Mbajnë apo nuk mbajnë argumentet e Edi Ramës dhe PS-së, është çështje irelevante nëse shkarkimin kaherë të dëshiruar të Ilir Metës, mund ta çojnë deri në fund. Askujt s’i bëhet vonë. Por për këtë, do të duhej edhe një instancë, ajo e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të vlerësonte nëse argumentet politike të shumicës parlamentare të skaduar, përbëjnë argument për shkelje kompetencash të presidentit.
Nga Daut DAUTI
Si ta shkruash, ashtu është kushtetuese! Edhe nëse është kundër logjikës! A ju kujtohen debatet kur filloi pandemia dhe kur në pandemi bëmë zgjedhjet parlamentare? A ju kujtohen debatet se a mund të mblidhet parlamenti pasi ai të shpërndahet në afatin që parasheh ligji? Sidomos dilemën se a mundet të mblidhet sërish parlamenti “në rast nevoje” (fatkeqësi elementare, kriza të ndryshme sigurie…) ende pa u bërë zgjedhjet?
Një analogji e çuditshme mund të nxirret, por e anasjelltë, me praktikën shqiptare, që më së miri po e vë në sprovë vendimi për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Cila është analogjia kaq interesante?
Përderisa në Maqedoni zhvillohej debat a mund të mblidhet Parlamenti pasi ai të shpërndahet për shkak të zgjedhjeve(tre muaj më parë) dhe thyheshin shtizat midis juristëve të të drejtës kushtetuese me pyetjen pse të mos mblidhet sërish, në Shqipëri ndodh krejtësisht e kundërta. Deputetët “e shpërndarë” në Maqedoni marrin rrogën derisa të konstituohet, ndërkaq nuk kanë të drejtë të mblidhen(pse marrin rrogë atëherë?!), në Shqipëri ndodh që zgjedhjet të mbahen në prill dhe parlamenti vazhdon të funksionojë pa pengesa, kurse parlamenti i ri krijohet tre katër muaj pas zgjedhjeve! Por pa lënë asgjë rastësisë, sepse përbërja e vjetër ka ingerenca vendimmarrëse.
Si situatë përtej logjikës është pikërisht vendimi për shkarkimin e Ilir Metës nga Parlamenti i kaluar që vazhdon të funksionojë edhe pse më e logjikshme do të ishte që këtë ta bëjë parlamenti i ri. Parlamenti i ri i cili do të duhej të ishte formuar tashmë, por dhe parlamenti i ri edhe për shkak të konfiguracionit të ri pasgjedhor, i cili do të duhej të merrej me Ilir Metën, i cili si president i Republikës, tejkaloi kompetencat e tij kushtetuese duke dashur të bëhet faktor në fushatë.
Fakti i mësipërm është i karakterit formal-juridik, Nuk duhet të shprehet dyshim se a ka apo nuk ka të drejtë ta shkarkojë Parlamenti shqiptar presidentin. Nuk do të lëshohej në aventurë shumica e Kuvendit pothuajse një partiak, nëse nuk do të kishte të drejtë. Por çështjet tjera janë krejtësisht politike.
Sepse, nuk duket se ka dikush dilemë se a u shkarkua Meta për gabimet politike apo për shkeljet eventuale kushtetuese? Argumentet se ai ka legjitimitetin më të lartë dhe është pothuajse i pashkarkueshëm, më i mbrojtur…që mund të dëgjoheshin këto ditë, nuk vlejnë nëse një shumicë parlamentare për shkaqe politike dëshiron ta godasë presidentin. E ai, për hir të sinqeritetit, në pikëpamje politike, bëri një varg veprimesh e qëndrimesh kontroverse, të cilat nuk mund të mbeteshin pa u vërejtur. Preteksti i tij për ta mbrojtur votën, dukej bindës në shikim të parë, por vetë “fushata” e tij ishte më së paku në mbrojtje të votës, por i orientuar kundër pushtetit, që atë e bënë të paanshëm në sytë e publikut të gjerë.
Këtu ndoshta ka edhe elemente jo vetëm të një gabimi politik, por dhe shkelje kompetencash të tij, të cilat mund të ishin edhe objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, së cilës padashur Kuvendi ia ka lënë barrën më të rëndë të vulosë fatin e kreut të shtetit.
Shkas për shkarkim mund të gjenden edhe te qëndrimet politike edhe te shkeljet ligjore. Nëse një udhëheqës i lartë shtetëror ka sjellje jo tipike për funksionin (kujtoni çfarë thoshte Ilir Meta gjatë fushatës zgjedhore, me fjalorin e tij me tfurk e me kmesa (!), pastaj kujtoni konfliktin jotaktik me SHBA-të, animi nga subjektet e caktuara në fushatë, që janë argumente të mjaftueshme për ta gjykuar politikisht dhe oponenca të ngritë iniciativa për shkarkim, siç e bënë deputetët e PS-së së përbërjes së vjetër të Parlamentit.
Impiçmente për kryetarë shtetesh ka pasur edhe gjetiu, diku të përfunduara me sukses, e diku të dështuara, por nuk është diçka që nuk ndodh. Me gjithë këto gafa, aq më tepër duke i acaruar raportet me ata që dikur e kishin zgjedhur, ishte e pritshme që ata nuk do ta toleronin në pafundësi. Shkarkuesit e tij gjejnë argumente se presidenti gjerman për një deklaratë me peshë të madhe politike(sepse ka thënë se intervenimi në Avganistan ka edhe interesa ekonomike) ka dhënë dorëheqje pa u realizuar deri fund iniciativa për shkarkim. Meta jo vetëm që nuk bëri diçka ngjashëm për shkak të gafeve të shumta, por nuk e bëri as si premtim “parazgjedhor” kur tha se do të jepte dorëheqje nëse nuk fiton opozita, që e bën edhe më joserioz në sytë e publikut të gjerë, edhe pse, nga ana tjetër, gjithnjë këto janë në sferën e politikës, e jo në atë të shkeljeve ligjore…
Mbajnë apo nuk mbajnë argumentet e Edi Ramës dhe PS-së, është çështje irelevante nëse shkarkimin kaherë të dëshiruar, mund ta çojnë deri në fund. Askujt s’i bëhet vonë. Por për këtë, do të duhej edhe një instancë, ajo e Gjykatës Kushtetuese, e cila do të duhej të vlerësonte nëse argumentet politike të shumicës parlamentare të skaduar, përbëjnë argument për shkelje kompetencash të presidentit. Nëse do të verifikonte vendimin e parlamentit, sigurisht se do të akuzohej për ndikim të politikës, e jo te argumentet juridike.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)