Forma e zgjerimit të NDSH-së, përmes krijimit të tresheve, për udhëheqjen e Komitetit të Shkupit, përbënte metodën më të sofistikuar, ku pushteti komunist jugosllav e kishte shumë rëndë ta zbulonte veprimtarinë e saj. Së shpejti, komitetit iu bashkangjit edhe Osman Cami, i sapo liruar nga burgu
Nga Qerim LITA
(vijon)
Duhet theksuar se afërsia e këtyre dy figurave të shquara shqiptare buronte që në kohën e LDB-së, kur ata ishin kyçur në procesin e hapjeve të shkollave kombëtare shqiptare në Prefekturën e Dibrës, të iniciuar dhe organizuar nga ministri i Arsimit, Ernest Koliqi. Në atë periudhë kohore Dumani hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Serbicë të Kërçovës, ndërsa Marana në fshatin Gajre të Malësisë së Sharrit. Pa dyshim se, ky afrim i serishëm i tyre përbënte momentin kyç për përshpejtimin e formimit të NDSH-së në Shkup, një ide, e cila kohë më parë ishte shtruar si nga Azem Marana në Shkup, po ashtu edhe nga Mahmut Dumani gjatë qëndrimit të tij disaditor në Dibër të Madhe. Ja se si e përshkruante Azem Marana në procesin e hetuesisë nismën për themelimin e organizatës në Shkup dhe inkuadrimin e Dumanit në atë proces:
“…Në fillim të vitit 1945, më ftoi Hysni Qemal Ejupi te Qemal Qazimi për neje dhe me këtë rast më tha që ta thërras edhe Hasan Bilallin. Bashkërisht me Bilallin shkuam te Qemal Qazimi… Atje i takuam Nuriun dhe Hysni Qemalin. Filluam të bisedojmë rreth situatës politike dhe me këtë rast Hasani u shpreh se Kosova me pa të drejtë është ndarë nga Shqipëria dhe se si atje zbatohet një terror ndaj popullatës nga ana e pushtetit. Duke u thirrur në Dokumentin e Atlantës dhe Konferencën e Teheranit ku është vendosur që të gjithë popujve t’u jepet e drejta e vetëvendosjes, theksoi se kjo e drejtë nuk ju dha shqiptarëve dhe se ndaj shqiptarëve po zbatohet një padrejtësi. Hysni Qemali filloi të flet rreth vrasjeve të shqiptarëve në fshatin Bllacë të Shkupit nga ana e partizanëve. Unë theksova se Feta Sulejman Pashiq bashkërisht me Shaip Rajanovin nuk lejojnë të hapen shkolla shqipe. Në bazë të kësaj erdhëm në përfundim se duhet të veprojmë ilegalisht për bashkimin e Kosovës dhe të viseve tjera shqiptare me Shqipërinë. Atëherë unë theksova se para se të fillojmë, mirë do të ishte të konsultohemi me Mahmut Dumanin, i cili gjithashtu kishte orientim nacionalist, me të vetmin qëllim që të na e përcaktoj rrugën e veprimit. Pas kësaj unë bisedova me Mahmut Dumanin duke e njoftuar atë se janë disa shokë të cilët dëshirojnë të punojnë për bashkimin e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore me Shqipërinë…”.
