Njerëzit me moshë të shkuar nuk e kanë kollaj kur takohen me shokët e burgut… dhe sa herë që shihen, ata vihen në siklet. Ndaj një nga këta në vend të përshëndetjes, më tha: “Eh, miku! Ç’më ka marrë malli për një lot foshnje prej gjiri, për një lot nëne dhe për një lot prej vatani…, ç’taksirat kam unë?! Ç’kam bërë unë, ç’faj kam unë!” Më la gojëmbyllur dhe iku toptan me plagët e shpirtit të tij.
Nga Fadil LUSHI
Kryetitulli i këtij artikulli gjithsesi që del nga thesari i së folmes sonë krahinore. Që ky shkrim, të mos dalë si “lesh arapi” a edhe të mos marrë bojë “jeshile”, fillimisht do të bëjmë përpjekje që t’i “çajmë drutë tona e mandej t’i qajmë hallet e të tjerëve”. Detyrimisht do t’i shmangemi ngatërrimit të kompetencave si dhe pështjellimit të mendimeve, që kështu të mos krijojmë huti te lexuesi. Është paksa e vështirë ta zbërthesh kuptimin e këtyre dy fjalëve emërtuese që ndërtojnë këtë shprehje dialektore, megjithatë përbërësit e saj shënojnë dy nofka tallëse që i hasim në komunikimin tonë të përditshëm. “Të rrjeptit dhe të shqeptit”, përkundrejt mangësive të njohurive të plota dhe të përpikta për problemet e caktuara që dalin në lëmenj të ndryshëm, bëjnë “hyxhym” për të futur hundët aty ku nuk e kanë vendin, me qëllim që të duken të dijshëm. Sipas nofkave që mbajnë, ata të krijojnë përshtypjen se janë të “këndshëm” dhe herë-herë të ngjallin dhe “ndjenjën e simpatisë”, thjeshtë sikur të “bëjnë për vete!”.
Sot është bërë praktikë që në përditshmërinë tonë, “i rrjepti dhe i shqepti” bëjnë politi-kanin, bëjnë bilancin e ekonomisë popullore, bëjnë kryeopozitarin e shqetësuar, bëjnë spekulatorin, ata madje “bëjnë vampirin e natës dhe engjëllorin e mirësisë”, bëjnë akademikun duke përjashtuar atë të mirëfilltin, bëjnë “hajmalinë e Burdushit” dhe mandej ta varin në qafë me qëllim që të mos biesh mësysh, bëjnë mantelin e bardhë të mjekut, sikur po bëjnë mjekrën e qoses, ndonëse e dinë fare mirë se ajo mjekër asnjëherë nuk rregullohet, sikur për “hatër të aga babës” bëjnë pazarin politik, një pazar që na e solli shpirtin në majë të hundës, bëjnë punën e tyxharit i cili mallin e vatanit ia jep armikut veresie, bëjnë pabesinë sikur bëjnë regjisorin e estradës, operës si dhe aktorin e teatrit veror, ndonëse nuk dinë se ç’është opera, teatri a aktori, bëjnë bedelin, bëjnë “asqerin” e…, bëjnë ligjin, bëjnë punën e sekserit, bëjnë daulltarin e muajit të ramazanit, ndonëse nuk kanë hiç haber nga agjërimi. Këta “të rrjeptit dhe të shqeptit” bëjnë këpucëtarin dhe marangozin, zhgënjehen nga autori i editorialit të gazetës pse nuk ka shkruar për këngën tallava të nipit të tyre, sikur imitojnë ministrin që nuk ta kthen “selamin”, sikur bëjnë bojaxhiun pavarësisht se vuajnë nga daltonizmi, duan të bëjnë ciceronin e muzeut, ndonëse një të tillë asnjëherë nuk e kanë frekuentuar, duan të bëjnë kryeparin e partisë politike, të bëjnë qeveritarin si dhe zëdhënësin e tij, sikur bëjnë shefin e protokollit të organizatës-bazë të partisë politike, sikur bëjnë deputetin e Kuvendit Popullor, duan të bëjnë filozofin, ndonëse në jetën e tyre asnjëherë nuk kanë dëgjuar për urtësinë antike, shtiren sikur bëjnë lëmoshëtarin e Stambollit – vidh këtej e jep andej, duan të bëjnë gojëtarinë, të bëjnë Shqipërinë natyrale (Ehe, ti vëllaçko! Sa e madhe më duket kjo Shqipëri londineze!).
