit për ta publikuar në rrjetet sociale. I pari që më përqafonte ishte gjithmonë Davide. Ishte një nga ata djem të lindur për të qenë lider”.
“Kam menduar shumë herë për të gjatë transferimit tim tek Juventus në verën e 2017-ës. I kam folur para se të largohesha nga Firence, ai ka kuptuar, por nuk ka qenë e lehtë. Disa javë pas vdekjes kam bërë tatuazh numrin e tij në krah të Ave Maria-s (lutje për Virgjëreshën Mari). Kudo që shkoj, ai është me mua, i mbrojtur përgjithmonë”.