Kur intelektualin e mund aparatçiku!

Kishim menduar gabimisht se me përfundimin e epokës së monizmit do të marrin fund edhe praktikat e palavdishme kur edhe gomari mund të ishte dikushi nëse e ka librezën partiake. Nuk e kemi ditur se gomarllëqe të tilla, me variante edhe më bizare, do të na reprizohen edhe tash në kohën e demokracisë, kur djemtë e rijë, të posadalur nga pelenat e inferioritetit social, bëhen faktorë që të vendosin për fatet e intelektualëve të këtij vendi

Emin AZEMI

Në Maqedoni kurrfarë vlere nuk ke si intelektual shqiptar nëse nuk je anëtar i ndonjë partie politike. Me këtë konstatim u desht të ballafaqohet edhe një kuadër femër nga Shkupi, me përgatitje superiore dhe me disa mirënjohje ndërkombëtare , dhe në fund i bie që gjithë ajo përvojë dhe shkathtësi, të mos mjaftojë për burokratët partiakë, të cilët pa e dridhur as qerpikun e syrit, prishin tre konkurse dhe përfundimisht vendosin kritere ekskluzivisht partiake për ata që do të drejtonin ndonjë institucion publik, me karakter kulturor, siç mund të jetë, bie fjala, Muzeu i shtëpisë së “Nënës Terezë” në Shkup.
Qenkeshim gabuar kur kemi menduar se një parti opozitare, që është kritikuese e rreptë e pushtetit, punën e parë që do të bëjë kur të vijë vet në pushtet do të jetë flakja e deformimeve dhe idiotizmave që i kishte praktikuar pushtetit pararendës. Parasegjithash, kishim menduar që ajo parti opozitare do të lirohej nga virusi i dëmshëm i partizimit, me çdo kusht, të jetës shoqërore, aq më tepër kur pikërisht ajo parti, që vetes i thotë edhe Lëvizje, në ditët e vështira opozitare kishte premtuar se do të jetë shumë e hapur ndaj intelektualëve e njerëzve të ideve, duke i angazhuar ata, pa qenë nevoja domosdoshmërisht të jenë demek militant të kësaj partia. Dhe shumica e njerëzve iu besuan këtyre premtimeve, mirëpo po del që krejt ky muhabet paska qenë një punë e kotë, një punë që dinë ta bëjnë vetëm ata që fjalët i kanë të mëdha, e veprat shumë të vockëla. Ata që e prishin konkursin disa herë, duke refuzuar një kuadër të përgatitur dhe me shumë “background” profesional e intelektual, vetëm e vetëm që të gjejnë ndonjë fëmi të posadalur nga shkolla, për ta bërë drejtor, paçka se atij gjithë mandati do ti shkojë duke mësuar për punët që duhet ti kryej, shumicën e të cilave ia cakton partia, sipas platformës dhe diskursit të saj politik. Është kjo, fundja, edhe njëfarë tallje me vetë emrin që mban ky institucion, se po të ishte ndryshe, të pakten do të funksiononte respekti si për Nënën Terezë, por edhe për ata që kontribuan në afirmimin dhe avancimin e kësaj figure në përmasa planetare, siç ishte edhe kandidatja e refuzuar(!).
Pra, kemi ardhur deri në këtë derexhe që të refuzohen kuadro të dëshmuar, kuadro që gjithë karrierën profesionale ia kanë kushtuar ideve e projekteve shoqërore e kulturore dhe në vend të tyre të pranohen kuadro që përkatësinë partiake e kanë vlerën e vetme për të qenë në krye të një institucioni. Sa e mjerë është ajo shoqëri që udhëhiqet me ide të tredhura politike, që gjithçka që projekton e mat me kutin e amatorizmave partiake, tipike për njerëzit që prodhojnë shterpësi mendimi e veprimi edhe për eksport.
Kishim menduar gabimisht se me përfundimin e epokës së monizmit do të marrin fund edhe praktikat e palavdishme kur edhe gomari mund të ishte dikushi nëse e ka librezën partiake. Nuk e kemi ditur se gomarllëqe të tilla, me variante edhe më bizare, do të na reprizohen edhe tash në kohën e demokracisë, kur djemtë e rijë, të posadalur nga pelenat e inferioritetit social, bëhen faktorë që të vendosin për fatet e intelektualëve të këtij vendi. Nëse shkohet sipas kësaj logjike, në shoqërinë shqiptare duhet të shuhen të gjithë zërat intelektualë dhe të gjithë të zënë rendin për t’u bërë anëtarë partie nëpër degë e nëndegë dhe si majmunë të përfundojnë në kafazin e liderit aparatçik, i cili as vet nuk e di se si i ka ra hise të udhëheq një organizatë partiake. Por, te ne gjithçka është e mundur, sepse a është vendosur ndonjë sistem vlerash që po deshka ta respektojë lideri?! Madje ky i fundit, duke mendu se është bërë edhe i mençur, harron të ndëzë llampën që ia ofron ndonjë intelektual për të kaluar më lehtë tunelin e errët të të panjohurave që i imponon koha. Ecjet e tilla nëpër terr i kishim luftuar me dekada, por qenka shumë e dhimbshme kur kjo ecje preferohet ende me vetëdëshirë nga aparatçikët tanë partiakë që refuzojnë intelektualët dhe preferojnë çuna të pasprovuar në punë e tyre që duhet ti kryejnë me ndonjë patericë shkoze që ia ofron partia, e proklamuar dikur si ridefinuese e statusit të shqiptarëve në Maqedoni!