Kyçjen e M. Dumanit në grupin nismëtar për formimin e NDSH-së në Shkup, e përshkruan edhe Hasan Bilalli, i cili më datë 21 janar 1946, para organeve të hetuesisë deklaron:
“…Një mbrëmje në shtëpinë e Veli Jonuzit u mblodhëm këta persona: unë (Hasan Bilalli), Azem Marana, Mahmut Dumani, Nuredin Ibrahimi, Qemal Ejupi dhe Nebi Veli Jonuzi. Mahmut Dumanin e solli Azem Marana dhe ai më njoftoi me të. Pasi më parë Azemi i kishte treguar Mahmutit se që të gjithë ne jemi të të njëjtit mendim dhe kundërshtarë të regjimit të tanishëm, edhe pse për herë të parë u njoftua me disa prej nesh, nuk nguroi të flasë. Kështu, gjatë fjalimit, Mahmut Dumani, veç tjerash na u drejtua se si duhet të luftojmë për bashkimin e Kosovës dhe Maqedonisë Perëndimore me Shqipërinë, të cilin bashkim nuk e duan as pushteti jugosllav e as ai shqiptar, prandaj shtoi ai, ne duhet të krijojmë një organizatë ilegale, të cilën ta zgjerojmë sa më shumë derisa të krijojmë kushte për rrënimin e këtij pushteti. Gjithashtu tha se duhet të lidhemi me çatat të cilat qëndrojnë nëpër male, sepse në rast të një kthese ata do të luajnë një rol të rëndësishëm…”.
Ndërkohë, përderisa në Shkup bëheshin përgatitjet për hartimin e programit politik të NDSH-së, në Dibër të Madhe, tashmë kishin filluar parapërgatitjet për krijimin e komitetit të këtij qyteti, i cili do të vepronte sipas direktivave që do të vinin nga qendra, përkatësisht nga Shkupi. Burimet e dala nga procesi i hetuesisë kundër kreut të KQ të NDSH-së, vënë në pah se bartës i kësaj nisme ishte, Edip Tërshana, një atdhetar i shquar shqiptar, i cili ngjashëm sikurse Mahmut Dumani, nga nëntori i vitit 1944, i pakënaqur me vendosjen e regjimit komunist, e kishte lëshuar Tiranën, për t’u vendosur në Dibër të Madhe. Gjatë qëndrimit disa mujor në Dibër, Tërshana zhvilloi biseda të ndara me një numër të konsiderueshëm të personave, shumica e tyre intelektual, e për të cilët kishte krijuar bindjen se janë kundërshtar të komunizmit.
“….Pasi u ktheva nga Tirana për në Dibër – shprehet Tërshana para organeve të hetuesisë të zhvilluar kundër tij më datë 15 korrik 1947 – u takova me personat si vijon: Medat Tërshana, Qeram Zllatku, Remzi Papraniku nga Dibra /sot profesor në Tetovë/, Esad Mezexhiu mësues nga Dibra, Munir Disha, Qemal Shehu, Nijazi Rusi, të gjithë ata për nga mosha janë të ri, Azis Cami (vëllau i Osmanit i cili asaj kohe gjendej në burgun e OZN-ës jugosllave – Q. L.)), Sadulla Kërluku, Hafiz Mahmuti, Ibrahim Kaba, Ejup Çilafi, Fadil Verzivoli, Dalip Turkeshi, Arif Vesatari, Burhan Kodra nga Dibra i cili jeton në Tiranë, Zeqir dhe Zijadin Kodra nga Dibra të cilët jetojnë në Tiranë. Me këta elemente zhvillonim biseda politike të cilat ishin kundër LNÇ-së. Në ato biseda flitej për vrasjet që i kryenin partizanët në Gostivar e Tetovë pas çlirimit…”.
Për rrjedhojë, pasi ishin kryer konsultimet e nevojshme me udhëheqjen e NDSH-së në Shkup, në pjesën e dytë të muajit mars 1945, në Dibër u themelua komiteti komunal, në përbërje: Xhavit Pustina, kryetar, ndërsa për anëtar u zgjodhën: Dr. Qeram Zllatku, Remzi Papraniku, Mit’hat Cami, Xhavid Kaba dhe Esad Mezexhiu. Në mbledhjen konstituive, Edip Tërshana, i cili ishte i autorizuar nga Komiteti i NDSH-së së Shkupit, konkretisht nga Mahmut Dumani dhe Azem Marana, për formimin e komitetit të Dibrës, kërkoi që secili anëtar, në radhët e organizatës të përfshij nga dy persona emrat e të cilëve nuk guxonin t’i dinin anëtarët tjerë të komitetit. Forma e zgjerimit të NDSH-së, përmes krijimit të tresheve, për udhëheqjen e Komitetit të Shkupit, përbënte metodën më të sofistikuar, ku pushteti komunist jugosllav e kishte shumë rëndë ta zbulonte veprimtarinë e saj. Së shpejti, komitetit iu bashkangjit edhe Osman Cami, i sapo liruar nga burgu. Anëtarësimi i O. Camit në organizatë, erdhi pas një bisede që Zllatku e kishte zhvilluar me të menjëherë posa kishte dalë nga burgu. Ndërkohë këtyre dyve iu bashkangjit edhe Petrit Jegeni, me çka u themelua treshi i parë i NDSH-së në Dibër, me të cilin udhëhiqte Qeram Zllatku.
