Paga edhe më të ulëta se ajo mesatare prej 24 mijë denarë, apo 20.500 denarë ofrohen edhe për kuadro me arsim të lartë apo për projektant me fakultet të përfunduar të ndërtimtarisë, apo në vende tjetër pune gjithashtu për inxhinier të ndërtimtarisë ofrohet pagë prej 21 mijë denarë. Paga prej 12 apo 15 mijë denarë ofrohen edhe për programues, ndërsa për elektro-inxhinier të drejtimit të digave ofrohen pagë prej 24 mijë denarë, e njëjtë me pagën mesatare në shtet
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 14 mars – Një pjesë e konsiderueshme e kompanive private në Maqedoninë e Veriut, apo së paku ato që ofrojnë punë përmes Agjencisë së Punësimit – në vazhdimësi kërkojnë fuqi punëtore, për paga të ulëta. Shpalljet të publikuara në ueb faqet e Agjencisë së Punës tregojnë se më së shpeshti ofrohen vende pune për paga mujore prej 12 -15 mijë denarë, apo në vlerën e pagës minimale të përcaktuar me ligj. Bile pagat lëvizin prej 12.500 denarë për shitës që është për 325 denarë më shumë se shuma prej 12.165 denarë që ofrohet si pagë për inxhinier të ndërtimtarisë, shkruan gazeta KOHA.
Edhe pagat e punëtorëve të tjerë që ofrohen lëvizin afër 12 mijë denarë për marangoz, nëpunës administrativ, punëtor në pompën e benzinës, murator, vozitës i autobusit dhe i kamionit, mjeshtër të picave, rrobaqepëse, taksist, kamarier, barist, pastrues… Paga edhe më të ulëta se ajo mesatare prej 24 mijë denarë, apo 20.500 denarë ofrohen edhe për kuadro me arsim të lartë apo për projektant me fakultet të përfunduar të ndërtimtarisë, apo në vende tjetër pune gjithashtu për inxhinier të ndërtimtarisë ofrohet pagë prej 21 mijë denarë. Paga prej 12 apo 15 mijë denarë ofrohen edhe për programues, ndërsa për elektro-inxhinier të drejtimit të digave ofrohen pagë prej 24 mijë denarë, e njëjtë me pagën mesatare në shtet. Bile, edhe pagat e mjekëve përkundër mungesës së tyre në treg, lëvizin prej 200 deri 30 mijë denarë. Në shpallje ofrohen punë edhe për ekonomistë të diplomuar me pagë prej 12 mijë denarë, ndërsa pagë e njëjtë edhe për profesorë të diplomuar të gjuhës gjermane.
Bile edhe në kompani të fuqishme private ofrohen paga prej vetëm 15 mijë denarë në pozitën e udhëheqësit për furnizim dhe shitje. Në shpallje mund të vërehen edhe biznese që më shumë çmojnë punën dhe që ofrojnë paga edhe më të larta se ajo mesatare prej 400 euro, por megjithatë në të shumtën e rasteve – dominojnë pagat e ulëta afër pagës minimale apo nën pagën mesatare në Maqedoninë Veriore. Ndër anomalitë e shumta në tregun e punës, thonë ekspertët, janë edhe dallimet e mëdha midis pagave në sektorin publik dhe atë privat, ku edhe të papunët me shkollë fillore nuk rendin të punësohen në sektorin privat dhe nuk duan të punojnë për 200 euro.
“Jemi shtet i vetëm ku më shumë paguhet mundi i atij që krijon Prodhimin e Brendshëm Bruto në vend se ai që e krijon vlerën e shtuar ekonomike. Kjo nënkupton se duhet të ndryshohet vetëdija tek punëdhënësit, pasi punëtorët që marrin pjesë në krijimin e PBB-së duhet të paguhen më shumë dhe jo, për shembull, gati të gjitha shitoret ti paguajnë punëtoret me pagën minimale prej 12 mijë denarë”, thotë Rade Nenadiq, ekspert i tregut të punës. Sipas tij, në të ardhmen nevojitet të krijohen kushte dhe ambient i tillë biznesi ku sektori real do të ketë paga më të larta se sektori publik, ndërsa edhe punëdhënësit do të duhet të stimulojnë dhe motivojnë punëtorët nëse dëshirojnë të kenë rezultate më të mira, raporton KOHA.
Në favor të rritjes së pagave në shtet – qoftë edhe me subvencione , flet edhe fakti se në tregun e punës në Maqedoni figurojnë afër 200 mijë persona të papunë, ndërsa për çdo muaj ofrohen nga 6000 deri 7000 vende të lira të punës që nuk mund të plotësohen. Paradoksi ku nga njëra anë të papunët ankohen se nuk mund të gjejnë punë, ndërsa nga ana tjetër firmat ankohen se nuk mund të gjejnë punëtorë, shpjegohet me faktin se punëtorët janë të pakënaqur me nivelin e pagave që ofrohen. Nga ana tjetër, përkundër rritjes së butë të pagës minimale dhe asaj mesatare, megjithatë pjesa më e madhe e punëtorëve në shtet janë shumë larg pagës mesatare prej 400 euro.
“Pagat ndoshta diku edhe rriten, megjithatë ato në përgjithësi akoma janë ndër më të ulëtat në rajon, si rrjedhojë e faktit se një pjesë e caktuar e punëdhënësve nuk dëshirojnë ta vlerësojnë si duhet mundin e punëtorit, dhe në rend të parë e kanë fitimin. Bile në 25 vitet e fundit, tek ne pagat janë rritur për 100 për qind, por megjithatë kapitali është rritur për së paku tre herë”, thotë sindikalisti Pece Risteski. Sipas tij, si shoqëri na mungon një shpërndarje e barabartë midis punës dhe kapitalit, ku çdo kush do të fitojë kulaçin e tij që i nevojitet për një jetesë normale.
Ndryshe, rroga mesatare në Maqedoni prej afër 400 euro, apo 25.784 denarë, mbulon vetëm harxhimet e ushqimit dhe banimit të vlefshme së bashku 23.950 denarë. Përllogaritjet e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë tregojnë se shporta konsumuese në muajin dhjetor të këtij viti kishte vlerën e 32.671 denarë në raport me pagën mesatare prej 25.784 denarë. Kjo, me fjalë të tjera do të thotë se për të siguruar gjërat elementare për një familje katër anëtarëshe, i mungojnë 30 për qind të holla apo mbi 9000 denarë për mbulimin e harxhimeve të shportës sindikale minimale. Shuma prej afër 33 mijë denarë nevojitet për një familje prej 4 anëtarësh, e cila jeton në banesë prej 50 metrash katrorë dhe nuk posedon veturë . Në këtë vlerë janë llogaritur 13.513 denarë për ushqim dhe pije, për harxhimet e banimit nevojiten 10.437 denarë, për higjienë nevojiten 2321 denarë, për transport 2386 denarë , për veshmbathje nevojiten 2244 denarë, për kulturë nevojiten 1070 denarë dhe për shëndetësi nevojiten 697 denarë. (koha.mk)