“I rrjepti dhe i shqepti” bëjnë çorape prej pambuku…, bëjnë protesta në “Çadrën e lirisë” për të kërkuar demokracinë e athinasve të moçëm, bëjnë pordhën në mexhlisin e burrave mendjendritur a mendjefemër, bëjnë “gjimnastikën e mëngjesit të diktatorit”, ndonëse gjumin e “prishin” pasdreke, bëjnë dajrexhiun, po njëkohësisht bëjnë edhe kritikën letrare, pavarësisht se nuk dinë se ç’është proza, poezia, romani a edhe eseja. Sipas qejfit të tyre, kur t’u teket dhe si t’u teket ata bëjnë mësuesin e historisë kombëtare, shtiren sikur bëjnë klerin e lartë mysliman, bektashian, katolik e ortodoks, ani se nuk kanë haber se ç’është religjioni, ç’është xhamia, teqeja, katedralja dhe kisha, ata mëtojnë të bëjnë pashain, pavarësisht se asnjëherë nuk e kanë pasur “gradën e nizamit”, të bëjnë lajmdhënësin e rremë, të bëjnë guvernatorin, të bëjnë këshilltarin ushtarak, ani se asnjëherë nuk kanë qenë tetar, të bëjnë qesëndisjen me të gjithë fukarenjtë, të bëjnë intelektualin pavarësisht se nuk e kanë as të mesmen, të bëjnë komplote dhe manovra me fishekzjarrë shumëngjyrësh, të bëjnë hafijen e pushtuesit. Do të mbjellin arat e fqinjëve me manaferra, sa herë që t’u teket dhe si t’u teket, do të nxjerrin avaze të vjetra dhe ca doke të mërzitshme dhe të padëshirueshme. Miku im i nderuar! Nëse nuk të “bezdisa”, pa më thuaj, këta të “rrjeptit dhe të shqeptit” çka nuk bënë dhe a thua çka tjetër nuk do të bëjnë. Ç’është e vërteta, kur këtyre të “rrjeptëve dhe të shqeptëve” do t’u shteren qejfet dhe kërkesat për t’u bërë diçka, do të këmbëngulin të bëhen “atdhetarë a vatanli” njësoj si miku im me taban kombëtar, i cili disa ditë më parë u duk këtejpari në mëhallën time.
Njerëzit me moshë të shkuar nuk e kanë kollaj kur takohen me shokët e burgut… dhe sa herë që shihen, ata vihen në siklet. Ndaj një nga këta në vend të përshëndetjes, më tha: “Eh, miku! Ç’më ka marrë malli për një lot foshnje prej gjiri, për një lot nëne dhe për një lot prej vatani…, ç’taksirat kam unë?! Ç’kam bërë unë, ç’faj kam unë!” Më la gojëmbyllur dhe iku toptan me plagët e shpirtit të tij. Kjo thënie e tij seç ishte një mllef i akumuluar, seç ishte një dashuri e munguar ndaj vatanit, ndaj foshnjës a ndaj nënës, seç ishte një ndjenjë e hidhërimit, unë me takatin e mendjes sime nuk e “kapa”…, një gjë më mbeti peng…, mos vallë këtë thënie të tij ma “faturoi” mua dhe ca të tjerëve të tillë si ai. Ky miku im, nuk të lejon ti thuash ‘i dashur’, sepse ky nocion human, i ngrohtë, emancipues dhe po aq paqësor, për të është i panjohur. Ky miku ynë, ka një të kaluar sa të lavdëruar, po aq edhe të ngatërruar…, ka kohë që të “rrjeptve dhe të shqeptve” dhe disa bashkëqytetarëve të tjerë nuk u ha palla hiç as për vatan e as për din e iman…, sepse lavdin dhe të shkuarën e mikut tonë, ashtu padrejtësisht e kanë vënë në grykë të harresës së tyre kolektive! Këta të “rrjeptit dhe të shqeptit” që hiqen për “zurnaxhinj, sehirxhinj, sherxhinj dhe lodraxhinj” nuk mund t’i bësh me faj, sepse në vaktin e mikut tonë fisnik ata ndodheshin në koqet e prindërve të tyre dhe, rrjedhimisht, nuk mund të dukeshin këtejpari.