Ndërkohë, gjatë muajit maj të vitit 1945, Mahmut Dumani zhvilloi një vizitë disaditore në krahinat e Dibrës e të Lumës. Fillimisht, Dumani, ndalet në Dibër të Madhe, me ç’rast takohet me Dr. Qerim Zllatkun dhe Osman Camin. Më pas, Dumani, udhëtoi për në Sllovë, për t’u takuar me Cen Elezin e Dan Kaloshin si dhe me përkrahësit e tyre. Pas diskutimeve të shumta me ta, që të gjithë e shprehën mendimin e tyre se duhet punuar për kauzën shqiptare, ku theksi iu vu veçanërisht koordinimit dhe harmonizimit të qëndrimeve midis forcave antikomuniste shqiptare. Cen Elezi shprehu vullnetin e parisë nacionaliste dibrane, e cila u tregua e gatshme për veprim. Ai mori përsipër që, sa i përket organizimit në Dibër, ta bëjë bashkë me shokët dhe miqtë e tij.
Vizita që bëri Mahmut Dumani në Dibër, pati jehonë të madhe në trevat shqiptare. Shqiptarët me të madhe flitnin për ndryshimin e shpejtë në Shqipëri. Lidhur me këtë, Qemal Sejfulla-Orak, nga Dibra, i raportonte K.Q. të PKM-së për parullat që lëshoheshin në këtë qytet. Në raportin e tij thuhej:
“…Kohët e fundit është ngjallë së tepërmi reaksioni shqiptaromadh. Kështu, në rrethin e Dibrës nuk lëshohen vetëm parulla shqiptaromëdha, por edhe përpiqen t’i organizojnë shqiptarët. Për shembull, njëfarë oficeri i një aradhe shqiptare nga Shqipëria e vjetër-Peshkopi ka ardhur në Dibër dhe i ka treguar një shoku të tij të shkollës, i cili është anëtar partie, duke i thënë: ‘Unë e di se t’i je anëtar i Partisë Komuniste, por t’i je i ri në parti, t’i je i mashtruar, a nuk e sheh se u ka ardhur fundi atyre komunistëve’, – duke theksuar më pas. – ne në Shqipërinë e vjetër kemi organizatë ‘zogiste’, edhe këtu do ta organizojmë atë organizatë, për dy tri javë do të bëjmë kthesë në Shqipëri. Për këtë jam marrë vesh me anglezët, të cilët do të na ndihmojnë…”.
Në një dokument tjetër të OZN-ës jugosllave, vihej në dukje se në Dibër të Madhe, vepronin grupe të armatosura shqiptare, për të cilët supozohej se pjesa dërmuese e tyre ishin dezertor ose të arratisurit e ushtrisë, numri i të cilëve sillej rreth 300 vetë. Gjithashtu, në dokument, konstatohej, se ata nuk bënin as çfarë dëmi, vetëm se shkonin nëpër fshatrat shqiptare të atij rrethi, duke siguruar ushqim, ndërkohë, këshillat e pushtetit të atyre fshatrave, të njëjtit “nuk i dorëzonin te ushtria, por i mbështesnin…”.
(vijon nesër)